top of page

Sakip Cami: Një bisedë e papërfunduar me Margarita Xhepën




Nga akip Cami



Për Artisten e Popullit, Nderin e Kombit Margarita Xhepa janë botuar libra e intervista, janë xhiruar emisione televizive të panumërta sepse ajo ishte një margaritar i artit shqiptar, por prapë nuk plotësohet figura e saj madhore.

Këto rreshta bisede me artisten e madhe janë pengu im, ndaj vendosa t’i ndaj me lexuesit.

Vitet e fundit me Margaritëm pata fatin të takohem shpesh. Disa veprimtari letraro-artistike i bënim afër shtëpisë së saj në Rrugën “Mine Peza” te lokali “Taverna Tafai”.

Bashkëshortja e poetit dhe shkrimtarit Shefki Karadaku zonja Nadire e ftonte vazhdimisht.

Dhe mblidhedhim aty unë, Nadire Karadaku, Halil Rama, Mujo Buçpapa, Kozeta Mamaqi (mamaja e Sokol Olldashit), Xhevat Mustafa, Dëfrim Methasani, Demir Rusi, Muharrem Gjoka, Tomë Therçaj, Emi Krosi, Barie Çupi etj.

Margarita në mes nesh recitonte poezitë e Shefki Karadakut, Toma regjistronte për RTSh, ndërsa gazeta “Nacional” e drejtuar nga Dr. Mujo Buçpapa pasqyronte me realizëm e bukuri artistike veprimtaritë.

Në një çast të lirë ju afrova Margaritës dhe e pyeta nëse i kujtoheshin konkurset e fjalës artistike në vitet 70 në Shkollën e Bashkuar të oficerëve, ku Margarita ishte kryetare e jurisë dhe poeti i mirënjohur ushtarak Fluturak Germenji ishte organizator i veprimtarive.

-Po, po, i kujtoj me nostalgji dhe më bënin përshtypje njohuritë e mëdha që kishin studentët ushtarakë në fushën e letërsisë, teatrit dhe kinematografisë. Djali im i madh ka studiuar në këtë shkollë.

-Je shkëputur për pak kohë, ke qenë jashtë Shqipërisë? Më pyet Margarita.

-Kam patur disa shqetësime shëndetsore, i them.

-Po përse nuk më ke treguar, që të të dërgoja te Sokoli në QSUT. Dr. Sokol Xhepa, djali i Margaritës është kardiokirurg i njohur.

-Margarita ka ndihmuar dhjetra miq e mikesha nëpërmjet Sokolit, ndërhyn në bisedë Nadirja që qëndron ngjitur me të.

-Po kurohem dhe jam mirë, i them Margaritës dhe i puth duart.

Nëna Margaritë, e bukur si diell, shpirtmadhe, zemërgjërë, e madhërishme gjer në majë, e thjeshtë gjer në madhështi më çon mallin e nënës time që më mungon prej vitesh.

Dhe biseda vazhdon për kinematografinë dhe rolet e saj.

-Te filmi “Pylli i lirisë” je një myzeqare e vërtetë, ngacmoj bisedën unë.

-Po, po, e kam shumë për zemër atë film dhe atë rol. Regjizori, i madhi Gëzim Erebara me mirësjellje më thotë: Margaritë, a mundesh që të bësh disa xhirime këmbëzbathur? Ç’thua more Gëzim, po unë zbathur jam rritur në Lushnje e në Myzeqe.

Te filmi “Dimri i fundit” vazhdon rrëfimin Margarita hezitova që ta marr rolin, megjithëse e pëlqeja shumë, sepse xhirimet bëheshin në Dardhë të Korçës dhe kisha fëmijët e vegjël.

Por bashkëshorti im i mrekullueshëm Xhavit Xhepa më nxiti që ta marr rolin duke më garantuar se do të merrej ai me fëmijët.

-Si je ndjerë kur ke interpretuar së bashku me Ndriçimin ?

-Jam ndjerë jo vetëm një aktore e realizuar, por edhe një nënë e realizuar. Nuk më është dashur të futem nën lëkurën e rolit sepse ishim nënë e bir edhe në jetë. Flasin vetë njëkohësisht zemra, sytë dhe shpirti. Por ka qenë këmbëngulja e regjizorëve për të garantuar suksesin.

Dhe si për t’i vënë kapakun e fundit, për shkak të moshës, erdhi filmi “Bolero në vilën e pleqve”, një film i bukur aktual, e mbyll bisedën Margarita sepse jemi në një pushim të aktivitetit dhe i premtojmë njëri tjetrit për një intervistë të gjatë të mëvonshme.

Kjo intervistë, që në fakt do të ishte vazhdimi i kësaj bisede nuk u bë sepse u përhap lajmi i trishtë.

U pikëllova në shpirt dhe nga sytë më rrodhën katër vargje loti:

Margarirari Margaritë

Margarita margaritar

Në jetë të jetëve do të ndritë

Do të ndritë rrezear …

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page