top of page

SERVILËT


SERVILËT

 

Nga Albert HABAZAJ

 

I

Nga të parët na ka ardhë

Nëpër paqe nëpër luftë,

Nëpër halle, nëpër dallgë

Si kujtesë fjala e urtë:

Qëngji i urtë pi dy nëna,

qëngj' i egër s' pi as t' ëmën,

 servili pi gjithë kopenë

dhe pastaj të shikon vrëngër...

 

[Regjistroi: Kujtesa Sociale; Somitkë, Tërbaç, 20. 03.1960]

 

II

Zot, o Zot, ç’më zuri koka nga servilët

Më keq se në det notarin zën’ kandilët.

 

Me servilë, me rrezilë, të tillë bandillë,

Zvarrë- zvarrë, pa skelet, si kërmill.

 

Duke u lëpirë e ngjitur prapa shefit

Cipëplasur rrojn’ e bëjn’ kokrrën e qejfit.

 

Ta pështirin të paburrët pa fytyrë

Si s’e lanë një dit’ të shkretë pa bërë mynxyrë?!

 

Derdimenë qenë e mbenë, dallkaukë

Ha aty e nduk këtu palo kopukë...

 

Të shpëlarët ia fëlliqën cipën jetës

Por jo shtyllën vertebrore së vërtetës...

 

Lepuj bëhen me eprorin për në tavë

Si bisha i turren vartësit, gjallë ta hanë...

 

Zullumqarëve me shtatë maska, (sa të varfër!)

 I ngrohtë u vjen zullumi, që ka taksiratin afër.

 

Ngjyrat e servilëve ndryshkin dhe sahanët që lëpijnë

Zbehur e ndotur si leckë kur këpucët shefit fshijnë...

 

Sa të shtirë, aq të shpifur dhe të shëmtuar...Për Zotin!

Që me ngjyrat lajkatare mbrapa lenë kameleonin.

 

 

Janë më të liq se armiku, bëjnë qivure

Veçse s’kanë bajoneta, janë kobure...

 

Gjithë trupi, e ç’trup lumi? është veç gjuhë

Gërmojnë si urith e s'bëjnë as ah, as uh!...

 

Të fusin në dhe të gjallë, gjetën anën

Me gjallesa si ata mos ma derdhni fjalën...

 

Nga servilët veç të zeza prit çdo ditë

Dinjiteti i tyre është hale, qelb dhe pikë.

 

Vlorë, e enjte, 28.12.2023

 

 

113 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page