HISTORI
Nga Sakip Cami
Kundër vilajetit të Manastirit, qeveria e zotit Pashiq, më 30 tetor 1912 ndërseu trupat e Armatës së I-rë të komanduara nga gjeneral Mishiq, që të nisnin veprimet luftarake për pushtimin e Manastirit, Ohrit dhe Dibrës.
... Në këtë kohë, nga ana turke, në pellgun e Ohrit, të Manastirit dhe të Vardarit operonte “Armata e Vardarit” e komanduar nga gjeneral Zeki Pasha. Në këtë armatë inkuadroheshin tre korpuse: 5, 6 dhe i 7 me komandant respektivisht Kara Said Pasha, Xhavit Pasha dhe Feti Pasha.
...Në mbrojtje të Manastirit shkuan dhe shumë vullnetarë nga qyteti i Dibrës së Madhe dhe Rekës, të prirë nga krerët e Dibrës dhe disa oficerë shqiptarë që kishin shërbyer në ushtrinë turke si Hajredin Pustina, Aqif Rusi etj.
Kësaj fuqie iu bashkua dhe Mersim Dema me 1000 vetë.
Lufta për Manastirin zgjati 6 ditë (18-23 nëntor 1912).
Një nga gjeneralët osmanë me emër, Ali Riza Pasha, që thuhet se është me origjinë nga fshati Valikardhë i komunës së Zerqanit, kishte mbetur në Karaman, jo shumë larg Manastirit me 400 të rinj të armatosur, për të marrë masa për një mbrojtje të fortë të qytetit të Manastirit.
...Ushtria serbe, pasi kapën pikat strategjike në malet Babun dhe Abdi Pasha e orientoi sulmin nga krahu i majtë i trupave osmane, gjë që Zeki Pasha nuk e kishte parashikuar dhe, kur u pa se sulmi i serbëve po shpërthente në të majtë, bëri përpjekje të rregullonte gabimin, duke i kaluar disa reparte nga krahu i djathtë në të majtë, por tani ishte shumë vonë. Ushtria turke nisi tërheqjen.
Më 23 nëntor 1912 ushtria serbe pushtoi Manastiri.
...
Pavarësisht rrjedhimeve, dibranët luftuan me heroizëm.
Fuqia e Mersim Demës, 1000 malësorë, pothuajse nga Gryka e Vogël, pasi përshkoi udhën Shupënzë,Çerenec,Ura e Spiles, Xhepisht, kaloi Drinin e Zi në Urën e Gllobiçishtës,pastaj arriti në Belçisht,Bukovë,Resnje,Gërnçari,Lemos, Armensko (Alone) dhe prej këtu u hodh e i goditi fuqishëm grekërit në Follorinë, të cilët dhe pse ishin më të shumtë, u thyen, por të nesërmen fuqia e Mersim Demës tërhiqet jo pa humbje.
Vullnetarët e qytetit të Dibrës dhe të Rekës në fillim luftuan kundër 40.000 grekëve në Banicë, të cilët i vunë përpara deri në Kajallar, duke u shkaktuar mjaft të vrarë. Por siç u theksua më lart, me kapjen e pozitave strategjike në malet Babun Abdi Pasha nga ushtria serbe, edhe kjo fuqi e dibranëve u tërhoq dhe u nda: një pjesë luftoi në katundin Ovak dhe Orizore të Manastirit dhe pjesa tjetër në katundin Preblicë, një fshat i banuar nga shqiptarët që ndodhen në afërsi të Manastirit.
Më në fund e gjithë fuqia dibrane bashkohet në Preblicë, ku zhvillojnë luftime tejet të ashpra, për 48 orë, duke u përlarë thikë me thikë me ushtarët serbë.
Në luftë kundër grekëve dhe serbëve në Manastir e Follorinë u vranë e u plagosën shumë dibranë si:
Fuat Bej Kulla, Xheladin Kuka, Hasan Stërmilli, Beqir Kuka, Tefik Oshafi, Izet Berberolli, Adem Korumi, Beqir Reka, Pash Kobeci, Destan Durraku,të gjithë nga qyteti i Dibrës së Madhe;
Elmaz Jashari, Isak Bajrami (Spahiu), Abedin Dema, Dan Përtafi, Halit Hutja, Nuz Dila, Sal Allajbegia, Hazis Jashari nga Kovashica;
Ram Duka nga Stushajt,
Salë Demiri nga Topojani rënë në Ohër,
Rahman Xheleshi nga Mazhica rënë në Manastir;
Lutfi Rexha nga Pocesti rënë në Follorinë, Hasan Hidri nga Pocesti,
Qerim Sala nga Burimi,
Rrahman Çupi nga Vojnika;
Rrahman Nuz Dila nga Fushë e Vogël (Cankë), Izet Hazis Dema nga Fushë e Vogël (Cankë),
Rrahman Tollja, Ali Kostenja, Sadik Demiri, Xhabir Sejdini nga Strikçani; Jashar Disha, Hasan Lila, Ismail Qorri, Sadik Balliu, Selim Loka, nga Sopoti rënë në Manastir;
Ymer Margjoka, Sefer Jashar Bodini nga Selishta,
Mehmet Totraku nga Lukani,
Dalip Demiri nga Sopoti rënë në Petrinë.
Në fushën e Orizores në Manastir “luftuan heroikisht derisa dhanë jetën:
Imam Jusuf efendi Skikuli, Imam Osman efendi Langu dhe komandanti i tyre, Aqif Selim Rusi”.
Në Preblicë të Manastirit u vra luftëtari 23 vjeçar Abedin Dema nga Homeshi.
Në luftë kundër grekëve u plagos Abdurrahman Myftiu, Tosum Qorrlaze, Nazif Lazimi dhe Jusuf Kërliu që mori 11 plagë.
Pas këtyre luftimeve dibranët u kthyen në vatrat e tyre. Ata nuk patën kohë të pushonin e të qëndronin disa ditë të qeta me të afërmit e tyre. Ushtritë serbe këtë herë sulmuan trojet dibrane në drejtim: Gostivar, Hanet e Mavrovës, Mogorç, Dibër. Dibranët me armët ende të nxehta nga lufta për mbrojtjen e Manastirit u organizuan në një luftim të ri, duke shkruar një faqe tjetër atdhetarie, në Grykë të Radikës, në dhjetor të 1912. (M.Murra) “Dibra nga Antikiteti ne Monarki”,Tirane,2017,f .365-369
Popullsia e fshatrave rreth Liqenit të Ohrit, u bashkua me kryengritësit që vinin nga Dibra. Në Strugë e rrethina u krijuan çetat kryengritëse, si ajo e Avdulla Gojëdrinit, Demir Lenës, Riza Ajros e të tjera. Kryengritësit mbajtën një tubim historik tek vendi që quhet "Plepat e Teferiçit", ku morën pjesë përfaqësuës nga Ohri, Prespa e Struga, midis tyre edhe Milan Mato nga Struga, Riza Ajro, Demir Lena dhe Emro Sinani, nga Ladorishti. Komandant u zgjodh Riza Ajro dhe nënkomandant Demir Lena
Luftëtarët u hodhën në ndjekje të regjimentit XVI të ushtrisë serbe dhe çliruan krejt trevën e Strugës dhe të Ohrit.
Serbia mobilizoi forca të mëdha ushtarake të regjimenteve IX, XI dhe XVII me mëse 60.000 ushtarë dhe sulmoi në tre drejtime: Prizren-Lumë; Tetovë-Gostivar-Mavrovë-Dibër; Manastir-Resnjë-Ohër-Strugë.
Shqiptarët u organizuan për mbrojtje. Qeveria e përkohshme e Dibrës caktoi komandant të mbrojtjes në trevën e Strugës, Milan Maton. U bënë disa luftime të përgjakshme. Por beteja më e madhe ishte ajo e Petrinjës. Në këtë mal zunë vend forcat kombëtare me çetat e Irfan bej Ohrit, Milan Matos, Riza Ajros, Demir Lenës, Dan Camit e të tjera. Këto forca mbështeteshin nga Prefekti i Elbasanit, Aqif pashë Elbasani. Forcat e ushtrisë serbe sulmuan në të gjithë vijën e frontit, pasi gjuajtën me artileri. Beteja u zhvillua e ashpër nga data 28 shtator deri më 2 tetor 1913.
Luftimet më të përgjakshme u bënë në Qafën e Bukovës, ku ishte vendosur çeta e Demir Lenës. Këtë qafë donin ta merrnin me çdo kusht serbët, por Demir Lena dhe luftëtarët e tij qëndruan trimërisht për pesë ditë e net resht. Ndërkohë, ushtrisë serbe i erdhi në ndihmë një forcë e re. Po Demir Lena me ladorishtarët nuk u thye. Çdo plumb i tyre binte në shenjë. Ditën e pestë të betejës, luftëtarëve iu mbaruan municionet. Demir Lena kishte pasur të drejtë. Ushtria serbe e armatour rëndë mundi ta shpërthente mbrojtjen në Petrinjë në 2 tetor. Luftëtarët shqiptarë u tërhoqën gjatë natës. Prej tyre, mbetën të vrarë shtatë burra ladorishtarë:
Baftjar Ajro, Nurimehmet Hoxha, Elez Ajro, Halil Klenja, Bilal Çollaku, Maksut Ajro dhe Zylyftar Klenja.
U plagosën: Riza Ajro, Demir Lena, Hamza Coma, Banush Coma e mjaft të tjerë.
Nga ushtarët serbë u vranë rreth 500-600 vetë.
Kryengritësit u tërhoqën drejt Strugës dhe zunë vend në vijën Vishnje-Belicë-Ladorisht- Rajcë. Demir Lena, i plagosur në bark, kaloi me mundim me pak shokë nga Shën Naumi dhe doli në Pogradec, në shtëpinë e patriotit të shquar Jashar bej Starova, ku u mjekua dhe u bashkua sërish me luftëtarët e tjerë në Ladorisht. Më 2 tetor u zhvilluan luftime afër Salikes dhe në fshatin Ladorisht. Ladorishtarët e vazhduan luftën deri në datën 7 tetor. Gjatë qëndresës u vranë shumë prej tyre. Te Gryka e Merasë, afër plepave, serbët therën shumë banorë të fshatit dhe i hodhën në hendek si Bilal Çollakun, Maksut Ajron, Zylyftar Klenjën e të tjerë. Hajdar Ajron, serbët e prenë me sopatë në Strugë. E motra me bashkëshortin e saj, e morën në një thes dhe e varrosën në kopshtin e Demir Ajros.
Hakmarrja serbe kundrejt luftëtarëve dhe familjeve të tyre ishte e tmerrshme. Një genocid i përgjakshëm dhe një spastrim etnik i paparë. Në ditët e para të tetorit 1913, mbreti i Serbisë, Pjetri, lëshoi një dekret që meshkujt shqiptarë nga 7-70 vjeç të likuidoheshin për pjesëmarrje në kryengritje.
Në Ohër, 40 qytetarët më të njohur, i therrën dhe i hodhën në pusin e kalasë, që u quajt "Pusi i gjakut". Fshati Bukovë u zhduk nga faqja e dheut. Në Strugë vranë e burgosën pa gjyq me qindra shqiptarë, që kishin marrë pjesë në kryengritje, por edhe njerëz të pafajshëm. "Dora e zezë" dhe "Narodna Odbranes" bënë kërdinë tek shqiptarët e pambrojtur.
Pjesa më e madhe e luftëtarëve të Taborit të Strugës kaluan në Shqipëri. Demir Lena me shokë shkuan në Bërzeshtë të Librazhdit dhe u vendosën në shtëpinë e atdhetarit Shaban Blloshmi, mik i Demir Lenës. Ndërsa, Riza Ajro emigroi në Turqi, ku edhe vdiq në vitin 1938. Esat Toptani ktheu 13 burra nga treva e Strugës, që kishin kaluar në Shqipëri dhe ua dorëzoi autoriteteve serbe, që pasi i torturuan, i dogjën të gjallë.
Commenti