
NËNA KOSOVARE
Nënë moj, e dashura nënë
Vështro pusin ku më kanë shtënë
Më kanë shtënë, më kanë lënë
Vrima vrima më kanë bërë.
Pus më pus nëna vështron
Pas e ndjekin qindra nëna
Nënat varg në Kosovë
Djemtë kërkojnë...
Nënë moj, e dashura nënë
Buçet zëri i djalit të saj
Ç’është ky zë që po më ndjek
Thellë nga toka ai po del.
Në shumë puse janë groposur
Ah, sikur të kishin ata, një varr
Ndjenjë e dhimbjes do ish sosur
Loti i syrit do ish tharë
Por një gjë më lehtëson
Je në pus, je në Kosovë
Do t’i zbras të gjitha puset
Do t’a gjej djalin dëshmor.
Në mos e gjetsha ç’do të bëj ?
Ç’farë t’i them Nënës Kosovë ?
Ishte djali, tani nuk është
Bir i nënës me taborrë
Po ti më thuaj se t’a kam falë
Më thuaj të qëndis flamurin
Më thuaj se malli më ka marrë
Ah, sikur t’i puthja gurin !
Nënë moj, e dashura nënë…
Oh sa shumë më djeg meraku
Si t’a gjej kur në Kosovë
Të gjitha puset kanë ujë gjaku ?!
Nënë moj, e dashura nënë
Jo nuk ika në harresë
Është një shpirt, është një këngë
Është një vaj, është një shpresë...
SAKIP CAMI
留言