INTERVISTË ME JURISTIN SHPENDI TOPOLLAJ RRETH ZHVILLIMEVE
NË ORGANET E DREJTËSISË
Nga Luan Jaupi
Pyetje: Lexuesit janë mësuar t`u shohim si shkrimtar, por unë desha t`u bëj disa pyetje si jurist i vjetër që jeni, rreth reformës në Drejtësi që po bëhet te ne dhe që ka ngjallur shumë debate dhe dyshime. A mund të prononcoheni për këtë?
Përgjigje: Patjetër. Jam gati t`u përgjigjem, por gjithmonë sipas gjykimit tim.
Pyetje: Me dy fjalë a mund të na thoni se cila është përvoja historike e drejtësisë.
Përgjigje: Nuk mjaftojnë dy fjalë, por do përpiqem. Ma do mendja se qysh nga koha e Ligjeve Manu, ato të Hamurabit, Kodet e Justinianit (Codex Justinianus), se kështu i mbeti emri, paçka se ato i përpunoi juristi erudit e nopran Triboniani, e deri në ditët tona, problemi nuk ka qenë te formulimi, por te zbatimi i tyre. Sa shembuj të ngjashëm dhe të turpshëm ka në histori si ai i vitit 1590 kur mbreti Xhejms i Parë i Skocisë, ngaqë desh u mbyt teksa lundronte si pasojë e një stuhije, nisi gjyqet kundër Agnes Samsonit me shoqet “magjistare”, se gjoja i kishin bërë magji dhe nëpërmjet gjyqtarit shërbëtor Roxher Nouell i çoi ato fatkeqe në turrën e druve. Patjetër jo të gjithë kanë qenë Roxhera dhe shtetet për të gjykuar kudo kanë caktuar më së shumti njerëz të mençur dhe me integritet profesional. Mjafton të përmendim se në Romën e vjetër, nuk mund të zgjidheshin gjyqtarë ata që nuk kishin mbushur pesëdhjetë vjeç. Se gjyqtari gjithmonë ka qenë i rëndësishëm në një shoqëri. Mirëpo, përsëri askush nuk mund të thotë se historikisht gjithçka ka ecur ashtu siç duhej. Mjafton të kujtoj rastin e Risheljesë që i sugjeronte gjyqtarit të pashpirt Labordmo: “Më jepni dy rreshta të shkruara nga një njeri të cilin do e bëjnë të pafajshëm, kurse unë do të gjej argumente për ta dënuar me vdekje”. Ose, mos të shkojmë larg; lexoni A. Sollzhenjicinin te “Arkipelagu Gulak” dhe atje do shihni sesi ishte katandisur drejtësia. Organet e Drejtësisë kanë qenë pak a shumë në shërbim të të fortit, ose të pushtetit.
Pyetje: Edhe te ne, pak a shumë kështu ka ngjarë apo jo?
Përgjigje: Ndofta më keq. Këtë e kemi vuajtur edhe ne, veçanërisht në kohën e diktaturës komuniste, ku prokuroritë dhe gjykatat kanë qenë leva të verbëra të Partisë apo të tekave të udhëheqësit kryesor. Koha e juristëve si ai i kolonel Erebarës që dha dorëheqjen për të mos iu bindur ndërhyrjes së vetë mbretit, për të dënuar me vdekje nënoficerin që kishte vrarë majorin që e fyeu rëndë, kishte perënduar. Puna, pas vitit 1945 shkoi deri atje sa masa dragoniane merreshin si me gjyqe fallco ashtu edhe pa gjyqe, ndaj njerëzve të pafajshëm. Dhe ajo shtrihej deri te familja, të afërmit e miqtë. Janë shkatërruar jetë njerëzish këtu dhe e gjithë kjo kaloi lehtë. Këtu nuk ka nevojë të zgjatemi se nuk ka njeri që të mos i dijë ato që kanë ngjarë.
Pyetje: Po pas viteve 90 - të si u veprua me juristët, pra me prokurorët, gjyqtarët, hetuesit…?
Përgjigje: U ndërrua një sistem i tërë. Shpresat u ngjallën kur sistemi komunist theu qafën dhe menduam se erdhi demokracia e vërtetë që kishim ëndërruar. Të burgosurit politikë, ata që u kishin pushkatuar baballarët, por dhe ata mijra që kishin vuajtur e ishin përbuzur internimeve fituan lirinë dhe nuk mund të besonin te shndërrimi, kur të shihnin po ata që i kishin katandisur ashtu. Kjo solli dhe nevojën e përgatitjes së përshpejtuar të juristëve të rinj që është bërë zakon të quhen në mënyrë pezhorative “Të kursit të Plepave”. E kishin kryer nga një fakultet dhe nuk vinin nga hiçi. Kam punuar me ta dhe them që ishin seriozë e të ndershëm. Nuk ka pse të fyhen e tallen nga ata që nuk i kanë njohur. Pastaj, shumica e tyre fillimisht ndihmësgjyqtarë ishin dhe duar - duar jo vetëm fituan përvojë por edhe studionin shumë dhe vazhduan arsimimin profesional të tyre të mëtejshëm, deri në shkollën e Magjistraturës. Por edhe këtu, nga ana e politikanëve, sipas interesave të tyre, nisën sulmet frontale që krahas zullumeve që u bënë, pasi nuk diskutohet se ka pasur vendime të padrejta dhe korrupsion, autoriteti i gjykatave në sytë e popullit, u shëmb fare. E vërteta është se edhe vetë gjyqtarët e prokurorët, nuk patën burrërinë të ngrenë zërin, por u strukën dhe lanë përshtypjen e mëkatarit. Dhe këtu u futën të gjithë në një thes. Sidoqoftë, gjendja duhej përmirësuar patjetër dhe në vazhdimësi.
Pyetje: Po a u zgjodh rruga e duhur, nga e cila suksesi të jetë i garantuar?
Përgjigje: Po t`i referohesh “Fedoni” - t të Platonit do shohësh se te pjesa e fundit, ai i referohet Sokratit, duke e quajtur atë njeriun më të mirë, më të urtë e më të drejtë. Por të tillët nuk kemi se ku t`i gjejmë. Ti pyet nëse është ajo që u zgjodh rruga e duhur për ta ndrequr përfundimisht drejtësinë tonë problematike. Po pse, beson ti se nga këta “mëkatarë” do ndërtohen nga e para, dhe me mendësi krejt të reja organet e drejtësisë tonë? Këtu mesa dukej nuk ishte fjala thjeshtë te dhënia e vendimeve të padrejta, por edhe te synimi për t`i vënë nën kontroll ato. Në parim askush nuk mund ta kundërshtonte këtë. Të gjithë shqiptarët i donin gjykatat dhe prokuroritë të paanshme dhe të pavarura. Dhe për të mbërritur deri këtu, pra, për të bërë atë që u quajt Reforma në Drejtësi, u gjet si zgjidhje Vetingu. Me kërkesën në formë presioni të ndërkombëtarëve, fillimi i saj u miratura me 100% të votave në Parlament. Mirëpo, u zgjat si shumë ky pastrimi utopik i këtyre organeve. Kjo mesele që po zgjatet tej parashikimeve, e parë nga largësia e disa viteve, natyrshëm që bën të lindin disa pikpyetje e dyshime.
Pyetje: Dhe a mund t`i rendisni shkurtimisht ato?
Përgjigje: Pikë sëpari, si mund t`i lihet kjo punë në dorë të huajve? Kaq të pazot qenkemi vetë ne shqiptarët? Po a nuk kemi plot juristë me përvojë që kanë studiuar brenda dhe jashtë vendit dhe që e duan Shqipërinë më shumë se kushdo ambasador a nëpunës i huaj? Ata nëpunësit janë të interesuar të rrinë sa më gjatë këtu se nuk u del keq nga çdo anë. Po ku e njohin mentalitetin, psikologjinë dhe trashëgiminë e popullit tonë ata që janë vrojtues kalimtarë te ne? Vërtetë besojnë ata se drejtësia supreme mund të dekretohet nga jashtë? Edhe revolucioni komunist sipas ideve të Çe Guevarës, nuk funksionoi kështu. Dhe ki parasysh, se kjo është e qartë si drita e diellit, ndërkombëtarët djallëzisht, duke e shpartalluar opozitën, ja arritën që drejtësia jonë e re të kapet nga njëri krah. Opozita e hallakatur që dje nuk linte llaf pa thënë e sharje pa bërë për vetingun e hiletë e ndërkombëtarëve, sot e voton si tufë delesh kokëulur zgjatjen e afateve nga frika e tyre ose për problem liderësh. Pasta, si mund të vendosin drejtësi ata juristë që do kryejnë me ndërgjegje të lartë detyrën e ngarkuar, përkundrej pagave shumë të larta dhe një pafundësie favoresh që i kushtojnë një djall e gjysmë buxhetit të shtetit? A ka pyetur kush se nga dalin paratë që do t`u jepen atyre; vallë nuk jemi ne që do do t`i paguajmë ata? T`i paguajmë ne të varfërit që nuk kemi bërë asnjë faj, ata që i paskan paguar deri dje fajtorët e vërtetë? Mos po krijohet mendimi i gabuar që nëpunësve të tjerë të administratës tonë që i kanë rrogat jo të larta si ata, u lejohet korrupsioni.
Pyetje: Me kaq sa është bërë, se kjo mesa duket do zgjasë edhe disa vite të tjera, si po funksionon drejtësia?
Përgjigje: Po pika që nuk u bije atyre që janë emëruar pas kalimit të vetingut, kur nuk guxojnë të marrin vendime për çështje që do t`i zgjidhnin edhe ndihmësgjyqtarët e zonave rurale, por i drejtohen Komisionit të Venecias. Po a mendojnë se ç`përshtypje lënë atje për reputacionin e vetë vendit tonë? Në qoftë se shumica e gjyqtarëve janë larguar nga sistemi si të korruptuar, a nuk do të ishte e udhës që edhe ajo pafundësi vendimesh që ata kanë marrë në salla gjyqesh të rigjykohen? Se fundja ata nuk kanë gjykuar ndonjë ndeshje volejbolli mes kooperativava bujqësore, por kanë dhënë vendime për fate njerëzish e pronash që pranohet zyrtarisht se janë të shenjta. Po malin me dosje të grumbulluara gjatë kësaj kohe, sa vite dritë do t`i duhen gjykatave për t`i shqyrtuar? Dhe njerëzit presin e presin… Na dalin dhe disa analistë të çoroditur dhe duan të na bëjnë të besojmë se mirë apo keq, ashtu i kapur e i cunguar, vetingu, duhet shpënë në fund se diçka do bëjë. Po pse për diçka, po bëhet e gjithë kjo? E kanë fjalën edhe se do arrestojnë ndonjë ministër, qoftë edhe si kokë turku. Po këtë lënë të kuptohet edhe ndërkombëtarët, të cilët me këto mendësi duhet të pranojmë se popullit nuk i hyn gjë në qese nga dënimi i disa kokave, qofshin ato dhe të turkut. Se po të jetë ky treguesi, atëherë duhet të pranojmë se drejtësi paska qenë ajo e Enver Hoxhës që nuk la ministër e anëtar të Byrosë Politike pa pushkatuar e burgosur. Jeta është e gjatë dha do ketë dinamikë; ca do ikin e ca do vinë, ndaj pyesim se kush do bëjë vetingun për juristët pas dhjetë vjetësh? Nuk e shihni sesi luajnë me Kushtetutën deputetët, sikur duan të kalojnë kohën. Po pse të duket normale që gazetat çdo ditë në një pafundësi artikujsh paralajmërojnë sipas preferencave arrestime. Le pastaj që ato do t`i bëjnë dy agjentë të FBI - së që qenkan nisur të vinë.
Pyetje: Mos je disi pesimist kur thua se në vetvete vetingu pa ndershmëri e pavarësi, nuk do të sjellë rezultatet e pritura, ose të paktën të premtuara?
Përgjigje: Të thuash të vërtetën, mendoj se është detyrë e çdo intelektuali. Unë kam dhjetë vjet në pension, jetoj atje ku e kam nisur jetën, në një dhomë e kuzhinë prej 50 m2 dhe kam bindje se asgjë nuk do të më lidhë me gjykatat. Unë flas për vendin tim si qytetar i përgjegjshëm, gjë që e kam bërë në të gjithë krijimtarinë time letrare. Veç një gjë duhet ditur mirë: duke ia lënë të tjerëve Vetingun (pra, siç thashë, pastrimin. Oh, çfarë ironie!), këtu do të jemi dhe do të shohim se po i nxjerrim sytë vetes. Si mund të ketë drejtësi të kulluar, në një vend me ekonomi mjerane. Këto janë dy realitete që ecin krah për krah: rritja e ekonomisë do sjellë patjetër edhe cilësinë e gjykimeve, pra për t`iu afruar sa më shumë të vërtetës në dhënien e vendimeve. Se drejtësi absolute do ketë vetëm kur në vend të njerëzve të bëhen gjyqtarë robotët. Pastaj edhe vetë ndërkombëtarët nuk e kanë kaq të pastër drejtësinë në shtetet e tyre që qenkan shumë të shqetësuar për një vend që populli i tyre ndofta s`ka dëgjuar ndonjëherë për të. Shpesh për ta jemi trajtuar si laborator për eksperimente nga më absurdet, dhe ky është kulmi i padrejtësisë nga ana e atyre që u digjet barku për drejtësinë në Shqipëri. Do ishte plotësisht e arsyetuar, sikur vetingu t`u bëhej së pari vetë politikanëve. Se ata që duan t`i kenë gjyqtarët si ushtarë të tyre, më kujtojnë kohën kur hipi në fron duka i Orleanit dhe u sajua monarkia e Korrikut, që siguronte privilegjet e oligarkëve dhe operonte me parrullën e kryeministrit Gizo: “Pasurohuni!”
Pyetje: Dhe përsëri nuk e ndamë dot qënien e juristit nga ai i shkrimtarit?…
Përgjigje: Nuk mund t`i ndashë, pasi ato kanë një lidhje të hershme. Po sjell në vemendje fjalët e Denis Didëroit, filozofit e shkrimtarit enciklopedik që thosh: “Mos i zini besë atij që vjen për të vendosur rregull”.
Comentários