top of page

Sabri Sinan Cami, dëshmor i ndërtimit të vendit


Të mos harrojmë dëshmorët e ndërtimit të vendit


Shqipëria ka 28.110 dëshmorë të LANÇ, ka mijëra dëshmorë të luftrave  për liri dhe pavarësi deri në vitin 1939, mijëra dëshmorë që kanë rënë pas vitit 1944 si aviatorë, policë, xhenjerë, ushtarakë të llojeve të armëve të ndryshme, minatorë, elektricistë, shoferë, montatorë etj. etj.   

Për dëshmorët e rënë pas vitit 1945 nuk është shkruar shumë. Disa u paragjykuan se ndërtuan socializmin, kur në fakt ndërtuan vepra madhore ndërtimore si hidrocentrale, shkolla, spitale, fabrika, uzina, kombinate etj. 

Një nga këta dëshmorë të rënë në krye të detyrës për ndërtimin e vendit është edhe Sabri Sinan Cami nga fshati Viçishti  i  Dibrës, shofer në Parkun Automobilistik të Prrenjasit.

Sabriu është në lindur në Viçisht të Dibrës më 13 maj të vitit 1942. U rrit në një familje të shquar atdhetare. I jati Sinani, të cilin, fashistët italianë e kishin internuar në Berat, për influencën e tij atdhetare, mban statusin e veteranit të LANÇ. Ndërsa gjyshi i tij, Shabani është dëshmor i atdheut, rënë në vitin 1918, kundër serbve. Nënë Fija nga fisi i shquar i Dukajve në Dibër të Madhe e rriti dhe edukoi Sabriun , ashtu si edhe djemtë e tjerë me cilësi e vyrtyte atdhetare.

Pas mbarimit të shkollës  7 vjeçare  në vendlindje dhe pasi mbushi moshën e shërbimit ushtarak, ai shkoi ushtar , ku kreu edhe kursin një vjeçar për shofer zisi, ku edhe shërbeu gjatë kohës kur ishte ushtar. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, Sabriu kreu kursin e shoferit për patentën e klasit të dytë, për shofer të mjeteve të naftës  si “Skoda” etj. Meqenëse edhe vëllai i tij, Shabani ishte shofer në Prrenjas , si dhe Azisi , minator  në minierën e Prrenjasit, edhe ai u shpëngul nga fshati dhe filloi punën në Parkun Automobilistik të Prrenjasit, një ndërmarrje me maqina të tonazhit të rëndë që transportonin  mineral hekuri  nga Çervenaka  në Elbasan dhe lëndë drusore nga pyjet e Steblevës dhe të Çermenikës  për në Kombinatin e Drurit në Elbasan.

Puna ishte shumë e vështirë. Shoferat e rinj, sikurse ishte Sabriu, punonin me maqina të vjetra të tipit “Skoda”. Duhet të punoje disa vjet me skoda rrotoshe, pastaj të pretendoje për ndonjë makinë të re, që eksportoheshin nga Çekosllovakia. Por Sabriu si i ri që ishte, e përballonte shumë mirë. Ishte i etur për punë, fjalëpak dhe punëshumë. Ngrihej që me natë dhe pagdhirë e gjeje në pyjet e Çermenikës.

Ishte vetëm 24 vjeç, kur u dashurua me mësuesen e fshatit Esma Karriqi dhe shumë shpejt u martuan.  Një dashuri e zjarrtë që nuk e pasqyron asnjë roman apo film botëror. Sabriu ishte i gjatë, i bukur, syshqiponjë, me flokë të zinj që i derdheshin  mbi  ballë. Sa herë kalonte pranë shkollës së fshatit i binte burisë dhe Esmaja dilte me shpejtësi dhe takoheshin hapur si dy të rinj të dashuruar. Dasmën e bënë në fshatin e Sabriut. Dashuri e vërtetë e vajzës nga Prrenjasi i Librazhdit dhe djaloshit dibran, që u miratua edhe nga familjet.  

Ishte vetëm 25 vjeç e gjysmë, kur atë ditë nëntori të vitit 1967, Sabriu do të nisej si çdo ditë për udhë, me destinacion  pyjet e Zdravës. Sikur të ua ndiente zemra , atë natë asnjëri  nuk fjeti. Të nesërmen, Sabriu përqafoi Esmanë dhe u nis. Ishte përqafimi i fundit. Hypi në skodë dhe sytë nuk i ndante nga bashkëshortja e tij. Ajo atë natë i  kishte treguar se ishte shtatzanë. Ja bënte me dorë vazhdimisht. Esmaja ja kthente duke tundur dorën  dhe duke e shoqëruar me sy deri sa skoda u largua.

Në rrugët e thepisura të pyllit, në një kthesë të mallkuar, skodës i këputen frenat. Sabriu përpiqet të manovrojë me timon, por ishte e pamundur.  Një humnerë e thepisur ishte fare pranë rrugës dhe e përpiu së bashku me skodën.

Esmaja  priste në merak. Shokët e alarmuar u përpoqën që ta shpëtonin, por nuk ishte  mundur . Ai dha shpirt duke imagjinuar djalin apo vajzën që do të linte amanet Esmasë së tij të dashur.

Esma Karriqi qëndroi si një grua trimëreshë. E rriti djalin që i la burri amanet, djalin me emrin Kujtim dhe edukoi më së miri atë. Sot Kujtimi ka edhe një vajzë që e quajnë Sabrina dhe që trashëgon emrin e gjyshit, Sabriut.   

Sakip  Cami

19 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page