top of page

Rrethanat që „ndikuan“ tek këngët e Myzyrit




Rrethanat që „ndikuan“ tek këngët e Myzyrit

(Me rastin e 67 vjetorit të vdekjes së artistit të madh elbasanas)


Prof. Dr. Fatmir Terziu


Skena të ndryshme profesionale dhe amatore ndër vite janë ngritur në këmbë me këngët e usta Isuf Myzyrit. Këngët e tij i kanë kënduar Marie Kraja, Afsa Zyberi, Fitnete Rexha, Zeliha Sina, Albert Tafani, Demir e Medi Zena, Albert Tafani, Tahir Gurakuqi e mjaft të tjerë në Kosovë e trevat e tjera etnike shqiptare. Këngët e tij kanë qenë dhe një shtyllë frymëzimi edhe për mjaft kompozitorë dhe krijues të të tjerë në vite. Ai njihet mes të tjerave dhe si një konsolidues i formës së këngës popullore shqiptare, ku në këngët e tij ka një hyrje orkestrale (introduksion), një hyrje që të ngre në këmbë, emocionon dhe në përgjithësi strofa dhe refreni që përsëriten thuajse dy herë. Forma strofike, si tek „Më mir' n'pyll se n'qytet“ është një shembull për këtë. Intervalet zbritëse japin një strukturim model. Modet mazhore dhe minore dallohen si modele të këtij ustai. Kështu ato janë mes asaj që quhet harmonike dhe melodike. Kjo ishte dhe mbetet ende një nga pikat ku të adhuruarit e muzikës dhe këngëve të tij nuk shkuan përtej fakteve, jetës dhe asaj që në disa pika e bënë vetë artistin të shkonte përtej vetvetes, përtej lirisë së kngës, shprehisë dhe mesazhit.

Lufta kundër pushtuesit fashist dhe nazist, rënia e dëshmorëve Myzyri, vëlla e motër, ardhja e komunistëve në pushtet me Enver Hoxhën në krye e bënë atë që të kthej tekstin evetë lirik në një kënd tjetër. Ai shkroi dhe këndoi edhe këto këngë, që natyrshëm populli dhe dashamirësit e tij i harruan:

„Për gjyshnit e parë qe Skënderi,

si trim e burrë, ai luftoi.

Për ne sot ësht' Enveri

Shqipërinë e lirë e zbukuroi.


Rroftë Enveri dhe rinia!

Për Shqipërinë kanë punue,

i përmend dhe historia

vepra e tyre s'ka t'harrue“.


Ai foli në rrethana të panjohura për këtë këngë, dhe për këtë tekst që në vjershën e tij ia kushtoi Enverit. Më parë ai krijoi tekste për Luftën Nacionaçlirimtare, si kjo:

„Ju dha lajmi gjith Ballkanit

për trimërinë e shqiptarëve,

si Italisë dhe gjermanit,

ju dha dërma gjith barbarëve“


Dhe tjetra:


„Krisi pushka n'breg t'Erzenit,

tue luftue djelmënia,

pa mëshirë bini qenit,

të lirohet gjith Shqipnia.“


Më parë Myzyri krijoi tekste kundër „pasanikëve“ dhe tekstet e tij kishin një formë krejt ndryshe nga ato që i këndonin vetë të pasurit:

„Pasanikët kanë bajram,

gjith' të mirat atje u dhanë,

disa në burg e në zindan,

të vobektit s'kanë buk' t'hanë.“.



Kjo ndoshta ngaqë ai e shfaq veten në dëshpërim tek kënga „Si mësova un' garibi“, të cilën e nënkuptojmë si mjerim personal, si një braktisje nga ata që duhej ta ndihmonin:

„Për të gjithë njerzit ka dit' vere,

Dimri im s'ka të mbaru“.

Sidoqoftë, karakteri melodik dhe optimist i këngëve të Myzyrit, duke përjashtuar disa të krijuara nga situatat e panjohura, e të interpretuara ndryshe, duket se i dha arsyen më të madhe të jetë një nga prijësat e këngës popullore shqiptare. Tek këngët „Errësir' e pyllit“; „Dashnia si rrufe“; „Midis vetllash ke nji pikë“ etj e bënë edhe vetë diktatorin ti këndojë ato, sipas rrëfimeve të atyre që i qëndruan afër. Për këtë tregojnë se kur e raportuan për disa tekste atje lart tek Enveri, ai vetë vendosi ta lërë të qetë në një pleqëri të vetmuar, deri sa ndërroi jetë më 21 tetor 1956. Ai u nderua vetëm pas vdekjes me titullin e lartë „Artist i Popullit“.

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page