UDHËJETA
Nga Fatmir Terziu
Gjithnjë pas puthjes
nga buzët e tua mjaltë
unë udhëtoj larg.
Ka diçka
në këtë udhë të (pa)plotë
që nuk gjendet askund në Botë.
SHURDHËRIMI
Nga Fatmir Terziu
Qytetet ishin bërë minifustane me pika.
Lajmet thoshin kishte qarë Kelenoja,
metereologët dhanë dorëheqjen nga frika,
poshtë fluturonin vetëm xixëllonja,
Hëna,
luante kukafshehti me veten edhe ditën,
toka vlonte nga brenda,
Dielli ia kishte zënë frymën.
Ne nuk mund të shkëputeshim nga grushti,
ndërsa kishim ngatërruar stinën,
nëntorin e dinim fundgushti,
natën e ngatërronim me ditën,
digjeshim si prushi,
nuk ishte zjarri që ngritëm. Digjej vetë njeriu!
Në fillim si një pëshpërimë,
pastaj vetvetiu
Bum! Bum! Bum!
Veshi na pipëtiu
u harruam. U harruan. Vitet u bënë shumë
u shuan shurdhërisht nën zë
nga koha kur i përndjekuri kaloi sferat qiellore
dhe tani fshikëllon një nga një.
Dëgjohen prapë Bum … Bume,
po (ri)shembin murin e Spileut,
kohën e piketojnë si „të shkume“
duke ia kthyer kurrizin At…Mëm'… Dhéut.
(NGA VËLLIMI I RI POETIK NË BOTIM.)
Festat e fundvitit i bëjn më të hareshme arritjet dhe punët e bukura të shqiptarëve kudo jetojnë, ashtu si dhe ky botim më i ri i poetit, prozatorit, studiuesit e mikut tonë të veçant Prof. Dr. Fatmir Terziut. Siç kuptohet nga titulli: “Shpirt”(Spiritus) dhe nga dy poezitë, (nëse perfrazojmë shprehjen për Romën e lashtë), duket se të gjitha vargjet në këtë libër të çojn tek Dashuria, qëndra e gravitetit të jetës.
I shpreh shumë urime Profesor Fatmirit për këtë realizim dhe për një pritje sa më të suksesshme nga lexuesi! Me respekt, K.Gjergji.