top of page

SALI BUTKA NË KONGRESIN E LUSHNJËS


Sabri Godo

Me rastin e përvjetorit të Kongresit të Lushnjës



(fragment nga libri i Sabri Godos “Plaku i Butkës”)


Në Kongresin e Lushnjës Sali Butka shkoi si delegat i Kolonjës dhe u bashkua me burrat e mëdhenj të kombit, atje ku po hidheshin themelet e shtetit të pavarur shqiptar.

Plaku shkoi në qytetin ku do të mblidhej kongresi kombëtar gati një muaj më përpara, si mik i Ibrahim Karbunarës. Ditën e 28 Nëntorit ai mbajti një fjalim në mitingun e organizuar në Lushnjë, me rastin e festës së Flamurit.

Ja kronika e asaj dite të 28 nëntorit 1919:

“Mëngjesi... u gdhi i stolisur me flamurë kombëtarë, i gjithë qyteti ishte në festë; në ora 10.00 u bënë tedeumet si në kishë e në xhami, mandej populli u grumbullua përpara godinës së nënprefekturës. Në këtë moment u këndua himni kombëtar... Mbasandaj doli Sali Butka, i thjeshtë në shprehje, por kuptimplotë. Saliu tha midis të tjerash: “Mua më janë vranë dy djemtë për çlirimin e atdheut, por kurrë nuk u dëshpërova, sepse ata bënë detyrën si gjithë patriotët e tjerë që ranë dëshmorë. Sot jam kryelartë, kur shoh që ëndrrat e tyre, si edhe gjithë shokëve të tyre si Spiro Bellkameni, Themistokli Gërmenji, e të tjerë, u plotësuan. Në këtë moment Sali Butka prek flamurin kombëtar me dorë dhe e puth.” ( Arkivi i Institutit të Historisë, A-V-73)

Plaku i Butkës përshëndeti me vargje Kongresin kombëtar të Lushnjës, Këshillin e Lartë dhe qeverinë që dolën nga ky kongres:

Uronj Këshillën e Naltë

Me faqe të bardhë daltë

Dhe me një Shqipëri të plotë!

Shpirti im kështu më thotë.


Më pas Sali Butka lëshoi kushtrimin për çlirimin e Vlorës dhe Sazanit nga pushtuesit italianë me vargjet:

Për Sazanë dhe për Vlorën

Do të vritemi të tërë!”


Vargje nga libri me vjersha i Sali Butkës “Ndjenja për Atdhenë”, botuar në Korçë në shtypshkronjën “Dhori Koti”, viti 1920.

13 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page