Kino familjare
Një kino familjare
shumë e zverdhët
dhe pëshpëritëse
endet ende gjallë
më tepër vranët
se sa flladitëse
më gjatë bindje
sesa andrrallë.
Mëma ime
në kinematografi
hyri herët
vajzërore
e njomësht
tetëmbëdhjetë,
Roli i parë i saj
nga regjizorët
e një stili
të vetëm
përhera
pranvere dehës
(me sa rrëmoj sot)
iu besua tek filmi
"Frika e shpejtë".
Mëma
plot flutura fisnike
gjithçka vajzërore
prej Vlore bekuar
begatuar Vlore
ëndrra e hap
thua e gisht,
seria bardh e zi
prej drithërimi
mëmës
iu besua
shpejt
me skena intime
të guximshme
të dashurisë.
Im at rekas
djalosh i pashëm
ardhur nga mali
vrullni u dashurua
me vajzëroren
tetëmbëdhjetë,
Mëma ime
k'cente e lumtur
mugej e çelej
përsëmbari
në filmin më të ri :
"Dashuria të ndez".
Ne,
fëmijtë, asokohe
amatorë skene
brenda
vijave të bardha
role drite kthyer
në shtëpi
kodrinave
pa iu errur supet,
me sa mbaj mend
mend mbaj gjatë
gjithësitë bloje
të mardhura
në filmin
po bardhzi
" Përmbysje.”
(Veç, tjetër herë
do t’ju përcjell
fate të rëndë
diku jeh
jermë.)
..........
Secili sot
ka filmin e tij
të hershëm
pastër turbullt
kthyer pas
shtyrë përpara
diku më të qetë
diku prej rrëmuje,
ngjitur nga vetja
dhe të tjerët
me qeshje
nënqeshje
këputur ...
prerë
tutje.
Gjithçka jona, jo veç jona
sot përndrit tek kujtesa
Kujtesa përhitet thellë
ngahera prindërisht
me gaze, ca vrulle
ngjarje t’paepura
shpesh të ndjera
lumturi trishta
trishtuar lum
lumturisht...
Comentarios