
Gurgullues
Shëtis në parkun
ku shplodhej
ime më
dëgjoj gjithçka,
nuk shoh asgjë.
Tiparet e saj gjelbërimi i fundit...
Mëma iku veç me hijen e saj
gjumjen e saj përgjithnjë
jo ecjen as shpuzën
as gurgullimat
e kumtit.
Shplodhem në parkun
ku shëtiste
ime më.
Shoh gjithçka ...
Nuk dëgjoj
asgjë....
Dy pëllëmbë bregdet
Më duhen dy pëllëmbë bregdet
të mos livadhis kotni shtëpie
të mos hatëroj rrene gruan
jashta zgërbonjë zilie
domino të mos luaj
me ditën e tavëll
plot tym zevzek...
...më duhen dy pëllëmbë bregdet.
Ndër valë të qeta, vrullnive të kaltra
Endja më kraharon ç'shoh përreth
ç'ndjej brenda ua them
grave të nxehta
ndonjëherë
të vakëta.
Më duhen veç dy pëllëmbë bregdet.
Vetja tjetër
Ne po lidhemi me Botën, s'po lidhemi
dot me veten, vetja jonë është Tjetri,
Tjetri çiltër lind trillet e rrëmujës
dhe të motit, gjuhën e akcentin.
Ne veshim këmisha me livadhe
kokë përmbysur tigreshe, tigri,
Tjetri ende hyn, del përralle
gurores dhe majës,
timonit e iksit.
Ne dashurojmë Botën...tej botës
shqyer zhelet dhe fjalët
djeg qokat, qëndismat,
Goja jonë si zgafellë
dhëmbi më i vogël
helmatis
prijësat.
Ne po lidhemi me Botën, po lidhemi
me Motin, gjuhën dhe akcentin,
Tjetri çiltër çel trillet
lart ngre Epokën,
Vetja jonë
mjerisht -
Tjetri.
Cen
Reflekse të ndrojtura, të frikshme, të qeta,
buzët e dyerve mbyllur ...
Nga drithërimi
kemi ulur grilat si parzmore të lehta
cytur nga gazi helm i hidhërimit.
Të linjtat tona po zbresin mes këmbëve
pa asnjë gërvishje, rënkim, plot refleks,
Dashuria mban mbi krye e pëllëmbë
kurorë drithërimesh këtë mbrëmje
Shenjtëri të shenjtë
me Zot e me cen.
Sikur t’isha
Nazet e tua të purpurta
zilepsin edhe fluturat...
... bëj sikur s'i shoh...
hapi yt n'ajri sikur t'isha
tek shputat ... të më
shkelnin ato....
Rreth tek beli yt sikur ... t'isha
lart do më gjarpëronin buzët
poshtë do thyheshin gishtat ...
Ah, sikur t'isha...
Skaj sekonde
Flirtimi mund të jetë humbak, i zgjuar
pjekur gushtak, thatanik, i njomësht
Të flirtuarit nuk shlyejnë asgjë
teksa fshehur luajnë
fatin drithëronjës.
S'jam murg në asnjë skaj të botës
as në të mijtën e sekondës.
Prij ... pa prijës
Uji prin pemën, pema frutin,
nektari bletën, dashnia pa
fund pafundin ?
Fluturën e prin Vesa, Vesa prin xixat,
këmishën zbërthejnë ernat, ernat
ledhatojnë shpatet, gishtat ?
Prin kaprolli brirët, brirët kaprollin
bistaku mban kokrrat a kokrrat
bistakun shplodhin ?
Ç'bukuri Jeta,... S’më bëri lebetitës,
plot prijësa, përreth, gjer tek fjetja
kujt nuk iu bëra një herë prijës...
Dush
Nga currila uji mbështjellë
përmbys lakuriq, qull...,
s'dimë ç'të bëjmë
më pak,
...dijmë ç'të bëjmë
më shumë...
Thua xhamllëku po kris ?
Përreth gjithë shkumë
tejdukshëm ne midis.
Nga currila drite mbështjellë
na duket s'e jemi mbytur
nga gulçe të lumtur,
jerm rrenë.
Përflakur pa flakë
ç'të bëjmë më shumë
kur s’dimë ç’të bëjmë më pak ?
Ekran
Tepëron rruga me gjet' të bukurat
sot - nesër akoma më të hajthme,
Rruga nuk i zgjat njëher’ veshët
nuk i rritet asnjëherë hunda
vuan, s'vuan nga ankthet.
Tepëron rruga me gjet' të vërtetat
sot nesër akoma e më të rënda,
jashta plasim nga të qeshurat
përbrenda nxijmë nxirojmë
me g'njeshtra t'argjënda.
Tepëron rruga
për vemjet,
fluturat ?
Oktavë hareje
Deti mbytet nën det
Kreshtën, t'rreptën
e mban përpjetë.
Kreshta përzë dhe ndjek kreshtën -
Bukuritë tingëllojnë oktavë haresh
sa i dëgjojnë dhe shurdhmemecët.
Gjithçka tingëllon Shpirt i rrallë -
Kreshta me përqafime rritet
zilitë ... ç't'i bëjnë Detit
të gjallë ?. .
Commentaires