Shahbaze Vishaj Grajçevci: Receptimi i mangët në Shqipëri i letërsisë shqiptare për fëmijë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 days ago
- 40 min read

(Arkiva, 1 Prill, 2012)
Prof. As. Dr. ASTRIT BISHQEMI shprehet për letërsinë për fëmijë e të rinj
Receptimi i mangët në Shqipëri i letërsisë shqiptare për fëmijë, që krijohet në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, është problem i pafalshëm
Intervistoi: Shahbaze Vishaj Grajçevci
Pas Bedri Dedjes, Odhise Grillos, Rifat Kukajt dhe Agim Devës, shkrimtari, pedagogu dhe studiuesi Astrit Bishqemi paraqet njërin ndër kulmet e një pesëkëndëshi letrar, që letërsisë shqipe për fëmijë i dhuruan jo vetëm vepra të shquara dhe të dëshmuara, të brumosura me vlera të njëmendta ideoartistike, por ngritën tabanin e palakueshëm të kështjellës sonë të letërsisë shqipe për fëmijë në gjithë trojet etnike ku jetojnë shqiptarët. I njohur si krijues i letërsisë për fëmijë, e sidomos si tregimtar, novelist e romancier, studiues, kritik dhe interpretues, mandej bashkautor në tekste mësimore e antologji jashtëshkollore të shkollës 9-vjeçare (mban titullin “Mësues i Merituar”), për dyzet vjet nga botimi i librit të parë, publikoi mbi 7O vepra fushash të lartpërmendura. Një segment tjetër në krijimtarinë e tij zë edhe misioni i pedagogut të letërsisë për fëmijë në Universitetin e Elbasanit, me ç’rast shkroi edhe “Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj”, “Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë”, “Histori e letërsisë botërore për fëmijë”, “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” (fjalor enciklopedik) etj., duke rrumbullakuar kështu opusin e tij të gjerë prej krijuesi e studiuesi të pasionuar. Andaj, për lexuesit e “Nacionalit” zhvilluam këtë bisedë:
- Vepra juaj është e gjerë, komplekse dhe shumëdimensionale. Deri më sot keni botuar vepra letrare në prozë (tregime, përralla, novela, romane) si dhe të tjera me kritika, studime, interpretime në letërsinë për fëmijë. Ku e gjen veten më shumë Astrit Bishqemi: në krijimtarinë për fëmijë, apo për të rritur?
- Unë i jam përkushtuar kryesisht letërsisë për fëmijë, si krijues e si studiues, kuptohet, duke mos e konsideruar atë letërsi “ishull” më vete. Megjithëse kjo fushë te ne nuk është vlerësuar e nuk vlerësohet siç duhet, kam mendimin e patundur se mund të bëhesh “i madh” edhe duke shkruar për të vegjlit. E them këtë për rëndësinë në aspektin social të kësaj fushëkrijimtarie. Shembulli i Andersenit, i Xhani Rodarit, i Arkadi Gajdarit, i Ljuis Kerëllit, i Ferenc Molnarit... e i dhjetëra e dhjetëra të tjerëve është shumë domethënës. Njihet vlerësimi që u bën krijimeve lëtrare për fëmijë Tolstoi i madh në pleqërinë e vet të thellë: …kam bindjen se këto tregime janë gjëja më e rëndësishme e jetës sime…Pasi kam shkruar "Abecenë" ( pra, abetaren, në të cilën ai kishte futur shumë nga krijimtaria e vet letrare për të vegjlit - A.B.), unë mund të vdes i qetë.
Atëherë, përse u dashka që unë ta kërkoj veten më shumë edhe në krijimtarinë për të rritur?!
- Si pedagog i letërsisë për fëmijë në Universitetin e Elbasanit, çka mendoni për këtë lëndë. A zë vend të merituar në Universitet, në krahasim me letërsinë për të rritur?
- Jo, edhe lënda e letërsisë për fëmijë në shkollat e larta me drejtim pedagogjik, gjithandej, është në pozita inferiore në krahasim me lëndët e letërsisë për të rritur.
Universiteti i Elbasanit ka një përvojë të mirë pune në fushën e letërsisë për fëmijë. Kjo për vetë faktin se në këtë universitet e kanë dhënë këtë lëndë e kanë kontribuar disa nga personalitetet shqiptare të kësaj fushe, profesorët Bedri Dedja e Odhise Grilloja. Veç studentëve që vazhdonin për mësuesi në Ciklin e Ulët (klasat I-V) dhe atyre të Edukimit Parashkollor (edukatoreve të kopshteve), për dy dekada e gjysmë me radhë lënda e letërsisë për fëmijë (LPF) qe dhënë edhe në fakultetin Gjuhë-Letërsi të këtij universiteti.
Kur u njoh me tekstet e mia të LPF për studentët e shkollave të larta me drejtim pedagogjik, Prof. Akademike Floresha Dado më përgëzoi dhe më tha se mendonte që lënda e letërsisë për fëmijë duhej të futej patjetër në masterin e studentëve të cilët mbaronin për gjuhë-letërsi. Dhe, mesa di unë, në disa universitete tona u fut. Ndërsa Universiteti i Elbasantit (Dega gjuhë-letërsi) e kaloi atë lëndë nga viti i dytë në të katërtin e mandej, kur u bë sistemi 3+1, e la fare “për në kalendrat greke”....

- Përse e konsideroni të domosdoshme zhvillimin e lëndës së letërsisë për fëmijë në të tria nivelet e arsimit të lartë me drejtim pedagogjik?
- Orët letrare me vjersha, përralla, kallëzime etj. zënë vend të rëndësishëm sasior në planet dhe programet mësimore të miratuara nga Ministria e Arsimit për kopshtet parashkollore dhe klasat e arsimit bazë. Ndaj, thjesht, për t'i zhvilluar cilësisht këto orë, argumentohet e përligjet domosdoshmëria e futjes së lëndës së letërsisë për fëmijë në degët e arsimit të lartë që përgatisin kuadrot e ardhshme: edukatoret e kopshteve, mësuesit e ciklit të ulët dhe mësuesit e letërsisë për ciklin e lartë të shkollës sonë 9-vjeçare.
Mund të thotë ndonjëri: Ç'është ky profilizim i veçantë? Te studentët e këtyre niveleve zhvillohet hyrja në teorinë e letërsisë, historia e letërsisë shqiptare dhe asaj botërore. Atëherë ç'na duhet LPF, kjo "thelë përmbi bisht"? Gabohemi rëndë. Hyrja në teorinë e letërsisë, si dhe historia e letërsisë janë lëndë të kulturës së përgjithshme. Ato u zgjerojnë e u thellojnë studentëve ato dijeni që kanë marrë në shkollën e mesme. Kurse LPF është lëndë e përgatitjes profesionale. Në të nuk studiohen, biefjala, në përgjithësi figurat letrare, ç'është metafora e ç'është krahasimi, por më imtësisisht, më veçanësisht: përse për grupmoshat e ulta rekomandohet të përdoret më tepër krahasimi sesa metafora... Gjithashtu, në historinë e letërsisë për fëmijë studiohen shkrimtarë si Sharl Peroja i Maçokut me çizme, Anderseni i Sirenës së vogël, Vëllezërit Grim të Kësulëkuqes e të Borëbardhës, Kolodi i Pinokut të famshëm, Kerëlli i Lizës në botën e çudirave, Lagërlëfti i Nils Holgersonit, Trevërsi i Meri Popinsit, Lindgreni i Pipi Çorapegjatës, Rodari i Çipolinos, Roulingu i Harri Poterit etj. etj., apo autorët shqiptarë të tillë si: Berdi Dedja e Odhise Grilloja, Adelina Mamaqi e Tasim Gjokutaj, Vehbi Kikaj e Agim Deva, Xhevat Beqaraj e Rifat Kukaj etj. Këta autorë studentja jonë i has për herë të parë, nuk i ka studiuar aspak në shkollë të mesme. Rimerren gjithashtu edhe disa autorë shqiptarë e botërorë me të cilët janë të njohur qysh më parë. Por tani ata ndriçohen nën një këndvështrim të ri, për ndihmesën që kanë dhënë posaçërisht në letërsinë për fëmijë. Bie fjala, te Tolstoi i madh nuk bëhet fjalë aspak për kryeveprat Lufta e paqa, Ana Karenina apo Ringjallja. Jo, bëhet fjalë vetëm për tregimet e përrallat, për ato 375 krijimet që ai botoi për fëmijët, për atë pjesë të krijimtarisë së tij për të cilën shprehet në ditarin personal: Tregimet e fabulat e botuara në libra prej meje, janë përpunuar dhjetë herë e më kanë kushtuar një mundim më të madh se çdo gjë tjetër që kam shkruar.
Unë mendoj se do të ishte mirë që kjo lëndë, veç fakultetit të gjuhë-letërsisë, të studiohej madje edhe në degën e gazetarisë, që përgatisin gazetarë për mediat e shkruara e asaj vizive. Se edhe atyre u bie të shkruajnë për problemet e librit për fëmijë e të rinj, të bëjnë një recension për të përcjellë librat e rinj që botohen apo për të organizuar një bisedë a emision tjetër në TV me fëmijë të vegjël apo lexues të shkollave 9-vjeçare. Edhe atyre studentëve de u duhet t’i zotërojnë mirë njohuritë e LPF, kësaj republike të pavarur të librit.
Qartësoj këtu se, në studimin e lëndës së LPF, leksionet përbëhen nga tri bashkësi: a) Teori e LPF, b) Histori e letërsisë botërore për fëmijë, si dhe c) Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë.
- Sot jeni i vetmi autor që keni shkruar “Historinë e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj”. A i plotëson ky tekst nevojat e studentëve dhe të pedagogëve të letërsisë për fëmijë apo edhe të mësuesve nëpër shkollat tona 9-vjeçare?
- Së pari duhet të sqaroj se eventualisht në shkollat e larta me drejtim pedagogjik për lëndën e letërsisë për fëmijë nuk funksionojnë vetëm tekstet që kam hartuar unë. Pas tij numërohen edhe disa të tjerë, si: Tasim Gjokutaj - Tiranë, 1997, Nehat Sopaj - Shkup 2000 (i ripunuar: 2007), Ramazan Çadri – Tiranë, 2001 (i ripunuar: 2009), Faik Shkodra - Prishtinë 2002, Neshyt Sadiku - Shkup 2002, Bardhosh Gaçe - Vlorë, 2005, Qibrije [Dije] Frangu (Demiri) - Prishtinë, 2011.
Kështuqë, kush më mirë e kush më mangët, i plotësojnë patjetër nevojat që përmendët ju. Por teksti im konsiderohet i pari dhe më i ploti, më i gjeri, më i thelli, që i tejkalon ato nevoja. “Tekst akademik” e pati cilësuar B. Dedja, “Nuk mund ta marr me mend se ç’mund të bëjë më tepër Akademia jonë e Shkencave” më pat përgëzuar N. Jorgaqi. Madje, edhe Prof. Dr. Klara Kodra, në kumtesën që mbajti posaçërisht për këtë tekst në Konferencën Ndërkombëtare kushtuar 100-vjetorit të shkollës Normale, e vlerësoi lart jo vetëm për studentët, po për mbarë letërsinë shqiptare për fëmijë, duke u shprehur në mënyrë poetike që ai “përbën një hap jo të vogël përpara për afirmimin e kësaj dege të rëndësishme të letërsisë shqiptare me një dinjitet të barabartë artistik me letërsinë për të rritur, për t’i dhënë kësaj Hirushje të letërsisë shqiptare vendin e saj të merituar si princeshë në krah të motrës së vet të madhe, letërsisë për të rritur” (revista OBELISK, nr.105). Gjej rastin t’i falnderoj nga zemra.
- Puna juaj flet vetë... Për ta bërë ca më interesante e më profesionale intervistën tonë, dua të ndalem në një bllok pyetjesh që lidhen me tekstin tjetër tuajin “Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë”.
Së pari, a dallon shumë teoria e letërsisë për fëmijë nga ajo e letërsisë për të rritur?
- Të njëjtat mjete pune – çekan, pincë, darë, bizë, gjilpërë…. -- një këpucar i përdor për të prodhuar si këpucët e një të rrituri ashtu edhe ato të një fëmije. Duke bërë këtë analogji arsyetimi, mund të themi se edhe një shkrimtar, të njëjtat mjete stilistike përdor në krijimet e tij, të njëjtat figura letrare e poetike, qoftë në krijimtarinë drejtuar të rriturve, qoftë në atë adresuar fëmijëve. Por këtu merr rëndësi veçantia, specifika.
Kështu, veçantia ka të bëjë së pari me figurat artistike që përdoren më tepër në letërsinë për fëmijë. Psh fëmijët pëlqejnë shumë krahasimin, personifikimin, hiperbolën etj. Të vegjlit hyjnë me lehtësi në marrëdhënje me botën që i rrethon, me sendet e dukuritë, gjë që i rrituri nuk e bën dot. Voglushja (a voglushi) i drejtohet e i flet kukullës sikur të ishte e gjallë; madje jo vetëm asaj, por çdo sendi: lodrave, arushit, lepurushit etj. etj. Si shprehet poeti Frederik Reshpja në një poezi? Kur isha fëmijë, bisedoja me delet/ që më flisnin gjëra të mençura. Çudi! Kur rritemi dhëntë nuk flasin më.
Gjithashtu, fëmija ka botë emocionale të pasur, ndaj i pëlqejnë figurat e intonacionit poetik, që e ndihmojnë për ta pasuruar këtë gjendje të tij. Të tilla figura mund të përmendim onomatopenë, esklamacionin etj.
- Ç’mund të themi për nocionin e fabulës e atë të subjektit në një krijim letrar për fëmijë?
- Në tekstin tonë, sikundër veprojmë edhe në leksionin e kësaj lënde, ne rikujtojmë më parë se ç‘është fabula e ç‘është subjekti. Pra, rikujtojmë se disa ngjarje të jetuara nga shkrimtari, të dëgjuara ose të trilluara prej tij, këto ngjarje ende të paorganizuara artistikisht dhe që janë bërthama e krijimit letrar, përbëjnë fabulën e tij. Gjatë procesit të krijimit autori i përpunon këto ngjarje, ndoshta edhe ua ndryshon renditjen kronologjike; rrëfimin e tyre mund ta nisë nga një pikë kohore e caktuar; diku kthehet në retrospektivë dhe trajton një ngjarje të kaluar, që ka ndodhur para çastit të ligjërimit etj. Këto ngjarje, të organizuara tanimë nga ana artistike, përbëjnë subjektin e veprës letrare.
Pas rifreskimit të këtyre njohurive, kthehemi në veçantitë që ka letërsia për fëmijë. Themi se fabula në këtë letërsi lipset të jetë sa më e ndërlikuar e plot veprim, meqë nga vetë natyra fëmijës i pëlqejnë dinamizmi, lëvizjet dhe ngjarjet e rrëmbyera, aventura, peripecia, variacionet, ndërrimi i vendeve. Pra, vepra për fëmijë lipset të ketë sa më shumë ngjarje, veç ato të mos kthehen në qëllim më vete, por të shërbejnë për të gdhendur e ndriçuar personazhet. Shtojmë se të kundërtën sugjerojmë për subjektin e veprës letrare për fëmijë. Është mirë që ai të jetë i thjeshtë dhe, njëkohësisht, i kuptueshëm për mendjet dhe imagjinatën e moshës së njomë. Pra, subjekti i një krijimi letrar lipset të jetë i tillë që lexuesi i vogël mund t’ia tregojë shokut të vet a dikujt tjetri përmbajtjen e librit që ka lexuar. Sa më i vogël të jetë lexuesi, aq më tepër vepron veçantia e letërsisë për fëmijë. Kështu, subjekti i veprës letrare për të ka strukturë lineare, ngjarja rrjedh në një linjë të vetme, evitohen thyerjet, digresionet (shmangiet, largimet nga tema, kthimet prapa) etj. etj.
Është me interes të shënojmë këtu konstatimin e studiuesit Prof. Jorgo Bulo. Në shumë romane me subjekt linear kronologjik, thotë ai, zakonisht identifikohet fabula me subjektin. Pra, mungesa e zgjidhjeve kompozicionale të goditura i kthen ato vepra në kronika të mërzitshme. Kuptohet që ai e ka fjalën për letërsinë për të rriturit, por edhe në letërsinë për fëmijë kjo dobësi është shumë e pranishme. Dhe jo vetëm në llojin e romanit.
- Në çdo tregim, qoftë ky i shkruar për të rriturit ose për fëmijët, ka një fabul të përbërë nga ngjarjet dhe disa mendime (porosi, ide, mesazhe), të shprehura artistikisht përmes ligjërimit të autorit ose të personazheve. Atëherë, cila është veçantia e moshës së lexuesit të cilit i adresohet krijimi?
- Veçantia qëndron pikërisht te raporti ndërmjet këtyre dy elementeve që përmendët ju. Në krijimet për fëmijë, qoftë ky tregim, po edhe novelë a roman, përgjithësisht mbizotëron ngjarja, fabula. Asaj i lihet vendi më i madh, sipërfaqja më e madhe.. Mesazhet, mendimet, idetë, analizat psikologjike, mishërohen me shumë kursim, me lugë kafeje, në trajta lakonike, me sasi shumë të vogla dhe pa u ndjerë, përmes ngjarjeve, aty-këtu.
- Cila është veçantia e personazheve të letërsisë për fëmijë
- Në krijimet për fëmijë, qofshin këto përralla a tregime, poema, novela a romane, përgjithësisht triumfon e mira, pozitivja. Mbyllja e krijimit me hepi end (fund i lumtur) mbizotëron në të. Kjo traditë që është karakteristikë e përrallave popullore, ruhet që nga lashtësia, që nga letërsia gojore. Pinokun, veprën klasike botërore për fëmijë, autori italian Karlo Kolodi e botoi së pari me vijim në gazetë. Aty ngjarjet përfundonin në mënyrë tragjike: Pinoku varej në litar si fajtor. Kjo zgjidhje nuk u pëlqeu lexuesve të vegjël, se nuk ishte si te përrallat popullore, në të cilat heroi i dashur, pas shumë peripecive, gjente lumturinë. Atëherë shkrimtari iu vu përpunimit. E solli në variantin që njohim ne, ku Pinoku kthehet në njeri, bëhet djalë i mbarë e i lumtur. Vetëm kësisoj vepra mundi të bëhet e mrekullueshme, të përkthehej në dhjetëra e dhjetëra gjuhë dhe të pushtonte zemrat e mendjet e miliona lexuesve të vegjël, të bëhet vepër klasike e letërsisë botërore për fëmijë.
Kjo praktikë flet për dimensionin e angazhueshmërisë e të mesazhit që mbart letërsia për lexuesit e grupmoshave të njoma.
Në krijimin e tij shkrimtari për fëmijë e ndërton ngjarjen jo vetëm me njerëz. Ai u jep jetë, u jep shpirt (e animizon) edhe gurit e drurit, u jep tru dhe i bën të flasin, të arsyetojnë e të veprojnë si njerzit (e personifikon) edhe një kafshe, edhe një sendi çfarëdo, edhe një dukurie të natyrës (Lapsi, Lumi, Bora, Veriu, Dimri etj., etj.)
Kësisoj, në tipologjinë e personazheve mund të dallojmë: a. Personazhe reale (fëmijë ose të rritur) b. Personazhe të personifikuara c. Personazhe fantastike.
Klasifikimin e personazheve në dy grupe të mëdha – pozitivë e negativë – klasifikim të cilit teoria bashkëkohore e letërsisë për të rritur po e braktis, letërsia për fëmijë e ruan ende me fanatizëm dhe e vlerëson praktik e të qëlluar. Ata personazhe krijojnë dy lobe të polarizuara. Gjatë rrjedhës së ngjarjes, në fund mund të ndodhë që personazhi negativ ta kuptojë gabimin, batakun ku ka rënë, dhe kësisoj, pas shumë peripecive, të ndryshojë, të bëjë kthesë. E kundërta – që personazhi pozitiv të kthehet në negativ – nuk flet më për letërsi për fëmijë.
- Më duket me interes të qëndrojmë edhe ca në këta të ashtuquajturit personazhe pozitivë e negativë…
- Dihet që personazhi pozitiv zë kryet e vendit në letërsinë për fëmijë. Ai është protagonisti, heroi kryesor. Kalon nëpër peripeci të ndryshme të jetës, përjeton drama rrëqethëse, e mban në tension e në ankth lexuesin dhe, në fund, i shpëton rrezikut, triumfon mbi të keqen.
Personazhi negativ zë pak sipërfaqe në krijimet për fëmijë, nuk bëhet kurrë protagonist. Zakonisht, ai mund të jetë një fëmijë me vese, përtac, i llastuar etj., që në fund mund të korrigjohet. Po mund të jetë edhe një i rritur a i moshuar, monstër i së keqes, kusar, vagabond, kriminel etj. dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, i vihet kundër së mirës, së drejtës, përparimtares, kundër personazhit pozitiv.
Në letërsinë për fëmijë, në ndryshim nga ajo për të rritur, përgjithësisht, veprojnë personazhe të gdhendur, me karakter të formuar.
Veç duhet thënë se portretizimi i personazheve me karaktere të prerë, bardhezi, veti e metodës së realizmit socialist, tashmë është praktikë e tejkaluar. Në veprat klasike të letërsisë për fëmijë, bie fjala te Djemtë e rrugës Pal, botuar këtu e një shekull më parë, autori hungarez Ferenc Molnar na ka dhënë shembull të shkëlqyer në këtë drejtim. Jani Boka është personazh pozitiv simpatik: i zgjuar, i matur, trim e guximtar, besnik etj. Po autori ka parasysh që në mendimet e veprimet e tij ai personazh të mbetet gjithmonë fëmijë. Pra, Jani ka edhe të meta, bën edhe gabime (harron portën hapur, hakmerret ndaj shokut që ia vë në dukje këtë gabim, kërkon të zbulojë cili nga shokët ka votuar kundër tij etj.). Përkundrazi, Frenk Açi, kryetar i djemve të pasur, është personazh negativ. Por autori nuk e pikturon vetëm me ngjyrë të zezë atë. Qoftë nga pamja, qoftë edhe nga karakteri. (Djalë i bukur e trim ishte Frenk Açi, sidomos tani që i shkrepëtinin sytë e ndezur për luftim.) Ai është i guximshëm, shkon vetëm në fushën e kundërshtarëve dhe u rrëmben flamurin, e shporr Gerebin, meqë ishte dezertor, e vret ndërgjegja për Nemeçekun e sëmurë etj. etj.
Marrim një shembull tjetër. Te novela “Tym në pyll” shkrimtari Arkadi Gajdar (mos më akuzoni se po vlerësoj shkrimtarët e realizmit socialist; po kërkoj të përfitoj vetëm nga teknika, nga mjeshtëria e tij në të shkruar) tregon sesi një fëmijë i vogël, Vallodka, bën një vepër heroike, shpëton pilotin Fedosjev. Por ky personazh pozitiv nuk është i elektrizuar vetëm me pluse. Ka edhe minuse: Vollodka nuk di ta përdorë busullën, megjithëse e kishte bërë në mësim këtë gjë; ai nuk di not, etj. etj.
Pra, personazhi pozitiv nuk është një shumë aritmetike vlerash estetike pozitive. Një veprim të mirë, një sjellje të hijshme mund të bëjë edhe një djalë shkatarraq apo një fëmijë me fytyrë të shëmtuar.
E gjithë kjo ka të bëjë me një dukuri tjetër, me një nocion tjetër, me idealizimin e personazhit. Shkrimtarët tanë që krijojnë për moshat e njoma bëjnë kujdes që të mos i idealizojnë personazhet e krijimeve të tyre. Lexuesi i njomë kërkon të gjejë veten në personazhet për të cilat lexon.
- Ç’mund të themi për karakteret që veprojnë në veprat për fëmijë?
- Në krijimet letrare për fëmijë më së shumti veprojnë tipa të gatshëm, karaktere të përcaktuar, të formuar. Por kjo nuk do të thotë aspak se autori nuk ka të drejtë gjatë tregimit, novelës apo romanit të tij për fëmijë të na japë formimin gradual të njërit apo tjetrit nga heronjtë. Kështu vepron, për shembull, edhe Ferenc Molnari te Djemtë e rrugës Pal, personazhin Nemeçek na e jep në rritje, në evoluim: nga i drojtur, ai bëhet i guximshëm e trim.
Veçse duhet thënë se përshkrimi i formimit gradual të karakterit të heroit në veprën lerare për fëmijë duhet dhënë në mënyrë të thjeshtë e të kuptueshme për të vegjlit, pa luftë të madhe shpirtërore. Sepse çdo personazh gjykohet prej fëmijëve vetëm në bazë të bëmave të tij, veprimeve që kryen ai dhe si pjesëmarrës i ngjarjes.
Mendimi që shtjelluam është shtruar me forcë nga kritika jonë. Për shembull, Dritëro Agolli, duke diskutuar në një konsultë të letërsisë për fëmijë qysh në kohën e Monizmit, sugjeronte:
Kemi dy lloje tregimesh:
1) Tregim për fëmijë: Këtu karakteri i personazhit apo i heroit, është i formuar. Karakteri jepet përmes situatash të jashtëzakonshme. Pra, karakteri nuk ka lëkundje: trimi është trim, frikacaku është frikacak.
2) Tregim mbi fëmijët. Këtu karakteri është në zhvillim e në rritje, herë mes lëkundjesh shpirtërore, herë mes kapërcimit të vështirësive. Ky lloj tregimi i pëlqen më shumë të rriturit. Por, shtonte studiuesi ynë, ky lloj do ta pasuronte letërsinë për fëmijë, duke e zvogëluar atë hendekun që ekziston midis letërsisë për fëmijë dhe asaj për të rritur.
Besoj se ky sugjerim është i vlefshëm edhe sot dhe nuk ka nevojë për koment.
- Po përshkrimi çfarë vendi zë në krijimet për fëmijë?
- Edhe në një vepër letrare për fëmijë herë pas here lind nevoja e përshkrimit të një dukurie apo të ndonjë sendi, nevoja për të përshkruar pamje të ndryshme të natyrës (peizazhi) apo për të përshkruar pamjen e jashtme të një njeriu, trupin, veshjen, cilësitë e tij shpirtërore e morale (portreti).
Por duhet thënë se, në dallim nga letërsia për të rritur, këtu nuk janë të këshillueshme përshkrimet e imta të natyrës dhe të portreteve të heronjve. Edhe përshkrimet e gjata nuk këshillohen, pasi ato e ndalojnë veprimin e ngjarjes, gjë që është interesante për lexuesin e vogël. Por kjo nuk do të thotë aspak se në librin për fëmijë nuk mund të ketë përshkrime të pamjeve të bukura. Kurse te portretet e heronjve është e nevojshme të theksohen më tepër ato cilësi të pamjes së jashtme, të cilat i japin mundësi lexuesit të vogël të ushqejë simpati ose antipati për të. Ja një shembull portreti antipatik: … nën urë jetonte Troli i madh dhe i shëmtuar me sytë të mëdhenj si topa futbolli dhe me hundën të gjatë si një mashë. (“Tre cjeptë e ashpër”, përkthim i Arif Demollit)
Me interes është edhe vëzhgimi i studiuesit tonë, të paharruarit Tasim Gjokutaj:
Zakonisht në veprat për fëmijë nuk bëhen portrete të hollësishme, sepse përdoren shpesh emra domethënës si në përrallat popullore ( Në asnjë përrallë ku përmendet E bukura e Dheut, nuk përshkruhet portreti i saj). Të tilla emërtime përdoren në letërsinë për fëmijë (Kësulkuqja, Veshkaushi, Kokëfirifiu, Përtacukët, Pikaloshi, Mimoza llastica) etj.
Shpesh autori për fëmijë e jep portretin e heroit dhe peizazhin nëpërmjet ngjarjes e veprimit, pa e ndërprerë atë. Dhe më sukses kanë ata shkrimtarë, të cilët nuk merren me përshkrimin e personazheve, por i lënë ata të veprojnë vetë.
Nga ana tjetër duhet mbajtur parasysh se peizazhi është mirë të jepet në prizmin e perceptimit fëminor, ashtu siç e shikojnë të vegjlit me sytë e tyre. Ndaj, në raste të tilla, mirë është që autori për fëmijë të fusë një njeri, një personazh i cili e admiron këtë pamje.
- A lejohet tragjikja në letërsinë për fëmijë? Cilat janë përmasat e saj?
- Mbaj mend se në një intervistë shkrimtari nga Prishtina Qamil Batalli qe shprehur: Letërsia për fëmijë nuk e ka pasur dhe nuk mund ta ketë kurrë tragjedinë si gjini letrare të vetën.
Pranimi ose mospranimi i tragjikes, konstatonte edhe studiuesi kosovar Prof. Agim Deva, varet në radhë të parë nga qëllimi i saj, nga fakti nëse kanë apo s’kanë ndonjë ideal të caktuar. Në shumë përralla të Sharl Perosë, Andersenit, vëllezërve Grim…, shtriga i sulmon njerëzit. Kjo gjë është tragjike e antipedagogjike. Vdekjet e tilla i trishtojnë fëmijët. Jo, ngulmonte studiuesi ynë, tragjikja në letërsinë për fëmijë duhet të jetë e kuptimësuar. Ajo duhet të zhvillohet në emër të një ideali të madh, si ajo e dëshmorëve në luftë me pushtuesin…
Kjo mendësi, pra, ka zotëruar në teorinë e letërsisë për fëmijë.
Megjithatë, duhet thënë se në kohën e sotme mendimet kanë evoluar. Ja, në jetë shumë fëmijëve do t‘u duhet të ballafaqohen me vdekjen e ndonjë të afërmi, dhe të gjithë i frikësohen kësaj ndodhie. Ndaj, mendojnë krijuesit, letërsia duhet t‘u ndihmojë të vegjlit të jenë të përgatitur. Një shembull është drama Ariu i Arkanzavit, që bën fjalë për një vajzë të vogël që mëson sesi të mbajë zi për gjyshin.
Pjesa e dytë teatrore me temë tragjike, titullohet “Miradi – një djalë nga Bosnja”, e autorit të njohur holandez Ad de Bont. Ajo bën fjalë për luftën në Bosnje e Hercegovinë dhe tmerret e saj. Djaloshi ka humbur prindërit, ndaj ikën nga vendlindja dhe arrin në një vend të ri. Shumë spektatorë, qanin kur e shikonin shfaqjen. Pas shfaqjes, trupa tetrore qëndronte gjithnjë për të diskutuar me spektatorët. E, pra, një fëmijëri të tillë kanë patur dhjetëra voglushë jo vetëm në Bosnjë, por edhe në Kosovë e gjetkë...
Një përvojë të re na ofron për temën tragjike regjisorja dhe krijuesja suedeze Suzanë Osten, duke u përpjekur të largohet nga teatri didaktik e moralizues.
“Prindërit, në lagjen ku u rrita, - tregon Osten,- nuk dëshironin që fëmijët e tyre të dinin se bota ishte edhe tragjike edhe seksuale. Vajza e fqinjit e kishte të ndaluar të lozte me mua, pasi unë i tregova librin për edukatën seksuale.
Gjatë viteve ‘60, kur unë isha dado e D. trevjeçare, në njërin nga librat e saj vura re një tregim të Astrid Lindgrenit, të cilin ia kishin ndaluar prindërit. Ata kishin mbuluar me zbardhues fjali të caktuara dhe i kishin rishkruar. Në këtë mënyrë, motra në tregim nuk vdiste, por shkonte në spital. […] Edhe në Angli, dramat për fëmijë nuk bën të përmbajnë skena të caktuara. Vdekja apo hidhërimi janë tabu. Me një fjalë, të rriturit synojnë që fëmijët t‘i mbajnë në injorancë.”
Në punën e saj në teatër dhe në film, Osten është ballafaquar me këto tabu dhe ka kërkuar që t‘i zgjerojë kufijtë e temave që mund t‘u shfaqen fëmijëve. Një pjesë teatrore e saj titullohet “Vajza, nëna dhe bërllogu”. Autorja u bazua në përvojën e vet. Në qendër të dramës është vajza me emrin Ti, e cila po mbush tetë vjeç. Ajo jeton në një banesë vetëm me nënën e saj, e cila vuan nga psikoza. Nëna e Tisë paraqitet sikur është e pushtuar nga dy demonë (xhindër). Spektatorëve ky fakt sikur u jep njëfarë ndjenje lehtësimi. Ata ndjejnë keqardhje për atë nënë. Interesimi i vogëlushe Ti është i dyfishtë: të përkujdeset për nënën dhe të mbijetojë e pacënuar me anë të shkathtësisë së vet...
Shfaqja u prit mirë nga spektatorët e vegjël. Ajo theu tabunë. Për disa vjet radhazi u dha me sukses në shumë shkolla e qytete. Trupa teatrore bëri turne edhe në Berlin e në Montreal, në Nju Jork etj. Qysh atëherë në Suedi u krijuan disa grupe përkrahëse të fëmijëve.
- Letërsia gjatë kohërave është konsideruar art i autorit. Sot po konsiderohet edhe art i lexuesit. Si ta kuptojmë këtë dukuri në letërsinë për fëmijë?
Po, teksti (në rastin tonë kemi të bëjmë me një krijim letrar) në kohën e sotme po shikohet e po vlerësohet si bartës i kuptimit dhe i një akti komunikimi, kurse lexuesi si rindërtues i paraqitjes semantike që autori i komunikon atij me anë të tekstit.
Një tekst mund ta konsiderojmë si një tërësi kuptimesh që autori, me një sërë operacionesh psikologjike, e ka kthyer në fjalë. I mbetet lexuesit t‘i zbulojë këto kuptime me anë të zotësisë së vet.
Pyetjes se Ç‘do të thotë të lexuar? studiuesi francez Roland Barti (Roland Barthes) i përgjigjej: Do të thotë që jemi të detyruar të dekodojmë një mesazh i cili ka qenë i koduar nga një tjetër (nënkupto shkrimtarin – shën. A.B.).
Lexuesi sot, në psikolinguistikën moderne letrare, konsiderohet si subjekt i vërtetë i aktit të leximit. Por në rastin tonë kemi të bëjmë me një lexues fëmijë, pra, me një njeri me fuqi më të vogla motorike psikofizike përceptuese. Kësisoj, lexuesi i njomë te një tekst në përgjithësi rrok vetëm kuptimin e drejtpërdrejtë. Shtresën e dytë semantike të tekstit, kuptimin e fshehtë, alegorinë e tij (që mund të përbëjë edhe qëllimin kryesor, shtysën kryesore, nxitjen për të kapur penën nga ana e shkrimtarit), ai nuk e përthith dot siç duhet. Vëmendja e lexuesit fëmijë përqëndrohet te ngjarja e një krijimi letrar, te fabula e tij, te veprimi dinamik, te dialogu i gjallë. Kjo përbën anën interesante e argëtuese për të. Kureshtja e fëmijës nuk është e interesuar për të kapur nëntekstin. Pra, ndryshe nga lexuesi i rritur, lexuesi fëmijë dekodon e recepton kryesisht kuptimin e drejtpërdrejtë të tekstit, ndërsa kuptimin figurativ të tij has vështirësi për ta dekoduar. Megjithatë, edhe te lexuesi fëmijë, në fund të fundit, kemi një “dekodim mesazhi”. Bie fjala, lexojmë një fabul me ujk e me qëngj. Mesazhin duhet ta transplatojmë në botën njërëzore… etj. etj. Këtë dekodim lipset ta udhëheqë një i rritur (i familjes apo i afërt, edukatorja, mësuesi) për ta përçuar lexuesin e papërvojë e të pakualifikuar në ato nënkuptime.
Dhe këtë veçanti shkrimtari e ka kurdoherë parasysh kur shkruan enkas për lexuesit e vegjël.
- Jeni autor i tekstit “Histori e letërsisë botërore për fëmijë”. Nga ai është e njohur dukuria se disa vepra letrare u shkruan për të rritur e përfunduan për lexuesit e vegjël. Po përmend, për shembull, romanet “Robinson Kruzo” apo edhe “Udhëtimet e Guiverit”. Ç’mund të na thoni për këtë fakt?
- Është e vërtetë që disa vepra klasike, të cilat dikur u konceptuan e u shkruan për lexuesit e rritur, sot janë bërë kryesisht pronë e lexuesve fëmijë. Kjo dukuri shpjegohet duke i parë ato nën prizmin e teorisë moderne të “horizontit të pritjes”. Kështu, ato romane në kohën e tyre u shkruan e u botuan si tekste të theksuara pragmatiste a polemike. Sjellim si shembull “Udhëtimet e Guliverit” që përmendët ju. Lexuesi i parë, lexuesi i moshës së rritur të cilit i adresohej në vitet 1700, shijonte sidomos: nëntekstin e veprës, lidhjen me problemet e kohës, pyetjet që shtronte vepra, stigmatizimin që ajo u bënte jetës së intelektualëve dhe gjithë sistemit shoqëror të kohës, politikës së Anglisë me mbretëreshën Ana në krye; pëlqente institucionet dhe sistemin arsimor në perandorinë e liliputëve, që jepte si model për atë të Anglisë, aluzionet për partitë, për papistët e protestantët, për përçarjet dhe grindjet ndërmjet tyre etj. etj. Me kohë këto vlera filluan ta humbisnin dalëngadalë rëndësinë e tyre. “Horizonti i pritjes” së atij romani ndryshoi. Edhe në ditët tona vepra përfshihet në një tjetër “horizont pritjeje”, nga lexuesi i një moshe më të re, nga lexuesi-fëmijë. Ai e vlerëson romanin e Xhonatan Suiftit për fabulën dinamike, për aventurën që ngërthen, për befasitë që e presin hap pas hapi personazhin kryesor - Guliverin, për dekorin ekzotik në të cilin i vendos ngjarjet vepra, për vendet përrallore në të cilin e end protagonistin etj.
- Cilat janë librat që njihen si përkthime më të hershme në gjuhën shqipe nga letërsia botërore për fëmijë?
- Si përkthyes të parë për fëmijë duhet të konsiderojmë botimet e Kristoforidhit, si: ”Katër kateqisma për çunat e vogjilë. Konstandinopol, 1867” e ”Historia e shenjtesë shkronjë për dielmt, përmbëledhunë kah Dhjata e Vietër edhe kah historia e botësë. Istambul, 1870” (këta nuk janë mirëfilli artistikë, por kujtoj këtu edhe poezinë ”Ylli i vogël lart në qiell” të abetares së tij).
Përkthime kanë bërë edhe Naim Frashëri, Papa Kristo Negovani e ndonjë tjetër, por ne e kemi fjalën si libra. Ndaj, përkthyes të tillë të dytë përmendim Lumo Skëndon (Mithat Frashërin) me botimet: “Gyjom Telli prej Lamartin. Sofje, 1898”, " Bëje të mirën pa hidhe në det. Prej Franc Hofman. Sofje, 1900", “ ROBENSON . Prej Daniel De Foe. Selanik, 1909” [në mbulesë: 1910] ("Përshtypje e dytë" e këtij libri është bërë në Sofje më 1911), "Shkurtabiq` i verdhë. Miu i vockël. Sorkadh` e bardhë. Prej Komtesa D`Aulnoy. Sofje, 1914". Këta libra Mithat Frashëri i përktheu nga gjermanishtja, nga frëngjishtja e nga anglishtja. Që ua ka adresuar fëmijëve e të rinjve këto vepra, dëshmon fakti që ato mbajnë në mbulesë apo në faqen e parë shënimin Prallë për djemtë apo Libërtore e djemet.
Pastaj mund të përmendim botimet e Anton Xanonit, të bëra brenda vendit, në Shkodër, si: ”Muzhiktari vërbet. Prej Franc von Seeburg-ut (pa v.b.[1911?]), "GJENOVEFJA E BRABANTIT. Prej M. Kristoforit Schmid. E dyta dorë, 1915", etj. Deri sa vijmë te Çajupi me librin ”PERRALLA. Te sgjedhura nga të vjershtarit math La Fontaine. Heliopolis, 1921”
- Në Monizëm Lumo Skëndoja përmendej vërtet si i pari përkthyes kur bëhej fjalë për Daniel Defonë në shqip, por thuhej se ai kishte botuar pjesë nga romani. Përkthimi i plotë i atij libri u atribuohej Halit Selfos e Bujar Dokos më 1966. Si qëndron e vërteta?
- E vërteta qëndronte ca më ndryshe… Lumo Skëndoja nuk ka botuar disa fragmente, por të gjithë librin e përshtatur për fëmijë, pra një variant të shkurtuar. Fillimisht atë vepër e pati botuar te gazeta e tij LIRIJA, që e nxirrte në Selanik, në nr. 54 të saj, mot i dytë, datë 25 korrik 1909. Aty filloi të botohej si nënfletë libri ROBENSON. Botimi me puntata ka vazhduar në njëzet numura dhe përfundon në nr. 73, datë 30 janar 1910. Menjëherë, pastaj, po në atë gazetë, në nr. pasues jepet njftimi se libri u shtyp veçan. Edhe sot e kësaj dite, pas një shekulli, i sjellë në gjuhën e sotme, ky përkthim ka vlera dhe u është dhënë fëmijëve tanë për lexim.
Robinsoni i Daniel Defosë njeh në shqip pesë botime, të përkthyera respektivisht nga: Lumo Skëndo, Dhori Kotti (në vitet ’30) dhe Dr. Georg Pekmezi (Tiranë, 1936, botimi i plotë me 370 faqe). Veç këtyre kemi edhe një përkthim të bërë në Shkup nga Remzi Pustina më 1954. Pastaj vjen botimi i Halit Selfos e Bujar Dokos, më 1966.
- Qëndrojmë te krijimtaria origjinale letrare shqiptare për fëmijë që krijohet në Kosovë dhe ajo në Shqipëri. A ekzistojnë dallime motivore mes tyre? Çka i mungon njërës, që e ka tjetra dhe anasjelltas?
- Krijimtaria letrare shqiptare për fëmijë që krijohet në Kosovë (përfshi këtu edhe atë që krijohet në Maqedoni e në Mal të Zi) dhe ajo që krijohet brenda kufinjve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë përbëjnë gjymtyrë të të njëjtit trup. Në rrjedhë të kohës secila nga këto gjymtyrë ka patur dhe ka karakteristikat e veta dalluese. Në fillimet e saja edhe krijimtaria në Kosovë e Maqedoni u mbështetën fort në folklorin e pasur shqiptar respsektivisht të trevave të tyre, sikundër në tokën amë, në Shqipëri. Përmendim këtu, sa për ilustrim, librat “Përrallat e gjyshit” (1953) të Mark Krasniqit, romanin “Lugjet e verdha” të Rexhep Hoxhës (1959) etj.
Dallime motivore të kësaj krijimtarie vihen re sidomos në tematikë. Mund të themi se gjithmonë ato kriimtari kanë qenë të angazhuara; fillimisht ndoqën vazhdën e Rilindjes Kombëtare dhe, më pas, në një mënyrë ose në tjetrën, i janë përkushtuar problemeve të kohës. Në Kosovë rëndonte shovinizmi serb, robëria serbe, ndaj edhe krijimtaria artistike në përgjithësi, qoftë kjo në veçanti për fëmijë, e kishin të fuqishëm këtë vektor. Merrni, bie fjala, romanin “Droja” të Rifat Kukajt dhe shikoni si e vë gishtin mbi plagën e gjakmarrjes e të kurbetit në Kosovë. Diktaturën e egër komuniste në Shqipëri e pasqyrojnë bukur romani realist “Qyteti me tri kështjella” i Bedri Dedjes apo, në mënyrë alegorike: romani “Planetthi i ngrirë” i Mira Meksit, novela “Hundëçipat e mbreti Kuku” (1993, 1997) e Loni Papës. Merrni romanin “Ndodhitë e Hundëkarrotës” e shkrimtarit viktimë të paprecedentë të shovinizmit serb Ymer Elshani, merrni romanet “Hekurani në Artas” të Abdylazis Islamit të botuar më 1993 në Shkup apo “Vite e plagë “ të Ibrahim Kadriut, botuar në Prishtinë para se të ndodhë Lufta në Kosovë, lexojini dhe do të shikoni qartë ç’ishte robëria shoviniste serbe apo ajo maqedonase. A nuk qe kjo krijimtari një prolog për atë që do të ndodhte vetëm pak kohë më vonë në ato treva shqiptare? Pra, në rrjedhë të kohës, edhe shkrimtarët për fëmijë kanë qenë sizmologë të ndjeshëm për tërmetet e fuqishme sociale, për ngjarjet e plagët që do të merrte kombi ynë, njerëzit tanë.
Në Kosovë menjëherë pas Luftës së 1999-s, ende pa u tharë plagët e rënda që mori komuniteti shqiptar atje, lulëzuan vepra të fuqishme që e pasqyruan me ndjenjë këtë ngjarje historike. Përmendim këtu poemën për Xhelën, luftëtarin e UÇK, të Agim Devës; leqë pothuajse të gjithë shkrimtarët e asaj treve e lëvruan të nxehtë atë temë, ende pa u davaritur era e barotit.
Në Kosovë krijimtaria artistike në përgjithësi dhe ajo për fëmijë në veçanti, kanë patur një anë pozitive, favorizuese. Në kohën e diktaturës enveriste, kur në Shqipërinë e mbyllur zbatohej socrealizmi, krijuesit në Kosovë kanë qenë më të lirë, më të hapur ndaj Perëndimit dua të them, më në kontakt me atë krijimtari artistike që qarkullonte në duart e lexuesve francezë, anglezë, gjermanë etj. Dhe ata libra patjetër që përbënin një ushqim cilësor dhe modele për t’u ndjekur nga krijuesit. Bashkëkohësia dhe modernizmi, në kuptimin e mirë të fjalës, ishin më të njohura e më të pranishëm në këtë letërsi. Mjafton t’u hedhësh një sy krijimtarisë poetike për fëmijë të Gani Xhafollit e të ndonjë tjetri që të bindesh për këtë fakt.
Veç këtij ndryshimi cilësor favorizues të krijimtarisë, si dhe kësaj veçantie tematike, unë hetoj individë të spikatur krijuesish që janë pasuri e njërit apo tjetrit krah të kombit tonë, vepra të shquara letrare për fëmijë apo edhe karaktere e personazhe letrare që janë bërë aq familjarë ndër lexuesit e moshave të njoma. Doni të ndalemi në disa shembuj?
Po ja, bie fjala, ju në Kosovë e keni një “Postjer të maleve” që shpërndan “Postën e porositur” të Mark Krasniqit, por do të ishte mirë të mos ju mungonte edhe “Pleshti” i Dritëroit tonë.
Ju e keni “Xhelën…” e Agim Devës, por sa mirë do të ishte të kishit edhe “Princeshën Argjiro” të Kadaresë.
Ju keni djaloçin e Arif Demollit “Lushi si askushi” për çapkënllëqe e humor që të shkrin gazit, por ende jo një “Çufo” të tillë si ai i Gaqo Bushakës.
Ju keni harrakatët “Rruci e Puci” të Rrahman Dedajt që enden tërë rrokupujë nëpër Hapësirë, por ende jo një urtak të tillë si “Presidenti i Planetit të Kuq” i Bedri Dedjes.
Keni gjithashtu, nga Ymer Shkreli, një “Lec Pazhec” që mban gjithmonë ditar për bëmat e tij, por jo edhe një të tillë si “Goni trazovaçi” i Adelina Mamaqit (që këtë dhjetëvjetëshin e fundit ka patur një impuls të shëndetshëm frymëzimi poetik për t’u patur zili), një “Mimoza llastica” si ajo e Nasho Jorgaqit, një tjetër si “Çapaçuli” i Dionis Bubanit apo si dy Benat tanë: i pari një Ben për të cilin kërkon “Ku ta gjejë daullen gjyshi”… Tasim Gjokutaj, tjetri – “Beni që ecën vetë” (me sivëllanë e tij bashkëkohor të “Mos!”-it) të Kiço Blushit.
Ju keni një vepër të tillë brilante si “Droja” e Rifat Kukajt, por ju mungon një krijim i tillë si “Shpella e piratëve” e Petro Markos. Keni një “Dre me yll në ballë” të Ali Huruglicës, po ju mungojnë “Përrallat për një muaj” të Naum Priftit.
Letërsia për fëmijë e Kosovës e ka të pasqyruar fëmijë 9-vjeçar Heroin e Kombit tonë Gjergj Kastrioti (ndërmend romanin “Agimi” të Maksut Shehut), por nuk e ka të pasqyruar në luftrat e tij, si në romanin “Historia e Skënderbeut” (përshtatje nga Odhise Grilloja). Ju keni një “Pilivesë të flakëruar” nga Anton N. Berisha, po sa mirë do të ishte të kishit edhe një “Gjysmagjel” si ai i Moisi Zaloshnjes.
Tema e emigracionit, aventurat rreth fëmijëve që enden larg vendit të vet, pasqyrohen bukur të transplatuara në botën e kafshëve te “Kërriçi i pikëlluar” i Abdyl Bunjakut, po ne e keni të trajtuar në një vepër realiste si “Ata që kërkonin lumturinë” të Viktor Canosinajt…
Po të bënim fjalë për individualitete krijuese, do të thoshim, ta zëmë, se ju keni një Gani Xhafoll modernist, por sa mirë do të ishte të kishit edhe një Xhevat Beqaraj akuarelist të ndjeshëm të natyrës; ju keni një Avdush Canaj që u këndon aq me ndenjë flirteve të moshës shkollore (temë e cila te ne ndjehet ngushtë), por edhe ne ndjehemi krenarë me një Xhahid Bushat lirik të ndjeshëm të zogjve, të kandrave e të kafshëve të pyllit. Ju e keni më të mangët temën e detit (nuk po e quaj “tuajin” Hajro Ulqinakun, megjithëse shtegton e dimëron në Prishtinë) apo atë të letërsisë fantastiko-shkencore të Hapësirës Kozmike e të mjekësisë, siç mund të lëvdohemi ne me mjekun Flamur Topi, artist mjeshtër edhe të penës. “Ezopin” tonë Ferit Lamaj nuk po e zë me gojë, se nuk gjej tjetërkënd tek ju për ta krahasuar; madje është i rrallë edhe po ta kërkosh në tërë rruzullin me fenerin e Diogjenit…
Në këtë linjë arsyetimi e gjykimi, sot nuk mund ta kuptojmë letërsinë shqiptare për fëmijë, pa veprat e autorëve në Kosovë, pa emrat e atyre që përmendëm më lart në mënyrë dinamike apo edhe të të tjerëve, që po i japim statikë (e pa ndonjë kriter), si: Hivzi Sulejmani, Anton Çetta, Muhamed Kërveshi, Vehbi Kikaj, Qamil Batalli, Adem Gajtani, Hasan Hasani, Xhevat Syla, Zymber Elshani, Skënder Zogaj, Veli Veliu, Avdi Shala, Abdullah Thaçi, Nuhi Islami, Zejnullah Halili, Rushit Ramabaja, Dije [Qibrije] Demiri-Frangu, Islam Balaj, Rizah Sheqiri (ndonëse jeton e krijon në Suedi), Shahbaze Vishaj, Kismete Hyseni, Jonuz Fetahaj, Riza Greiçevci, Ramadan Mehmeti, Gjon Gjergjaj, Edi Shukriu, Xhemail Halili, Nehat Jahiu, Ejup Idrizi, Liri Loshi, Beqir Buzuku, Mehmet e Riza Haziri, Nuhi Veselaj etj. Nuk mund ta kuptojmë letërsinë shqiptare për fëmijë, pa veprat e pa ndihmesën e autorëve shqiptarë në Maqedoni, të tillë si: Abdylazis Islami, Mehmedali Hoxha, Fejzi Bojku, Mustafa Spahiu, Kalosh Çeliku, Lutfi Rusi, Ramadan Zejneli, Adem Abdullahu, Aqif Isaku, Hysen Këqiku, Demir Behluli, Vahit Nasufi, Nuhi Vinca, Ramadan Zejneli, Puntorie Ziba etj. Apo edhe të autorëve shqiptarë në Mal të Zi, si: Hajro Ulqinaku, Ibrahim Berjashi, Asllan Bisha etj.
Veç askujt nuk i shkojnë këto lavde. E përsërisim. Prodhimtaritë tona letrare për lexuesit e moshës së njomë pasurojnë të njëjtin fond të përbashkët kombëtar shqiptar, lartësojnë të njëjtën letërsi për fëmijë e të rinj, duke vepruar gjithmonë me parimin popullor të pëllëmbëve të duarve: “Njera dorë lan tjetrën dhe të dyja - fytyrën”, letërsinë shqiptare për fëmijë e të rinj.
- Është më se e vërtetë. Po ç’mund të themi për njohjen në Shqipëri të letërsisë për fëmijë të autorëve kosovarë?
- Po, e vure gishtin tamam në një plagë që ende nuk po zë kore. Problem mjaft të madh përbën për ne receptimi i kësaj letërsie, që prodhohet jashtë kufinjve të Republikës së Shqipërisë, leximi i ndërsjelltë i krijimtarisë letrare shqiptare për fëmijë që lëvrohet në trevat simotra ta saja.
Ta themi pa kapak e ta pohojmë me therje në zemër: në shtetin shqiptar pak bëhet për të njohur letërsinë kosovare për fëmijë. Receptimi i mangët në Shqipëri i letërsisë shqiptare për fëmijë që krijohet në Kosovë, Maqedoni e në Mal të Zi është problem i pafalshëm.
I dobët është ky receptim edhe anasjelltas. Megjithatë, në Kosovë e në Maqedoni vlerësoj se bëhet punë më e mirë për receptimin e letërsisë për fëmijë të autorëve të Republikës së Shqipërisë. Le të marrim një shembull, psh Bedri Dedjen. Me informacionin që kam, di që në Prishtinë janë ribotuar nga ky autor këto vepra: Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit: 1969, ’72, ’80; Përralla popullore mbi kafshët: 1972, ’80, ’84, ’88, 2001, 2010; Një udhëtim i rrezikshëm: 1972; Kalamajtë e pallatit tim: 1973, ’79, ’82, ’87, ’98; Prizren 2010; Presidenti i Planetit të Kuq: 2008. Edhe në Maqedoni nga autori Bedri Dedja njohim botimet: Shkolla e pyllit, Shkup 1978; Kacamicri rreth globit- Shkup 1996; Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit: Tetovë 2001; Kalamajtë e pallatit tim, Shkup 2002 etj.
Po kështu mund të bëjmë fjalë për botime të autorëve të tjerë shqiptarë, si Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Petro Marko, Adelina Mamaqi, Hamdi Meça etj. Apo edhe për përmbledhje të tilla antologjike, biefjala, si: “Kuvendim poetik” e Xhevat Sylës botuar në Kosovë apo “Tregime, përralla e legjenda” e Halil Zendelit dhe “E bija e Hënës dhe e Diellit” përgatitur nga Odhise Grilloja, të botuara të dyja në Maqedoni, ku tubohen së toku shkrimtarë e poetë shqiptarë, këtej e andej kufinit, etj.
Nuk mund ta konceptoj, por Diktatura Komuniste në Shqipëri bëri më tepër për këtë problem, sidomos në vitet ’70 e ’80 (kur e kërkoi politka). Në ato dy dekada shtëpia e vetme botuese e letërsisë artistike “Naim Frashëri” që vegjetonte tek ne, botoi disa vepra të autorëve më në zë të krijuesve shqiptarë për fëmijë në Jugosllavi, të redaktuara e të korrektuara në shqipen standarde që kishte vendosur Kongresi i drejtshkrimit i ’72-it. Në to përfshiheshin disa krijues fatlumë nga Kosova (madje ndonjëri edhe me tre-katër libra), të tillë si: Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha, Rifat Kukaj, Maksut Shehu, Ibrahim Kadriu, Vehbi Kikaj, Agim Deva, Rrahman Dedaj, Arif Demolli, Gani Xhafolli, Ymer Elshani, Qamil Batalli, Ali Huruglica, Hasan Hasani, Rushit Ramabaja, Abdyl Bunjaku. Nga Maqedonia u botuan: Mehmedali Haxha, nga Mali i Zi: Hajro Ulqinaku e ndonjë tjetër që mund ta kem harruar në këtë çast. U botuan gjithashtu edhe tri-katër përmbledhje antologjike me autorë të ndryshëm të Kosovës, si: Reja e zezë mbi kullën e bardhë (tregime), Gishti ngjyrë vjollcë (vjersha), Kur buzëqesh nëna ime (vjersha), Djaloshi trim (vjersha e tregime).
Është e pafalshme, madje punë sabotuese do ta konsideroja unë, fakti që gjatë dy dekadave e ca të Transformimeve Demokratike në Shqipëri, për ribotimin edhe këtu te ne të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj që krijohet e prodhohet në Kosovë, Maqedoni, e Mal të Zi nuk u bë asgjë, jo vetëm me inisiativë nga shtëpitë botuese, po as nga ministritë tona: ajo e Kulturës e ajo e Arsimit.
Ne përshëndesim botimin nga “Toena” të vëllimit të Hajro Ulqinakut “Libri për detin” (Vepra të zgjedhura 6+1) (2005) apo edhe nga shtëpia botuese “Cama-Pipa” e Shkodrës të romanit “Ishulli i gjelbër” (1999) po të të njëjtit autor. Por këto janë shumë pak në krahasim me atë që duhet të ishte bërë.
Unë nuk dua t’ju sjell këtu një përvojë personale të hidhur... Në Luftën e Kosovës, letërsia shqiptare për fëmijë humbi shkrimtarin e shquar Ymer Elshani, të cilin e masakruan familjarisht dhe e vranë kriminelët serbë. Në kujtim të tij desha të bëja edhe vetë diçka mëse njerëzore, të realizoja një botim të autorit. I shkrova të vëllait, Zymberit, që mundësisht të më sillte romanin “Aventurat mbi trotinetin e vjetër” se më mungonte. Ai jo vetëm që ma postoi, por, kur mori vesh qëllimin tim dashamirës, më falnderoi e më tha se nuk pranonte as honorarin e mundshëm. Me nxitim, ia paraqita librin një shtëpie botuese, duke i bërë edhe propogandën e duhur. Botuesi e mori përsipër botimin, por... pasi e sorollati një vit nëpër sirtaret e veta, pa pikë turpi më deklaroi se e kishte humbur kopjen e vetme që e sigurova me aq mund... Trokita atëherë në një shtëpi botuese tjetër, më serioze. Edha ata u treguan ta gatshëm pas promovimit që u bëra. E morën librin, e radhitën dhe... vetëm aqë. Ka mbi dy vjet që trotineti në fjalë vazhdon aventurat... në sirtaret e asaj shtëpie botuese “serioze” dhe pret të dërgohet në shtyp.
Përshëndesim gjithashtu faktin që në librarinë e hapur në qendrën tregtare TEG – Tiranë, premtuan se do t’i jepnin rëndësi edhe tregtimit të librave të autorëve kosovarë. Amin!
Së bashku me mosinteresimin e Ministrisë së Kulturës apo edhe të shtëpive botuese, do të bashkoja edhe atë të ndërmarrjeve të tregtimit me shumicë të librave artistikë. Nuk ecën libri kosovar për fëmijë këtu në Shqipëri, nxjerrin si pretekst. Jo, mendoj se fajin e ka mungesa e propagandës, e publicitetit të mediave tona të shkruara e atyre vizive, mungesa e aktiviteteve promovuese etj.
- Çka mendoni si njëri ndër kompetentët e letërsisë shqipe për fëmijë: mos vallë është në krizë (e kemi fjalën për poezinë) krijimtaria letrare për fëmijë në këtë dhjetëvjetëshin e fundit?
- Termin “krizë” më tepër do ta përdorja për një tjetër gjini në letërsinë për fëmijë, për pjesët teatrore. Dikur te ne botohej periodikisht një buletin, “Teatri i fëmijëve”, organ i Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore në Tiranë, patën funksionuar nëpër rrethe trupa të teatrit të kukullave; madje edhe trupat profesioniste teatrore të dramës apo të estradës nëpër rrethe për çdo vit kishin për detyrë të vinin në skenë një ose dy pjesë për fëmijë. Uria e këtyre institucioneve si dhe e organeve botuese nxiste e stimulonte krijuesit tanë ta lëvronin zhanrin e skenës për fëmijë. Shkrirja e tyre solli edhe “krizën” në krijimtarinë letrare përkatëse. Këto dy dhjetëvjeçarët e fundit botime të tilla me pjesë teatrore mund të numërohen me gishtat e njërës dorë: Flamur Buçpapaj (Kaçubeti, Katallani), Odhise Grillo (M’i prisni flokët si djalë), Loni Papa (Shtatë drama dhe komedi për fëmijë), apo Odhise Plaku (Të rendësh i lirë). Ndërsa jashtë kufinjve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë gjendja është më e mirë, më e kënaqshme. Libra me pjesë teatrore për fëmijë kanë botuar autorët: Adem Abdullahu, Agim Deva (2 libra), Zymber Elshani (2 libra), Gjon Gjergjaj, Qemal Halili, Nexhat Halimi, Abdylazis Islami (3 libra), Hamdi Islami, Nuhi Islami (5 libra), Ibrahim Kadriu, Sadri Kelmendi, Arian Krasniqi, Rifat Kukaj, Bejtullah Mustafa, Sadik Përvetica, Muhamet Redenica, Qani Shabani, Riza Shaqiri, Edi Shukriu, Abdullah Trashupa, Hajro Ulqinaku, Nuhi Veselaj, Jusuf Zenunaj, Puntorie Ziba e ndonjë tjetër. Mund të hamendësohet që këtë prodhimtari sasiore e ndihmon fakti se në Prishtinë funksionon “Qendra për zhvillimin e teatrit për fëmijë”. Një organizëm i tillë në Shqipëri mungon.
Tani lë të kthehemi te pyetja juaj. Duhet pohuar se poezia për adoleshentë dhe të rinj, jo vetëm këtë dhjetëvjetëshin e fundit, po gjithëhera ka qenë në “krizë”, në krahasim me prozën. Tregues i saktë është tirazhi me të cilën botoheshin përmbledhje të tilla. Ndërsa një libër për fëmijë në kohën e monizmit botohej me tirazh edhe 20 mijë kopje, një vëllim me vjersha “për pionierë” nuk e kalonte shifrën një mijë.
Siç kam përmendur edhe në ndonjë vend tjetër, ndodh një dukuri e çuditshme me poezinë. Në moshë të vogël fëmijët i pëlqejnë mjaft vjershat. Më vonë interesi ndaj kësaj krijimtarie zvenitet e bie. Në klasat VI-IX lexuesit nxënës sikur sulmojnë më tepër prozën, librat me tregime, novela e romane. Mos ndoshta duan krijime të gjata e jo poezi të shkurtra? Nuk e besoj, se gruplexuesit e kësaj moshe nuk i kanë fort për zemër as poemat. Ndoshta shkakun për këtë zbehje duhet ta kërkojmë te niveli artistik, te krijimet poetike jo fort të arrira, jo fort cilësore. Ndoshta ka edhe arsye të tjera. Se lexuesve u pëlqejnë më tepër ngjarjet, aksioni, aventura, ashtu, për shëmbëll, siç na paraqiten në poemën satirike “Pleshti” të poetit patriark Agolli.
- E bëra këtë pyetje, sepse edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, sidomos poezia, ka mbetur në pesë-gjashtë emra, që tashmë kanë shkelur në të gjashtëdhjetat, ndërsa të rinjtë, pak ose aspak nuk po tërheqin as vëmendjen e lexuesve e as të kritikës?
- Forcat e reja cilësore të letërsisë në përgjithësi (e jo vetëm për poezinë) edhe këtu te ne janë jo të shumta. Kujtoj miku tim, të ndjerin Tasim Gjokutaj, për këtë problem...
Më 25 e 26 maj të vitit 1995 në Tiranë u organizua “tubimi” i parë mbarëshqiptar i shkrimtarëve për fëmijë e të rinj. Në diskutimet e lira që u bënë në atë veprimtari, e mori fjalën edhe Tasimi. U përqëndrua në një problem shumë të rëndësishëm: në aktivizimin, në përkrahjen dhe inkurajimin që duhet t’u jepnim letrarëve të rinj. Më kanë ngelur më mendje fjalët e tij, ndoshta se në to përmendej edhe emri im:
“Më kujtohen vitet ’60. Na patën ftuar në Tiranë në çdo mbledhje e aktivitet tjetër që zhvillohej për letërsinë për fëmijë. Unë me Astritin ishim atëherë më të drojturit, më të rinjtë. Sot këtu, në takimin tonë të viteve ‘90, më bën përshtypje një dukuri. Ne, dy miqtë e dikurshëm, jemi përsëri të pranishëm. Veç mua po më bien flokët, Astritit po i zbardhen. Të rinj nuk shoh në sallë. Ndaj shtroj pyetjen: A kemi menduar vallë për krijuesit e rinj, për ata që do të na zëvendësojnë? A i kemi mbajtur pranë, a i kemi ftuar, a i kemi ngrohur me dashurinë tonë? E kemi për detyrë…”
Edhe sot më jehojnë në veshë si simfoni dashurie ato fjalë zemre të Tasimit tonë të paharruar për krijuesit e rinj: “…a i kemi ngrohur me dashurinë tonë?…”
Veç përkrahjes individuale që e ka për detyrë secili krijues i afirmuar, mendoj që konferencat e tubimet kombëtare të krijuesve të rinj, diskutimet krijuese, si dhe konkurset vjetore që mund të organizohen nga Shoqata e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj (në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, që as dëgjon nga ky vesh) do të ndihmonin mjaft në këtë drejtim.
- Ju si pedagog, çka mendoni: a është e përfshirë denjësisht krijimtaria letrare për fëmijë në tekstet shkollore, qoftë në ciklin e lartë apo të ulët të shkollës 9-vjeçare?
- Është temë shumë e gjerë, që kërkon studim e trajtim më vete. Vite më parë kam mbajtur një kumtesë për këtë problem në Konferencën Kombëtare “Fokus në të lexuar”. Vura re atëherë se në antologjitë letrare shkollore të klasave I-IX , për hir të dhënies së një informacioni joletrar, ishin vënë krijime të ftohta emocionalisht, pa vlera të spikatura letare; gjeta pjesë ku ishin ngatërruar emrat e autorëve; konstatova se autorët e letërsisë për fëmijë pak ishin përfaqësuar; nëpër antologjitë letrare më tepër kishte “lexime për fëmijë” të përzgjedhura nga autorët për të rritur sesa copa të letërsisë së mirëfilltë për fëmijë, gjë që do t’i nxiste nxënësit t’i lexonin prodhimtarinë e autorëve për fëmijë; nuk kishte një përzgjedhje të studiuar autorësh qoftë atyre shqiptarë, qoftë edhe botërorë; rimarrja nga një klasë në tjetrën e autorëve më të shquar nuk bëhej me kriter, madje nuk kishte përshkallëzim vështirësish në pjesët e përzgjedhura etj.
Të mos bëhemi nihilistë. Është arritur mjaft, duke përfaqësuar në ato tekste edhe autorë shqiptarë të Kosovës, Mqedonisë, Malit të Zi e të Diasporës. Gjithashtu duke u dhënë vendin e merituar edhe autorëve të anatemuar nga Diktatura moniste. Por edhe sot e kurdoherë vend për përmirësime ka e do të ketë, qoftë për emra autorësh, qoftë duke përzgjedhur për ekzistuesit pjesë edhe më përfaqësuese, më dinjitoze, më me vlera të mirëfillta estetike.
- Po me lekturën shkollore a jeni i kënaqur? A u ofrohen vlera të mirëfillta nxënësve apo edhe në këtë fushë gjejnë vend (jo rrallë) pseudovlerat?
- Po, është i pranishëm ky problem edhe në literaturën jashtëshkollore të miratuar nga Ministria e Arsimit. Kam qenë vetë anëtar në atë komision (para këtij ekzistuesit) dhe i kam përjetuar ndërhyrjet e presionet nga më të ndryshmet (qoftë nga autorët, qoftë nga shtëpitë botuese) që të pengojnë të përcaktosh e të vendosësh vetëm vlerat e mirëfillta.
Mesa di, në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore veprohet ndryshe. Vendosen në literaturën artistike jashtëshkollore 20-30 vepra, të ndara sipas klasave të arsimit bazë, dhe çdo vit kjo listë freskohet me 2-3 tituj të rinj, sipas mendimit të mësuesve.
- Po interpretimi i letërsisë për fëmijë (në fushën e kritikës letrare), a qëndron përkrah interpretimit të krijimtarisë letrare për të rritur apo kjo e fundit avancon?
- Edhe studimet për letërsinë shqiptare për fëmijë nuk mund të kuptohen pa kontributin e ndihmesën e Anton Nikë Berishës, Xhevat Sylës, Faik Shkodrës, Ramadan Mysliut, Prend Buzhalës, Dije Frangut, Hasan Hasanit, Hysen Kërqikut, Shyqri Galicës etj. në Kosovë; Fejzi Bojkut, Nehat Sopajt, Arif Selmanit, Halil Zendelit etj. në Maqedoni; Hajro Ulqinakut në Mal të Zi etj.
Socrealizmi pati ndikim edhe në vlerësimin e veprave letrare për fëmijë apo në studimet që bëheshin në këtë fushë. Sikurse përmënda për rrafshin e krijimtarisë, edhe në atë të studimeve, të vlerësimeve e të kritikës, në Kosovë ishin më pak të infektuar nga kolera e metodës socrealiste. Merrni, ta zëmë, studimet për romanin për fëmijë në Kosovë apo për poezinë shqiptare për fëmijë, dy studime fondamentale të Agim Devës. Ato kanë vlerë edhe sot e kësaj dite. Ndërsa shumë studime të studiuesve tanë më në zë të asaj kohe, qofshin këta edhe akademikë, sot janë zhvlerësuar, sepse janë punuar e ndriçuar nën dritën e të ashtuquajturës metodë e realizmit socialist.
Meqë më jepet rasti, dua të theksoj se një ndër përmbledhjet më serioze e më me vlerë e kohëve të fundit, me studime për librat e botuara në Kosovë, vlerësoj atë të Ramadan Mysliut “Eskurs në letërsinë për fëmijë”.
…Le t’i hedhim një sy teorisë së kritikës letrare. Ajo na qartëson se kritika ndihmon në radhë të parë në afirmimin e individualiteteve krijuese dhe të vlerave të vërteta letrare të veprave që botohen. Gjithashtu, që ajo bëhet mbështetje e fortë, ndihmesë për lexuesit e kësaj letërsie që të zbërthejnë vlerat themelore të saj.
Vlerësimi ideor dhe estetik i një vepre letrare ka karakter historik, domëthënë ndryshon në kohë e sisteme të ndryshme shoqërore. Edhe kritika duhet t’i ndjekë këto kthesa të rëndësishme e duhet të bëjë rivlerësimin në disa aspekte të veprave letrare për fëmijë të botuara më parë.
Kritika gjithashtu ndihmon edhe teorinë e letërsisë për fëmijë, për ligjësitë e krijimtarisë letrare. Së fundi, kritika letrare ndihmon praktikisht të gjithë ata që merren me hartimin e teksteve shkollore të letërsisë (këndime, lexime letrare, antologji etj.).
Në letërsinë për fëmijë modeli i botës që ofrojnë veprat letrare ndryshon dukshëm nga ajo e letërsisë për të rritur. Rrjedhimisht, duhet të ndryshojë edhe vetë natyra e kritikës së kësaj letërsie.
Nga aspekti i auditorit të cilit i drejtohet, kritika ndahet:
1) Kritikë e mirëfilltë shkencore, e ngjashme me atë të letërsisë për të rritur. Kuptohet që këtë e shkruajnë kritikët profesionistë, të cilët i drejtohen veprës në mënyrë shkencore, me aparat e gjuhë shkencore. Është një qasje specifike ndaj dukurisë letrare, që merr parasysh moshën së cilës i adresohet vepra.
Kjo lloj kritike së shumti nuk lexohet nga të vegjlit, sepse botohet në periodikun për të rritur.
2) Kritikë popullarizuese. Mund të quhet edhe kritikë shkollore. Kjo ka si qëllim nevojat praktike, promovimin e propagandimin e librit. Është kritikë e thjeshtëzuar në atë masë që ta rrokë mendja e lexuesve të vegjël. Ka frymë euforike dhe pa ambicje shkencore. Shkruhet nga njerëz jo fort të profilizuar, si: gazetarë, lexues, mësues dhe njerëz të tjerë, që përcjellin dhe përçojnë librin te lexuesit fëmijë…
Dhe tani le të kthehemi në problemin që shtruat ju.
Sot ndihen zëra dhe pohime se na mungon kritika e letërsisë për fëmijë. Unë nuk jam plotësisht i njëmendjeje me këto pohime nihiliste. Mendimi im është ky:
Lloji i parë i kritikës, pra kritika e mirëfilltë shkencore, sot është në rrugë më të mbarë, si nga ana sasiore ashtu edhe në atë cilësore.
Për të argumentuar këtë tezë përmëndim disa arritje. Së pari, lëvdohemi se në periudhën tonë demokratike kemi tekstet e teorisë e të historisë së letërsisë për fëmijë për shkollat e larta (siç i përmendëm më lart).
Por le të marrim edhe pika të tjera krahasuese. Le të shikojmë, për shembull, monografitë kushtuar një krijuesi të shquar të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj. Në vitet e Monizmit patëm vetëm një monografi për autorë të letërsisë për fëmijë dhe pikërisht atë të Prof. akademik Rexhep Qosja. Në studimin voluminoz të tij mbi krijimtarinë e Naim Frashërit Porosia e madhe, një kapitull i veçantë (VII, pjesa e dytë) i kushtohet prozës e poezisë për fëmijë të poetit tonë Kombëtar. Është një punim model nga i cila kemi mësuar e duhet të mësojmë edhe ne të tjerët. Tani kemi monografi për disa figura të shquara krijuesish bashkëkohorë të letërsisë sonë për fëmijë e të rinj, si për Mark Krasniqin, Vehbi Kikajn, Xhevat Beqarajn, Ymer Elshanin, Ali Huruglicën, Adelina Mamaqin, Odhise Grillon nga studiuesit Anton N. Berisha, Xhevat Syla, Prend Buzhala, Shukrie Rama, Milaim Nelaj etj. Të përafërta me to, kemi gjithashtu edhe përmbledhje me kujtime e vlerësime për autorët Bedri Dedja, Tasim Gjokutaj, Viron Kona.
Kemi botime si prerje midis antologjisë e biobibliografisë, pra antologji poetike apo të prozës për fëmijë ku prezantohen krijuesit më të shquar dhe gjithashtu jepen edhe infomacion mbi jetën e veprën e çdonjërit prej tyre. Kohët e fundit këto lloj botimesh janë pasuruar me tri vëllime shumë serioze e të rëndësishme: Hysen Kërqiku: Psherëtimë për tokën. Panoramë letrare e krijuesve të Kosovës Juglindore (1939-2003) – Gjilan 2004; Hajro Ulqinaku: Degë e drurit të urtë (letërsi e bukur shqipe për fëmijë e të rinj) – Ulqin 2008; “Shkrimtarë për fëmijë (Leksikon i vogël). Tregime, përralla, legjenda. Zgjodhi dhe përgatiti: Halil Zendeli” – Shkup, botimi I më 1998.
Kemi punimet bibliografike, të tilla si: Arif Selmani: Bibliografia e letërsisë shqiptare për fëmijë në Maqedoni 1953-1997 - Tetovë, 1998; Vjollca Hysenbegas: Bibliografi e letërsisë artistike të përkthyer në shqip 1944-2000 – Tiranë 2004 (në këtë bibliografi renditen pa dallim si veprat për të rritur ashtu edhe ato për fëmijë).
Së fundi, në periudhën që po përjetojmë, kemi edhe vëllime të veçanta edhe me studime rreth letërsisë botërore për fëmijë. Përmendim: Klara Kodra: Pinoku, Liza në botën e çudirave dhe Piter Pani si shprehje e figurës së fëmijës në letërsinë botërore – 1998; Viktor Canosinaj: Nga Liza te Harri Poteri. Vështrim historiko-problemor mbi letërsinë për fëmijë dhe të rinj – 2006; Sonila Tatili: Leximi psikanalitik i sagës së Harry Poterit – 2011 etj.
Ndërsa për gjendjen e sotme të kritikës së llojit të dytë, për kritikën popullarizuese, bashkohem me mendimin e përgjithshëm se ajo është në nivel shumë më të pakët se ajo e kohës së Monizmit. Shteti totalitar pati vënë në funksionim të gjitha mjetet e propagandës për t’u thurur lavde e për të bërë të njohura veprat socrealiste të letërsisë për fëmijë. Por të mos harrojmë se në to nuk i jepej rëndësi statusit të tekstit letrar, por faktorëve jashtëletrarë ideologjikë e politikë.
- Ku e shihni rrugëdaljen ju si studiues, interpretues dhe historian i letërsisë shqipe për fëmijë?
- Në këto dy dekada të transformimeve demokratike nuk është organizuar asnjë konferencë a simpozium për problemet që shqetësojnë letërsinë tonë për fëmijë e të rinj, krijimtarinë e mirëfilltë, përkthimet, botimet..
Duhet përgëzuar Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë në Kosovë, nën drejtimin e studiuesit e poetit Xhevat Syla, i cili mori drejtimin e këtij karvani pas shuarjes së Prof. Agim Devës.
Theksoj se edhe krijimi i një organi letrar për studime e kritika për çka botohet e probleme të tjera që shqetësojnë krijimtarinë artistike për fëmijë e të rinj do të ishte mjaft i dobishëm.
- Më lejoni dhe një pyetje të fundit. A keni ndërmend ta përpunoni më tej e ta botoni rishtazi tekstin tuaj “Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj”?
- Teksti në fjalë ka njohur tri-katër botime, nga 2001 e deri më 2008. Në çdo botim të ri, gjithmonë kam rishikuar, saktësuar e plotësuar diçka. Por asnjëherë nuk mund të them se është përfundimtar. Duhet shënuar se ai tekst, në njëfarë mënyre, ka mbajtur mbi supe edhe detyrën e lexikonit. Tani që botova enciklopedinë (lexikonin) e shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë, edhe teksti im për Historinë e letërsisë shqiptare për fëmijë duhet të rishikohet, të lehtësiohet e të përpunohet, kështuqë patjetër do t’i ngrihen edhe vlerat. Çfarë mund të bëj? Po ja, bie fjala kur studiohet një autor përfaqësues i kësaj letërsie, për shembull Bedri Dedja, unë kam shënuar në atë zë të gjithë librat artistike për fëmijë që ka botuar ai. Në përpunim duhet të lë vetëm ato të dorës së parë, ato vepra që hyjnë në fondin e artë të letërsisë shqiptare për fëmijë. Të tjerat, të dorës së dytë e të tretë apo edhe ato që koha jonë demokratike i ka zhvlerësuar (këtë fshesë e kam patur parasysh edhe më parë, por ende ka vend ta përdor), duhet t’i heq. Po kështu, mund të heq edhe biobibliografinë e shumë autorëve të tjerë ndihmëtarë, që i kam shënuar në fund të kapitujve. Përmirësimi mund të vazhdojë edhe më tej duke e pasuruar me mungesat e tjera. Si thotë një fjalë e urtë: I zoti e di vetë ku i pikon çatia. Edhe unë do të mundohem në rastin e një botimi të mundshëm “të zë disa gjerba”.
- Prof. Bishqemi, ishte kënaqësi të bisedoja me Ju pikërisht për dhe rreth problemeve të letërsisë bashkëkohore shqipe për fëmijë. Shëndet e punë të mbarë!
- Falemnderit edhe Juve!
===========================
Comments