top of page

Romani si tekst diskursiv...


Romani si tekst diskursiv në trajtesën e tranzicionit të një qyteti


Fatmir Terziu


Formati diskursiv i trajtesës së tranzicionit të një qyteti tek romani „Era ndez qirinj“ të shkrimtarit nga Pogradeci, Bujar Balliu, na shpie tek teksti, jo thjesht si narrativ, por dhe si një formë specifike e ligjërimit të rrjedhshëm. Me fjali të shkurtëra, të kapshme, të logjikshme, në rrjedhë të leximit autori mundëson lexuesin të diktojë vrullin artistik që të japin tre lëvizje gjuhësore: retorika, stilistika dhe analiza strukturore e rrëfimeve. Të tre këto lëvizje gjuhësore lidhen në thelb me analizën e diskursit. Analiza e diskursit gjen brenda kësaj tresheje, skema specifike që janë të rëndësishme për të përcaktuar një zinxhir fjalësh si tekst. Përveç kësaj, narrativi na jep mundësinë, përshkruan që të kuptojmë pa vështirësi formëzat e tjera, që plotësohen mes karaktereve dhë përshkrimit të tyre për të arritur tekstualitetin. Karaktere të tilla pikante në këtë jetë diskursive dhe tranzicionale të qytetit në këtë roman sikurse janë Bardibali, Shkrepi, Narenti, Gledon. Kojela, Bilen Kriha, Brela, Bata, Bogomil Zelena, Led Linora, Mesil Plaina natyrisht karakterizojnë faktin se ky roman ndërthur shumë mënyra, forma të ndryshme të të treguarit. Në këtë pikë ky roman është një rrjedhë e vetëdijes dhe përmban shumë veçori. Prandaj, është shumë interesante të themi se formati dhe problemet e tranzicionit në këtë roman mund të përkufizohen bashkërisht si një tekst pa probleme.

Mes kësaj dallojmë dhe veçoritë përkatëse në strukturën e tekstit dhe në sintaksën e tij, ku lloji i tekstit emërtohet dhe romani mbart disa këndvështrime të ndryshme narrative. Ky roman është i pasur me komunikime dhe, ku edhe një monolog i brendshëm, është mjaft efikas, brenda kësaj një e ashtuquajtur rrjedhë e vetëdijes në këndvështrimin e narratorit:

Vendosi të qëndrojë në ballkon. Pasi mbaroi parada e të pirëve, të gjithë u mblodhën në shtëpi, edhe ish-aktori. Lagjja ra në qetësi. Nuk ka lokale. Klubet, bilardot, diskot e zhurmshme djemtë i hapën pranë qendrës. Çiftet e reja ose largohen jashtë vendit apo në Tiranë, ose blejnë hyrje apo ndërtojnë më pranë liqenit. Lagjja po mpaket. Ngriti kokën. Qielli prushëron. Yjet i kujtojnë intimitetin e vajzave gjimnaziste. Të kudondodhura, edhe kur nuk shikohen...“

Duke e parë tekstin sipërfaqësisht, bëhet e qartë se ka disa veçori. Për shembull, ka shumë kërcime nga një ide në tjetrën, e cila theksohet duke përdorur dimensione të shumta problemesh, ku për shembull në të njëjtën kohë lagja po mpaket, ai ngriti kokën, qielli prushëron, yjet i kujtojnë vajzat ….


Pa lexuar tekstin me një qëllim më të vetëdijshëm, marrësi edhe pse nuk e ka të vështirë të kuptojë kuptimin e fjalive, prapë mund të dyshojë për situatën, kohën dhe mënyrën se si pikërisht këtu narrativi shkon mentalisht tek një kohë tjetër ku flashback (mendimi pas) i zbulon vajzat e kohës rinore të gjimnazit. Kështu, lexuesi detyrohet të ushtrojë mendjen për të renditur fjalët. Ndaj, pamja fizike e fjalëve mund të ndikojë te marrësi në gjykimin e tij. Natyrisht, ka disa karakteristika që e kthejnë një zinxhir fjalish në një tekst. Rrjedhimisht, ka aspekte të brendshme dhe të jashtme që janë të rëndësishme për arritjen e tekstualitetit, e këtë autori e bën mjaft mirë në tërësinë e narrativit të romanit. Prandaj dhe shkrimtari Qazim Muska paraqet një interes në pikasjen e tij ku shprehet se „Gjithçka në roman vjen e alternuar mes një fryme realizmi dhe surealizmi përmes skenash që i lënë vend njera tjetrës nën dritëhijet e absurdit dhe tragjikes.“ Një shembull është paragrafi që shkëpusim: „Të nesërmen mbaroi punë vonë. Rregulloi disa grupe shërbimi të policisë rrugore, u ngujua përsëri në lokalin e një natë më parë. I pëlqen. Ndodhet në cep të qytetit, larg syve të njerëzve, jashtë vëmendjes së kolegëve. Mbrëmë kur i doli pija, Kojela iu kacavjer si mace pas trupit. Ia nguci trup e shpirt pa nxjerrë zë. Në mëngjes u largua me hijet e natës. Bisedat janë rralluar. Në të vërtetë asnjëherë nuk kanë qenë të shpeshta e të shëndetshme. Tani rrjedhin pikat e fundit... Kur doli në rrugë, e kuptoi: qe më i dehur nga sa e mendoi. Futi duart në xhepat e xhupit, nguli vështrimin në largësi, shpejtoi hapat. Pas disa metrash u kujtua për tualetin. Vera e tepërt i shkakton diarre.“

Në këtë ndalesë bie në sy kohezioni, si një nga shtatë kriteret e tekstualitetit. Narrativi është koheziv, i rrjedhshëm. Ka në qasje dhe efektin, që kapet në dy fjalitë e shkurtra të këtij fragmenti, nga fundi, ku dhe sensi i humorit bën efektivitetin e vetë. Siç u përmend tashmë, ka shumë, ndërlidhje, ku nga narratori nga një ide shkohet në tjetrën, gjë që tregon dhe ndihmon në faktin se ka mjaft elementë kohezivë. Romani më i ri i Bujar Balliut sidoqoftë shihet qartësisht se ka kohezion. Teksti është i nyjëtuar me ndihmën e mjeteve gramatikore dhe e ndihmon atmosfera e brendshme. Prandaj shprehet shkrimtari Hysen Kobellari se „romani ka atmosferë, tension, një zinajë të pritshme …“.

Por në ndryshim nga kohezioni, termi koherencë brenda rrjedhës së ngjarjeve tek romani „Era ndez qirinj“ përshkruan edhe vetë referencat semantike brenda një teksti. Në këtë siguri dhe zhvillim të atmosferës në një qasje diskursive të jetëpërdishmërisë dhe vetë elemëntëve ndihmës të strukturës tekstore lexuesi e gejn veten në një atmosferë të lirshme të rrëfimit dinamik, ku natyrshëm dhe ndjeshëm janë shpërfaqur të gjitha marrëdhëniet kulturorë, krahinore, psiko-sociale dhe më së drejti në narrativ ato bëhen një preambulë artistike në përditshmëri. Gjergji Mihallari i shikon elementët e narrativit të këtij romani si „copëzat e një qyteti, … në pezaulin e jetës së përditshme“ dhe Eduard Sulollari shprehet se romani i Bujar Balliut „Zhbiron lëvizjen e çartur të jetës.“ Më tej Gerta Bandilli Beçka, ndoshta më shumë si lexuese e romanit, shkon tek një pikë kaq delikate në të shkruarën e sotme, ku kujton se këtë roman e „klasifikoj roman modern në mënyrën e konceptimit të formës“, dhe se ky roman „është koherent“.

Është vërtet në një mori siptomash jetërrjedhse. Ka Vrasje. Ka Mëkate. Ka Magjira. Ka Dashuri. Ka Pezm. Ka Zhgënjim. Ka Trishtim. Ka Jetë. Ka dhe Ikje. Ka Dritë. Ka Dritëhije. Është një roman që plotëson jo thjesht një detyrë shtëpie. Një roman që kërkon të gjej shtratin e vetë në të shkruarën e sotme. Ndaj dhe poeti Maliq Torra shton se „shkrimtari rrëfimin ua beson personazheve duke qëndruar "larg" prej "botës" së koklavitur që ata mbartin në vetvete si individë“. Ndaj dhe jeta nuk ka thjesht një emër të thjeshtë në këtë roman. Autori e ka kërkuar dhe hulumtuar atë në majë të gjilpërës së artit, ku shoshit dhe përdor mirë atë që mbetet në një shumëdimension kulturor, psikoanalitik mes gjuhës lokale, krahinore, dialektore dhe tërsisë së majsë së një gjuhe mjaft të bukur, gjuhës shqipe që konkurron kudo në fronin e saj.


42 views1 comment

1 Comment


Elsa Berberi
Elsa Berberi
May 20, 2022

Profesor Fatmir Terziu depërton me profesionalizëm në indet e shkrimësisë. “Kush adhuron në kët mënyrë veprat e artit, nuk ka dyshim, asht aj vetë me shpirt artisti. Vetëm atij i asht dhanë me iu avitë mistereve të artit”, thotë Arshi Pipa.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page