Sandalja e Parë: Ëngjëlli im i ëndërrave
Nga Fatmir Terziu
Nga engjëlli im i dashur Sandalja e Parë… Me të kam fjetur një natë të gjatë. Një natë të gjatë plot ëndërra.
Ndërsa më pas ajo ka qenë udhëheqëse në këmbën time, me dorën time, duke lënë një gjurmë të qartë të një shkrimi kursiv në një fletë të përkohshme letre. Një pamje e gjelbër, aq e gjelbërt sa që dikush mund të kapet në ekstazë, e reflektuar pakëz nga drita e panatyrshme e një llambe, që shkrepet vetvetiu në errësirën e natës, pasi lulëzat e saj lëshojnë një aromë të ëmbël me bojë të freskët, por të papërdorur.
Së bashku me kujtimet e lulëzuara dhe të lumtura të Sandales sime të Parë, unë jam i aftë t'i shkruaj të tilla, në përpjekje për të krijuar poezi, të përqendruara vetvetiu tek këmba dhe dora ime që e mbajtën të gjallë në memorje. Edhe në këto ëndërra, të cilat më mbajnë me meloditë e tyre, tingëllimat e lehta e të sinqerta të fëmijërisë plot jehonë të mprehtë.
Tingulli i jehonës së mprehtë, kruarjet pas një djersitjeje të një dite të gjatë, që përshkon nëpër këtë kohë ku unë banoj të gjitha kohërat, por tashmë e lënë në mënyrë fiktive, e angazhuar në botën e fantazisë.
Fjalë për fjalë, letra depërtohet nga ky stilolaps, i këndshëm, i menduar, duke rrëshqitur butësisht mbi të për të mos e dëmtuar atë rastësisht dhe aksidentalisht.
Nuk ka nevojë për nxitim, dhembje dhe sforcim.
Nuk është nevoja të shqetësoheni për këtë punë të Sandales sime të Parë, detyrën dhe misionin e saj për të më shoqëruar gjatë çdo shkrimi, që bëhet dhe zhbëhet nga ëndërrat e lidhura me të.
Njëlloj.
Një histori nga mendja ime.
Emocione nga emocionet e mia.
Dëshira nga dëshirat më të thella, të hedhura në fushën metafizike me ndihmën e saj.
Dhe pasi forca e saj vjen në arsyen time të dobësohet, të venitet, ajo më duket se humbet fuqinë dhe shkon njësoj si një frymëdalmë që vdes. Ajo do të dehet në përcaktimin e vazhdueshëm të vazhdueshmërisë, në mënyrë që të mund t’i përsërisë detyrat e saj me egërsi, për të mos qëmtuar gëzim në një magjë të tërë që pret të ndahet nga gruri dhe egjra.
Eh, kohë të reja e të vjetra.
Kohë me ëndërra në një jetë fiktive.
Kohëra…
Duke hedhur një buzëqeshje në fytyrën time pasi të jetë krijuar letërsia…, ndërsa shtroja kalorësin tim të errët, shërbëtorin tim për të pushuar natën.
Kohëra … Derisa të shkruhet një poezi tjetër dhe detyra e saj të më zgjojë.
Në fund të fundit, në këtë përrallë ëndërrash është mirë të mbani mend: Ju nuk keni pse të vdisni në një ëndërr. Ajo është kthyer në një Ëngjëll!
Comments