top of page

Shkëlqim HAJNO: MUZIKË E HUAJ




-Tregim satiro-humoristik-


Me Kelin, shoku im brun ose egjiptian, siç i thonë zyrtrarisht këtij komuniteti tani,  jemi rritur në një pallat. Nga ato te famshmet me kontribut vullnetar. Unë mbarova të mesmen dhe pas stazhit  në një fermë bujqësore edhe të lartën, po ai megjithëse nxënës mesatar, nuk e ndoqi më tej shkollimin.

Babai i Kelit, Xhemali apo siç i thërrisnin Xhemal Violija, i mësoi pompën edhe furçën dhe e mori pas në komunale si ndihmës bojaxhi. Ishin një varg me fëmijë njeri pas tjetrit. Por Xhemali ishte punëtor te zoti. Rrogën e vogël e ndihmonte ngapak duke shitur peshk, zënë nga lumi i Gurëzës pranë qytetit me pezevolin  që e thurte vetë me pe najloni në lagjen tonë, Babademo.

Xhemal Violija vinte nga familje muzikantësh popullorë. Që kur ne ishim nxënës në fillore, Xhemali dëgjonte nga radioja  muzike italiane, franceze, ruse dhe greke. Ai luante mrekullisht në violinën që e kish mësuar nga babai dhe, ky i fundit nga i ati, ardhur nga Përmeti në qytetin tonë që nga koha e Italisë së parë, tregonin.

Sa herë që kthehesha nga Tirana në shtëpi  për pushime të shkurtra ose të gjata, asnjëherë nuk e harroja shoqërinë e dikurshme të fëmijërisë: Zaimin, Titen, Riten, Xhelanin, Gonin, Bushin, Seitin, Petron, Muratin, etj,. Dikur, bridhnim nga lumi për të zënë peshq këmbëzbathur dhe gjysmë lakuriq. Thanim ndonjë remb të hollë  lumi   me shelgje e  driza dhe aty, zinim peshq e ngjala me pirun. I shkonim në vargje në biga shelgu dhe kapradiseshim, kur hynim në qytet.  Kur ktheheshim nga  lumi kishim gjithmonë një uri prej elefandi. Nënat tona shpesh na i ndanin në pjesë të barabarta copat  e bukës me sheqer me disa pika të rralla vaji kikiriku ose ulliri mbi to. Po ishte gjë e zakonshme  kur ne i hanim nganjë 'gaçë' shoshokut nga copa e tij.

***

-Keli, ç' kemi nga shtëpia? Xha Xhemali? Nënë  Ramizeja? -e pyeta   shokun tim të fëmijërisë në një nga kthimet e mia nga Tirana si student.

-Lere mos e nga! Keq!

-Keq? Kush është sëmurë?

-Xhemali, babai.

-Përse? Nga se vuan?

- Nga trutë e kokës!..

E pashë i habitur dhe i them:

-Hajde tani, me shpjego si është puna.

-Kërkon që ta fusin brenda,1)( në burg) se... i krruhet shumë, dermanit...Nga goja nuk thotë ndonjë gjë, po, të keqen e ka nga veshët..-dhe kapi të dy veshët me duar,- se dëgjon muzikë italiane me zë të larte në pallat, jo si ne të tjerët...Dhe ti e di që, kjo ndalohet nga Fronti, nga Partia, nga shteti, byrazer! Nuk ë?Është shfaqje e huaj, borgjeze dhe revizioniste i kish thënë instruktor Dajlani  i komitetit të Partisë që, ç'është më e keqja është edhe nga dora jonë, domethënë evgjit, brun, egjiptian. Ai, i  është qepur keq.

Injorant muzikor! e pati sharë babai herën  e fundit Dajlan instruktorin kur ky i paskej thënë se Xhemali ka lakra në kokë, domethënë shfaqje të huaja , demek, shfaqje borgjeze dhe revizioniste. Lakrat e satëme, lakrat e Esmasë, ia pat Xhemali im, flak për flakë në sy te dyqanxhinjve dhe miletit të lagjes. Do më shoçë kush jam e ç'do të të bëj-i tha instruktori i Komitetit në duelin në mexhilis.

-Kuptova,- thashë i menduar.

 -Ja, kjo ishte proçka e parë me Komitetin e Xhemalit tim.

-Pse, ka edhe të tjera?

-Ka edhe dy.

Unë: -Kuptova Kel.Pastaj?

Keli:- Na ka pjellë belaja! Nuk shikon të nxjerrë ndonjë llove 2) (para, lekë, në zhargonin e komunitetit egjiptian) , nëpër dasma me violi apo nga  peshqit e lumit, po hedh ndonjë uzo në klubin e lagjes dhe pasi ngrohet është gati të shpërthejë për Dajlanin e Komitetit. Njerëzia që e dëgjojnë, qyfyre duan dhe  e ngacmojnë.Si e ke Dajlanin, Xhemal? Dajlanin e satëme, ua kthen Xhemali im.

-Proçka e dytë..lere mos e nga, ndodhi ne sallën e madhe te kinemasë. Mileti, mizë lisi. Seç ishte një mbledhje Fronti, nuk di të them.  Kishte shkuar edhe çavoi i madh 3) (njeriu me pozitë shtetërore, zhargoni egjiptian) i Komitetit Ekzekutiv, shoku Miti Pipi. Atje duhej të ishte edhe Xhemali im si punonjës i komunales. Nga fundi i mbledhjes Xhemali që shkoi me vonesë, zgjati kokën te dera e hapur e kinemasë. I zyri syri se në krah të shokut Miti, te tavolina e kuqe, ishte edhe shoku Dajlan. Do ti, që Dajlani i Esmasë e pa dhe diçka i foli në vesh çavoit,  shokut Miti Pipi?!

-Po ti, more shoku Xhemal Violija që  je edhe kllasë punëtore safi, ç'do na thuash për shfaqjet e huaja borgjeze e revizioniste? Vërtet bën edhe punë private, siç thotë shoku Dajlan?!.

E gjithe salla e kinemasë ktheu sytë si shigjeta nga Xhemali im. Nisën pëshpërimat.

-Unë nuk marr vesh nga këto borgjezo-revizionistet, shoku Miti...Në ndonjë dasmë edhe kam shkuar, t'i them të drejtën Partisë  se, njerëzit duan të gëzojnë dhe duan muzikë dhe violi. Por ne, të dorës sonë, duhet ta falënderojmë Partinë tonë me forë, që evgjitin më të mirë, e mori nga balta dhe nga një dru që ishte, e çoi në shkollë, e gdhendi, e ngriti lart dhe juve tani e keni në  krahun tuaj të djathtë....E kam fjalën për shokun Dajlan. Rroftë Partia dhe juve, shoku Miti!

Dajlani picërroi sytë, sikur ta kishte pickuar një nepërkë mali. Por salla zhurmoi nga të qeshurat. Do ti, që duartrokitën bashkë me shokun Miti! Kështu, e ngacmoi folenë e arrëzave, Xhemali im...!Me këtë proçkë.

-Pastaj?

-Pastaj ti e di, arrëzat po i ngacmove në fole, të ngjiten nga pas, të sulmojnë dhe të pickojnë ngado...Sapo dolën nga mbledhja, Dajlani i dha dorën nga halli sa për sy xhihani 4) (sa për sytë e njerëzve, opinionin). Këtë, do ma paguash!-e kërcënoi Dajlani i Komitetit.-Do të kap me preshë në duar dhe do ta hash, në hekura!

Xhemali bëri sikur nuk e dëgjoi kërcënimin. Të rrojë Partia me shokun Emver-i tha.

-Me kaq, u mbyll?

-Jo!E ke dëgjuar ti fjalën: filani, ka inat kauri?

-Po.

-Kështu edhe Dajlani i Komitetit. Nuk kaluan disa ditë, kur një mbrëmje ia behën te oborri jonë në katin e parë të pallatit katër  veta. Në oborr, dëgjohej radioja me muzikë italiane. Koncert i Çelentanos me Xhani Morandin. Unë ish ulur jashtë në një stol druri nga ato të zborit dhe i lodhur nga puna me pompë në krah gjithë ditën, po haja darkë me peshk të skuqur gatuar nga mamaja. kur, tre veta, u afruan te porta .

"Mirëmbrëma, shokë! Jemi grupi i kontrolli punëtor, -thanë. Dy gra, punëtore ishin nga NPV-ja, një burrë tha se ishte elektriçi nga ndëmarrja e ndërtimit dhe, ylli i bukur i karvanit të kontrollit punëtor, dora vetë, shoku Dajlan. pa na mirëseardhur, hynë direkt e në temë:

-Nga vjen kjo muzikë e huaj?-pyeti anëtarja e kontrollit punëtor që tha se quhej, shoqja Xare.

Atë çast, lakuriq nga mesi e lart, kur dëgjoi bisedat në oborr,   doli nga shtëpia me një kanatiere në dorë babai.

-Ç'bëhet këtu, Ramize? -iu drejtua mamasë që po mblidhte rrobat e thara nga teli

-Jemi kontrolli punëtor, shoku Xhemal...Ç'është kjo muzikë e huaj?-tha Xarja në vend të përgjigjes së Ramizesë.

Të gjithë po vështronin babain.

-Muzikë, tinguj, këngë!-tha babai.-

Të katër po e hetonin Xhemalin.

-Mundet të na tregosh se ku ndodhet kjo radio që jep muzikë borgjezo-revizioniste?-pyeti shoqja Xare që mua më kujtoi menjëherë ato gardianet gjermane femra qe kemi parë nëpër filma.

-Posi. Menjëherë!- tha  babai.-Urdhëroni!- dhe u priu të hynin në shtëpi në katin e parë te shtëpia në pallatit tonë. Muzika dëgjohej mrekulli.

-Radioja?-tha Xarja.-Ku është?

-Radioja! Radioja!-u bë i gjallë Dajlani i Komitetit dhe vuri dorën në dorezën e derës së banjës që ishte përgjysëm e hapur.

-Hapeni!-urdhëroi shoqen Xarja.

-Më në fund, të kapëm me preshë në duar, shoku Xhemal! Me preshë në duar!-u ngazëllye Dajlani kur në dyshemenë e banjës allaturka u duk  radioja janë e markës "ILIRIA".

"More ditëzi!"- e nduku mamaja Xhemalin.

-Shoku Dajlan edhe ju të tjerët e kontrollit punëtor: e morët  vesh, ku e ka vendin muzika borgjezo-revizioniste? Atje e ka!Në WC -tha Xhemali. Ia thoni Partisë se ku e vendos Xhemal Violia muzikën borgjezo-revizioniste! ///

                                     --o0o--

 

 

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page