Rruga „Et'hem Haxhiademi“
Nga Fatmir Terziu
Fati fle në rrugën „Et'hem Haxhiademi“
heshtazi e vizitojnë herronjtë mitikë
ditën kumuritë s'lëvizin nga vendi
natën luajnë famën e madhe tragjeditë.
E dinë se aty jeton babai i tyre
Ulisi, Akili, Leka, Pirroja, Tri të tjerët
tek Porta e Kalasë u hedhin ujë syve
pasi flenë vonë dhe ngrihen herët.
Herët zgjohen „Bukovilet“ e Virgjilit
dhe me një timbër thuajse legjendar
bukuroshet dalin vendit prej idilit
shohin kush e hedh këmbën e mbarë.
Pra në vend të një hije të patrupëzuar,
letërsia përsëri përjetohet në jetën tonë.
Hapi jonë gjatë rrugës duke përkujtuar,
emetohet të mos harrohet në asnjë kohë.
Kohët në rrugën „Et'hem Haxhiademi“,
udhëtojnë me dashuri mbi libra pa e ditur
se autobusët përcjellin dhuratën që e kemi
vetëm në artkrijimtarinë e tij të ndritur.
Rreth orës terr kur qyteti del në dritare
përgjatë në rrugën „Et'hem Haxhiademi“,
dëgjoj dihamat për tragjedinë e madhe
aty pastaj edhe asfalti shkulet nga vendi.
Pra „E'them Haxhiademi s'ka vdekur
mendon si një letrar i rangut më të mirë.
Për një vepër që gjysëm i ka mbetur
në mes të rrugës së madhe në errësirë.
Nëse ndodh që dikush rishtas të kërkojë
në adresën e tillë të pavdekshme të artit,
një përgjigje prej lartësisë ulet të bekojë,
legjendarin që shkel në këtë rrugë të fatit.
Dhe aty thuhet pa asnjë dyshim më në fund
s'ka fund në rrugën „Et'hem Haxhiademi“
me rebusin e kohëbesimit tonë që s'u tund
përjetësohet më i madhi i letrave që kemi.
Comments