top of page

Rreth librit të prof. Ksenofon Krisafi me titull “Në kërkim të arit”


Alfred Papuçiu

Nga historia e diplomacisë shqiptare në vite

Rreth librit të prof. Ksenofon Krisafi me titull “Në kërkim të arit”

Alfred Papuçiu

Pjesa e parë

Historia e arit shqiptar, i rrëmbyer gjatë Luftës së Dytë Botërore vjen në një libër me vlera akademike të rralla, nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi. Libri "Në kërkim të arit", mund të quhet me plot gojën një manual i vërtetë shqiptar i artit të negociatave diplomatike. Një përvojë e rrallë për diplomatët, shtetarët dhe zyrtarët, të cilët mund të mësojnë nga përvojat personale dhe profesionale, nga formati, taktikat, stategjitë, etika dhe gjuha e përdorur nga diplomacia ndërkombëtare, gjatë debatit 50 vjeçar për arin shqiptar.

Ari ishte shqiptar, kurse gjetja e rrugës së kthimit të tij ishte ndërkombëtare, gjë që i jep temës dhe trajtimit të saj një hapësirë më të madhe se koha kur kanë ndodhur ngjarjet. Ksenofon Krisafi ishte një nga pjesëtarët kryesorë të grupit të ngushtë të punës, që ndërmorën 10 vjet bisedime me palën britanike, për kthimin e 1574 kg ar, të depozituar atje pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e njihte thellë atë problem dhe dha një ndihmesë të veçantë, në ecurinë pozitive të bisedimeve me anglezët, që natyrisht ndiqeshin me interes, nëpërmjet kanaleve të tyre diplomatike, edhe nga vendet e tjera europiane apo SHBA. Interesimi ishte i madh edhe nga shtypi perendimor edhe ai i pavarur në Gjenevë, kur zhvilloheshin bisedimet dhe duhej të kishe kujdes të përgjigjeshe në mënyrë të saktë dhe jo si “robot”, apo të përgjigjeshe: “Les bureaux sont fermés” ( Zyrat janë të mbyllura), si ai diplomati i mefshtë, diku në një ambasadën tonë, atë kohë të trazuar. Gjë që e skandalizoi diplomatin e shquar, Kujtim Hysenaj, kur e dëgjoi gazetarin francez që i kërkonte spjegim një diplomati shqiptar.

Përmes dokumenteve dhe kujtimeve, ai sjell për lexuesin përmes librit “Në kërkim të arit”, këtë proces të gjatë që nuk solli vetëm kthimin e arit, por ishte edhe një hap i rëndësishëm për hapjen e Shqipërisë drejt Perëndimit. Unë kam marrë pjesë në bisedimet e Gjenevës midis delegacionit shqiptar dhe atij britanik dhe të them të drejtën ka qënë një punë e lodhshme që vazhdonte deri natën vonë, për të vënë në dijeni për ecurinë e tyre, ministrin e jashtëm të përkushtuar dhe tepër njerëzor, Reis Malilen dhe Presidentin e Republikës. Gjithashtu për të ndërtuar bisedimet me një frymë të ngrohtë, miqësore, që do të shpinin shpejt në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe, por edhe me SHBA. Sidoqoftë, në përgjithësi e ndjeja vehten të qetë pasi Ksenofoni ishte aty, si dhe Muhamet Kapllani, zëvëndës ministër i punëve të jashtme, njohës i thellë i problemeve ndërkombëtare dhe i gjuhës angleze, me të cilin kisha qënë 8 vjet në OKB dhe kishim ndarë orët e mira dhe ato me shqetësime...

Kisha shumë respekt të veçantë për Ksenofonin, në krahasim me kolegët e tjerë, pasi më kishte qëndruar në çdo kohë pranë. Jo vetëm që njiheshim familjarisht kur ishin në Tiranë dhe bashkëshortja e tij, Evgjenia dhe e imja, Roza ishin shoqe. Por për më tepër, ky njeri fisnik, më kishte dhënë një ndihmë të çmuar dhe një këshillë “të artë”, kur një ish kolegu ynë i mbrapshtë dhe cmirëzi, të llojit të Mihal Bishës me shokë, për përfitime personale, donin të ndalonin ecurinë time në rrugën e diplomacisë. Vazhdimin e saj ja dedikoj, në radhë të parë, fisnikut Çajup Rusmaili, Todi Kokoneshit, vjehrit tim të thjeshtë dhe të mirë, Behar Shtyllës, Reis Maliles, Sokrat Plakës, por edhe Ksenofonit dhe disa shokëve të mij të ngushtë, si Ilia Jankut, Bashkim Pitarkës, Agron Agalliut, Piro Vitos, Sulo Myftiut. Vlerësimi i tyre për punën time me organizatat ndërkombëtare, edhe pse ishte modest, më dha forcë për të përballuar vështirësitë e jetës, por edhe katër vitet, në krye të Misionit shqiptar në Gjenevë, kur shpesh duhej të përgjigjesha vetë për probleme të koklavitura. Sa “t’i ngroheshin llampat” atij diplomatit që ishte futur në atë rrugë për përfitime personale dhe jo për të menduar për çështjen e Kombit, mund të gjendesha shumë shpejt në rrugë pa krye dhe të përfundoja si Mitrua, analist i shkëlqyer, “diplomat i dështuar”...

Zyrat me Ksenofonin i kishim ngjitur dhe një derë nga ndante, por ajo qëndronte gjithmonë e hapur. Ai ishte drejtor i Byrosë Juridike dhe unë zëvëndës drejtor i drejtorisë së organizatave ndërkombëtare. Atëhere ishim vetëm tre vetë që mbulonim një mori organizatash ndërkombëtare, si OKB, INATOM, FAO, PNUD dhe 7 projektet e tij me Shqipërinë , UNICEF, Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, UNCTAD, OMS, Byronë Ndërkombëtare të Punës, UNESCO, UNIDIR, etj. Edhe Ksenofoni kishte vetëm një punonjës dhe barra më e madhe për çështjet e koklavitura juridike, politike, si edhe kjo e arit shqiptar, i binin atij. Qëndronte deri vonë, duke shfletuar analet e diplomacisë shqiptare. Për çështjen e arit, por edhe të tjera, që ishin objekt i diskutimeve tona të hapura dhe të sinqerta, pa doreza. Shpesh mbyllnim derën dhe pinim nga një gotë të vogël, duke bërë shaka, për të hequr lodhjen. Me ne bashkohej dhe Pirua juristi, Sulo, diplomat i vjetër. Shkonim edhe përballë tek restorant “Arbana” ku na përgatisnin atë “tavën e Tiranës” dhe kalonim çaste që nuk harrohen...

Sa herë kemi diskutuar bashkërisht me Ksenon për “çështjen e arit”, sidomos kur unë duhej të shkoja të ndiqja Komisionin e gjashtë Juridik në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si dhe para nisjes sime me detyrën e të ngarkuarit me punë në Misionin shqiptar pranë OKB-së në Gjenevë. Ishte një nga problemet kryesore të asaj kohe, e një rëndësie të veçantë politike, diplomatike, ekonomike, juridike, si dhe historike. Në vitet 80-90, kur unë ndodhesha në Nju Jork dhe ndiqja, për rreth tre muaj nga shtatori në dhjetor, me një grup të vogël kolegësh, Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së dhe 6 Komisionet e saj, jo vetëm përfaqësuesit grekë, por edhe të vendeve të tjera mund të atakonin për çështjen e arit, pasi ai lidhej me një problem juridik të pazgjidhur: incidentin e Kanalit të Korfuzit. Në biseda të veçanta me ta në korridoret e OKB-së, mund t’u a mbushje mendjen për të vërtetën e çështjes së arit shqiptar, por në diskutime para Komisionit ishte ndryshe.

Siç dihet, ari u bllokua për shkak se u ndërthur me incidentin e kanalit të Korfuzit, që ndodhi në tetorin e vitit 1946. U desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, që të arrihej në zgjidhjen e çështjes së koklavitur: për rikthimin e së drejtës së pronësisë së shtetit shqiptar, mbi 15745 kg ar. Zanafilla e saj është viti 1925, kur u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë me një kapital fillestar italian. Do të vazhdonte me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, për t’u përfshirë më vonë në ngjarjet që përshkuan historinë e trazuar të Shqipërisë së asaj kohe...

Ksenofoni ishte gjithmonë i papërtuar dhe në çdo çast të përgjigjej me atë butësinë e tij të zakonëshme. Sa herë kemi diskutuar atëhere për ratifikimin e dokumentave ndërkombëtare, aq të domosdoshme për Shqipërinë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Disa herë gjenim përkrahje, por shpesh ngurim, dhe kjo vinte sidomos nga këshilltari i Presidentit që vinte veton. Arritëm të botonim “Statusin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë” me përkrahjen e OKB-së, por u deshën vite që ajo të binte në dorë të lexuesit. Kur erdhi përfaqësuesi i OKB-së Nobuaki Oda e shpumë ta shihte të ekspozuar në Bibliotekën e Beratit (?!)

Kujtimet janë të shumta me Ksenon dhe me atë bërthamë të vogël diplomatësh që punonim shpesh me orë të tëra, me përkushtim, jo për t’i bërë qejfin këshilltarit të Presidentit apo dikujt tjetër, por për të dhënë një ndihmesë modeste, edhe në kushte të vështira pune, ecurisë së diplomacisë shqiptare. Mbi të gjitha u krijua një periudhë e volitëshme, sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës, për t’i dhënë një hop, fillimisht të ngadaltë, por pak e nga pak, më tepër marrëdhënieve ndërkombëtare me Shqipërinë. Zgjidhja e çështjes së “arit shqiptar” që paraqitet me aq finesë, pjekuri, maturi, profesionalizëm, me një gjuhë të pastër shqipe, është shembull i një përkushtimi të një diplomati të madh dhe fisnik, si prof. Dr. Ksenofon Krisafi.


#Alfred #Papuçiu

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page