top of page

Sepse jeta është..., jo si në Teoremën e Pitagorës



(Fragment nga romani „Shtëpia në Kornizë“ (2019-2020)


Nga Fatmir Terziu

 

E shihja fotografinë e ngulur në murin e ndërtuar me gurë të gdhendur. Suvaja dhe gëlqerja e ndjenin moshën e vet, por nuk guxonin të bënin gjasa me sivitet e rrjedha nën gërryerje dhe tështima merimangash. Gjyshi i dedikuar seriozitetit, nuk fsheh një buzëqeshje të lehtë. Unë e shoh, por s'e kuptoj se me kë e ka. Ndodh të jetë një e lehtë, si ajo shkrepje e largët në vite. Ndodh të jetë një marifet, si ai i shkëlqimit të dhëmbit të florrinjtë në gojën e gjyshes sime, sa herë që gjyshi e shpotiste enkas në sytë tanë fëminorë, të lodhur e të pazotë të shkërrmoqnin ndonjë kod të tyrin në atë moshën tonë të topit prej llastiku.

Dhe pastaj vitet bëjnë të tyren. E bashkë me vitet sytë dhe mendja shkitazi përcjellin dhe hapin libra e lexime të ndryshme. Vitet kanë kapërcyer shumë. Në këtë stad ngjashmëritë me persona dhe ngjarje letrare-historike nuk janë të rastësishme. E leximet si lexime, e mendimet si mendime. Diku ngec të ripërsëris me sytë e ngulur në atë fotografi dhe me mendjen që shëtit e hap libra pafund, hap e mbyll edhe kënde që i mas me Teoremën e Pitagorës. „Gjithçka që duhet të bëni është të futeni në këpucët e personazheve të pavdekshëm, të botës, t'i jepni vetes një puthje Romeo-Zhuliet përpara një destinacioni kult dhe bota e vogël e të afërmve tuaj kërkues pushtohet. Ju bëheni qendra e komentuar e saj. A është kateti përballë këndit tridhjetë gradë sa gjysma e hipotenuzës?!“ Sa guak! Qesh me veten. Por vetëm në atë çast. E pastaj, e mbyll atë libër, që momenti nuk më kërkon titullin, emrin e autorit, as dhe ndonjë detaj tjetër. Fundja diçka tjetër më ysht.

Ajri fitimtar i një momenti të kthyer në pozë sjell lavdi dhe epërsi mbi zilinë dhe kuriozitetin e të dashurve që kanë mbetur bardhë e zi. Forca të blinduara të pathyeshme sado që sulen kundër tyre, nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm se ua shtojnë forcën e mesazhit dhe mbeten thjesht duke ua rritur madhësinë. Dhe në këtë pikë mendimet shkojnë gjetkë. Po sikur vendi i lumturisë së shtirur në të kaluarën të ishte pika e fundit tragjike në jetën e atyre që u dënuan me vdekje?

Mos u shqetësoni që „Ura e Psherëtimave Veneciane“ u quajt kështu për shkak të rrezeve të fundit të diellit që të burgosurit panë përmes dantellës së saj prej guri në rrugën e tyre drejt ekzekutimit. Tani momenti është vetëm i juaji! Putheni gjatë gjithë rrugës, sot jeta është…një moment para një fotografie, e pak rëndësi ka nëse ajo është me ngjyra, apo bardhë e zi si kjo fotografi, në këtë shtëpi në kornizë. Në këtë fotografi mbes tek buzëqeshja. Dhe ajo më shëtit në moshë e në pamoshë.

Dhe shtegu i buzëqeshjes fillon nga maja, përgjatë fillit të krijimit, i tërhequr nga një lot akullnajor, i shkrirë në ferrin e verës. Buzëqeshja ngjan të jetë diku afër lumturisë. Kur lumturia e të qenit aty ku dëshiron të jesh do të thotë një hap mënjanë nga dinamika, dhe triumfi yt i vogël personal ka rëndësi vetëm deri në spiralën në rënie. Deri në shkrirjen në trafikun e ëndrrave të të tjerëve, mes emetimeve të dëmshme mendore të dëshirave konkurruese, në mërzinë e lëvizshme për të ecur përpara në të njëjtin nivel. Dhe kështu para kësaj fotografie ndodh ti flas pakuptueshëm vetvetes. „Mos humbisni të shijoni momentin tuaj. Mbyllni atë me kamerën e kujtesës. Sepse deri te tjetra, në të cilën ndjen se jeton, shtrihen autostrada detyrimesh dhe ambicie kilometërshe, që disi duhet të biesh në sy. Sepse jeta është gjithashtu...maskaradë.“

Sa shpejt ndryshojnë reflektimet? Reflektimet nga ëndrrat. Reflektimet nga memorjet. Në të cilën, në atë pjesë të jetës, realizimi i ëndrrës kërkon një ndjenjë kundër-lëvizjeje. Gjyshi më fliste për gjyshin e tij. Babait i rrija sus kur më fliste për gjyshin e tij. Dhe aty kuptoja pse duhej ta bëja këtë, edhe kur ai ia shkelte syrin nënës sime. Unë tani kërkoj të blej e të shes një pozë realiteti të strukur pas kësaj fotografie. E ndërsa zgjas memorjet, më duket se zgjas dhe duart të blej ndonjë maskë në këtë reflektim bardhë e zi.

Dhe para se ta bëj këtë veprim, kujtoj se janë në shitje maskat e përdorura të prozës së vogël të përditshme me të cilat këto reflektime bardhë e zi në këtë fotografi të mbetur në këtë shtëpi në kornizë, janë ato mesazhe që ju u mbrojtët kundër botës së egër. Kujt po i flas?  

Idetë e vetë-ruajtjes nuk janë më vetëm tuajat. E gjithë commedia dell'arte e qenies suaj është duke buzëqeshur dhe duke u grimosur në pritje të blerësve të rinj. Nën të, përmbajtja juaj e çmuar personale është zhdukur. Veçantia juaj është zhdukur. Mbeten vetëm mbulesat e përshtatshme të individualitetit njerëzor, të hedhura si guaska pa molusqe në bregun e xhamit të vitrinës së mendimit të mbuluar nga merimangat. Momentet dhe pozat tuaja, ëndrrat dhe synimet tuaja janë mbytur në zbaticat dhe rrjedhat e saj maskaradë. Të shtysh veten nga fundi kërkon talent. Jeta ka të bëjë me artin e të qëndruarit në këmbë. Dhe kështu ndodh të më zgjoj vetëfolja.

Por jo vetëm kaq disa buzëqeshje më ngatërrohen me rrezet e pakta ishullore të diellit mëngjesor. E ato hyjnë në kapitullin global të kohës. Ime shoqe më afrohet më afër dhe me këtë rast shkëpus buzëqeshjen bardhë e zi me një rrokadë në destinacionin tjetër. Sakaq ndërsa më tregon se kisha folur shumë në gjumë e sipër, ndjej lëkurën e butë të prekjes tek e cila fëmijët krijojnë imitimin e trekëndëshit që kisha vizatuar unë në moshën e tyre ndërsa shkëpusja reflektimet e prindërve të mi. Por ai trekëndësh nuk është më një gjasë e kohës, të matet vetëm me Teoremën e Pitagorës.

 
 
 

2 Comments


Guest
Dec 13, 2024

Unë tani kërkoj të blej e të shes një pozë realiteti të strukur pas kësaj fotografije...thoni ju z Fatmir në librin tuaj "Shtëpia në Kornizë"...dhe një për një tregoni grimca të jetës familjare natyrisht të ngritura në art e të qëndisura me penën tuaj të magjishme duke futur teoremën e pitagorës si filozofi e jetës..Urime z Terziu.. Ndërsa unë mbrëmë jo në stilin tuaj por thjesht solla ca kujtime rreth tim eti dhe nënës sime...ku im atë faleminderit o zot nuk më la pa shkollë kur u transferua shkolla ne Elbasan duke më dhënë bursën nga invaliditeti i tij. Falm o zot për këtë që jam sot falë atij këndvështrimi të tim eti..

Liljana Troqe

Like

Guest
Dec 13, 2024

Shumë bukur, i nderuar Fatmir! Është një fragmen i ngjeshur artistikisht, që shëmbëllen mjeshtërinë dhe përvojën tuaj rrëfyese, në zhanrin e prozës. Urime dhe të dëshiroj fuqi të mëtejshme kretive!

Remzi Salihu

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page