(Përndryshe: Lojëra të vjetra me termin ‘modern-e’)
Bisedë
Modern. Postmodern… Jetë e mot, një sërë manierash rrahin të krijojnë përshtypjen e një të shkruari kësodore. Termi - në vështrimin tim, vetëm një dhe i njëjti - është i hershëm; kurse lektisjet pas tij, janë të përhershme, ngazëllonjëse, gjer edhe qesharake. E në këtë temë, shndërrimi i qenieve, i vetë realitetit, mbetet ndër skemat më të pëlqyera dhe më të shfrytëzuara në arte, sidomos në letërsi. Një pistë, ku kërkimet, ngjasimi, përsëritja - edhe plagjatura, pse jo - ngrehin pyetje e dilema.
S’është ndonjë gjë e re ta themi, aplikimi i shndërrimit si një mjet artistik, është një dukuri artistike e vjetër sa bota; fillon te këngët e legjendat më të hershme dhe përrallat e krijuara në shekuj. Ndaj është e vështirë të përqendrohesh për ta skanuar dinamikën e kësaj dukurie në mënyrë perfekte, mes aq shumë praktikash letrare, ndonjëherë të përsëritura, që të kujtojnë atë vërtitjen e fluturës së natës rreth llampës së dritës…
Shndërrimi, dukuri artistike që konsumohet gjithnjë e më shumë nga koha në kohë, në qasjet e tij më të pranueshme e të realizuara, bën që subjekti dhe personazhet të lodrojnë mes fantazisë dhe realitetit; krijimi fiton tjetër opus, instensifikohet intriga, rritet suspansi e, njëfarësoj, ofrohet spektakël. Rëndom, dukuria e shpie veprën në pretendime mirëfilli filozofike; ose, më e pakta, ia shton asaj këto doza. Shndërrimi vjen përherë si një dimension sfidues i parametrave të krijimit dhe të vetë qasjes njerëzore ndaj jetës, rritet si një përkim, përpjekje a zhbirim që kërkon të panjohurën, të çuditshmen, të pazakontën. Dhe sërish, ajo që mbetet për t’u diskutuar, është ‘justifikimi’ formal, më mirë estetik i kësaj përmbushjeje fantazish e shpikjesh letrare. Pra, thjesht kemi një veshje ‘moderne’ të episodeve? Një shkak apo mund tjetërsoj për të medituar rreth pikëpyetjeve të jetës? Një kod, mani, shtirje, shmangie nga jeta reale, për të sfiduar të zakonshmen, mbase të rëndomtën?
Pyetjet ndonjëherë ndihmojnë, ndonjëherë e trazojnë edhe më lëndën. Ndoshta - duke iu shmangur atyre, por duke lejuar hamëndsime të tjera - mund të themi që shndërrimi është thjesht një mekanizëm i vështirë artistik, një lodër e stërmadhe, që autorët e talentuar e përsosin nga koha në kohë, kurse grafomanët e kopjojnë apo përpiqen ta rivizatojnë në përshtatje me subjektet që ata kanë stisur, pa e ditur se ç’mund të shtojnë në oqeanin e krijimtarisë artistike.
Shndërrimi shoqëron apo ‘mbush’ krijimet artistike që nga “Ulisi” i Homerit, vepër në të cilën shokët e heroit shndërrohen në derra. Shndërrimet e çuditshme janë një manierë artistike gjithashtu që te Ovidi dhe ca më misteriozisht shfaqen në veprën e madhe të Dantes “Komedia Hyjnore”. Një nga shfaqjet e hershme të shndërrimit, është lexuar gjithashtu tek “E bukura dhe Bisha”, që mendohet të jetë shkruar a mbledhur nga Vëllezërit Grim. Në këtë përrallë, realizuar film në disa variante - vizatimorë apo të luajtur - një princ fodull shndërrohet në bishë, kurse një sërë personazhe në sende. Shndërrime, por brendapërbrenda species, gjenden në veprën “Udhëtimet e Guliverit” të Xh. Suift. Te “Ishulli i pinguinëve” i shkrimtarit francez A. Frans pinguinët transformohen në njerëz (pas pagëzimit gabimisht nga abati pothuajse i verbër Mael.) Te “Christmas Carol” i Ç. Dikens, në një nga ‘çudirat’ e shumta të romanit, personazhi kryesor shikon se si fluturojnë nga dritaret njerëzit e shndërruar në fantazma. Te drama “Rinocerontët” e E. Joneskos, personalitete të njohur të qytetit shndërrohen në rinocerontë… (Dhe frazat e frikshme, sa edhe groteske, trondisin spektatorin: “Po kalon Kryetari i Bashkisë!”)
Zhgënjimi nga shumëçka, mbyllja në vetvete, mëritë dhe konfliktet e gjithfarëllojta, mosbesimi te zhvillimet e diskutuara dhe shoqëria, janë disa nga dukuritë që e prodhuan në kohëra këtë mekanizëm artistik. Te “Metamorfoza” e F. Kafkës - ndër autorët, le të themi, një ‘shkollë’ më vete dhe që është qasur me këmbëngulje në absurdin e jetës - personazhi kryesor, Gregor Zampa, shndërrohet në njëlloj insekti gjigand. Në disa nga krijimet e H. L. Borhes-it, lënda njerëzore gjithashtu shihet e deformuar dhe, me raste, në një tufë hijesh pothuaj të pashpjegueshme. Xh. Oruell e ka çuar këtë mekanizëm gjer te fabulizimi i personazheve dhe mjedisit; (“Ferma e kafshëve”).
Mund të vijohej gjatë me këtë bisedë, por mbase edhe jo; erdhëm në pikën e dëshiruar, që do të thotë se kur e do puna të flasim për ‘modernen’, si objektiv a favor i shumëkujt apo si risi, mendoj se duhet të jemi më të përmbajtur; së paku në lidhje me përdorimin e mekanizmit shekullor të shpjeguar më lart.
Më në fund, pasuritë e mëdha artistike vetëm sa mund të ceken disi në biseda të tilla. Kurse pretendimet gjithfarë për ‘modernizëm’, bëhen të lodhshme, në mos komike, atje ku nuk ka gjetje, stil, veçanësi. Dhe për çka, lexuesit e botuesit janë të ftohtë.
……………………………………………………………..
*Emrat e autorëve janë shkruar sipas parimit të shqiptimit. Faleminderit për mirëkuptimin.
תגובות