ROZI THEOHARI, ENDE ‘LATON’ GURIN NË POEMË MITI
Dr Fatmir Terziu
13 Dhjetori iku… Iku ai 13-tshi arithmetik i muajit që lamë pas. Iku! Iku sikurse kanë ikur mjaft të tillë, me 13-të apo me të tjera numëra që pasojnë logjikën e tyre kalendarike. Iku dhe ai që na mori Rozin. Rozin e letrave shqipe, Theoharin! Iku ai 13-tësh, sikurse ikja e tij të shtunën e atij 13 dhjetori të 2014-tës kur ndërroi jetë në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Rozi Theohari, shkrimtarja që na la mes nesh nocionin metafizik të “Rozafat” si mit më vete.
“Rozafat” si miti që ngjizet lart
“...Nocioni është kompletimi i mesazhit dhe metafizika këtu është vetë jeta dhe ngjarja e “Rozafat”. Pra këtu nuk është ajo që diku është thënë si ‘një petk të ri të instikteve humane’. Nuk është e tillë jo thjesht për kundërshti, por se vetë analiza e shtron domosdoshmërinë e jashtëprezencës së saj nëpërmjet disa fakteve. I pari buron nga kuptimi që mbart vetë instinkti ose ‘instikti human’ po qe se do të sillej në gjuhën e cituar. Fjala definitive për instiktin është përcjedhja e tij si një dispozicion i trashëguar i organizmit jetik përballë një veprimi tipik. Instiktet janë të pamësuara, të trashëguara dhe të ngacmuara nga stimulime të ndryshme. I dyti është se fjala shqipe “petk” që mbart kuptimin e saj real këtu merr kuptimin dytësor, merr në fakt një ngjyrim të cilin instikti nuk e mbart dhe përpos largon tematikën. Faktet e tjera janë tek psikoanaliza, e cila flet me gjuhën të cilën duhet trajtuar një vepër. “Rozafat” e meriton këtë, dhe natyrshëm nuk duhet krasitur me një analizë tradicionale, me një thjeshtim teorik...”
“...Gjoksi i lakuriqtë, i gurtë, i bardhë
Pikëlza qumështi pikon...”
Miti dhe legjenda
Miti dhe legjenda janë bashkudhëtarë në jetë. Në poezi janë krejt tjetër. Në analizën e poezisë ata kanë kuptime krejt ndryshe. Miti për Barthes është gjuhë, është fjalë që krijon domethënie, që shkurt për Stuart Hall mund të kuptohet si një kod më vete. Një kod të cilin psikoanaliza e Frojdit e sjell në dritën e ‘riprezantimit të objektit’. Në këtë funksion është edhe guri që simbolizon poemën “Rozafat” të Rozi Theoharit. “Guri është simbol i dhëmbit” thotë C. Philip Ëilson, M.D, në analizën e teorisë së Erogeneitetit dhe Libidos. Por në këtë teori ai shpjegon se shumë analistë paraqesin problem me gurin si simbolizëm. Ai është përmendur nga Frojdi në çështjen e Little Hans dhe në ëndrrën e cituar të Bismarkut tek “Interpretimi i Ëndrrave”. Punimi dhe analizimi i poezive dhe poemave apo edhe krijimeve të tjera që referohen tek guri, në teorinë e Frojdit krijon ndriçimin e problemit. Ky ndriçim në gjuhën e Frojdit, Young, Lacan, Buttler dhe Žižek ka kuptimin parësor që lidhet direkt me objektin e nënës. A nuk e trajton këtë “Rozafat”? A nuk është ky detaji ku vërtitet vetë ‘miti dhe legjenda’ e “gurit’? Dhe ja ku del kjo përgjigje:
“...Ndërsa gurët vajtojnë, ofshajnë
E nuk rreshtin së derdhuri lotë
Gjoksi i lakuriqtë, i gurte, i bardhë
Pikëlza qumështi pikon
Varur si stalaktite gjithmonë”
Guri si simbol
Këtu pra në këtë kuptim guri është një send pa zë, një simbol. Një simbol që sjell elementin femëror në tërë procesin libidinial, madje edhe në krizën e një ‘sistemi pallik’, krizën që vjen nga elementët e ndriçuar prej Frojdit. Guri është përshkruar zakonisht në analizat letrare si një simbol i elementit mashkullor, madje më shumë me beben mashkullore. Në këtë përshkrim, bebja mashkullore që simbolizohet me gurin, nuk është aq sa të parathotë thjesht ‘trashëgiminë’ që ndonjë ‘kritikë’ e gjen thjesht t’a shpreh, por një lidhje e elementit mashkullor që krihet tek epiteti ‘burrëri’ për të rithënë të shkuarën e fëmijërisë ku për shkaqe dhe arsye të ndryshme frika pason metamorfoza të ngjashme me ato që Frojdi qartëson. Në fakt shumë pak guri është njohur si një simbol i incestit. Otto Sperling e diskuton këtë si një simbol që figuron hunj gardhi, me një nënkuptim ‘lidhjeje mashkullore’ për të ndërtuar forcën dhe pamposhtësinë, por edhe për të treguar dominimin seksor, ndërsa Manhatan e sipërfaqëson si një radhë dhëmbësh, ku dhëmbët janë një arsye më shumë që lidhet me populloren “ia tregoi dhëmbët”, pra forcën dhe fuqinë që lidhet me inerten, me gurrin. Por këto teori janë vetëm një dritare për një analizë profesionale, tek e cila miti dhe legjenda që krijon vet mitin mbajnë ende peshë tradicionale në ndërtimin e poezisë apo edhe në prozën poetike, po aq edhe në prozën e shkurtër dhe poemën më së shumti. Tek kjo e fundit gjendet edhe frymëzimi që Theohari shtron për gurin. Për Theoharin guri lidhet me këtë teori nëpërmjet ‘metaforë-(s) dhe legjendë’(s) që nëpërmjet ëndrrave njërëzore shtjellon “betimin e burrave mbi gur, me besa-besë është më i rëndi, më i fortë se vdekja vetë...”:
“Guri – mjeshtëri në stërgjyshëri;
guri – fisnikëri;
guri – metaforë dhe legjendë;
guri – këngë e lot;
guri – besa e burrave në trimëri;
guri – art e zotësi”...
Metafora dhe legjenda
Parë në këtë lidhje, ‘guri’ nuk është ai që lidhet me atë që në lexuesi ka lexuar prej kohësh për prezencën e tij në legjenda, mite, përralla e krijimtari. Madje nuk është as ‘guri’ që vrau Mbretin Piro tek “Përparimi”, Volumi i parë, faqe 17, viti 1917 të Lukë Grabockës në poezinë “Mbreti Piro”: “Kur se ktheheshe në Shqipëri/prej një greke me një murë/vdekja i ardhi nga një gur”. Guri është ana tjetër. Guri i “Rozafat” është morali, është inkursioni historik i ‘trimërisë’ së ngjizur tek ‘besa e burrave’, që këtu vjen nën siluetën femërore të ‘metaforës dhe legjendës’. Këtu është enigma, stresi dhe distresi. Këtu është ‘mesazhi që ka një strukturë të plotë dominimi’ (Hall, 1977:97). Madje këtu është një komunikim natyror që parasjell logjikën dhe tejplagëson të shtirurën, ku ‘metafora dhe legjenda’ përzgjedhin elementin mbi të cilin ka lindur ky mit, mbi të cilin ‘guri’ është ‘mjeshtëri që në stërgjyshëri’, fisnikëri dhe madje këngë e lot. Por guri është art dhe zotësi. Këtu është lidhja me atë çfarë autorja përcjell, me atë çfarë argumenti i saj ndeshet në analizë. “Rozafat” nuk është thjesht një fat sublim. Nuk është as edhe një ditar historik, nuk është kopje e diturisë apo rrëfimit, është një mënyrë e risjelljes, një mënyrë e ristrukturimit të mesazhit që lakohet në kohë e hapësirë mbi nocion dhe metafizikë. Nocioni është kompletimi i mesazhit dhe metafizika këtu është vetë jeta dhe ngjarja e “Rozafat”. Pra këtu nuk është ajo që diku është thënë si ‘një petk të ri të instikteve humane’. Nuk është e tillë jo thjesht për kundërshti, por se vetë analiza e shtron domosdoshmërinë e jashtëprezencës së saj nëpërmjet disa fakteve. I pari buron nga kuptimi që mbart vetë instinkti ose ‘instikti human’ po qe se do të sillej në gjuhën e cituar. Fjala definitive për instiktin është përcjedhja e tij si një dispozicion i trashëguar i organizmit jetik përballë një veprimi tipik. Instiktet janë të pamësuara, të trashëguara dhe të ngacmuara nga stimulime të ndryshme. I dyti është se fjala shqipe ‘petk’ që mbart kuptimin e saj real këtu merr kuptimin dytësor, merr në fakt një ngjyrim të cilin instikti nuk e mbart dhe përpos largon tematikën. Faktet e tjera janë tek psikoanaliza, e cila flet me gjuhën të cilën duhet trajtuar një vepër. “Rozafat” e meriton këtë, dhe natyrshëm nuk duhet krasitur me një analizë tradicionale, me një thjeshtim teorik.
E përditshmja si nëntekst i ‘objektit’
Kur një objekt hyn me prezencën e tij për interes të të tjerëve, siç është ‘guri’ në këtë rast, të tjerët, pra lexuesit natyrshëm kërkojnë informacion rreth objektit, kërkojnë sqarimin për prezencën e tij. Të tjerët, pra lexuesit, në teorinë e Erving Geoffman tek “Reprezantimi i vetvetes në jetën e përditshme”, janë një marrëveshje e heshtur midis vijëzimit autor-lexues. Në këtë marrëveshje ajo që bie në sy është përputhja me teorinë e Michel de Certeau që ‘ndodhinë’ dhe ‘objektin’ i parasheh si një strukturë më vete në tërë kompleksin e prezantimit të mitit dhe legjendës në letërsi. Në këtë lidhje teorike, “Rozafat” merr përsipër të shfaq lirshëm detajin artistik, duke prodhuar bashkëjetesën historike të një fabule që ka domethënie të madhe në kulturën e hershme shqiptare. Në këtë lidhje teorike, vepra dhe autorja e saj kanë prodhuar një diskurse historik, që nën vëmendjen e kritikës kategorizon dy detaje të rrëndësishme. I pari, ose më kryesori, është detaji që gjendet tek perspektiva e vëmendjes së krijuar nga semantika e fjalës dhe gramatika obsessive që Theohari, tendos në sintaksën e përzgjedhur. I dyti është detaji që vjen nga imagjinata letrare, që në këtë krijim ka një sens më analitik plot tekst dhe praktikë analitike. Më tej është tërësia e poemës që kërkon vëmendje dhe autoritet kritik.
Autoriteti jetik dhe vepra
Rozi Theohari i botoi vjershat dhe prozat e veta qysh në vitet ‘60 në gazeta e revista të ndryshme si “Drita”, “Hosteni”, “Shqiptarja e re”, “Fatosi” etj. Lëvroi vjershat humoristike e tregimin humoristik si për të rriturit, ashtu dhe për fëmijet, si një pasazh jetik që qaset mes autoritetit jetik dhe veprës. Për lexuesin e rritur ka botuar disa libra: “Telashe nga emancipimi” (1969), “Në mungesë të gruas sime” (1973), “Shoku Ndriçim hapi kasafortën” (1977), “Pa diagnozë” (1978), “Teto Kalina” (1990). Në vitin 1987 ka shkruar skenarin e filmit artistik “Familja ime.” Për lexuesit e vegjël ka botuar dy përmbledhje me tregime. Rozi emigroi ne Amerikë në vitin 1994 me familjen e saj. Përvec dy fakulteteve, atij Ekonomik dhe të Historisë e të Filologjisë, të kryera në Universitetin e Tiranës, në vitin 2000 ajo perfundoi me sukses e u diplomua nga North Shore Community College në Lynn, Mass, USA, në degën “Artet Liberale.” Emri i Rozi Theoharit u vendos në Librin e Nderit “The National Dean’s List”, 1997-1998, si studente e dalluar dhe e nderuar e kolegjeve amerikane. Që prej 13 vjetësh në Amerikë vazhdon të jetë anëtare e shoqërisë së nderit “Phi Theta Kappa”.
Në vitin 2002 ajo botoi në anglisht vellimin me poezi “Teo Halves”, në vitin 2003 botoi në anglisht e shqip poemën “Rozafat”, në vitin 2004 romanin “Lajthitje dimërore”, në vitin 2005 librin “Mbi thinja fryn erë”, ne vitin 2006 librin publicistik “Jehona Skënderbegiane”, në vitin 2007 vëllimin poetik “Rozafa’s Tears On The River Drina” në tri gjuhë, anglisht, rumanisht dhe shqip, në vitin 2008 librin “Më shumë se një jetë”. Rozi vazhdon një aktivitet të mirë letrar në USA. Ajo është anëtare e Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë dhe boton në revistën “Pena” të kësaj shoqate. Po ashtu, boton në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” dhe në gazetat amerikane, si dhe merr pjesë në aktivitetet kulturore të shtetit të Massachusettsit etj. Për vitin 2005 Rozi Theohari është nderuar nga Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë me çmimin “Pena e Artë” për librin “Mbi thinja fryn erë”. Rozi Theohari në vitin 2006 fitoi Honour Prize në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të “Maison Naaman Pour la Culture”, duke u bërë dhe Anëtare Nderi e kësaj shoqate. Katër libra të Rozit ndodhen në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Vashington DC dhe mjaft të tjera janë brenda vetë mitit dhe autoritetit jetik që pasojnë 13-tat e dhjettorëve që do të rikujtojnë dhe rilexojnë Rozin, Rozin e letrave shqipe, Theoharin!
Comments