
Do të na mungosh shumë motra jonë Nexhmije Cami Rama
Kur ndahesh përgjithnjë me njeriun tënd të dashur nuk e beson kurrë ndarjen. Të duket se është diku jashtë shtetit e do të vijë nga çasti në çast, pavarësisht se ky çast nuk ka për të ardhur kurrë.
U bënë gjashtë javë qëkur ti motra ime Nexhi u ndave prej nesh dhe ne nuk e besojmë dhe nuk duam ta besojmë.
Shpirti yt është brenda nesh, trupi yt është në tokën mëmë, kujtimet na shoqërojnë kudo ti jetove e punove.
Nexhmije Cami, e bija e Ukes dhe Razijes, u lind më 29 prill 1949 në Viçisht të Dibrës dhe vetëm disa muajshe ishte kur familja u transferua në Gjirokastër, atje ku shërbente si oficer artilerie, i jati Uke Abdulla Cami, ish partizan dhe komisar kompanie në Brigadën 18 Sulmuese.
Lirimi para kohe nga ushtria i Ukes e detyroi këtë familje atdhetare të kthehej në fshat.
Kështu Nexhmija, motra e madhe dhe e vetme e katër vëllezërve, pas sëmundjes së të jatit e të jëmës, ndërmori detyrën e rëndë dhe të vështirë të mbajtjes së familjes në fshat.
Shkollën fillore e bëri në fshat dhe tre vjet të shkollës 7 vjeçare i kreu në Maqellarë tek tezja dhe në Librazhd tek xhaxhai.
Pas mbarimit të shkollës 7 vjeçare nuk ju dha e drejta e studimit në shkollën e mesme nën preteksin se ke dy vëllezër në shkollë me konvikt.
Kështu Nexhmija në moshën 14 vjeçare filloi direkt në punë bujqësore në kooperativë, në të gjitha llojet e punëve,
Pas dy vjetësh në moshën 16 vjeçare e caktuan brigadiere në lagjen e saj të Golevishtit.Në moshën 18 vjeçare i thanë të pranohej në parti.
-Unë pranohem vetëm me një kusht, të mbaroj shkollën e mesme, i tha sekretarit të parë të rrethit S.B, i cili urdhëroi që të shkonte në shkollën e mesme bujqësore të Peshkopisë.
Kështu Nexhmija e etur për dije, me sakrifica të shumta e përfundoi këtë shkollë katër vjeçare vetëm për tre vjet, pasi në fund të vitit të dytë dha provimet e vitit të tretë dhe kaloi në vitin e katërt.

Në shkollë u njoh me Servet Ramën nga Shumbati dhe me pëlqimin e prindërve u fejuan dhe u martuan.
Nexhmija në shkollë u pranua anëtare partie, ndërsa Serveti filloi punën si agronom i mesëm në ekonominë ndihmëse të Korpusit të Burrelit.
Gjatë vitit të parë të shërbimit ushtarak Servetit, për cilësitë e tij, i propozuan të ndiqte Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Dhe ai pranoi. E caktuan në degën e xhenjos dhe fill pas mbarimit të shkollës e emëruan oficer xhenjer në Regjimentin e Xhenjos pranë Shtabit të Përgjithshëm, pranë Repartit të Diko Zeqos, aty ku sot është BUNKART 1.
Nexhmija pasi mbaroi Shkollën e Lartë të Partisë u caktua ekonomiste dhe shefe personeli sektori në Fermen “Gjergj Dimitrov”
Në vitin 1973 u bënë me fëmijën e parë Loretën.
Por lumturia e tyre zgjati vetëm tre vjet.
Dy letra nisen nga Shumbati për në Ministrinë e Mbrojtjes, ku dy “partidashës” kërkojnë që Servet Rama të lirohet nga ushtria, pasi babai i tij nuk kishte mbajtur qëndrim të mirë gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Edhe xhaxhai i tij kishte qenë shoqërues i Tuk Jakovës.
Ministria e Mbrojtjes menjëherë e liroi nga ushtria.
I kërkuan Nexhmijes të ndahej nga bashkëshorti por ajo kundërshtoi duke thënë se unë jam vetë anëtare partie dhe do ta verifikoj vetë në Shumbat.
-Kush je ti që të verifikosh firmën dhe vendimin tim, i tha sekretari i parë H.I që pas pak muajsh bëhet anëtar i Byrosë Politike.
Nexhmija me të jatin përdore shkojnë dhe takojnë P.M. sekretarin e parë që kishte zëvendësuar H.I. Ai në fillim ngurroi, por më pas u bind që ishte cënuar e drejta e një anëtari partie për tu informuar.
E shoqëron Nexhmijen me një instruktor partie të rrethit dhe shkojnë drejt e në organizatën bazë të Shumbatit.
Letërshkruesit ishin moshë e re dhe e kishin me të dëgjuar.
Organizata u bind se kishte teprime dhe shtrembërime dhe dërgoi një karakteristikë tjetër. Por dëmi ishte bërë. Serveti kishte filluar punë në fermë. Frika e tentakulave të luftës së klasave egzistonte.
Kjo nënë me tre vajza luftoi përkrah bashkëshortit për mirërritjen e tyre. Vajza e madhe Loreta mbaroi shkollën e mesme për tekstil dhe filloi studimet për ekonomi.
Vajza e dytë, Albana, nxënëse maturante në Gjimnazin “Ismail Qemali” ishte aerobiste e shquar. Pas pjesëmarrjes në spektaklin “12 vallzime pa një të shtunë” , ajo u shqua krahas Klejdi Kadiut, Ilir Shaqirit, Ema Troplinit dhe Ueda Elsaedit.
Vajza e tretë Elona ndiqte shkollën 8 vjeçare pranë Ministrisë së Jashtme.
Pas vitit 1991 ferma u shkatrrua. Të dy burrë e grua nisën një bisnes të vogël për shitjen e frutave dhe perimeve, që më të shumtën vinin nga Greqia.
Në vitin 1994 ndodhi tragjedia. Albana, teksa po përgatitej për një turne ndërkombëtar humb jetën në një aksident automobilistik në moshën 19 vjeçare.
Vdekja e Albanës ishte një goditje e madhe shpirtërore për Nexhin dhe Servetin dhe për të gjithë familjen.
Në vitin 1997 me ngjarjet e marsit të këtij viti, bisnesi i vogël i fruta-perimeve me të cilin mbijetonin, u dëmtua nga hajdutët dhe keqbërësit.
Në moshën 50 vjeçare Serveti dhe Nexhmija u detyruan të emigrojnë dhe të punojnë në Greqi.
Punuan dhe jetuan në Greqi 14 vjet. Jetë i thënshin. Nexhi robëtohej në punë, bënte dy punë dhe si përfundim nuk përfituan as pensionin, sigurimet që u takonin.
Kthehen në Shqipëri, aplikojnë për pension dhe marrin një pension prej 15 mijë lekësh në muaj, i pamjaftueshëm as për ilaçet dhe drita e ujë.
Shëndeti i saj u përkeqësua. Njëra veshkë nuk funksiononte, ndërsa tjetra ishte e dëmtuar. Mosfunksionimi i veshkës çoi në hipertension të vazhdueshëm.
Operohet për tëmthin në një spital privat, por nuk ja konstatuan shqetësimet e stomakut.
Nuk mjaftoi kjo, por shfaqet kanceri i gjirit në formë agresive. Në një spital të Italisë u bë operacioni dhe terapia e kështu Nexhmija e mposhti kancerin e gjirit.
Por një kancer tjetër tepër agresiv i kishte shkatrruar stomakun.
Përsëri një tjetër operacion i vështirë për ta mposhtur vdekjen, por nuk qe e mundur.
Kështu mbylli sytë Nexhmija me amanetin që të varroset në varrin e së bijës, dhimbja për të cilën e shoqëroi për 31 vjet.
Një nënë shembullore, një bashkëshorte e përkushtuar që sakrifikoi për të shoqin, një grua luftëtare e së vërtetës, kjo ishte Nexhmije Cami Rama.
Bravo dhe ta kujtosh gjithmon nje familje dhe nje moter kaq te respektuar qe ka qene dhe do te jete krenaria e fisit te cameve