top of page

Sekuestrimi dhe konfiskimi ...


Fahri Dahri

Pjesa III.

- Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive si efekt i vettingut.

Problem tepër i rëndësishëm dhe që kërkon kujdes të veçantë, është mënyra e administrimit të pasurive, qofshin në mall apo para, të subjekteve fizike dhe juridike, të cilat krijohen nga funksionimi normal i Vettingut. Bëhet fjalë për vlerat materiale dhe monetare të përfituara nga financimi i terrorizmit, pastrimi i parave, vlera të realizuara nga krimi i organizuar, nga tjetërsimi i pronave, si vlera pasurore në mall dhe para nga korrupsionet aktive e pasive, që me vendime gjyqësore, sekuestrohen apo konfiskohen.

Tek ne vlerat më të mëdha objekt konfiskimi dhe sekuestrimi do të jenë pasuritë e paluajtshme; toka, pallatet e ndërtimit, hotelet, pasuritë e luejtshme si makineri të ndryshme, automjetet dhe vlerat në para, përfshirë edhe thesarin. Pasuritë e konfiskuara apo të sekuestruara, duhet të menaxhohen nga institucione shtetërore dhe aspak nga subjekte apo institucione jo shtetërore. Këto institucione, në bazë të vlerësimeve nga ekspertë përkatës të pavarur, do të kryejnë admniistrimin dhe shitjen e tyre. Të ardhurat nga shitja e këtyre objekteve, duhet të derdhen në llogari të posaçme bankare dhe të përfshihen në zërin buxhetor “të ardhura nga sekuestro dhe konfiskim prej Vettingut”.

Deri tani nuk ka rezultate të dukshme në drejtim të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të persona që i kanë krijuar nga kryerja e veprave penale, si korrupsioni, etj. Lidhur me këto çështje, mungesa e vetëdijes ligjore, profesionale dhe përgjegjshmëria tek disa prokurorë dhe gjyqtarë, në drejtim të ndjekjes korrekte të kryerjes së detyrës për të vendosur për sekuestrimin, apo konfiskimin e pasurisë të personave me veprimtari kriminale nuk është më konstatim, por janë fakte reale. Prandaj është krijuar bindja mbarë popullore se marrjet e këtyre masave bëhen të realizueshme kur sistemi i drejtësisë të jetë vërtet i pavarur, të mos jetë i kapur dhe as të ndikohet nga politika.

Me rëndësi është gjithashtu edhe krijimi i kushteve optimale që prokurorët dhe gjyqtarët të mos kenë mundësi të bien në situata korruptive. Konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurive të paligjshme, duhet të gjejnë mbështetje ligjore në Kodin Penal dhe Kodin civil. Veprimtaritë kriminale dhe korrupsioni duhet domosdoshmërisht të përballen me ligjet.

Ish Presidentit Obama gjatë Asamblesë së Përgjitshme të OKB-së, në Shtator 2012 ka deklaruar se: “E ardhmja nuk duhet t’u përkasë të korruptuarve që vjedhin burimet e një vendi. Ajo duhet t`i përkasë studentëve dhe sipërmarrësve, punëtorëve dhe pronarëve të bizneseve, të cilët kërkojnë një prosperitet më të gjerë për të gjithë njerëzit…”.

Ndofta ka ardhur koha që ligjvënësit të rishikojnë dhe amendojnë (përmirësojnë) pjesë të Ligjit Nr.10 192, datë 3 dhjetor 2009 ”Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, me të cilin duhet të rregullohen shumë çështje që lidhen me krijimin, sekuestrimin, konfiskimin dhe administrimin e pasurive të paligjshme. Kërkohet një përsaktësim më i prerë në përqëndrimin, administrimin e përdorimin e këtyre fondeve të shprehura në vlera monetare, apo asete të ndryshme të palëvizshme e të lëvizshme.

Ka shtete që kanë krijuar “Fondin Sovran të Pasurisë, pasuria e popullit rikthehet tek populli”. Fondet Kombëtare të Pasurisë duhet detyrimisht të zotërohen dhe menaxhohen nga shteti me synim për të ruajtur me rigorozitet të ardhurat e siguruara nga konfiskimet dhe sekuestrimet. Kapitali fillestar i këtyre institucioneve apo kompanive shtetërore, të krijohet nga vlerat e arkëtuara nga privatizimet e ndryshme në formën e parave apo aseteve. Institucioni shtetëtor i administrimit të “Fondeve nga Pasuritë Sekuestro” si dhe të fondeve të tjera, duhet ligjëruar që të jenë subjekte për auditim vetëm nga Instituti i ekspertëve kontabël të autorizuar (EKA-Auditët).

Me këtë llogjikë duhet vepruar edhe me kontrollin e zbatimit ë ligjeve të sistemit fiskal në tërësi. Ushtrimi i verifikimeve, kontrolleve të kalojë në një institucion të vetëm shtetëror, ose institucion i liçensuar i pavarur, ku të përfshihet jo vetëmkontrolli i zbatimit të ligjeve të tatim-taksave, por të gjitha detyrimet financiare si ndaj shtetit ashtu dhe institucioneve të tjera (derdhjet e kontributeve shtetërore dhe shoqërore, rregjistrimi i të gjithë punonjësve, pagat etj.). Ndryshe nga sa veprohet sot, ku veprojnë disa institucione kontrolli, që shpesh edhe “përplasen” me njëri-tjetrin. Një i tillë mund të shërbejë Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, të cilët krahas çertifikimit të Bilanceve dhe Pasqyrave Financiare të bisneseve, kompanive etj. të ushtrojnë edhe këto verifikime.

Transferimi i vlerave materiale dhe monetare në ”Fondin nga Pasuritë Sekuestro” mundëson krijimin e burimeve të fuqishme financiare në duart e shtetit; krijohet një institucion i gjallë, energjik me efekte pozitive në përballimin e fenomeneve ekonomike negative. Nuk duhet të trembemi se po devijohet nga teoritë ekonomike që aktualisht veprojnë, as të tërhiqemi se ndofta centralizimi i disa degëve kryesore ekonomike në duart e shtetit, të cilat po jepen me konçesione, apo privatizohen në disa duar të paracaktuara, të paafta, papërvojë drejtimi dhe administrimi, i hapet shtegun sistemit socialist në ekonomi. Jo, aspak, nuk është ky këndvështrim! Përvojat përfitohen gjatë ushtrimit në kohë, dhe jo nga militantizmi apo nepotizmi.

Është vërtetuar gjatë 28 viteve se privatizimi i disa degëve kryesore të ekonomisë, apo pjesëmarrje me aksione shtetërore, nuk kanë patur prurje zhvillimi, përkundrazi në përgjithësi kanë rezultuar ose në falimentim, ose i janë drejtuar rritjes së çmimeve, duke rënduar ekonomikisht si familjarët në përgjithësi dhe buxhetin e shtetit. Faktet tregojnë se nxitimi drejt 100% të privatizimeve në forma të ndryshme të degëve kryesore të ekonomisë, ka qenë jo vetëm irentabël por ka krijuar situata të rënda deri edhe në tensione ndërshtetërore. Në shumë nga degët ekonomike të privatizuara, shërbime, apo dhënie me konçesione, rezultuon se “sipërmarrësit” i trajtojnë veprimtaritë dhe efektet financiare thjeshtë prona personale-private, ndryshe nga konceptet e ekonomisë së tregut. Përpara realiteteve të sotme të këtyre fenomeneve, të cilat në vazhdimësi kanë thelluar hendekun mes rreth 10 përqindshit dhe 90 përqindshit të popullsisë, shtrohet detyra për marrjen e disa masave, me përqëndrim kryesisht tek pasuritë e përfituara nga informalitetet, pa përjashtuar mundësitë e qendrimeve në tërësi ndaj rishpërndarjes së të ardhurave. Ndikimi fillimisht rekomandohet për tu shtrirë në rastet e para, nëpërmjet vendosjes dhe zbatimit të suksesshëm të “Vettingut”.

Të gjithë jemi ndërgjegjësuar tek domosdoshmëria e katarsit, që po vepron në disa nga institucionet tona me “Vettingun”. Efektet e “Vettingut”, do të çlirojnë shoqërinë nga oligarkët politiko-ekonomikë informalë, do shpëtohet nga nepotizmi dhe militantizmi.

Nëpërmjet zbatimit rigoroz të Vettingut, pasuria e përqëndruar në disa miliarderë dhe “super miliarderë”, do të sjellë nevojën e një rishpërndarjeje dhe vendosjen e disa normave, që sigurojnë raporte të drejta për ndarjen e fitimit ndërmjet punës dhe kapitalit. Realizimi i Vettingut, është kërkesë objektive e kohës. Shtrirja e tij nuk duhet kushtëzuar me hapësira gjeografike, politike, ekonomike, të caktuara, mbasi nga epërsitë pozitive, Vettingu duhet të shtrihet në të gjitha shtetet e Europës dhe më gjërë.

Së fundi, dihet se të gjithë njerëzit gjatë jetës aktive dallohen në grupe apo kategori në vartësi të veprimtarive që kryejnë. Është zgjedhja e tyre, kushtet, rrethanat hisorike, sociale dhe ekonomike. Në këtë trajtesë do të veçoj dy kategori njerëzish:

● Ata të grupimeve politike dhe,

● grupimet e studimeve shkencore, të dijes në përgjithësi.

- Grupnjerëzit e politikës, pavarësisht nga kapacitetet e dijeve dhe përvojave, arrijnë të shfrytëzojnë rezultatet tepër të dobishme në zhvillimet e të gjitha fushave të jetës, të studjuara dhe zbuluara nga grupnjerëzit e dijes. Edhe në këtë rast, zhvillimi shoqëror ka pranuar dhe ligjëruar në heshtje pabarazinë e theksuar mes këtyre dy kategorive, qoftë në drejtim të pasurisë dhe të plotfuqishmërisë. Kategoria e grupit politik, përfiton nga përvehtësimi i arritjeve të grupit tjetër, siguron pushtet dhe pasuri.

- Ndërsa kategoria e grupit të studimeve dhe çpikjeve, shpërblehet me ligjet që nxjerr grupi politik, nuk priren drejt pasurive, mbetet në histori me cilësim “Emër i mirë”.

Politikani, me arritjet e grupimit të studiuesave në fushat e ndryshme të shkencës, krijon pasuri dhe pushtet. Pushtetin e tyre, me anë të politikës, e shtrijnë në të gjitha drejtimet, bile deri edhe tek nënështrimi i kategorisë së shkencëtarëve duke shfrytëzuar dhe përdorur pikërisht rezultatet e tyre, prej të cilave sigurojnë përfitime pasurore. Një shembull tepër interesant është, fjala vjen, mbajtjet në kasafortë nga politikanët çelësat e “bombës atomike”, dhe sa herë ju duhet kërcënojnë Botën. Një e padrejtë e madhe që shoqëria njerëzore duhet të reagojë fuqishëm për të ndrequr vendosjen e ekuilibrave.

Besoj se të gjithë kemi një mendim: “Paradokse të shëmtuara, kontradikta, anomalira që shoqëria duhet të çlirohet duke i ndrequr”.

Shënim (¹): Adam Smith (05.06.1723-17.07.1790), filozof dhe ekonomist skocez i Iluminizmit. Ai qëndron në histori si babai i shkencës ekonomike moderne, vepra kryesore e të cilit “Pasuria e kombeve”, është një nga tekstet themeltare të liberalizmit ekonomik.

Fund

Tiranë, më 31 /maj/2021.-

Ekspert ekomomie Fahri Dahri

128 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page