
Kam një xhëngë e një brengë,
një mall që më përvëlon,
veç për ty e dashur Fterrë,
aty mendja më qëndron.
Të kem krahë të fluturoj,
do kaloj fusha e male,
atje do vij të qëndroj,
atje do rri e do ç’mallem.
Të shoh fshatin me brezare,
kudo pemët gjelbërojnë,
mbushur ullinj, portokalle,
bukuritë s’të mungojnë.
Të të shohë, o Fterra plakë,
Fterra e lashtë në vite,
të bredh kalldrëm e sokak,
eh, se ç’djem e vajza rrite!
Të shoh male, gryka, kodra,
që i kam rrah cep më cep,
her me shokë nëpër lodra,
her me kecër, dhi e cjep.
Të bredh vetëm në burime
dhe të njom’ buzën me ujë,
eh, kjo fëmijria ime,
her’ me gaz e her’ rrëmujë!.
Të vij e të sjell’ ndërmend,
ata burra të nderuar,
kur mblidheshin në Kuvend
dhe çdo hall e zgjidhnin shtruar.
Të mbledh gjithë shoqërinë,
të pjekim një mish në hell,
së bashku ta ngrem dollinë,
ashtu si bënim ngaherë.
Të buçasë kënga labe,
kënga e dashur fterjote,
të ngrihemi dhe në valle,
të kapemi dorpërdore.
Kujtoj vajzat si sorkadhe,
veshur çitjan e peshli,
këndonin e hidhnin valle,
gjith lezet e hijeshi.
Të takoj dhe pleqt e fshatit,
me ta të këmbej ca llafe,
të ulem pranë oxhakut,
të pimë duhan dhe kafe.
Me ta do tia nisim shtruar,
çna ka lënë historia,
si kan rrojtur e luftuar,
ndryshe s’shkruhet poezia.
Të dal’ dhe sipër në Kikë,
ku ne djemtë loznim me top,
të rri të prehem një çikë,
të sjell ndërmend ata shokë.
Të shkoj edhe nëpër stane,
të takoj çobanërinë,
kur dëgjoj zile, çokane,
sikur flas me Perëndinë.
Të ha shëllirë lëkure,
që mbledhin çobanët në vjeshtë,
të pi raki me pagure,
të ndez duhanin me eshkë.
Në vorreza të shkoj me respekt
dhe të vë nga një tufë me lule,
shpirt i tyre pushoft në xhenet,
trupi tyre përjet në qivure!
Comments