S A M A R X H I U
Një plak qesqin, si mal me borë
Me sy të qeshur, dritë behari
Urorë dhe eshkë në njërën dorë
Në tjetrën strrall me çika zjarri
E nis bisedën dalëngadalë
E tjerr si fill i hollë fanelle:
-Pa merre, dridhe një, mor djal'
(Më fton të ulem. Mirëseerdhe!)
Qënke pa punë, se s'ke zanat
Të mprehësh plor e këmb' parmënde
Po jeta s'shtyhet me inat
Pa thuaj plakut, ç'ke në mëndje?
Nuk ndreqet bota veç me fjalē
Se ja, dhe plumbi s'shkon vetiu
Nuk di se ç'ëndërr pret të dalë
Pse s'hap një qoshe; "samarxhiu"
Harbuar pela dhe gomarë
Në zyra, rrugë e trotuare
S'e paskan hak nga një samar
Nga një kapistër si kollare?
Ndodh shpesh të ta rrëmbejnë fatin
Ndonjë putanë a një sarhosh
Ti vdes çdo ditë, e flak mëkatin
E prapë vazhdon të ëndërrosh...
Një plak si xhind më del përpara
Dhe më tund shkopin si profet;
-Jo veç me fjalë, të priftë e mbara
E do dhe drurin ky milet!
Comentarios