VRAPIM MALLI
(Vizitë shkollave ku mësova e u përcëllova)
1.
Një ditë bëra gabim
Nuk ishte i vetmi ky
Vizitova shkollën
Ku i kisha mësuar shkronjat e para
Por asgjë nuk pashë
Që kisha kujtim në shpirt
As mësuesen time
Kush nuk e njihte
As klasën
Ku fjalët më të ëmbla
I kisha belbëzuar
S’gjeta as ngrohtësinë
E mësimit të atëhershëm
Ika shkallëve dhe dola në rrugë
Vrapova për në gjimnaz
Kot më kot
I vizitova mësonjëtoret
Në të cilat
Nga një grimë historie të rinisë
Kisha murosur
Edhe nga pak kujtim rebelimi
Edhe nga një pjesë
Hidhërimi e pikëllimi
Për këngët e ndrydhura
Nuk gjeta asnjë gjurmë
Të jetës dhe as të rinisë sime
As atë dufin rinor
Të shokëve dhe shoqeve
As atë kujtimin
E profesorëve dhe të pedagogëve
Që ishin djegur
Duke na dhënë dituri
Mësim e atdhetari
2.
Athua
Asnjë shenjë
Asnjë gjurmë
Kush nuk do ta përjetësojë
Në këtë tempull
Kur belbëzova kështu
M’u bë se të gjithë nxënësit
Një shikim përbuzjeje ma dhuruan
Apo edhe ata
Edhe mësimdhënësit
Digjeshin si unë
Në këtë harresë
3.
M’u duk se kujtimi për atë kohë
I ngjante vetëm kujtimit pa gjurmë
Ku ta di
Ndoshta s’është ashtu…
4.
Dola në rrugë
Ia mësyna për në universitet
Por nuk pata guxim
Atje kam shumë fletë kujtimesh tjera
Që ndoshta janë fshirë
Apo ndoshta janë djegur
Apo janë kalbur
5.
Prandaj
Tani kam ngelur në rrugë
Si gjithnjë
Pelegrin kujtimesh dhe shkronjash
Duke kërkuar edhe profesorët e mi
Por
Dikush si më tha:
Po, ç’të duhen…
Ata tani kanë mbaruar jetën e tyre
Kurse disa janë bërë matufë
Disa të tjerë
Pleqëria i ka rrëzuar
Edhe koha i ka rrënuar
6.
Syhapur ngela duke pyetur
Po pse ata nuk jetojnë
Kur kemi letra e lapsa
Si nga gurra e zemëruar në bjeshkë
Më dolën lotët
Për habi për herë të parë
Të ftohtë-akull
Atëherë
Me hidhërim futa duart në xhepa
Letër e laps për të kërkuar
Por sërish m’u dashtë
Nga xhepi t’i nxjerr duart
Lotët për t’i larguar
Nga faqet e përcëlluara
Nga sytë akull
Apo nga zemra e shpirti
7.
Por
Krejt njësoj
Unë eci tutje
Me madhështinë e hidhërimit
Edhe pse
Për një moment
Vetja m’u duk
Si një lepur i trembur
I fshehur në kaçubë mali…
8.
Po ç’është ky vrapim malli?!
Pse duhet mësuar kjo poezi përmendësh? Njohja e poezisë së tillë të poetit Sejdi Berisha do t'ju ndihmojë të shkruani kujtimet e shkuara të ditëve tuaja të shkollës, dhe në poezitë tuaja. Ju mund të merrni ide nga fjalët, rimat dhe ritmet e poezisë që keni shkruar dhe pos kësaj poezie që dedikohet në një formë të thjesht e të sinqertë për të mësuar dhe t'i përdorni ato në memorjen tuaj.
Poezia është një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë shumëplanëshe të Sejdi Berishës dhe kështu edhe kjo poezi mbetet një nga frymëzimet e penës së tij.