top of page

Seleksionimi ‘soc-realist’ që aneksoi krijimtarinë angleze


Dr Fatmir Terziu

Seleksionimi ‘soc-realist’ që aneksoi krijimtarinë angleze


Vërtet mungonin përkthyesit?


Dr Fatmir Terziu


Proza dhe poezia angleze çuditërisht ka qenë shumë pak e njohur në mjediset letrare shqiptare. Parë në dy plane, ajo ka qenë pak ose aspak e lexuar para viteve 1945-të dhe deri në një argumentim me petkun ‘letërsi përparimtare angleze’ është njohur pas këtij viti, derisa pas viteve 1990-të gjithçka do të ndryshonte. Refik Kadia (1982) e sheh këtë mungesë të trajtimit dhe leximit të krijimtarisë angleze me shumë faktorë. Sipas tij ka qenë një “mangësi përkthimesh”.

Noli ka qenë ai që bëri Shkekspirin të flasë shqip dhe më pas kanë qenë përkthimet e “Ajvenhoi” të V. Skotit, “Robinson Kruzo” të D. Defosë, “Liza në botën e çudirave” të L. Karrolit, etj. Në një periudhë të tillë të ndikuar nga ‘zbrazëtia e përkthimeve’, (sipas direktivave) edhe disa tregime të disa autorëve, disa fragmente romanesh e tek-tuk ndonjë poezi të publikuar nëpër faqet e gazetave të asaj kohe, duket se kanë qenë fare pak për të njohur tërë krijimtarinë angleze.

Sipas studimit të hershëm të Kadisë, mësohet se ndikim në këtë pikë kanë qenë faktorët që lidheshin më së shumti me numrin e kufizuar intelektual shqiptar në këtë fushë (?). Edhe ata që ekzistonin e njihnin pak ose aspak gjuhën dhe letërsinë angleze. Më së shumti krijimet angleze vinin në shqip nga këndi i tretë gjuhësor, pra nga frëngjishtja dhe italishtja, dy gjuhë që kishin ndikim në atë periudhë në Shqipëri.

Në periudhën e dominuar nga seleksionimi ‘letërsi përparimtare’ me parathënie të direktuara u botuan disa vepra. Në këtë seleksionim i ra fati shkrimtarit Çarls Dikens. Vepra e tij “David Koperfild” u përkthye nga Vedat Kokona. Romanet “Oliver Tuist” dhe “Dombi dhe i biri” u përkthyen nga Bujar Doka.

Studiuesi dhe përkthyesi akademik shqiptar, Xhevat Lloshi, botoi në vitin 1965 me pak shkurtime tregimin e Dikensist të shkruar në vitin 1859 “Me presh në duar”. Më pas në vitin 1970 u botua tregimi “Patenta” në revistën “Ylli” që u përkthye nga Z. Simoni. I njëjti tregim u botua sërrish në gazetën “Drita” (10 Mars 1974) me një titull të ndryshuar, “Tregimi i një të varfëri për një patentë” që u përkthye nga Ll. Marku. Dhe më pas janë tregimet “Fantazma e artit” (Ylli, numër 9, 1974), “Parlamenti” (Ll. Marku; Revista “Hosteni”, 1978), “Përbuzja”, “Propozime dhe shpikje të mençura të shoqatës së Madfogut” (Ll. Marku; “Drita”, 1980).

Para këtyre botimeve mund të përmenden edhe recensionet. Kështu në gazetën “Bashkimi” më 25 shtator 1958-të, do të shkruhej recensioni i D. Omarit për romanin “Oliver Tuist”. Analiza e M. Xhaxhiut në vitin 1962 për krijimtarinë e Dikensit vjen disi ndryshe në gazetën “Drita” (4 Shkurt 1962). Në këtë vit u shkruan edhe artikuj nga D. Agolli (“Zëri i Popullit”), N. Gami tek “Zëri i Rinisë”, H. Kekezi etj.

Sipas kërkimeve të tjera mësohet se e gjithë vëmendja u përqëndrua tek Dikensi, duke mënjanuar tërë atë krijimtari milionëshe që krijohej në Britaninë e Madhe dhe lexohej anembanë Globit. Në shqip ky ‘përqëndrim seleksionues’ solli edhe “Letërsinë e huaj të shekulli XIX” (Botim i UT), “Mjedisi social në veprat e Çarls Dikensit” (“Ylli”, 1981), si dhe punimin e N. Gamit “Kristalizimi i tipareve themelore të estetikës realiste” (“Nëntori”, nr.2, 1982).

Pra, ndërsa shihet se interesi seleksionues i ‘letërsisë përparimtare’ hodhi njëfarë ‘interesi’ për Dikensin, ajo rritje e ngjitje e krijimtarisë angleze së pas vitit 1945-të, u la mënjanë. Ajo ishte një letërsi e karakterizuar nga emra dhe vlera. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në autorë të cilët e kishin krijuar tashmë veten qysh para luftës. W.H. Audenu kthye nga politika marksiste për angazhimin e vlerave të krishterizmit, të shprehur në poezi si një aktravitet ku kombinohet forma klasike me qetësimin shpirtëror në të folur. Besimin e krishterë plot kuptim e luajtën edhe T.S. Eliot dhe Christopher Fry. Ndërsa Graham Greene mësohet se ka vazhduar shkrirjen e fuqishme të fushës ‘thriller’ me studimet e paqartësisë morale dhe psikologjike që kishte zhvilluar në vitet 1930, kur u ndikua nga katolicizmi romak duke prurë këtë veçanërisht me vlerë të madhe në novelat e tij.

Studiuesi Tomas E. Mann, për të cilin kemi shkruar edhe herë tjetër, në studimin e tij të parë lidhur me krijimtarinë shqiptare, në vitin 1954, diku në shënimet e tij do të shtonte, se kjo zbrazëti do t’i kushtonte shumë letërsisë dhe krijimtarisë, më së shumti asaj shqiptare. Kësisoj krijimtaria shqiptare mbeti e ndikuar dhe e diktuar, më së shumti e direktuar dhe seleksionuar. Kjo nënkupton qartë se pse ishte jashtë vëmendjes letërsia me emër në Botë. Sot kjo ‘përzgjedhje’ është disi ndryshe, është biznes…


23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page