top of page

Ruzhdi Gole: Patericë dite


Tipare, flutura

                       (cikël poetik)

       

*

Pyetjepikë.


Gjetëm ... çka donim, ....

donim çka gjetëm ?

 

Çka gjetëm trillit

hovit dhe solit

hirit e vesës..?.


*

Patericë dite.

 

Rrjedhë gjaku, ditë me paterica,

çelësi i dritës na doli mangut

torbat u nisën sa i mbushi

vetëtimthi ... mëditja.

 

Diku gjysmë, diku plotpërplot

Shpina e Erës...e thatë, grisur

në kockë mortja, përcjellja trokth.

 

Paterica pa ditë. Shpagu në rrjedhë,

të fismë në risk, rrjepur çdo venë.

 

A rripet vena ? C'na doli qorrth ?

Sy çark vdekja, Përcjellja trokth.

 

Çelësi i dritës u thye në gjoks...


*

Cifla gjumi 

 

Të tejdukshëm muret,

xhamllëqet tkurren

pa krisje e cifla

i ruajnë përmasat,

 

me krehje flokësh 

kukullat mburren

ca lajme tkurren 

shpifje ngathëta.

 

Papritur, u squllën kukullat

asnjë fëmijë afërith afër,

muret u ngrysën

sa dëgjuan

urdhëra

nga mbretër të rinj

vëllavrasës.

 

Gjumi me cifla plagos natën...


*

Gjethe sapo rënë nga kurmi

kush të mbajti kthjellët,

turbullti...?

 

Kush të deshi

tej të plogëtit?

 

Tingull kush të shojti ?...


*

Plevit

 

Nata kaloi natën me qetësi të frikshme,

drobitur përhera, me sjellje të sinqertë,

 

nata u bë më e vetëdijshme

për antenat e plevitosura

plot re hiç akcent.

 

Mesnata pa rend, e gjitha gatitu

me fshikullin e frikës në qafë,

me gushën e dhjamur

me mëndjen ligur

plot jargë.

 

Ç'faj ka mesnata gjitha plevitosur ?

ngrënëpangrënë, ç'të blejë, shes ?

Mesnata vesh' rreckat e sqotës

m'afrohet sy dhe gojë

nesër ka ndërmend

të vdes...

*

Shtator pa flutura.

 

I di të gjitha, i bëj të gjitha :

Nga nderi tek shkelësi,

nga koka tek krisja,

nga gjumi gjumthi

përhitja pupthi,

nga vera tek vraga,

nga maja e lapsit

tek i përshkunduri

nga fisi tek saga.

 

Nga flirti i gishtit

tek zona e rreptë

pa mjekrën e priftit.

 

Më falni u zgjata :

S'di asgjë, asgjë vetëtimthi

sa nisa të eci, t'i rralloj hapat...

*

Baltërash 

 

Lëvdoj dhe shaj katundet

venit prej gjysmëhënës,

balta vëngërt ngrys

rruga shojeve

t’veta shkulet

 

...mua më sheh shtrembër.

 

Lutem

Në krye të çdo rruge

përherë përtej xhamisë,

Ajo s'më mban mëri këtu

dhe as më tutje

në botën pa

kornizë.

 

Ç'faj kanë katundet,

rrugët rrokopuje

tek vojtja

llumëtirë

shkume ?

 

Dal prej xhamisë

që e kam tek vetja

 

Minarja më këputet

si të jetë kërthizë,...

 

në krye të çdo rruge

vjedhjet janë

të mençura

 

në sojin e ri t'hajdutëve

s'ka flamur të bardhë

po grisur, të pistë...

*

Flutura, krodhe 

 

Shtator pa flutura, pa flutura gjethesh...

Pyje, ju ende, në pëllëmbët tuaja

mbani ca nga çerdhet.?

 

Shtator pa ndihma, pa ndijime

për lagjet buzëthata

Kryqi vet bën

jetë më intime

rron dy parajsa.

 

Goja ... as krodhe.

Gishti lypës

s'ka fillore.

 

Shtatori pa fresk, me qafën djeg tjegull

përv’lon 30 gradë për t’gjallët e njomë

t'arratisurit me hile ... Ndjesë tretur.

 

Shtator pa flutura, pa flutura gjethesh

Varfëria, përhera, poshtë e përpjetë

minus nën minus kacavjerrje ngrin,

Kryqi - tokëqiell parajsash

asgjë s'dëgjon

ndonjëherë

as veten

s'ka vesh antene

në çastin intim...

*

Tipare 

 

Se si më duket, po m'afrojnë fundet

pa fundin e fundit me rreshkje, toç,


Troç :

më duket sikur qesh

më turbullti...

po të paktën qesh

me tiparet e mia

xhevahirë thinjoshë.

 

Se s'i më duket, sikur dalldisja do vrulle

pa nxitur këmbët të rrëzohen në çark,

Në fund t'fundit s'gëzohem turbullti

dhe as përhumbje mes zogjve

kraharoj lumnive pa frak.

 

Në fund të fundit

po rashë më shkundni.

Me tinguj ngjall kurmin.

 

Troç :

Në orën 24 lind

njomësht i lumnuemi

 

të tjerët shkojnë thinjoshë...

 

*

Antropolog

 

Nga mëdyshja do ndahem shpejti

do të marr më përpjetë, përposh,

Jetën e bëj me të djeshmit

dhe të ndjeshmit

si antropolog.

 

Nënkresa e gruas pa cikur kohësh

shpinë pas shpine flejmë në shtrat

Mesnata, vesh’ rreckat e sqotës

e vogëlth, tej drojës

hedh syrin mbi ne

me retinat tona

selitje përqark.

 

Jetëngratë më duken të hershmit

me tespije dhe çallma në kokë

Pa mëdyshje do shkoj

me të nesërmit që do

të zgjohen një ditë

nga një tjetër

antropolog.

*

Vjedhje

 

Mesnata rrëkëllen acarin që mardh

lëpin ngadalë ndonjë kokërdhok'

të varfërve do desha sonte

t'u jepja një kafshatë,

 

të pasurve t'ua vidhja

një hektar tokë.

 

*

Tundje zhgënjimi 

 

Delegat në delegacionin e fundit...

për të mbjellë pemë tek parcela

e etërve dhe tek mëmat

që ende kujtese

na tundin.

 

Delegat pa kravatë, kartë identiteti...

tek të vjetrit që anojnë nga hëna

tek të rinjtë teksa do ligjëroj

asgjë nuk ligjëroj unë

tek mendjefreskëtit.

 

Delegat për të dalë nga përmbytja

prej hajduti dhe plumbi, delegat

për të dalë nga burgu 20 vite

më i vogël,


anoj majtas

s'e gjej

gjallë pëllumbin

djathtas

shigjetë urdhëri

janë ngritur

çmimet

e shportës.

 

Majtas, djathtas anoj nga hëna

Të vjetrit t'i lë ?... S'i mbërrij

asnjëherë të freskëtit,

 

Kujtese, ende, na tundin mëmat,

zhgënjime ligjërojnë t’rreshkurit.

168 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page