Në vend të hyrjes…
Në kolanën e librave të shkruara nga sociologu Gëzim Tushi (Mjeshtër i Madh), libri i tij “Njeriu pa Dimension” është një nga më interesantët, sepae ai është marrë intensivisht me studimin e këtij fenomeni të ri social të shoqërisë postmoderne shqiptare, e cila, sikurse shprehet ai, e “shqetësonte si dilemë teorike dhe ekzistenciale”. Cili është Njeriu dhe cila është Shoqëria që jetojmë sot? Në mendimin filozofik, sociologjik dhe antropologjik ka studime, vepra dhe autorë që janë marrë seriozisht me këtë problem. Natyrisht, sipas autorit, në periudhën moderne janë me rëndësi dhe duhen konsideruar idetë e Marksit për ndarjen e shoqërisë në klasa, luftën që zhvillohet midis borgjezisë dhe proletariatit dhe më vonë ideja interesante e Markyzesë për “shoqërinë pa klasa, të rrafshët, unidimensionale” dhe ekzistencën e njeriut me një dimension.
Teza e Herbert Markyzes përkundër teorisë së Marksit dhe idesë së tij të shoqërisë me polarizim klasor, shtron idenë se shoqëria moderne është me një dimension dhe jo e ndarë në klasa, por në njerëz që kanë “një përmasë”. Padyshim askush nuk mund të mohojë faktin se në çdo kohë janë analizuar fenomenet shoqërore që të mbushin me trishtim apo që të ngjallin optimizëm. Megjithatë, të paktën që nga shekulli i 20-të e në vazhdim, sipas sociologëve të shquar të kohës sonë, ka një shpërthim të irracionalitetit social dhe individual. Këtë të vërtetë, thotë sociologu Tushi, e gjejmë të sintetizuar me inteligjencë në analizat dhe studimet e shkëlqyera të Marksit, Paretos, Frojdit, Markyzes, Poperit, Hokajmerit, Adornos, Habermasit, etj. Ata duhen vlerësuar, sepse sikurse thotë Izaiah Berlin, ata “kanë pasur ndjeshmëri më të mprehtë ndaj rrymave të nëndheshme të kohës së tyre dhe shikim më depërtues në shtysat e sjelljeve individuale dhe sociale.” (I. Berlin, “Idetë filozofike të shekullit të 20-të dhe katër esse mbi lirinë” f. 292)
Padyshim, shtrimi i këtij problemi, aq më shumë zgjidhja e tij, është e vështirë dhe nuk mund të bëhet në mënyrë statike. Zgjidhja, thotë autori i librit, duhet të jetë dinamike. Shqetësimi i sociologut Tushi në librin e vet është i lidhur me ndryshimet që po ndodhin me njeriun dhe shoqërinë shqiptare postmoderne të ditëve tona, me dukuritë kontroversale dhe fenomenet sintetike e të ndërlikuara, të cilat, me sa duket, nuk mund të shpjegohen as me teorinë e polarizimit marksist, as me parimet e shoqërisë unidimensionale markyziane. Duke parë me vëmendje situatën sociale të shoqërisë shqiptare postmoderne të ditëve tona, si dhe shfaqjet në jetën e përditëshme, është e vështirë të bësh një klasifikim sociologjik për strukturën sociale dhe natyrën e njeriut postmodern.
Në këtë kontekst, autori shkruan se “pa pretenduar për ndonjë klasifikim të shoqërisë dhe njeriut postmodern, më duket se ato sot janë “përtej Marksit dhe Markyzesë”. Shoqëria postmoderne shqiptare, thotë Tushi, duket si organizim social kaotik, pa formë dhe strukturë të qartë, pa tipologji sociologjike. Kjo e bën të vështirë për ta klasifikuar. Nga ana tjetër, edhe njeriu që jeton në këtë shoqëri pa strukturë, shpesh kaotike dhe pa formë të qartë sociale, duket si “njeri pa dimension”. Ky është shqetësimi që ka patur prej kohësh autori dhe me të cilin është marrë për një kohë të gjatë në studimet, librat dhe shkrimet e tij të shumta për natyrën e shoqërisë moderne, pa e ndarë natyrisht interesimin konceptual filozofiko- sociologjik nga ai kontekstual, nga realiteti i shoqërisë shqiptare. Kjo është edhe lënda që rrjedh në tërë faqet e librit të tij “Njeriu pa Dimension”. Unë mendoj se ai ka qenë i sukseshëm në këtë ndërmarrje teorike, në këtë qëllim që i ka vënë vetes, për të sqaruar konkluzionin për natyrën e “shoqërisë dhe njeriut pa dimension”. Ai nuk ka tentuar vetëm të bëjë krahasime të ideve bazale marksiste dhe markyzeane me realitetin e sotëm, por ka patur qëllim, është të sjellë fakte dhe argumente që vërtetojnë këtë tezë, përmes analizave dhe studimit të realitetit të sotëm social dhe antropologjik. Sigurisht kjo nuk është punë e lehtë, madje është tepër e vështirë. Por kjo nuk do të thotë që duhet të stepesh para vështirësive. Kjo është arsyeja pse ai thotë se “jam përpjekur që modestisht të jap kontributin tim, për një “rontgenoskopi sociale” të natyrës së shoqërisë dhe njeriut të sotëm, për të ravijëzuar natyrën e shoqërisë dhe njeriut postmodern shqiptar. Është fakt i njohur që ka një kohë të gjatë që në qendër të punës studimore të sociologut Tushi ka qenë në mënyrë të veçantë njeriu dhe shoqëria, problemet me natyrë antropologjike dhe sociale, të para në mënyrë kombinative, edhe si çështje teorike, por dhe si probleme me natyrë empirike. Natyrisht, koncepti i shoqërisë dhe njeriut pa dimension, është një përpjekje personale si studiues për të parë nga një këndshikim botën dhe njeriun postmodern, duke vlerësuar ato dukuri të reja që u japin atyre këtë trajtë. Në konceptin e librit të Gëzim Tushit, të “shoqërisë dhe njeriut pa dimension” (apo përmasë, sipas Markyzesë), është ideja se shoqëria dhe njeriu postmodern shfaqen në forma të reja, me probleme të komplikuara, që është vështirë të analizohen apo klasifikohen jo më sipas skemës së Marksit të njeriut si qënie politike dhe sociale me mision historik, por as me konceptin modern të Markyzes për njeriun dhe shoqërinë me një dimension, me shoqërinë si një të tërë dhe njerëzit si qënie antropologjike dhe jashtë kondicionimeve të vjetra të tipologjisë klasore. Jeta e sotme postmoderne ka material të bollshëm për të bërë përpjekje për ta hedhur këtë tezë. Sociologu Tushi mendon se ndodhemi përballë një tipologjie të re të natyrës së njeriut dhe shoqërisë, e cila ka nevojë të rikonsiderohet nga principe të reja sociale dhe individuale. Koha, mendon ai, kërkon nga të gjithë studiuesit e shoqërisë dhe njeriut, shkencat sociale, politike, antropologjike e humane që të bëjnë përpjekje për të “ripërkufizuar” njeriun dhe shoqërinë e re, për të ripërcaktuar tipologjinë e tyre, jo sipas koncepteve dhe skemave klasike sociologjike të determinizmit të thjeshtë klasor apo ekonomik, por duke vlerësuar sidomos natyrën antropologjike të njeriut, i cili tashmë, duke qenë jashtë skemave të përcaktimeve të vjetra të dimensionimit të pozitës së tij nga parime ekonomike e klasore, janë pothuaj “pa dimension”.
Prandaj, thotë autori, “është e kotë, është e vështirë të gjesh sot në kohën postmoderne njerëz që kanë ndërtuar jetën në besime të vjetra ideologjike, si në të kaluarën kur bota ishte e ndarë politikisht dhe ideologjikisht në dy pjesë, në të cilën njerëzit ishin të ndarë tipikisht sipas besimit ideologjik mbi të cilën ishte ndërtuar jeta. Në kohën tonë, shkruan Tushi, njeriu ka ose nuk ka besime të qëndrueshme, beson në një ide apo në një pluralitet ideshë e besimesh. Ky është realiteti i jetës moderne. Dikush beson në fe apo në ideologji, në besime të verbra okulte apo në forcën e magjisë, tek Zoti apo në shkencë. Tani kemi njerëz të ndryshëm që kanë një pluralitet besimesh të ndryshme. Natyrisht, në këtë raport të njeriut me shoqërinë, mendon autori librit “Njeriu pa Dimension”, duket se ka probleme të mëdha jo vetëm të “dimensionit” të tyre, por dhe të interferimit të “njeriut pa përmasë” në një “shoqëri pa dimension”. Kjo është një sfidë e madhe e shoqërisë postmoderne, e cila nuk është e lehtë për t’u njohur, vlerësuar dhe interpretuar saktë. Megjithatë ndihet se kemi përpara një problem të madh me natyrë sociale dhe antropologjike, që qëndron përpara kohës dhe shoqërisë bashkëkohore, sepse, sipas autorit, shoqëria moderne, nga natyra e saj, po depolitizohet në favor të antropologjizimit të saj, duke u larguar nga paradigmat e vjetra të ndarjes politike të njerëzve në klasa. Tashmë ajo po kapërcen madje edhe zbulimin e madh të Markuzes, i cili me të drejtë e ripërcaktoi shoqërinë post-moderne si një shoqëri dhe njeri me një përmasë (dimension). Tani bota politike dhe sociale e dikurshme me natyrë holiste ka natyrë dhe prirje të pakthyeshme individualizimi, thotë autori në librin e tij. Në këto kushte ka rënë natyra imponuese e dikurshme deterministe e shoqërisë, e cila përcaktonte strikt konturet e natyrës sociale të njeriut, si qënie e varur dhe e determinuar nga kuadri socio-ekonomik, në një shoqëri moderne, që nuk ka më përmasa dhe korniza të hekurta socio-politike me natyrë deterministe, edhe njeriu është bërë “tjetër”. Jetojmë në një kohë kur njeriu jeton më shumë me “botën e tij” se sa në botën sociale, kur ai ka besim më shumë tek forcat, idetë dhe aftësitë e tij sesa tek ndihma e shoqërisë. Në mendimin sociologjik modern flitet se njeriu orientohet në jetën e vet praktike jo aq shumë me “hartë sociale” sesa me “hartën individuale”, me të cilën ai orientohet në jetën e vet dhe me të cilin përmbush rolet e tij me natyrë sociale apo individuale. Gëzim Tushi mendon se analiza teorike e konceptit të shoqërisë dhe njeriut pa dimension, nuk do të ishte e qartë për lexuesin, në se nuk bëjmë që në fillim një marrëveshje fjale dhe mirëkuptimi: Ky koncept teorik mund të kuptohet apo të vlerësohet si i vërtetë vetëm në se sinqerisht dhe pa paragjykime doktrinariste do të vlerësojmë dukuritë e jetës moderne, vetëm në se dukuritë e jetës praktike do t’i marrim dhe vlerësojmë ashtu sikurse ato shfaqen apo kanë tendencë të shfaqen, pa i ngatërruar me paradigmat teorike dhe kontroversat e paarsyeshme doktrinariste për kohën moderne. Në këto kushte, ajo që bie më shumë në sy është përpjekja e shoqërisë moderne që të sigurojë përmasë ekzistence dhe tipologjie për vete dhe dimension për njeriun. Shoqëria moderne dhe njeriu pikërisht janë në krizë identiteti dhe paqartësie, për të qenë në kohezion dhe bashkekzistencë, kanë nevojë që të për punojnë një kulturë të re të orientimit drejt njëri-tjetrit, por jo sipas tipologjive dhe kulturave të vjetra të shoqërive të së kaluarës. Ne, thotë Tushi, jetojmë në një kohë tjetër, në të cilën shoqëria ecën në rrugën e saj, jashtë skemave imponuese për krijim të identitetit social të sforcuar dhe të ndryshimit të shpejtë të njeriut nga “qënie sociale”, sipas konceptit të vjetër socio-politik, drejt individualizimit të tij si individualitet, si qënie e veçantë antropologjike, i lidhur qenësisht me veten dhe interesat e tij dhe vetëm në mënyrë periferike me shoqërinë dhe kondicionimet e saj. Tani, thotë autori, duket se jemi përballë një shoqërie dhe njeriu pa dimension. Çdo njeri tani duket se ka filozofinë e vet të “jetës praktike”, një botëkuptim antropologjik shumë të personalizuar. Gjithnjë e më shumë po dobësohet kohezioni social, vlera e normave morale dhe sociale me të cilat njeriu kohë më parë ndërtonte “hartën e orientimit” personal. Njeriu pa dimension është qënia moderne e kohës sonë, që ka më shumë besim në gjykimin e shëndoshë personal sesa në skemat e “referimit social”. Prirja individualizuese e jetës moderne, konkludon sociologu Tushi në librin e tij, ka bërë që në vend të skemave sociale të referimit të lulëzojë “vizioni individual” për jetën, të cilat në këtë botë për njerëz të ndryshëm janë tepër të ndryshëm, të larmishëm, madje të kundërt.
Comments