top of page

Rrugëtimi profesional i suksesshëm i Muharrem Kokonës


HOMAZH

Në vitet 1991-1993 punoi si drejtues në komisionin për gjetjen e eshtrave të të vrarëve gjatë komunizmit

Rrugëtimi profesional i suksesshëm i Muharrem Kokonës

Halil RAMA

· Cilësitë dhe virtytet e tij të admirueshme si, ndjenja e përgjegjësisë morale dhe shoqërore, dashuria për njerëzit, kolegët, respekti dhe vlerësimi njerëzor, edhe për vartësin më të vogël e ushtarin më të thjeshtë, e bënte Muharremin një mik e shok besnik, epror luajal, kuadro të aftë dhe shërbëtor idealist i moralit të tij të pastër, i popullit dhe i atdheut

Nuk është e lehtë të shkruash për njerëzit e mendjes dhe të punës, për ata që flasin me autoritetin e dijes dhe që tërë jetën ia kushtuan atdheut, duke shërbyer në skajet më të largëta të tij. I tillë është rasti i Muharrem Kokonës, të cilit i kushtohen këto radhë.

Muharrem Kokona lindi më 14 janar 1939 në Hormovë të Tepelenës. Në vitin 1956 mbaroi shkollën Harry Fultz me rezultate të shkëlqyera. Në vitet 1957-1958 ishte shef seksioni i arsimit në Burrel. Në 1959 filloi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Moskës ku shkëlqeu si student. Atje u zgjodh sekretar i rinisë për studentët shqiptarë. Me mbarimin e studimeve u kthye në atdhe, ku u emërua pedagog në Akademinë e Ministrisë së Brendshme. Në vitin 1967 u emërua Komandant i Kufirit për zonën Gjirokastër-Korçë.

Për disa vite mbajti detyrën e Komandantit të Batalionit të Sigurimit në Ministrinë e Brendshme.

Në vitet 1991-1993 punoi si drejtues në komisionin për gjetjen e eshtrave të të vrarëve gjatë komunizmit. Muharremi është dekoruar disa herë me tituj dhe urdhra nga Kuvendi Popullor për punë me ndërgjegjje të lartë dhe ndershmëri në kryerjen e detyrave. Ai ka dhënë një kontribut të veçantë në konsolidimin e strukturave ushtarake të Shqipërisë, duke u përfshirë si udhëheqës ushtarak kryesor, për atë kohë. Rrugëtimi i tij profesional ishte i suksesshëm, por edhe i vështirë e delikat, duke pasur parasysh kohën dhe kushtet ku ai zhvilloi aktivitetin e tij. Por, cilësitë dhe virtytet e tij të admirueshme si, ndjenja e përgjegjësisë morale dhe shoqërore, dashuria për njerëzit, kolegët, respekti dhe vlerësimi njerëzor, edhe për vartësin më të vogël e ushtarin më të thjeshtë, e bënte Muharremin një mik e shok besnik, epror luajal, kuadro të aftë dhe shërbëtor idealist i moralit të tij të pastër, i popullit dhe i atdheut. Të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë punuar me të, do të ruajnë në kujtesë tonin e tij të shtruar, të shprehurit e qetë e të kulturuar, në një gjuhë të kulluar e të pasur, rezultat leximesh bibliotekash të tëra, çka e bënte komunikimin me të një ëndje më vete. Ishte kënaqësi të pije një kafe me të; një kafe të shpejtë në kafenenë e punës, një diskutim a problem profesional, një rrëfim halli mes shokësh, një ndarje brenge a gëzimi familjar... Muharremi ishte gjithmonë aty, bashkë me qetësinë e tij olimpike, ndihmues e mbështetës, fjalëëmbël edhe në heshtje, i gatshëm për të qarë me ata që qajnë dhe për të qeshur me ata që qeshin.

Më 21 nëntor 2022 Muharrem Kokona ndërroi jetë duke lënë në pikëllim familjen e tij të nderuar, shokët, miqtë, ish-kolegët, bashkëpunëtorët dhe bashkëudhëtrët në rrugëtimin e tij në një jetë të përmbushur me nder e sukses.

Të qoftë i lehtë dheu, komandant Muharremi!



334 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page