top of page

SHKRIMTARËT SHQIPTARË NDEROJNË POETIN E PUSHKATUAR TRIFON XHAGJIKA


Rexhep Shahu




(Fjala në inagurmin e bustit të Trifon Xhagjikës me 23 dhjetor 2018)


Të nderuar të pranishëm,

Në emër të një grupi shkrimtarësh, mbi tridhjetë shkrimtarë, që kemi ardhë nga Tirana, miq të Klubit të Poezisë dhe të Revistës Illz, revistë letrare e Tiranës, ju përshëndes të gjithëve.

Sot është 55 vjetori i pushkatimit të poetit Trifon Xhagjika.

Ky grup shkrimtarësh shqiptarë, ka ardhë nga Tirana këtu në Peshtan Tepelenë në vendlindjen e poetit për të nderuar Trifon Xhagjiken dhe veten e tyre.

Është i dyti gjest i madh që bëjnë shkrimtarët shqiptarë këtë vit - kanë nderuar poetin e varur Havzi Nela në 30 vjetorin e varjes së tij dhe tani vijnë e nderojnë poetin e pushkatuar Trifon Xhagjika në 55 vjetorin e pushkatimit të tij.

Këtu me këtë rast unë falenderova shkrimtarët shqiptarë, por janë shumë të tjerë për tu falenderuar, gjithë të pranishmit që janë këtu duhen falenderuar. Duhet falenderue Mero Baze për gjestin e shenjtë që ka bërë. Kanë tani njerzit një vend, ato që duan, ku të venë një lule, një tufë me lule për Trifonin dhe vendi këtu te themelet e shtëpisë së Trifon Xhagjikës është vend edhe më i shenjtë.

Nuk i zhduken gjurmët Trifon Xhagjikës.

Trifon Xhagjika është një poet që ka për të jetue shumë gjatë në letrat shqipe. Përveçse për poezitë e veta antisistem, poezitë antidiktaturë, ai edhe vetem me një varg ka për të mbetë i përjetshëm në histori.

Ditën e fundit të gjyqit, fjala e fundit e tij, kur thotë, më jepni një top ta qëlloj sistemin. Nuk ka varg poezie më të madh sesa ky.

Në të njejtën kohë atë ditë, pesëdhjetë e pesë vjet më përpara, kur u bë ai gjyq, madheshtore është edhe fjala e vëllait, Doktor Yllit: Vëlla, ngrije kokën lart, mbaje kokën lart vëlla!

Këto janë gjeste që ndodhin shumë rrallë në historinë e njerzve, jo vetem në historinë e shkrimtarëve, janë gjeste që ndodhin shumë rrallë.

Trifon Xhagjika pas pesëdhjetë e pesë vjetëve u nderua, pas njëzet e tetë vjetëve në demokraci u bë me bust.

Ky vit mendoj është një vit i mbarë për Havzi Nelën të varur dhe Trifon Xhagjikën të pushkatuar. U nderuan të dy këta shkrimtarë.

Shqipëria nuk ka shumë shkrimtarë që kanë bërë gjeste të mëdha, nuk ka faqe të mëdha historie me shkrimtarë disidentë, antikomunistë.

Pas grupit të parë me Vinçens Prenushin me shokë që i dënoi Partia, e çel grupin e të dënuarve të tjerë, të pushkatuarve dhe të varurve të tjerë Trifon Xhagjika, prandaj pesëdhjetë e pesë vjet më parë ai na dha mësimin e madh që nuk do e harrojmë kurrë.

Faleminderit dhe mirënjohje gjithëve që jeni këtu, që keni nderuar Trifon Xhagjikën.

Klubi i Poezisë që grupon shkrimtarë dhe Revista Illz, jemi këtu me ftesën fillestare të poetit Petrit Ruka.

Në 10 gusht, kur u inagurua shtëpia e poetit të varur Havzi Nela, Petrit Ruka ka botuar një shkrim dhe shkrimi u botua edhe në revistën Illz numrin special

14 kushtuar shkrimtarëve martirë dhe në librin “Shkrimtarët për Havzi Nelwn”, libra këto të financuara nga Flamur Hoxha.

Petriti ka shkruar bashkë për Havzi Nelën edhe për Trifon Xhagjikën dhe atëhere ne kemi vendosë që shkrimtarët do të bëjnë pelegrinazh në nderim të poetit Havzi Nela, tek poeti Trifon Xhagjika, te poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka në Librazhd.

Të jemi gjallë, të kemi shëndet dhe miq dhe ne vit për vit do të bëjmë pelegrinazh me shkrimtarët që deshirojnë me ardhë.

Faleminderit të gjithëve !


Peshtan, Tepelenë, 23 dhjetor 2018

54 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page