Të dashur miqtë e mi!
Nga libri im “Shkëndija prej një zjarri të shuar”, monografi kushtuar ish partizanit të Brigadës I Sulmuese, shkrimtarit Andon Kote, (ndarë nga jeta në SHBA, ku banonte) po jap vetëm një poezi të tij kushtuar Gjeneralit Arif Hasko, në atë kohë nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. (Këtij shkrimtari i kam pas redaktuar e botuar plot 20 vëllime me poezi dhe me skica, reportazhe e tregime)
Lexim të këndshëm, miqtë e mi!
Siç ishit, ashtu keni mbetur, komisar!
Siç ishit, ashtu dhe keni mbetur,
O shoku ynë i dashur, komisar!
Juve trimëria ju lexohej në sy,
Zemër e shpirt, vetëm qelibar.
Malli shumë na djeg e na zhurit,
Për Ju, o Arif Hasko, o vëlla!
Se shkuan mote që s’jemi parë,
Mote me derte e halle të mëdha!
Tetëdhjetë e pesë vite kanë shkuar,
Por Ju mbetët ashtu, përherë i ri,
Sepse trupi, o vëlla, t’është gatuar,
Nga balta jonë e markës Shqipëri.
S’të thyen acare, s’të thyen furtuna,
Nga Tërbaçi sa virtyte kishe marrë!
Ku ishte nevoja, atje ku ishte puna,
Aty gjendeshit ju, i dashur komisar!
Si dikur në luftë, kokën lart edhe sot,
Kur jeni në krye të shokëve veteranë.
Kështu ju pafsha, vëlla, mot për mot,
Gradën Gjeneral – por idealin partizan.
Ju kujtoj që nga vitet kur tok luftonim,
Ju shikoj dhe sot, kur vrulli s’iu ndalet.
Ju dëgjoj tek na drejtoheni me zë të lartë:
Ne lavdisë së Luftës t’ia mbrojmë idealet.
(Shkruar në Amerikë në pranverën e vitit 1998)
Comments