top of page

Sakip Cami: Fshati Tërnovë  “pagëzohet” me emrin Spathar nga austro-hungarezët



 

HISTORI

Luftimet dhe pretendimet bullgare e austro – hungareze

gjatë luftës së parë botërore në Dibër

(Fshati Tërnovë  “pagëzohet” me emrin Spathar nga austro-hungarezët)

 

Nga Sakip  Cami

 

Lufta e parë botërore ishte kryesisht e përqendruar me dy blloqe. Blloku i Antantës ku bënte pjesë Britania, Franca dhe Rusia dhe blloku Tripalesh (Forcat Qendrore) ku bënte pjesë Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia.  Fillimi i Luftës së parë Botërore e gjeti Shqipërinë në situatën më të brishtë të mundshme. Vetëm afro dy vjet më parë Shqipëria ishte vetëshpallur e pavarur dhe prej një viti ishte e pranuar si shtet më vete, provizorisht nën kujdestarinë e Austrisë dhe të Italisë, dy Fuqi të Mëdha që rivalizonin mes tyre në detin Adriatik. Shqipëria u kthye shpejt në një nga teatrot më sfidues nga dy blloqet në luftime, ose e thënë ndryshe në sheshin e Luftës së Madhe. Kjo për shkak të shteteve dhe palëve të shumta që u implikuan në territorin shqiptar, nga të dy blloqet. Në territorin Shqiptar ishin prezent trupat e të gjithë shteteve që përbënin dy boshtet e fuqive të mëdha që përplaseshin ndërmjet tyre. Prapa Fuqive të Mëdha sipas interesave të ndryshme qëndronin shtetet ballkanike si Mali i Zi, Greqia, Bullgaria dhe Serbia. Por ato që krijuan më tepër probleme në Dibër  ishin serbët e bullgarët që donin të përfitonin nga ky konflikt i madh, për të asgjësuar që në lindje pavarësinë e Shqipërisë e për të ndarë kështu midis tyre territorin e saj, duke kërkuar shtyrjen dhe zhvendosjen e kufirit të vitit 1913 në dëm të Shqipërisë. 

Akademik Kristo Frashëri te “Historia e Dibrës” shkruan se gjatë Luftës së I Botërore në Dibër arritën menjëherë ushtritë bullgare, por këto nuk qëndruan shumë, sepse në mars 1916, nën presionin e Vjenës u tërhoqën. Vendin e tyre e zunë ushtritë austro-hungareze, të cilat qëndruan këtu deri në tetor të vitit 1918.Austriakët u paraqitën tek dibranët si përkrahësit e Shqipërisë në luftën e tyre kundër serbëve. Me këtë parullë ata u përpoqën të formonin me malësorë reparte “vullnetarësh”, të cilat t’i hidhnin në luftë kundër “aleatëve” të serbëve – ushtrive italiane që ndodheshin në Shqipërinë e Jugut. Por Vjena, nuk rekrutoi dot forca malësore për interesat e Perandorisë Austro-Hungareze.

Në Dibër, Bullgaria, me lojën e dyfishtë, që në nëntor të vitit 1914 kishte filluar të ndërhynte direkt për të bërë probullgare gati të gjithë pjesën lindore të Drinit të Zi.Ajo po futej brenda kufijve të vitit 1913 në vijën që kalonte në Gjoricë, për zalli të Shupenzës, për zalli të Bulqizës deri tek Kulla e Shabës, Bulqizë dhe prej këtu pasi bënte një gjysmë harku kalonte në Fushë të Zerqanit, pastaj në fshatin Tërnovë, në Çermenikë e përfundonte në Zallin e Rrapunit

Përpjekjet e bullgareve për të ndërhyre në Dibër dhe kryesisht në zonën e Gollobordës e Tërnovës nëpërmjet shkollave bullgare dhe asimilimit ishin të shumta. Në fillim ata filluan me politikën e bisedimeve dhe bindjes me banorët e Tërnovës dhe të Gollobordës.  Kur panë që nuk po kishin sukses me këtë opsion filluan opsionin e ushtarit dhe tokës së djegur dhunës dhe masakrave. Bullgarët ashtu si serbët kryen masakra mbi popullatën e fshatit Tërnovë, vrasje e djegje shtëpish. Çeta e Tërnovës është përballur  me bullgarët, ku ngeli i vrarë në luftime pjestari i kësaj çete, Tahir Kurti. 

Qeveria bullgare nënshkroi me Aleancën Tripalëshe Itali, Gjermani, Austro-Hungari një marrëveshje të fshehtë në shtator të vitit 1915 dhe hyri në luftë kundër Serbisë. Dhe në këmbim Aleanca Tripalëshe i njihte disa të drejta bullgarëve në disa territore në Diber nga të dy pjeset ndarëse, këtej dhe andej kufirit të vitit 1913.

Dhe në bazë të kësaj marrëveshje Aleanca Tripalëshe Itali, Gjermani, Austro-Hungari i njihte Bullgarisë të drejta aneksioniste në një sërë territoresh të Dibrës brenda dhe jashtë kufijve të vitit 1913, ndërmjet tyre Tërnovën, Okshtunin, Çermenikën etj.

Me 1 janar 1916 batalioni I i Regjimentit 14 të Divizionit të Shkupit të Ushtrisë Bullgare nën komandën e majorit Kolorev hyri në qytetin e Peshkopisë dhe më datë 10 janar 1916 Bullgaria shpalli Qeverinë e Përkohëshme me kryeministër Hasan Basriun, ish deputet i Dibrës në Mexhlisin turk të vitit 1908.

Në Luftën e parë Botërore Dibra dhe e gjithë zona ishin me të vërtetë një fushë betejë e madhe mes ushtrive të huaja, në të cilën perplaseshin interesat e Austro-Hungarisë nga njëra anë dhe Serbisë të mbështetur nga Rusia dhe Bullgaria, këta pretendime të cilat i çuan deri në pothuajse konflikte të hapura siç ishte rasti se kujt do t’i takonte fshati Tërnovë.

Tërnovën, pra e pretendonin bullgarët, por e pretendonin njëkohësisht austro-hungarezët. Me marrëveshje brenda aleancës, Tërnova ju la austro-hungrezëve. Konflikti se kujt do t’i takonin fshatrat Gjoricë, Çerenec e Tërnovë u zgjidh në favor të austro – hungrezëve. (Arkivi i Shtetit, Dibër, H. Sadiku). 

 

Me këtë marreveshje dhe me ndermjetsimin gjerman ndermjet austro - hungarezeve dhe bullgareve ata përcaktuan dhe një vijë kufitare e cila kalonte brenda territorit shqiptar të Dibrës. Kjo vijë kufitare, fillonte nga veriperëndimi i Dibrës së Madhe deri në breg të Drinit të Zi, që aty kalonte në veriperendim të fshatit Strikçan, e nga aty ndiqte rrjedhen e zallit të Okshtunit nëpër malin e Prevallit kalonte në Cermenikë dhe përgjatë  Zallit të Rapunit kalonte në lumin Shkumbin.

Ndërsa bullgarët morën Kalabardhën (Gollobordën) dhe si vijë ndarëse mes dy pretendenteve ishte rrjedha e Zallit të Okshtunit dhe zona në lindje të zallit të Okshtunit me gjithë Golloborden ishte nën ndikimin bullgar të cilët u sollën tamam si barbare mbi banoret e zonës. 

Lagjet e Oreshnjës, Golemaranës dhe Shullanit në Okshtun të vogël ju bashkangjitën Tërnovës. Në bazë të kësaj ndarje me rrjedhën e zallit të Okshtunit, gjithë pjesa veri perendimore ishte nën ndikimin Austriak, ndërsa pjesa tjetër e fshatit Okshtun ishte nën ndikimin bullgar. Këto lagje të lartpërmendura me këtë marrëveshje ishin pjesë e Tërnovës dhe kjo ka qenë dhe ngeli kështu deri në fillim të viteve 1950.

Këto marrëveshje të të huajve në kurriz të shqiptarëve, të dibranëve kanë rënduar së tepërmi gjendjen ekonomike, sociale dhe shpirtërore të kësaj zone.

Austriakët Tërnovës ja ndryshuan emrin, nga Tërnovë në Spathar, që do të thoshte vjeshtë, në gjuhën e tyre. Në fakt fshati u kthye si një vjeshtë e vonuar dhe e errësuar nga djegiet dhe masakrat që bënë ushtritë e ndryshme pushtuese për ta nënshtruar fshatin.

Është fakt që në Tërnovë Austro Hungarezet ndihmuan në largimin përkohësisht të ushtrive sllave (serbo bullgare) dhe i larguan ata nga Tërnova, Shullani, Smolliku etj, por  vranë në Tërnovë Sali Allushin, në Okshtun të vogël, pasi dogjën lagjen Shulla, vranë vëllezërit Muharrem e Shaban Koçi, të cilët  i dërguan në internim në Kotorr, Mal i Zi.

Në Tërnovë austro-hungarezët ngritën një burg në shtëpinë e Ali Xhafës, ku burgosnin e torturonin fshatarët e sjellë nga Gjorica, Okshtuni, Sebishti, Zerqani, Shupenza etj. Dëshmitë gjenden në Muzeun e Dibrës. Sipas tregimtarit Fadil Kurti, në këte burg Austro Hungarezet kishin mbajtur për pak ditë, sapo e kishin arrestuar dhe Hasan Basriun i cili me ndihmën e Bullgarëve në Dibër u shpall Kryetar i Përkohshëm i fuqisë ekzekutive dhe Kryeministër e Ministër i Jashtëm. 

Në vendin e quajtur Livadhi i Selimit mbi fshat sipër Përroit të Gërhores, Austro Hungarezët ndërtuan dhe një bazë ushtarake. Sipas tregimeve, ndertimet ishin disa gropa pesë metër të gjëra me pesë metër të gjata dhe dy metër të thella nën tokë, të rrethuara nga tre krahët me tokën ndërsa pjesa ballore dhe dera ishin me derrasë, ndërsa çatia ishte e ndërtuar me trarë druri dhe mbulesën e kishin bërë me plisa bari të marr nga livadhi. Deri vonë ato quheshin nga banorët “shtëpitë  austriake”, gropat e të cilëve janë mbushur nga erozioni por janë të dallueshme  edhe sot.

Gjatë Luftës së Parë Botërore popullata vuajti shumë edhe nga mungesa e bukës dhe e produkteve ushqimore. Populli për të mbajtur shpirtin bluante lëkura ahu dhe i gatuante duke i përzier me hithra. Njerëzit vdisnin në masë nga uria.

12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page