top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: ASKUSH ZOTI RICHARD GRENELL NUK ËSHTË PADRONI I KOSOVËS




 

   Nuk e di se kush ka qenë ajo mendje “brilante” që për të zgjidhur problemet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mes një pafundësie diplomatësh me përvojë, zgjodhi .... e deklaruar Richard Grenell. Sikur të ishte vetëm kjo, do të qe gjysma e së keqes; do të mbylleshin sytë dhe do të kapërdihej kjo fyerje, me arsyetimin se është pjesë e strategjisë që po tenton të përhapet në mbarë botën, me synimin e shkatërrimit të moralit të shoqërisë njerëzore. Por kur sheh se ky devijim sjelljeje dhe kjo spërdredhje nga natyrshmëria, shtrihet edhe te qëndrimet e tij politiko - diplomatike që ai shfaq, atëherë puna ndryshon. Haptazi, ky zotnia, përfaqsues i një vendi të fuqishëm demokratik, me të cilin na lidhin njëmijëenjë arsye, po mban anën e Serbisë agresore të udhëhequr nga ndihmësi besnik i kasapit të Ballkanit, S. Millosheviç, duke mos u pajtuar me asnjë vendim apo masë që merr qeveria e Kosovës e kryesuar nga kryeministri atdhetar Albin Kurti i cili me shumë të drejtë dhe vendosmëri, kërkon asgjë më shumë se reciprocitet dhe nuk pranon të zbatojë propozimet që dashje pa dashje çojnë në shkatërrimin e shtetit të tij.

Duke parë se ai është i pathyeshëm dhe se është zgjedhur nga populli dardan për të mbrojtur interesat e tij dhe jo ato që imponon momentalisht koniuktura ndërkombëtare, por edhe duke harruar se dështuan një herë në përpjekjet për të mos u votuar ai, zoti Grenell e humb durimin dhe duke flakur tej pelerinën diplomatike, në mënyrë arrogante, dhe me kërcënime nga ato të Eskobarit të dikurshëm, shfrytëzon rastin për të bërë deklarata si ato të flaminëve,  të Romës së vjetër kur u bënin kurbane perëndive, pra sikur të ishte vetë prifti i Jupiterit. Ai, pa pikën e gajles gjen një moment delikat, siç janë zgjedhjet e reja dhe u kujton votuesve se marrëdhëniet me SHBA, qeveria aktuale i ka ulur në nivel të paparë dhe rreshton emrat e nja katër presidentëve të fundit që Albini nuk ua paska dëgjuar porositë. Pastaj, duke theksuar se Aleksandar Vuçiçin e ka mik, dhe duke shpërfillur fjalën e urtë se “Miku i armikut tim është armiku im”, brutalisht ndërhyn në punët e brendshme të një vendi sovran, duke u thënë votuesve se ata duhet të mos e votojnë atë, pasi do të kenë pasoja. Kjo është tërësisht e habitshme dhe sepse të kujton fjalët e xhelatit kur i tha Don Karlosit: “Të vras për të mirën tënde!”

Po Albin Kurti nuk është raja i askujt dhe nuk është as pronari i dyqanit ku tregtohen interesat e atdheut të tij. Nga ana tjetër është për të ardhur keq, kur sheh se këtij qëndrimi i bashkangjiten edhe disa forca politike në Kosovë të cilat janë në opozitë me qeverinë Kurti. Ata janë në të drejtën e tyre të mendojnë tjetërsoj për të gjitha problemet me të cilat ndeshet vendi, por nuk më duket e drejtë që t`i kundërvihen vëllezërve të tyre kundërshtarë politik te çështja jetike e të tashmes dhe të ardhmes së Kosovës. Shpesh i kam dëgjuar me vëmendje ata që e kritikojnë për ulje të nivelit të marrëdhënieve me Perëndimin qeverinë e zotit Kurti dhe shoh se edhe ata nuk artikulojnë qartazi se ku e shohin “gabimin” e saj. Nuk thonë që t`i bëhen lëshime Serbisë; për asosacionin, për ndërrimin e territoreve, për dinarin, për targat, për dënimin e grupit diversionist, për Urën e Ibrit etj. etj.

Se dhe ata e dinë mirë që pranimi dhe vënia në jetë e tyre apo në tërësi i Marrëveshjes së Ohrit, pa marrë përsipër asgjë Serbia, do të ketë pasoja tragjike. Them tragjike, se me kalimin e viteve askush nuk garanton se gjërat nuk do të ndryshojnë. Për më tepër që të gjithë së bashku duhet të bashkërendojnë qëndrimet dhe veprimet në kërkesën e ligjshme të bashkimit me Shqipërinë, pasi ndarja është një nonsens sa moral aq edhe juridik, një shkelje me të dyja këmbët e të drejtës së popujve për vetvendosje. Dhe qëndrimi i përbashkët i tyre do të sensibilizojë edhe politikën e Tiranës zyrtare që të shkundet, të përmendet dhe të guxojë ta mbrojë ndërkombëtarisht këtë bashkim i cili nga ana e tij i sheshon të gjitha dyshimet për trazira në Ballkan.

Në të kundërtën, Serbia do të vazhdojë përjetësisht të ketë pretendime dhe t`i kanoset Kosovës, Kosova do të mbrojë gjithçka i takon dhe Grenellët që do të vinë nga Perëndimi, si homo apo si hetero, me bisedimet e tyre të pafundme që po bëhen qesharake, sipas tekave të tyre do të anojnë nga u leverdis. E gjithë kjo nuk do të zgjidhë asgjë, ashtu sikurse nuk ka zgjidhur dhe nuk mund të zgjidhë as në marrëdhëniet përjetësisht të tensionuara dhe të ngjyrosura me lumenj gjaku, midis Izraelit dhe Palestinës. Se asgjë nuk zgjidh as ndërhyrja sado brutale që të jetë e të huajve në dëshirën e vetë votuesve kosovarë për të zgjedhur lirisht atë forcë politike që duan, me vullnet të lirë si të gjithë popujt e qytetëruar të Evropës. Pastaj, ta zëmë se përsëri mbeti zoti Albin Kurti Kryeministër, a nuk lind vetiu pyetja “Po ç`t`u desh o zoti Grenell që fut hundët atje ku s`të takon?” Po edhe Presidenti i nderuar zoti Trump, me natyrën e tij të paparashikuar, druhem se do t`i thotë me gjysmë shakaje: “Ik o b.!”

10 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page