top of page

Rrëfimi i Shpendi Topollajt ...


Rrëfimi i Shpendi Topollajt në 79 vjetorin e shkollës “Skënderbej”

 

 

Intervistë me gazetarin Aleks Kalemasi

 

 

  Pyetje: A mund të na thoni se kur dhe ku i keni kryer studimet ushtarake?

  Përgjigje: Së pari, më lejo t`u shpreh mirënjohjen për vëmendjen që tregoni për evokimin e ngjarjeve në ushtri dhe personaliteteve të ndryshme të saj në ato vite, pa i paragjykuar ata si “Lavdërues të kohës së shkuar”, siç e quante të metën e zakonshme të të moshuarve, poeti i shquar latin Horaci.

Kam qenë rritur dhe edukuar në një familje që e kishin të shenjtë dashurinë për vendin e tyre, si nga ana e babajt tim Hulësiut që ishte nga Kolonja, ashtu dhe nga nëna, Hatiqea që ishte nga Agallinjt e njohur të Vlorës. Im atë, qysh kur ishte fare i ri, në cinkografinë Kosturi në Tiranë, qe lidhur me lëvizjen revolucionare dhe ishte ndër partizanët e parë të çetës së Kolonjës dhe bataljonit partizan “Hakmarrja”. Pas çlirimit të vendit, ai shërbeu si oficer në qytete të ndryshme. Unë kujtoj me shumë mall ato shtatë vite që jetuam në Shkodër. Mua më kishin qepur një kostum oficeri dhe mendoni habinë, por dhe buzëqeshjen e kalimtarëve, kur shihnin një miniaturë katër - pesë vjeçare që kapardisej me çizme dhe një rrip krahqafë, ku më kishin ngjeshur një pistoletë të vogël, trofe nga lufta, por që patjetër nuk mund t`ia bënte bam. Sa njerëz të mirë kishte ai qytet. Ama këtu njoha dhe shokët e tim eti që ishin gjithashtu oficerë dhe më mbeti ndër mend sinqeriteti dhe dashuria mes tyre. Ata largoheshin shpesh me shërbime të gjata, por kurrë nuk ankoheshin për privacionet dhe vështirësitë e detyrës. Seç kishin brenda shpirtit të tyre një entuziazëm dhe besim, një zjarr do të thoshja, që nuk ishte shuar qysh nga koha e luftës. Në fund të vitit 1956 erdhëm në Tiranë dhe si mbarova shkollën shtatëvjeçare, në 1960 - ën më rregjistruan në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Isha vetëm 13 vjeç dhe s`mund të them se kjo ishte zgjedhja ime, pasi nuk mund të isha aq i pavarur në marrje vendimesh të tilla, por patjetër që për të më çuar atje, ka ndikuar edhe një thënie e gjeneralit homerik Petrit Dume, gjatë një darke në shtëpinë tonë se “Shpendin do ta dërgojmë në shkollën “Skënderbej” që të bëhet oficer i mirë si i ati”. Desha, s`desha, në gusht të vitit 1960, së bashku me një grup djemsh nga Tirana, u gjenda në derën e asaj shkolle, ku na priti një kapiten babaxhan e barkmadh që i kishte syzet rrathë - rrathë dhe që quhej Paskal. Fjalët e vetme të tij qenë “Këtu ku futët këmbët, u rënçin dhëmbët”. Tre muajt e parë ishin të vështira. Nuk isha larguar më parë nga shtëpia dhe sesi ndihesha, pavarësisht se prindërit vinin shpesh, kurse vëllai, Spartaku që ishte nja tre vjet më i vogël, vinte gati çdo ditë. Aty gjeta shokë të mrekullueshëm, ku do të veçoja Çlirim Pulajn, që duke qenë padagog në shkollën e oficerëve, ra së bashku me dhjetë djem të tjerë më 6 shkurt 1981, atje në Malin e egër të Meçekut, duke luftuar heroikisht me Ortekun e pabesë, për të shpëtuar shokët. Ai si të qe me shumë përvojë padagogjike, më qendronte pranë edhe pse ishte vetëm një vit para meje. Por në atë shkollë gjeta komandantë mjaft të mirë si Hasan Gjata, Refik Kuca, Kujtim Xhunga etj. dhe mësues që nuk e di se ç`dorë e artë i përzgjidhte, si Stavri Angjeli, Ismet Bellova, Gaqo Dilo, Gjylizare Ciço, Drita Hajro, Viron Cinxo, Viron Tane, Viron Pollo, Shpresa Shehu, Filip Tola etj. Akoma nuk ishte shuar jehona e virtyteve të Kadrijes, nënës së mikut tim Bashkim Koplikut, dhe mësuesve të mëparshëm, kur shkova në atë shkollë. Puna e tyre kujtohej me respekt brez pas brezi. Se kështu dhe ruhej tradita e mirë e asaj shkolle që vetëm emrin kishte “ushtarake”, pasi në të vërtetë ishte një gjimnaz, madje mund të them se gjithmonë renditej në krye të shkollave të mesme të kryeqytetit. Edhe sot emocionohem kur kujtoj mirësinë e kapter Nokes apo kuzhinierit, xha Qirjakos.

Në atë shkollë vinin ç`do ditë gjeneralët e ushtrisë që ne i shihnim si të ishin perëndi dhe luanin me ne. Kishim edhe një etje të pashuar për lexime. Librat i përpinim. Ata të verdhët i kalonim dorë më dorë poshtë bangave. Mund të ishin aq tërheqës, pikërisht pse ishin të ndaluar. Gjatë asaj kohe mësuam përmendësh Pushkinin, Lermontovin, Eseninin, Shevçenkon etj. dhe lexuam tërë shkrimtarët e shquar të Lindjes dhe të Perëndimit që ishin përkthyer te ne. Zhgarravisnim edhe vetë dhe kishim në çdo klasë këndin e Letrarit të Ri. Fillimisht, mendonim se pas marrjes së maturës, do të shkonim me studime  në Bashkimin Sovjetik. Kishim dhe korrespondencë me vajza ruse. Më kujtohet një Gala. Përfytyroja se si do t`i veja ta takoja atje në Voronezh. Kujtoja se do çmendej kur të më shihte. Por s`qe e thënë: një ditë të bukur, pamë nga dritaret e fjetoreve që binin nga shkolla e oficerëve, ca djem azganë, të veshur me uniformë marinari, me ca baseta të çuditëshme. Na thanë se ishin kthyer nga Leningradi, tani San Peterburg, pasi u prenë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se kishin mbajtur qëndrim burrëror. Ne i shihnim me admirim. Ishte dhe Fadil Hasa, Agim Kavaja, Pask Bacja, Vangjel Olldashi nga Durrësi, mes tyre. Kështu që shpresat për të shkuar jashtë u prenë. E mblodha edhe unë mendjen dhe pasi mora maturën, kërkova të vazhdoja studimet për oficer këmbësorie. Se kishte edhe degë të tjera si për aviacion, marinë etj. Na thonin se duke qenë gjitharmësh, bën karrierë. Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve është tjetër gjë. Këtu kishte dhe ngarkesë të madhe fizike. Kolonel Enver Begeja, komandant i asaj shkolle, ishte ushtarak i lindur dhe model për ne. Bënim stërvitje sa një herë edhe pse merresha me sport, te kodrat e Teqes Dede, më ra të fikët në stërvitjen që zhvillonte, major Ebehet Gorishti, edhe ai sportist i njohur. Më 28 Dhjetor të vitit 1966 u diplomuam dhe për të na i dorëzuar ato, erdhi vetë Sekretari i Parë i K.Q. i cili hëngri dhe drekën me ne. Ishim ca zemërthyer, pasi qemë të parët oficerë pa grada. Sesi na dukej. Pastaj ngushëlloheshim; këtu po i heqin ato gjeneralët e jo ne që nuk i patëm kurrë. Pavarësisht kësaj, brenda vetes e ndieja shtysën e thënies së Ç. Borgias (duka di Valentino) “Aut ceasar, aut nihil” që do të thotë “O Çezar, o asgjë”!

  Pyetje: Dhe ku keni shërbyer pas diplomimit?

  Përgjigje: Jo vetëm unë, por të gjithë shokët e mi njëzetvjeçarë, i besonim pa asnjë mëdyshje atij postulatit të vjetër “Si vis pacem, para bellum” që përkthehet “Po qe se do paqen, përgatit luftën”. Sipas staticienëve, që prej vitit 1495, nuk ka pasur asnjë kohëzgjatje 25 vjeçare që të mos ketë pasur luftë, përfshi dhe atë të vitit 1896 midis Zanzibarit dhe Britanisë që njihet si lufta më e shkurtër, pasi zgjati vetëm 38 minuta. Duhen përfytyruar situatat, madje dhe rreziqet që kalonte aso kohe Shqipëria. Kishin ndodhur konfliktet e Pasha Limanit, për të cilat ju keni shkruar. Kurse ne, na shtohej krenaria se kishim guxuar të mateshim me baloza, pra me flotën e frikshme ruse. Më pas kishim denoncuar Traktatin e Varshavës që ishte krijuar qysh më 14 maj 1955 deri sa dolëm prej tij në 1968 (de jure kishim dalë qysh në 1961). Titistët ishin gjallëruar kundër nesh, kurse Greqia kërcënonte me ligjin e luftës. Flota e gjashtë amerikane vërtitej në Adriatik me topat drejtuar nga brigjet tona. Të paktën kështu artikulonte propaganda. S`kaloi shumë dhe ushtria ruse, në 21 Gusht të 1968 pushtoi Çekosllovakinë, një vend që e kishte fituar pavarësinë qysh më 1918 dhe ishte shtet influent në bashkësinë e të vetëquajturave demokraci popullore. Sikur të mos kishte mjaftuar lufta e viteve 1946 - 1954, kur Franca pësoi disfatën e njohur në Dien Bien Fu, qe riçelur konflikti i ashpër Veri - Jugë në Vietnam, ku u përzienë edhe Sh.B.A. Këtu kërkohej të shtrëngonim radhët dhe të ishim optimist, pasi revolucioni proletar, nuk ishte më një aspiratë, por problem i shtruar për zgjidhje. Në këto kushte, ne ishim gati të shkonim kudo që e lypte interesi i Atdheut, pasi mendonim se perëndia e luftës, Aresi, tani nuk ishte më ai djali i bukur, gjysmë i zhveshur që na paraqiste Fidia në skulpturën e tij. Sidoqoftë, unë isha me fat; më emëruan te Plepat në Durrës, gjë që unë e prita me shumë dëshirë dhe prej të cilit nuk u ndava më.

  Pyetje: Dhe pse e pritët me kaq dëshirë. Si dukej Durrësi në syrin e një ushtaraku?

  Përgjigje: Dukej, ashtu siç duket edhe tani. Qysh në lashtësi e kishin quajtur Taverna e Adriatikut. Këtu ishin strehuar Brutusi, Agripa dhe në vitin 58 p.e.s. vetë Mark Tul Ciceroni i cili i shkruante mikut të tij Aristokritit se “Këtu në Durrës ndihem i sigurt”… Nja një vit shërbeva si komandant toge dhe sa herë që dilja në stërvitje me ushtarët te kodrat rreth Shkëmbit të Kavajës, meditoja për kohën kur ai quhej Shkëmbi i Petrës dhe si i tillë kishte hyrë në historinë e artit ushtarak, pasi aty qe zhvilluar beteja e famshme midis Çezarit dhe Pompeut. Hipja majë atij shkëmbi dhe u tregoja ushtarëve: Pas prishjes së Triumviratit të parë, në vitin 48 para erës sonë, Calpurnius Bibulus theu anijet e Çezarit dhe i dha mundësi zbarkimi 6 legjioneve të Pompeut që bënin gati 50.000 ushtarë. Po këtu, u detyruan të ndërrojnë drejtim edhe anijet e besnikut të Çezarit, Mark Antonit, i cili u drejtua nga Shëngjini. Duke e nuhatur rrezikun, Çezari kërkoi paqe dhe dërgoi në kampin kundërshtar Publius Vatinius, të cilin e priti Labienusi, por që nuk u arrit asgjë, pasi Pompeu deklaroi “Ne do të bëjmë paqe, kur ju të sillni kokën e Çezarit”. U pa se ndeshja qe e pashmangëshme dhe u desh tradhtia e dy frankëve, të cilët i treguan Pompeut pikat e dobëta të formacionit armik, që situata të kalonte në favor të Pompeut, derisa më 9 Gusht të vitit 48 u zhvillua beteja finale në Farsalë, ku Cezari me 22.000 vetë mundi Pompeun që numëronte 47.000 ushtarë dhe me një kavaleri shtatë herë më të vogël, dhe u përmbush në të kundërtën e saj profecia e Pompeut, duke i çuar në një kuti Çezarit, një ditë më pas, kokën e prerë të tij. Për këto histori, veç atyre që kisha lexuar nga botimet e paraçlirimt si fjala ven nga Plutarku etj. tani isha njohur edhe me veprat e Robert Etienne, Christian Meier, Zhorzh Wait etj. Më vinte inat, siç më vjen edhe sot e kësaj dite, që nuk kemi asnjë shenjë, qoftë dhe një pllakë përkujtimore mermeri  për këto ngjarje.

Pastaj nuk qe vetëm kjo. Këtu ka qenë me ushtri Robert Guiscardi, ai vikingu që ka të shkruar si epitaf të varrit të tij “Terror mundi”, pra “Terror i botës” dhe për të cilin Anna Comnena, e bija e atij perandorit të cilit ti Aleks i ke marrë emrin, pasi flet për forcën e madhe të muskujve të tij, thotë se “Asgjë nuk mund ta kthente nga planet e tij”. Ai dhe i biri, Bohemondi, disa herë e shkelën këtë qytet, pasi prej këtu zinte fill rruga për në Kostandinopojë. Këtu, ata provuan fitoren e 17 Qershorit të vitit 1081, por dhe humbjen e vitit 1105.

Pa u zgjatur shumë, të mos harrojmë se këtu u bë dhe rezistenca e 7 Prillit të vitit 1939.

Këto histori, në sytë e mij si ushtarak, por ndofta edhe si poet, kanë bërë që këtë qytet ta dua, ashtu si atë ditë kur u emërova si oficer i ri, plot me ëndërra.

  Pyetje: Dhe si të dolën këto ëndërra?

  Përgjigje: Për dy vjet, kam qenë pedagog me studentët që kishin mbaruar universitetin dhe kryenin kursin gjashtë mujor për oficer rezervë. Ishin vite të bukura. Punoja me shumë pasion e prej tyre kishe edhe ç`të mësoje. Po kujtoj ca emra: Faik Ballanca, Viktor Qurku, Luan Malltezi, Skënder Hyka, Skënder Nenaj, Elham Manaj, Orest Sinjari, Sazan Beja, Pajtim Ajazi, Kadri Dimni, Thoma Qendro, Anesti Petani, Zoi Ndrio, Lutfi Derveni, Ramazan Hushi, etj. etj. Pastaj u caktova shef i stërvitjes së Brigadës dhe më pas si kandidat Partie, më çuan komandant bataljoni në Shënavlash. Kam punuar me shumë përkushtim. I doja ushtarët dhe oficerët dhe kudo jepja shembullin personal. Kam pasur fatin që epror, kisha një njeri të rrallë si Xhemal Zeneli, prej të cilit kam mësuar shumë në jetë. Në këtë kohë, me pëkrahjen e një njeriu të mençur, të ndjerin Mehdi Ramohitos (që ka përkthyer romanet e mia në rusisht) i cili gjithashtu, kishte qenë skënderbegas dhe të heroit të Popullit Rrahman Parllakut, të cilit dikur ime më me gjyshen time Medije, i kishin shpëtuar jetën, më mundësuan vazhdimin e studimeve në Universitetin shtetëror të Tiranës, dega Drejtësi të cilin e mbarova në vitin 1976. Por…

  Pyetje: Gjithmonë ka një “Por”…

  Përgjigje: Zakonisht, por - et mbajnë dhembje. Ama jeta kështu është. Babaj im, duke qenë edhe ai jurist, qe larguar nga ushtria ku ishte oficer dhe ishte transferuar si prokuror i rrethit të Dibrës. Në Peshkopi kaluan shumë mirë. Me ndershmëri dhe korrektesë, ai fitoi dashurinë e njerëzve, sa e quanin dibran. Kishte punuar për një kohë shumë të gjatë, për një libër me kujtime nga lufta. Libri qe botuar në vitin 1965 me titullin “Partizanët e Gramozit”. Dhjetë vjet më pas, nisën sulmet; Pse ke shkruar për “armikun” Petrit Dume? Unë nuk jam aq parashikues që ta dija se ju do ta shpallni të tillë. Kam shkruar kur ai ishte kandidat i Byrosë politike dhe Hero i Popullit. Jo - i thoshin - ju i keni bërë mirë llogaritë; ke dashur të përgatisësh terrenin, t`i paraprish kësaj armiqësie. Pastaj e akuzonin se kishte zbutur luftën e klasave duke propozuar gjithmonë dënimet minimale. E kështu me radhë, të tilla budallëqe e poshtërsi, pas të cilave e përjashtuan nga partia, e shkarkuan nga detyra, deshën ta çonin punëtor në komunale, dhe të ndiqej penalisht. Nënën, edukatore në çerdhe e hoqën nga puna, vëllanë e degdisën nga gjimnazi ku jepte mësim në një humbëtirë. Edhe motrën gjimnaziste e përjashtuan nga shkolla. S`vonoi dhe vëllait i vunë hekurat. Me të u mor vetë ministri i Brendshëm dhe zëvendësi i tij, por për hir të rrethanave, pasi prekej dikush shumë i rëndësishëm nga deponimet e tij, pas ca ditësh e liruan. Kisha mbetur unë. Nga puna, nuk lija shkak të kapeshin, kështu që shfrytëzuan një libër që kisha lexuar nga prof. Rexhep Qosja i cili ishte me kritika letrare, ku flitej me shumë dashuri e vlerësim për Naim Frashërin. Po ku doni t`ia dinin inkuizitorët e zellshëm dhe m`u sulën. Nuk dua t`i kujtoj ato histori. Ca më shumë që këtu ka të tjerë që kanë vuajtur shumë më tepër dhe nuk ndihen. Por nuk mund të rri pa thënë se para kësaj situate, pra i turpëruar pa bërë asgjë, madje duke i dashur e duke u shërbyer, ai nuk duroi dot më dhe vdiq i goditur nga një hemorragji e rëndë cerebrale. Ishte vetëm 58 vjeç dhe kishte një kondicion të shkëlqyer fizik. Shikimin e tij, me ata sytë e bukur, gati më të shuar, tamam sikur na kërkonte falje për gjithë ato telashe, nuk kam për ta harruar kurrë. Për të kam shkruar romanin “Zhgënjmi i Partizanit të Gramozit”. E di që kundështarët e atij sistemi kanë vuajtur shumë. Por fundja e fundit ishin të ndërgjegjshëm se nuk i donin, ndaj dhe e kishin pësuar. Por kur dënohej ai që i kishte kushtuar jetën atij ideali, dhembja ishte dyfish e madhe, se në mes ishte dhe zhgënjimi. Falë një letre që dërgova, e cila e gjeti në orë të mira Kryeministrin që ishte dhe ministër i mbrojtjes, mbeta në ushtri si komandant kompanie dhe në një repart të largët, ku për njëzet vjet kam shkuar e jam kthyer në këmbë çdo ditë dhe kam bërë rrugë sa për t`i rënë globit nja dy herë vërdallë në këmbë. Njeriu e gjen mundësinë dhe forcat për të kapëcyer çdo pengesë. Edhe brengat e shpirtit sikur zbuten në punë e sipër. Njëkohësisht, shpesoja si romantik, se dikush do ta kuptojë pafajsinë time. Reparti ishte model. Organizoja dhe demonstroja lloj - lloj stëvitjesh, mësime treguese, veprimtari kulturore e ku di unë, por askujt nuk i binte mendja për pafajsinë time. As emri nuk më zihej në gojë, kur shkruante shtypi ushtarak për to. Më vunë ushtarë për të më survejuar, por ata vinin e më tregonin. Bënë dhe kontroll në shtëpinë time dhe kjo ishte shumë fyese, pa folur për një ndjenjë ankthi që kjo ndikonte tek unë dhe familja ime. E pashë se nuk flitej më për realizim ëndërrash. Bëhej fjalë për mbijetesë. Dhe unë mbijetova. Fitorja më e madhe është dashuria dhe respekti që kanë njerëzit për mua. Fundja, nga ato plenumet që sot duken qesharake, e pësuan sa e sa familje. Vajzat e mira të Petritit, pasi u pushkatuan babanë, së bashku me të mirën dhe të bukurën nënën e tyre Dodonë, i internuan. Vetë shpirti i tyre e di se ç`kanë hequr atyre kanaleve ku i dertyronin të punonin nga mëngjesi në darkë. Si e bëri komandanti “legjendar” këtë katrahurë me shokët e tij? Nuk ka filozof e psikanalist që ta gjejë përgjigjen. Makiaveli do të kishte qenë me fat, sikur ta kishte njohur.           

Mllefi brenda meje sa vinte e rritej. Por unë e shihja pak më gjerë problemin. E jetoja mjerimin e fshatit, dekreshendon e tij ekonomike e shpirtërore. Skllevër, pak t`i quaje. I shihja se si i përzinin e i fyenin, kur si me turp, kërkonin të blinin në qytet një bukë gruri për fëmijët e sëmurë a plakat pa dhëmbë. Dënoheshin njerëzit për një fjalë goje, vetëm pse thoshin të vërtetën. Dhe mua nuk më rrinte as goja rehat; flisja hapur me këdo dhe përveç disa këshillimeve, nuk e thelluan më tej ndëshkimin tim.

  Pyetje: Po proçeset demokratike si i ke përjetuar?

  Përgjigje: Ishte një njeri i mirë që quhej Adem Meta (edhe ai skënderbegas dhe për të cilin kam shkruar nja dy libra) dhe që banonte këtu në Durrës, i cili e gjeti një mundësi aty nga pragu i vitit 90, që të më transferonte me rininë shkollore. Kisha shkollën e mesme bujqësore të Golemit dhe ai kolektiv e di mirë se si i prita unë proçeset demokratike. Nuk ia vlen të flasësh për këtë, por di të them se i veshur oficer, kam qenë te greva e qytetit Studenti, te rrëzimi i shtatores të diktatorit, te varja e bustit tjetër në Durrës po atë ditë dhe kam përcjellë dhe jam bashkuar me turmat e irrituara të protestuesve në rrugët e qytetit, së bashku me time shoqe. Krijimin e pluralizmit e kam mbështetur me një sërë artikujsh në shtyp, në atë shtyp ku dikur nuk mund të më përmendej as emri. Është ky qëndrim i imi që zgjodhën pikërisht mua, në detyrën e shefit të seksionit ushtarak në Këshillin e Rrethit, ku zëvendësova mikun tim, oficerin tejet të talentuar Lutfi Shehu që e kam dhe protagonist të romanit “Lotët e Zambakut”, me nëntitull “Fate Oficerësh”. Pallati i kulturës “A. Moisiu”, radio - televizionet dhe gazetat, pa folur për librat e mi që janë rreth 70 - 80 të tilla dhe në të gjitha gjinitë, ashtu si të gjithë ata që më njohin, dëshmojnë fare mirë qëndrimin tim në favor të demokracisë dhe të lirisë së mendimit. Tani këto janë gjëra të tejkaluara; rëndësi ka të kuptojnë ata që se dinë se ç`u bë me këtë vend për hir të lavdisë së një diktatori dhe të manifestohet gjithmonë fisnikëri e jo hakmarrje, se fundja ne jemi të gjithë shqiptarë.

Si u largova nga ushtria, për gati njëzet vjet ushtrova profesionin e juristit, por kam mbetur po në atë dhomën e kuzhinën, tek e cila fillova jetën.

  Pyetje: Ju jeni dhe nënkryetar i shoqatës kombëtare “Skënderbegasi” dhe për mbi 25 vjet keni qenë kryetar i kësaj shoqate për Durrësin. A mund të na flisni pak për 79 vjetorin e krijimit të shkollës tuaj?

  Përgjigje: Nuk më ndahet shpirti nga ushtria, sido që më vajti filli. E ke parë që nuk ndahem asnjëherë nga ish skënderbegasi kolonel, doktor i shkencave Novruz Zejnati? Për atë shkollë bisedojmë. Për shokët tanë, për mësuesit tanë. Atje kalova vitet e gjata që më mbushën me krenarinë e të qenurit shqiptar. Nuk më vjen mirë kur dikush gabimisht dhe pa u menduar gjatë i fyen apo përbuz oficerët. Ata mbajtën një peshë të madhe para atdheut dhe popullit të tyre. Politikat i bënte dhe i ndiqte tjetër kush. Ata ishin bij të denjë të këtij vendi. Atyre që mendojnë ndrysh, më vjen t`u them: O miq të dashur! Nuk është aspak ashtu si thoni ju. Madje është krejt e kundërta: oficerët janë vëllezërit tuaj që edhe sot, nuk kursejë asgjë po qe nevoja për këtë popull.

Shkolla “Skënderbej” u krijua më 28 Mars të vitit 1945. Sot, në kushtet e reja, si në teatrin antik, duhet thënë: “Acta est fabula” (Shfaqja mori fund). Por nuk ka marrë fund kontributi i saj në interes të Shqipërisë. Nga ato banga dolë mijra e mijra kuadro të spikatura të ushtrisë që organizuan, stërvitën dhe drejtuan një ushtri që për kuriozitet po u tregoj se kishte: 90.000 forca aktive, 350.000 rezervistë, 300.000 vullnetarë, 6.760 gryka zjarri, 4 nëndetëse, 1.100 tanke, 150 avionë, një pafundësi armatimi këmbësorie dhe municionesh etj. Po ashtu, një punë kolosale u bë për fortifikimin e vendit, pavarësisht teprimeve që nuk ishin në dorë të tyre, por të politikës megallomane dhe absurde që ndiqej.

 Ajo shkollë ka nxjerrë rreth 700 poetë, shkrimtarë, historianë, përfshi dhe Minush Jeron tonë, rreth 120 doktorë shkencash dhe prof. doktorë, si Ali Kuqo me shokë, mbi 100 mjeshtra sporti dhe Mjeshtra të merituar sporti, që nga legjendari Petrit Murzaku e deri te mbajtësi i më shumë se 130 rekordeve kombëtare Faruk Kalleshi. A ke dëgjuar ti i dashur mik, për trajnierin tonë të madh dhe njeriun e papërsëritshëm Ali Kastrati që nuk jeton më? A e di se nga duart e tij kanë kaluar mundësa, boksierë, peshëngritës që ia kanë lartësuar lavdinë atdheut? I njeh ti Rami Sadushin, Et`hem Ibrahimin, e deri shokun tim Françesko Fioren që kam bindjen se do të sfidonte dhe Oskar de la Hojën në boks. Po Isa Taren, Petrit Casllin, Veliçan Golemin, Niko Telin, Suvorov Nikollën, Bashkim Likën e shumë të tjerë që kanë dalë vite e vite kampionë. Po portierët e kombëtares tonë Perlat Musta, Mikel Janku, Artur Lekbello me shokë a e di se kanë dalë po nga kjo shkollë. Nuk kishte sesi të ngjiste ndryshe, pasi në mjediset e asaj shkolle, zhvillohej një veprimtari e pa imagjinueshme, kulturore, artistike e sportive.

  Pyetje: Mesa di edhe vetë ti ke qenë me ekipin e mundjes?

  Përgjigje: Ashtu është. Për disa vjet kam përfaqsuar me sukses ekipin e të rinjve të Partizanit, por duhet ditur se çdo skënderbegas merrej me një sport. Dhe kjo më ka ndihmuar shumë në jetë.

Përsa i përket organizimit të këtij përvjetori, do të festohet sipas degëve, kurse për 80 vjetorin do festohet me madhështi në kryeqytet. Të mos harrojmë edhe serine e librave “Skënderbegasit ndër vite” të autorëve të palodhur Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla. Dhe madhështia qëndron te çiltërsia me të cilën takohemi, çmallemi dhe kujtojmë punët tona në interes të atdheut dhe pse jo edhe çapkënllëqet e asaj kohe. Kemi pasur përkrahjen e autoriteteve të larta shtetërore dhe Presidenti i atëhershëm i Republikës zoti Ilir Meta i akordoi shoqatës tonë titullin “Nderi i Kombit”. Në mbarëvajtjen e asaj shoqate ka luajtur një rol të madh dr. shk. kolonel në rezervë Mikado Shakohoxha, punë që e vazhdojnë të nderuarit Dhanil Raveli dhe Rifat Marsela.

  Pyetje: Ju me datën 14 shkurt keni pasur dhe ditëlindjen tuaj të 77 - të. A ka qenë fat për ju që keni lindur këtë ditë të shënuar që u kushtohet të dashuruarve?

  Përgjigje: Tani dolëm pak nga tema. Më duhet të flas si shkrimtar e jo si ushtarak. Se atëherë, as që e dija s`e ç`përfaqësonte kjo datë. Kurse tani kam shkuar kur isha në Itali për lumturimin e Nënë Terezës, deri në Terni, qytet jo i madh i krahinës së Umbrias, për të parë vendin e Shën Valentinit. Kam shkruar disa libra me poezi dhe në ato lirika që edhe i kam quajtur “Gjithë dashuritë e mia” ia kam dhënë përgjigjen pyetjes tuaj. Madje shoqata “Skënderbegasi” që botoi librin e shkruar për mua të titulluar “Të shkruash në liri… (SH.T. poeti, prozatori, kritiku, Njeriu)”, (se deri tani janë shkruar pesë të tillë), i cili u botua falë bujarisë së një tjetër oficeri, tani biznesmen i dëgjuar, Ferdinand Ibrahimi, kanë vendosur mbrapa kopertinës, vargjet e mia:

                            S`dua t`ia di se erdhi fundi

                            Se fundja kot s`më vajti mundi

                            Se dashurova gjithë bukuritë

                            Dhe zbukurova gjithë dashuritë.

Por, për ta mbyllur me nder këtë intervistë, lejomëni t`u them, se pavarësisht dërdëllitjeve të mia poetike, dashuria ime e vetme, mbetet gruaja ime Tatjana që më dhuroi aq gëzime, pa më gjykuar për andrrallat dhe brengat që pa asnjë faj dhe krejt pa dashjen time, i shkaktova.

  Pyetje: E mbyllim, pasi të mund të na flisni pak për kthimin e çmimit “Pushkin” akorduar nga LSHA e Rusisë.  

  Përgjigje: Para shtatë vjetëve ma dhanë atë çmim, pasi në Rusi qenë botuar pesë nga librat e mij. Kushdo do të ndihej i vlerësuar nga ky çmim, por kur LSHA e Rusisë heshti për agresionin barbar të Putinit mbi popullin e Ukrainës, nuk mund të krenohesha me ata që ma dhanë, pasi me atë heshtjen e tyre, ata ose e miratonin atë luftë ose ishin frikacakë. Në të dy rastet më duhej të reagoja, duke e kthyer atë, si protestë e intelektualëve shqiptarë. Ky fakt njihet dhe nuk po zgjatem më tej. Më ka mjaftuar nderi që më është bërë duke më dhënë titullin “Naim Frashëri” në vendin tim. Shtoj se me artikujt e mij nuk kam reshtur së shkruari e botuari edhe në shtypin e përditshëm, me tregime e kritika letrare, por edhe me publicistikë rreth problemeve që shqetësojnë sot shoqërinë dhe sidomos Kombin tonë.       

   Pyetje: Dhe me qenëse jeni autor i mbi 75 librave në të gjitha gjinitë e letërsisë, a mund të na thoni se çfarë keni aktualisht nëpër duar?

   Përgjigje: Sapo kanë dalë nga shtypi librat me publicistikë “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët” dhe “Kosova është Shqipëri” dhe po dërgoj për botim një libër me kritika letrare dhe një me tregime. U faleminderit!

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page