top of page

Sakip  Cami: Lufta kundër serbve te Varret e Vrame të Tërnovës, Dibër  në  shtator dhe nëntor 1920


HISTORI

 


 

Nga Sakip  Cami

 

Kjo luftë nuk ka gjetur  pasqyrimin e nevojshëm nga shkruesit e historisë sonë kombëtare dhe asaj lokale.

Sipas Fjalorit Enciklopedik  Shqiptar botim i vitit 1985, faqe 635[1], Qeveria serbe, pas luftimeve të gushtit  1920  u fut përsëri në veprim me forcat e saj të armatosura në drejtimin Dibër e Madhe – Tërnovë- Martanesh – Tiranë për të marrë kryeqytetin.

 Më 10 shtator 1920  komitët dhe serbët kërcënojnë Tiranën dhe qeverinë e shqiptare. Këta nisën drejt Grykës së Priskës, 3 orë larg Tiranës. Në mbrojtje të Tiranës dhe të qeverisë janë vu fuqitë vullnetare të ardhura nga Kavaja, Shijaku, Dibra etj., të cilët sulmojnë  këto forca banditësh. Me këtë datë, në orën 2 allaturka (14.00) z.Dine Hoxha me dibranët iu ngjitën kodrës dhe sulmuan forcat që kërcënonin Tiranën e qeverinë kombëtare. Forcat vullnetare të udhëhequra nga prijës popullorë të veshur dhe me autoritetin qeveritar janë vënë në mbrojtje të qeverisë kombëtare.

Në shtator  1920 luftëtarët e Tërnovës shkuan në ndihmë  të forcave qeveritare shqiptare  dhe të forcave të tjera  dibrane në Martanesh dhe Bizë të Martaneshit  kundër   regjimentit serb i cili ishte vendosur këtu.

Serbet pasi morën një goditje të fortë dhe u shpartalluan në këtë betejë një pjese e tyre bashke me disa mercenarë, duke u tërhequr,  zbritën në Tërnovë. Ndërkohë ato ndiqeshin nga nje pjese e trupave  qeveritare. Trupat serbe deshën të futen në fshat, për të bëre masakra dhe te hakmerreshin, por nje pjese e trupave shqiptare dhe çeta e Tërnoves duke njohur shume mire terrenin ju prene rrugen në fund te perroit të Dabrelles në vendin e quajtur Milnice. Këtu serbet u detyruan të tërhiqen në Fushe të Gjate, duke u bashkuar me një  repart  tjeter  te tyre qe ishte vendosur në livadhin e Selimit, ngjitur me Varret e Vrame.Në kodrën e cila ndan Livadhin e Selimit me Llokën dhe Varret e Vrame përballja me trupat serbe vazhdoi për disa ditë.[2]

 

Në një raportim nga Dibra për qeverinë Shqiptare nënvizohej fakti se vatrat më të ndezura dhe më të nxehta kundër trupave serbe në Dibër mbeten, Reçi, Dardha, Arrasi, Tërnova, Okshtuni, Sohodolli, Lura.

Në këto luftime me forcat serbe nga çeta e Tërnoves mbeti i plagosur Muharrem Ramçi, ndërsa u plagos rëndë dhe u paralizua Zenel Ramçi si dhe humbën jeten; Islam Mustafa Zeneli, Selim Burgu, Xhep Isufi dhe Ismail Burgu.

Ndërsa janë vrarë në përballje të tjera me serbët, në aksione të ndryshme; Sulejman Burgu, Beshir Zeneli, Ali Burgu, Zenel Gjika, Tahir Burgu, Ferit Burgu dhe Tahir Stafa.

Dy nga këto beteja me serbët janë bërë në luginën e zallit të Tërnoves. 

Serbët donin të hynin në fshat nga zalli i Okshtunit, dhe ndiqnin rrjedhën e zallit të Tërnoves, duke ngjitur sipër në vendin e quajtur Gërdec ose Mulliri i Gërdecit. Pikerisht në këte vend luftëtaret kishin zënë pozicionet në të dy krahet e shpateve të kodrave, të cilët zbrisnin pingul në shtratin e zallit. Luftëtarët arritën ti zbrapsin serbët duke i detyruar të kthehen mbrapa dhe ju shkaktuan serbve disa të plagosur. Këto beteja ishin një sukses për banorët e Tërnovës, luftëtarët ishin të ndihmuar shumë dhe nga terreni i cili është shumë i pjerrët dhe lugina shumë e ngushtë. Betejat nga ana e banorëve u bënë me pushkë të cilat ishin të pakta në numër dhe me mina gurëhedhse, që fshatarët i pergatisnin vetë nëpër terrene të pjerrëta  dhe lugina të ngushta nga ku do të kalonte ushtria serbe për të hyrë në fshat.  

 

Hera e dytë për serbët qe fatale pasi pas pritës që ju bënë tërnovasit, po ne Gerdec, ku, patën dy të vrarë dhe disa të plagosur, ndërsa, nga luftëtarët ngeli i vrare Hamit Kurti. Në priten e Gerdecit luftetarët e Tërnovës ishin në kordinim me çetën e Hasan Muglices në Okshtun, në tërheqje e sipër nga Ternova sërbët, në vendin e quajtur ku Përzien Zanjet ranë dhe në pritë të çetës së Okshtunit të drejtuar nga Hasan Moglica, duke lënë dhe aty disa të vrarë. Serbët duke kuptuar se nga ajo luginë nuk arrinin të depërtonin në fshat  nuk kaluan më në atë rrugë, pasi aty ato patën dy disfata. Dhe gjithmonë në fshat ato u futën nga veri perendimi pikërisht nga Varret e Vrame si dhe Kodra e Bordës dhe Livadhi i Hixes.

Pas kësaj beteje serbët bënë një masakër të vërtetë në fshat, duke varë 11 burra dhe 6 gra si dhe 5 fëmijë të vegjël të cilët 2 prej tyre i dogjën në zjarr. 

Luftëtarët e kësaj çete sulmuan dhe në disa raste te tjera repartet  serbe, e cila ishte vendosur ne Livadhin e Hixes dhe siper Perroit te Gërhores në vendin e quajtur livadhi i Selimit, pikerisht këtë vend ato e kishin si pikë qëndrimi, pothuajse të perhershme.  Serbët  donin të zhduknin  të gjithë banorët e fshatit  duke ju djegur shtëpitë si dhe duke vrarë disa prej tyre si hakmarrje për ekspeditën ushtarake, të cilët kishin dështuar më parë në luginë të zallit, duke i nxjerrë me dhunë të gjithë banorët në kodër të Bexhajve,

 

Në nëntor të vitit 1920, cetat vullnetare të Grykës së Madhe i bënë  pritë reparteve  serbe  te  Varret e Vrame, duke u shkaktuar humbje të  mëdha.[3]

Në varret Vrame u zhvillua një betejë e përgjakshme  midis cetave vullnetare të Grykës së madhe, Tërnovës, Bulqizës e Sopotit të udhëhequra nga Osman Zeneli, Mehmet Durici, Destan Puca nga njëra anë dhe reparteve serbe nga ana tjetër, të cilët pësuan humbje të konsiderueshme. Ceta e Sofracanit e komanduar nga Jakup Cani Sofracani qëndronte në prapavijë  për të ndaluar ardhjen e forcave të reja  serbe.[4]

Sipas burimeve serbe, në Dibër kanë qenë të përqendruar disa njësi të ushtrisë serbe si Divizioni i III me regjimentin e artilerisë, Batalioni i III i regjimentit XVII dhe dy batalione kombësorie. Nje batalion me shtabin dhe një çetë në Peshkopi. Batalioni tjetër  ka pas një repart  në Tërnovë, një repart në Zabzun dhe një në Strugë.

Këtu shihet qarte se sa rëndesi i kishin dhene serbet kesaj zone që lidhej me Bizën dhe Tiranën. Serbët në Tërnovë kishin vendosur dy reparte pothuajse me qendrim të perhershem, njera tek livadhi i Selimit në Varre të Vrame dhe tjetra në Livadhin e Hixës. Herë pas herë spostoheshin në Dabrellë dhe Kaptinë. 

 

Në këto luftime me forcat serbe nga çeta e Tërnoves mbeti i plagosur Muharrem Ramçi, ndërsa u plagos rëndë dhe u paralizua Zenel Ramçi si dhe humbën jeten; Islam Mustafa Zeneli, Selim Burgu, Xhep Isufi dhe Ismail Burgu. Ndersa jane vrare ne perballje te tjera me serbet, ne aksione te ndryshme; Sulejman Burgu, Beshir Zeneli, Ali Burgu, Zenel Gjika, Tahir Burgu, Ferit Burgu dhe Tahir Stafa.

 


[1] Fjalori Enciklopedik  Shqiptar botim i vitit 1985, faqe 635

[2] Eduart Ramci, Tërnova e Dibrës, Botimet  M&B, 2023

[3] Destan Rama, Gryka e Madhe, faqe 71

[4] Zabit Lleshi, Jakup Cani I Sofracanit, faqe 71

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page