top of page

SHKODRA -- VENDI I DËSHMISË DHE KUJTESËS!



Ku tjetër, nëse jo në Shkodër! Pikërisht në këtë qytet – në qendër të Shkodrës – mund të vizitoni muzeun e parë në Shqipëri, me emrin, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” -- në përkujtim të përsekutimit politik të atyre që kanë vuajtur dhe që kanë vdekur në duartë e regjimit komunist të Enver Hoxhës gjatë persekutimit politik gjatë diktaturës komuniste prej pothuaj gjysëm shekulli, në Shqipëri. Është “një vend kujtese, pikërisht në përkujtim të viktimave të diktaturës komuniste”, shkruan në librin doracak mbi historinë e muzeut, Z. Pjerin Mirdita, Historiani i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. Pyetjes se pse pikërisht ky muze u ngrit në Shkodër, ai thekson se janë shumë faktorë, por përgjigja, sipas tij është shumë e thjeshtë. “Shkodra ishte qyteti më i përsekutuar i Shqipërisë, qyteti që vuajti më së shumti mbi njerzit e saj atë diktaturë, qyteti që asnjëherë nuk u përkul përball dhunës dhe hakmarrjes komuniste, sepse shkodranët nuk e deshën asnjëherë komunizmin dhe as komunistët”, shpjegon Pjerin Mirdita arsyen se pse ky muze u ngrit pikërisht aty në Shkodër.

Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar ndjenjat personale as historikun e këtij “Vendi”. Për fat të mirë, gjatë vizitës së paharrueshme në këtë muze, gjatë një vizite në Shkodër, në fillim të shtatorit, patëm mundësinë dhe privilegjin të shoqëroheshim nga Pjerin Mirdita, Historiani i Muzeut, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër, i cili me shumë profesionalizëm, dokumentacion dhe me fakte historike shpjegoi në hollësi historinë e këtij “vendi”, si dhe vuajtjet prej dekadash të shumë shqiptarëve të pafajshëm – kundërshtarë të regjimit komunist.



Duke folur për historikun e këtij “vendi”, historiani Pjerin Mirdita shpjegoi se ndërtesa – që nga vitit 1930 -- ka qenë pronë e Provincës Françeskane shqiptare, por me ardhjen e komunizmit, ajo konfiskohet dhe në ‘të vendoset Sigurimi famëkeq e krimanl i shtetit barbar të Enver Hoxhës. Kjo ndërtesë “Dëshmie e Kujtimi”, për viktimat e komunizmit -- sot duhet të vizitohet nga të gjithë shqiptarët, detyrimisht, për kujtesë të krimeve të komunizmit dhe për reflektim, por edhe nga brezi i ri i shqiptarëve në veçanti që të njohin të kaluarën, por edhe nga vizitorë të huaj jashtë Shqipërisë që vizitojnë Shkodrën. Të vizitohet ky vend krimesh çnjerzore, një skenë sjelljesh barbare nga Sigurimi i Shtetit shqiptar komunist nga viti 1946 e deri në rrëzimin e komunizmit zyrtar të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.

Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës - Site of Witness and Memory

Në hyrje të muzeut, vizitorët gjëndet përball një harte të vend-ndodhjes së burgjeve komuniste në Shkodër – Shkodra si “qytet-burg”, numëronte gjithsejt 23 burgje të tilla ku mbaheshin kundërshtarët e regjimit komunist sllavo-aziatik – që mbajti rob, për pothuaj një gjysëm shekulli, jo vetëm Shkodrën por një popull të tërë – mbarë Shqipërinë dhe Kombin shqiptar.

Muzeu është mjaft i pasur me materiale që tregojnë historinë e vuajtjeve dhe të vdekjeve të viktimave të komunizmit në Shkodër – ku salla vizuale, në vetvete, përmban video dhe dokumentarë që shfaqen gjatë vizitës për të interesuarit, përfshir edhe një bibliotekë e pasur me libra të asaj periudhe fatzezë.

Ndoshta pjesa më e dhimbshme dhe më e ndjeshme nga pikëpamja njerzore e morale – ndërsa mendoja me vete se si është e mundur që shqiptari të trajtojë shqiptarin në këtë mënyrë, vetëm e vetëm, se ka mendime të papajtueshme me një regjim barbar e anti-njerzor – siç ishte komunizmi ndërkombëtar i shekullit të kaluar, përfshir regjimin enverist. E dhimbshme dhe i trishtueshëm për vizitorin është kalimi për tek vend-ndodhja e qelive ku mbaheshin të burgosurit, që siç shpjegoi Z. Pjerin Mirdita. është një galeri e ndërtuar rishtasi, por e konceptuar si rrugëtimi i të burgosurve drejtë vuajtjeve, tortutave dhe dhimbjeve.

At Zef Pllumi, autori i veprës, "Rrnoi për me tregue", njëri prej të burgosurve në këtë “vend”. Përkujtojmë 15 vjetorin e ndarjes nga jeta të fratit françeskan, At Zef Pllumi, i cili u arrestua dy herë gjatë diktaturës komuniste dhe në total kaloi 24 vite në burgjet dhe kampet e punës së detyruar të asaj periudhe. Vepra e tij përkujtimore "Rrno vetëm për me tregue", është një dëshmi e gjallë mbi atë çfarë ishte diktatura komuniste për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithashtu kjo vepër na kujton dhe sakrificën e një populli për të jetuar nën një prej diktaturave më të egra të kampit socialist në Europën Lindore dhe në botë. Vepra e tij e merr titullin nga një amanet që At Zef Pllumi mori në atë kohë nga At Marin Sirdani, të cilin e përshkruan edhe në një fragment të veprës, duke e kthyer atë në misionin kryesor të jetës së tij.



Autori në qelinë e vuajtjeve e të torturave, ose në “birucën” e At Zef Pllumit dikur, sot muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. Të burgosurit i quanin qelitë e terrorit “biruca”, për shkak të hapësirës së ngushtë dhe sasisë së vogël të dritës dhe ajrit që depërtonte brenda.

“Stalinizmi shqiptar, dega shqiptare e marksizëm leninizmit është nominalisht marksist, minimanilisht Leninist dhe esencialisht stalinist me një vello të përciptë maoiste. Emri më i përshtatëshëm për këtë fe të re është Stalalbanianizmi ose thjeshtë Hoxhaizimi.”, (Profesor Arshi Pipa)



Duke ecur nepër korridoret e qelive ose “birucave” të këtij “vendi” – (Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës), vizitori mendon dhe pyet veten se si është e mundur që shqiptari të veprojë në këtë mënyrë barbare kundër shqiptarit – duke vrarë e prerë më të mirët e Shqiptarisë. Por, njëkohësisht, duke reflektuar dhe duke kujtuar vuajtjet dhe vdekjen e këtyre heronjve të fesë e të Atdheut në duartë e barbarëve komunistë shqiptarë, një grup fanatik i dalur prej të njëjtit popull, për fat të keq – njeriu ndjenë se një popull nga gjiri i të cilit kanë dalur këta heronjë, duhet të jetë kryelartë dhe të mos humbas kurrë shpresën për një të ardhme më të mirë për Kombin! Le të shpesojmë që kujtimi i sakrificave të tyre sublime do të frymëzojë brezat e ardhëshëm të shqiptarëve për vepra më të mira për veten dhe mbarë Kombin shqiptar.


13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page