VIKTOR HYGOI
SHKRIMTARI QË I DHA VENDIT
TË TIJ DHE MBARË
BOTËS NJË SHKËLQIM TË RI
Shpendi Topollaj
Për ne shqiptarët, por dua të besoj se edhe për popujt e tjerë, Balzaku dhe Viktor Hygoit kanë qenë jo vetëm shkrimtarët më të njohur, por edhe më të dashur. Në kohën tonë qemë me fat, pasi vepra e tyre më e rëndësishme u ekranizua, dhe kështu që jo vetëm u njohëm me krijimtarinë e shkruar që ata lanë, por edhe mësuam shumë më tepër për francezët, Francën e sidomos për kryeqytetin e atij vendi, Parisin. Ishte tjetër gjë të lexoje historinë e zhvillimeve politike e sociale dhe revolucioneve të popullit francez nga tekstet mësimore dhe tjetër gjë t`i sodisje ato ngjarje nga ekrani i kinemasë. Por edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme, ndaj ne nxënësit e shkollave, si dhe rinia studentore dhe pa dyshim edhe të tjerët, shpejtonim për të gjetur e lexuar librat e botuar dhe që për çudi, kishte plot të tilla. Kishte një rol të padiskutueshëm edhe përkthimi i pa qortueshëm i atyre që u morën me to. Ndaj ndodhi që Franca na u bë mjaft e afërt dhe ne e njohëm aq mirë atë shtet, historinë, artin e kulturën e tij, sa një herë, kur promovonim librin e shokut tim Haxhi Taga për Parisin, në pallatin e Kulturës “A. Moisiu” në Durrës, ambasadori Patrik Cristman, mik i Shqipërisë, si dëgjoi fjalën time dhe më falenderoi, më pyeti se kur kisha qenë në Francë. - Asnjëherë - ju përgjigja. - Por ti e njihke Parisin më mirë se unë - vazhdoi ai. Unë qesha dhe ja ktheva: - Epo ja, kështu e njohin atë të gjithë intelektualët tanë, se ua ka përshkruar me aq vërtetësi e korrektësi Balzaku e Hygoi. Ne u detyrohemi shumë atyre, ndaj dhe unë sot që e pashë në flakë katedralen “Notre Dame”, të ndërtuar që nga viti 1163, pasi i shpreha dhimbjen time një gazetareje televizive që më intervistoi dhe e krahasova atë si monument të të gjithë njerëzimit, që për nga dëmi, ishte njësoj me djegjen e Tempullit të Artemisës nga Herostrati, vendosa të shkruaj diçka për krijuesin gjenial të Esmeraldës e Kuazimodos me shokë. Kur në familjen e një oficeri të Napoleon Bonapartit, që më vonë u bë gjeneral, në 26 shkurt të vitit 1802 lindi nga nëna simpatizante e monarkisë, djali që e quajtën Viktor Hygo, në atë vend kishin ndodhur ngjarje të mëdha, gjurmët e të cilave do ta shoqëronin gjatë në të gjitha ndryshimet që do të pasonin. Edhe pse kishte kaluar gati një shekull, hija e rëndë e shprehjes proverbiale të Luigjit të XIV - të “Shteti jam unë”, ende sillej kërcënuese rrotull Parisit. Revolucioni në dukje qesharak i 14 korrikut të 1789, që përfundoi me marrjen e Bastijës, solli shpalljen e Republikës (që u përsërit edhe nja dy herë të tjera, respektivisht në vitet pasuese 1848 dhe atë që erdhi me Komunën e Parisit në 4 shtator të vitit 1871), dhe më tej, pas prerjes së kokës të një tjetër Luigji dhe gruas së tij naive, diktaturën jakobine. Gijotina punonte me kapacitet të plotë, gjersa ju kthye dhe atyre që e kishin ideuar atë lëvizje. Dhe kur djali i atij oficerit, që kishte lindur në Bezanson, mbushi dy vjeç, Napoleon Bonaparti, simpatizanti i atyre jakobinëve, u shpall Perandor. Luftrat tani morën përpjestime dhe shtrirje të papara, dhe transferimet e kapitenit sa në Korsikë, sa në Elbë, sa në Itali e deri në Spanjë, pranë mbretit Zhozef, bënë që familja Hygo të mos rrinte në një vend. Viktorin që e kishte nisur këtë udhëtim pa u bërë dy muajsh, e rregjistruan në një shkollë fetare. Nuk dimë se si e gjykonte djaloshi ende i vogël atë shkollë, por dimë se ai mrekullohej nga udhëtimet, të cilat i lanë mbresa të pashlyeshme, sikurse dihet se ai u magjeps nga bukuritë e Spanjës. Punët rrodhën në mënyrë të tillë pas disfatës së Napoleonit, saqë babai i tij mori familjen dhe u largua nga ky vend, duke u katandisur keq. Në Paris, ku Viktori qëndroi me të ëmën, vazhdoi Liceun e Luigjit të Madh. Kini parasysh se e ëma ishte një monarkiste e thekur. Këtu, Hygoi fillon të shkruajë poezi, por pikërisht në këtë kohë i vdes nëna dhe i jati nga ana e tij, ngaqë i dukej gjë e kotë marrja me letërsi i pret ndihmën ekonomike, por ai sikur t`i kërkonte të kundërtën, së bashku me vëllezërit nxjerrin një revistë dy herë në muaj, gjë që jo vetëm e bëri të njihej, por edhe i dha mundësinë që të botonte librat e parë. Vetë mbretit i bëri përshtypje talenti i tij, ndaj dhe i akordoi një bursë që qe një lehtësim i madh për të dhe qetësim për t`u marrë me pasionin e tij. “Gjethet e vjeshtës” dhe “Rrezet dhe hijet” janë librat ku ai kuptohej se ishte orientuar nga romantizmi. Vetë fjala romantik don të thotë “si në roman” e jo “si në jetë”. Por këtu duhen dalluar dy rryma: ajo e paqyrrimit të përfytyrimit apo ëndërrimit të shkrimtarit a poetit të fenomeneve në dekompozim e sipër, që është romantizëm konservator dhe ajo, sipas së cilës anët e jetës në atë përfytyrim janë nga ato që synojnë të renë, dhe atëherë kemi romantizmin përparimtar. Hygoi si shumë kollosë të tjerë, përqafoi këtë të dytën. Ai, kështu ndoqi Bajronin, luftëtari i bindur i pavarësisë dhe dashamirësi i popullit tonë, oficerin Shatobrian, oficerin tjetër M. Lermontovin që u vra në moshën 27 vjeçare, Andre de Shenien që la kokën në gijotinë, italianin Xhakomo Leopardi që shkroi aq bukur për Danten etj. por edhe me ca ndryshime nga ata. Në këtë drejtim, duhet thënë se ai iu bashkangjit romantikëve të tjerë si Vinji e Lamartin të cilët do ishin në kërkim të rrugëve të reja të ndryshimit artistik të realitetit. Dhe ata, edhe pse qenë njëri dymbëdhjetë e tjetri pesë vjet më të mëdhenj se ky njëzetvjeçar, ja lanë atij drejtimin e grupit. Ata, duke himnizuar luftën për liri dhe duke respektuar zakonet e traditat e popujve e shihnin si detyrë të artit të tyre shmangien nga rregullat e rrepta të klasiçizmit dhe predikimin e asaj sesi bota duhet të jetë. Në këtë kohë, tashmë i martuar me një shoqe të hershme që quhej Adela Fushe, Viktor Hygoi tregon interes për politikën dhe pas revolucioni të korrikut, mbështet demokratët republikanë dhe afërsisht po në këtë periudhë boton një nga kryeveprat e tij “Shën Mërinë e Parisit” (1831). Duke parë suksesin e bujshëm, atë e pranojnë si anëtar të Akademisë së Francës. Në këtë eufori e sipër ai shkruan dramat “Kromuelli”, “Marion Delorm” dhe “Ernani’ për të cilat u tha se “Bastija e klasiçizmit në dramaturgji u shemb”, por që nga disa trumykur u qortuan. Pëson një ndryshim në bindjet e tij dhe kthehet nga idetë napoleoniane. Me këto bindje zgjidhet edhe deputet, dhe fjala e tij ishte ajo e një njeriu vizionar që hidhte shikimin larg. Ngriti zërin kundër nipit të Napoleonit, Ludovikut, por kur pa se kjo ishte e kotë, në fillim të dhjetorit të vitit 1851, largohet për në Belgjikë, ku jeton gjatë në Bruksel, për afro dy dekada. Duke mos pasur andrralla dhe shqetësime, i hyn vrullshëm punës dhe shkruan e boton “Napoleoni i vogël” (1852), “Ndëshkimet” (1853), dhe midis viteve 1850 - 1870 shkruan “Të mjerët”, “Njeriu që qesh” e “Punëtorët e detit”. Dhe më thoni tani, se a ka njeri që t`i ketë lexuar dy të parat dhe të mos i jetë fiksuar se i ka takuar diku heronjtë e atyre romaneve të pashoqe. A nuk i ka pikturuar ai, pikërisht siç i kemi përfytyruar dhe parë ne në film, Zhan Valzhanin - Zhan Gaben , Zhaverin - Bernar Blie, Ternardierin - Noël Rëkover, a nuk kemi gëlltitur lotët për vdekjen e Gavroshit - njësoj si Coli ynë, të dashuruarin e sinqertë Marius, dhe a nuk na është dhimbsur Kozeta, aq sa edhe tani, ne, ndonjë vajzë të vogël që e ngarkojnë me punë që nuk i përballon dot e thërresim me shaka “Kozetë”. Kur më në fund ra Napoleoni i III - të, Lui Bonaparti, Hygoi që kishte deklaruar se: “Kur të kthehet liria, atëherë do të kthehem dhe unë”, erdhi pas 18 vjetësh emigrim në Francë, ku u prit me triumf të paimagjinuar. Falë veprës madhështore të tij, edhe gojët konservatore ishin mbyllur dhe atë e shpallën njëzëri jo vetëm si patriarkun e letrave por edhe si hero të kombit. I mikluar nga nderimet që nuk ju ndanë, ai nuk harroi të deklarojë se “Parisi është qytet i qytetërimit. Dhe e dini pse? Sepse është qytet i revolucionit”. Nuk u pajtua me dhunën gjatë Komunës së Parisit. E përshëndeti atë, por e quajti të bërë keq. Në vitin 1874 qëndrimi i tij ndaj atyre ngjarjeve, del mëse i qartë te romani “Viti 93”. Punoi gjatë për të shkruar librin shumëvëllimësh “Legjenda e shekujve”, por pikërisht kur ai u botua i ndodhi fatkeqësia e madhe; i vdiq e bija, gjë që e hidhëroi pa masë dhe e vuajti deri sa mbylli sytë më 22 maj të vitit 1885. U mbodh i madh e i vogël nga të katër anët e botës për ta përcjellë për në banesën e fundit. Arkëmortin e tij e vendosën nën Harkun e Triumfit se ndofta e meritonte më shumë se kushdo tjetër bashkëkohës, dhe e varrosën pranë dy mendimtarëve të mëdhenj iluministë Volter dhe Ruso. Vepra e Viktor Hygoit natyrisht që ka ndjekur rrjedhën e kohës dhe si e tillë ajo ka pasur dhe anët e veta të kritikueshme. Por askush nuk mund të thotë gjë për talentin e rrallë, humanizmin, dritën dhe ngjyrat me të cilat e shihte jetën. Në qoftë se ai ka ndonjë shmangie nga të vërtetat historike, s`duhet harruar se ai nuk bëri histori. Ishte shkrimtar dhe si i tillë ishte krejtësisht i lirë të zgjidhte sesi do t`i trajtonte ngjarjet, njerëzit dhe fenomenet letrarisht. Pastaj, ai gjithçka shkruante, e bënte së pari në interes të vendit dhe popullit të tij. Rëndësi ka që ai hyri thellë brenda shpirtit njerëzor dhe e zbërtheu atë si s`ka më mirë. Ata që duan ta shohin Francën me gjithë të vërtetat e saj, le të lexojnë librin mjaft të mirë rreth historisë së atij vendi. Neve edhe aq sa na ka dhënë ky autor fenomenal, na ka kënaqur, gëzuar, frymëzuar dhe shuar kureshtjen për atë vend që edhe pse nuk kemi qenë ndonjëherë, përsëri e njohim aq mirë edhe falë mjeshtërisë së tij artistike. Franca ka shumë diell, shumë kryevepra të arkitekturës, pikturës, skulpturës, muzikës, arteve e letërsisë. Ka shatërvane, kopshte, shëtitore, muzeume dhe shkencë. Gjithashtu ka nxjerrë nga gjiri i saj burra shteti, filozofë e strategë pa fund. Si e tillë, shkëlqimi i saj është i kuptueshëm. Por, duhet mbajtur parasysh se hiri i këtij njeriu, i vendosur në Panteon, luan një rol të veçantë në këtë shkëlqim, ndaj jo vetëm Franca, vendi që u udhëhoq nga parulla “Liri, barazi, vëllazëri”, por i gjithë njerëzimi që u edukua nga idetë dhe veprimet e heronjve të tij, do t`i mbeten në jetë të jetës mirënjohës.
Comments