Opinion
Njëri nga diplomatët më të shquar amerikanë, Henry Kissingeri me atë mençurinë dhe sinqeritetin e tij, një herë ka thënë se “Asnjë politikë e jashtme - sado gjeniale - nuk mund të ketë sukses në se ka lindur në mendjet e pak vetave dhe nuk është në zemrën e asnjërit prej tyre”. Mirëpo në Shqipëri po ngjet një fenomen aspak dinjitoz, për të mos thënë i turpshëm: po krijohet përshtypja se janë të huajt ata që do t`i ndreqin punët tona, do të na sjellin demokracinë e vërtetë, drejtësinë e kulluar që do të groposë korrupsionin njëheremirë dhe do të na shpjerë në progres, pasi ata e kanë vendin tonë jo vetëm në mendje, por edhe në zemrat e tyre. Që ta besosh këtë, duhet të jesh ose i verbër, ose naiv, ose interesaxhi, ose frikacak, ose i lig. Historia e këtyre mbi tre dekadave, e ka treguar si drita e diellit se fetishizimi i të huajve, çelja e portave për ndërhyrjen e tyre në punët tona të brendshme, pra lejimi për t`u sjellë me të sotmen dhe të ardhmen tonë, sikur ata të jenë guvernatorë dhe ne popull i prapambetur, ka qenë një nga gabimet më të mëdha të klasës tonë politike, gabim që ka instaluar një përçarje shumë më të keqe se ajo ballistë - komunistë. Dhe nëqoftë se ky nënshtrim vijon më tej, do të jetë një fatkeqësi e madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe kudo ku ndodhen trojet tona, të ndara nga trungu amë si pasojë pikërisht e pashpirtësisë dhe djallëzive të diplomacisë ndërkombëtare të asaj kohe. Edhe unë kam qenë nga ata që si shumica i kam besuar ndershmërisë dhe qëllimeve të pastra që të huajt kishin ndaj nesh. Por me kohë, duke parë jo vetëm sesi po silleshin ata, por edhe se çfarë pasojash aspak të mira po vinin nga qëndrimet e tyre, fillova të dyshoj. Propaganda zyrtare nxiton të na mbushë mendjen se me ta jemi aleatë dhe jo satelitë. Po si mund ta konsiderosh veten aleat, kur shihet se ata të duan dhe trajtojnë si ushtar të bindur? Kemi qenë aleatë me perëndimorët gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ata luanin me një taktikë pragmatiste: edhe pse nuk i donin komunistët, bashkëpunonin me ta dhe i furnizonin me armatime e llogjistikë, si forca kryesore antifashiste, se ashtu u leverdiste, pasi donin që këtu të angazhoheshin sa më shumë forca armike, për të lehtësuar frontet e tyre të luftimit. Edhe sot, janë me ata që janë në pushtet, mjaft që t`u bindetn pa kundërshtim. As që duan t`ia dinë për korrupsion e të korruptuar. Dhe nga ana tjetër, ia shtrojnë rrugën e pushtetit njëshit, duke e shpartalluar opozitën ose duke e bërë atë aspak konkuruese. Llafet se ata janë të shqetësuar për demokracinë te ne, janë broçkulla. Pra, puna ka shkuar aq larg, sa të huajt përkrahin haptazi ata që deri dje gdhiheshin e ngryseshin duke u betuar se do t`u derdhin plumb në gojë xhandarëve ndërkombëtarë dhe anatemojnë ata që burgoseshin e internoheshin pasi kishin simpati për ta. Madje, kanë shpikur një lloj mase të njëanshme, të cilën pozita e përdor si mashë për të nxjerrë gështenjat nga zjarri. Edhe udhëheqësit tanë duan t`i caktojnë po ata. Turp, kur shqiptari gëzohet që të huajt qofshin amerikanë, qofshin anglezë, ndëshkojnë një shqiptar, në vend që edhe ata të përgjigjeshin reciprokisht, po me masë të tillë për ambasadorët e tyre. Si pasojë e këtij qëndrimi përulës, situata politike ka ngecur në vend prej një kohe të gjatë. Përditë, si në parlamentin memec, ashtu edhe në median e shkruar dhe atë vizuale, na shfaqen të njëjtat skena bajate. Debate pa bereqet, sharje, akuza e sherre pa fund, dhe deklarata besnikërie ndaj të huajve e sidomos ndaj SHBA. Të gjithë e dinë si dreqi se kjo nuk është aspak normale, por më shumë u intereson pushteti dhe favoret e privilegjet që ai sjell. Pozitës kjo i vjen për shtat, opozita e shpartalluar ka frikë të thotë të vërtetën, se mos zemërohet Daj Sami. Opinionistët e mirëpaguar, përçarës profesionistë, çirren sa ngjirren, duke u skuqur në fytyrë, me sytë që gati u dalin nga vendi dhe spërkat e pështymës që bijen në fytyrën e tjetrit, duke përhapur mendimin e urryer se iku koha e sovranitetit. Ne sipas tyre jemi vend vasal, se po të mos qenë të huajt e sidomos amerikanët, nuk do të ekzistonim. Dhe si argumente na japin ato dy momente historike, kur Presidentët e SHBA si para më shumë se një shekulli, ashtu edhe para një çerek shekulli, na dolën si me fjalën e tyre me peshë, ashtu dhe me forcën e armëve, në mbrojtje. Sa të jetë jeta do t`ua dimë për nder atyre. Por tashmë elitat politike në Amerikë ndryshojnë, sikurse ndryshojnë edhe situatat ndërkombëtare apo interesat e tyre. Ne nuk kemi përse t`i ndjekim ata si lypsarë, sa herë ata luajnë me fatet tona dhe nuk kemi përse të krijojmë në botë mendimin se ne jemi vendi gogol për të trembur emigrantët. Mos harroni se Italia është 301.323 km2, dhe nuk gjetka dot një vend të përkohshëm për ta, kurse ne që na kanë lënë vetëm 28.748 km2, pra mbi dhjetë herë më të vegjël, u duhemi për t`i tmerruar hallexhinjtë e Afrikës të cilëve u thonë mos ikni nga vendi juaj se do të përfundoni në burgun shqiptar. Justifikimi: se këtë e bëjmë në emër të humanizmit. I bukur humanizëm, me tel me gjemba dhe policë të armatosur rreth e qark. Dhe shumë nga populli i besojnë këto përralla. Them shumë, pasi një pjesë, përditë e më e madhe po ndërgjegjësohet se nuk mund të vazhdohet më kështu, pasi ata na e kanë me hile. Duan të na shfrytëzojnë. Prandaj investuan gjoja për drejtësinë për të cilën opinionistët deklarojnë se varet nga amerkanët dhe realisht na kanë lënë fare pa drejtësi, ashtu sikurse na lanë fare pa ushtri. Ndofta ngrenë krye reminishencat e kolonive me qytetarë të përulur që u bëjnë temenara me dorë në zemër. Përfundimisht, do kuptuar se administratorët aktualë në Amerikë, nuk janë Amerika. Të mos pajtohesh me ndërhyrjet e tyre nuk do të thotë se nuk e do atë vend simbol demokracie. Ndaj është inkurajues fakti që edhe intelektualët me kurajë po shtohen te ne, duke folur hapur për gjithë sa po ngjet: pra për atë që është mirë dhe atë që është keq. Ata, natyrisht që janë me Perëndimin e sidomos me SHBA, por jo me politikat që duan të na kthejnë në shërbëtorë të tyre, duke na ngatërruar e armiqësuar me njëri - tjetrin. Faik Konica dikur, duke kërkuar vëllazërimin mes shqiptarëve, shtonte se “Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë”. Deri kur?
Komentar