top of page

Romani "Mbi dudë", një "panel mbushur me mozaikë"



Përparim Hysi

Mbi dudë” kam hipur vet?!!!

Romani “Mbi dudë” i Fatmir Terziut

(ese)



Nga Përparim Hysi



Enkas për mua, përmjet e-mailit, Fatmir Terziu më dërgoi romanin e tij të fundit: “Mbi dudë”. Një dërgesë kaq e posaçme dhe me një titull kaq sinjifikativ, jo vetëm më vuri në ngasje, por e ndjeva veten pak, si i zënë në çark. Së pari, se mjekët më kanë ndaluar qëndrimin gjatë tek kompjuteri dhe, së dyti, autori i romanit është nga ata soj njerëzish që, për dijet e tyre, numërohen me gishta. Pa menduar se e teproj, ja tek po ju rreshtoj aq sa di për të dhe kini për t'u bindur. Mësues gjuhë- letërsie dhe, për aftësi cilësore në profesion, drejtues shkolle për disa vjet. Gazetar dhe kineast. Si pasionant në fushën e gazetarisë dhe krijimtarinë artistike, drejton një nga portalet më të suksesshëm mediatike që e emërton "Fjala e lirë". Ky portal është bërë sofra më e madhe mediatike, ku janë shtruar këmbëkryq shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe analistë politikë nga të gjitha anët e globit. Vetë, Fatmir Terziu, nuk ndejti si ujë i ndënjur atje ku ka emigruar, në Britani të Madhe. Përkundrazi, falë studimeve skrupuloze, ka fituar titullin e lartë Akademik!

Dhe ky titull nuk është aspak honorofik, por fryt i një këmbënguljeje shembullore të një "Diogjeni" të mbyllur në atë vozën mitike. Si akademik, ai është vital në katedrat ku mban leksionet e tij me vlerë. Natyrisht, tek shkruaj kështu për Fatmir Terziun, shpesh vras mendjen se si është e mundur dhe ku e gjen kohën që, veç punës si akademik, të administrojë një portal si "Fjala e lirë", një gazetë si "Albania Neës” dhe, veç kësaj, ai, në të njëtën kohë, është dhe poet, dhe prozator, dhe përkthyes, dhe, ca më shumë një kritik në fushën e letrave që, në gjykimin tim, është kritiku më serioz nga brezi i ri i kritikëve.

Kësaj pyetjeje që "ku e gjen kohën?", ia kam gjetur përgjigjen. Me kohë, një dijetar ka thënë: "Giithmonë ankohemi se kemi pak kohë, por e jetojmë atë sikur ta kemi me tepricë". Pra, Fatmir Terziu nuk e jeton me"tepricë", por racionalisht. Duke qenë kaq racional, (tipar i njerëzve të ditur) ai vazhdimisht, si një makineri e vërtetë pune, shfaqet herë si poet, herë si prozator; herë si gazetar, herë si kineast... dhe, mbi tëgjitha, si kritik letrar që kush si ai, di që t'i vendos pikat mbi i.

* * *

Nëse lexuesi ka pak vëmendje për "esenë" time modeste, do të vërejë mirëfilli që sikur i jam përgjigjur flakë për flakë asaj për të cilën shkruan atuori. Është pak a shumë, nëse do përdorim një shpoti, natyrisht- si ajo, “me inat më fole, me inat t'u përgjigja”. Ai "Mbi dudë!"; unë tak e "kam zbritur" dhe”Mbi dudë” kam hipur vet. Ç'shkruaj nuk është as "kalambur" dhe as "kakofoni" fjalësh zhurmuese. Por, kjo "zbritje- hipje" ka ndodhur me të vërtetë.

Ka ndodhur vërtet, se në vizionin tim, vinë dhe parakalojnë një mori thëniesh për prozën dhe shkrimtarin , në përgjithësi, si:

- shkrimtari nuk duhet të ngutet e të shkruaj për ndjenja që nuk i ka provuar vet

- pena e shkrimtarit nuk duhet të shkruaj revan.

- cilësia e gjithë prozës së shkruar (në rastin tonë: të romanit) është qartësia.

- në një farë mënyre, në veprën e vetë, qoftë dhe kundër dëshirës së tij, përfshin vetveten.

- romani është impresion dhe nuk është argument.

- shkrimtarit nuk i ka hije heshtja.

Dhe, së fundi: -shkruaj, por syno (edhe në qoftë se zbukuron) që të japësh mesazh; të gjallërosh dhe të vësh në ngasje dhe të nxitësh për më të mirën.

Duke bërë para lexuesit, një "parakalim pak panoramik", besoj që, sado pak, do bindet pse e "zbrita" autorin dhe"hipa" “Mbi dudë” vet.

* * *

Kur marr të flas për romanin “Mbi dudë”, shpesh më fanepset fëmijëria andej, në një fshat të Myzeqesë, që, kur dëgjova fjalën"dudë", mbeta më gojëhapur. - Shpjeri bibat të hanë duda!- i tha plaka Tabene së bijës. E bija, moshatare me mua, drejt dhe poshtë një mani (unë dhe manit i them mën). -Oh,-shpreha habinë unë, po"dudë" qenkan mënat (manat, de). E, para së gjithash,"dudë" është mani. Do çuditeni, kur të lexoni romanin, se ky, Fatmir Terziu, do t'ju futë në një botë të çuditshme. Duke e ndërtuar linjën e romanit “Mbi dudë” (mbi man), ai shpesh del në rolin e një orakulli që çmitizon dhe mitizon dhe, tek u kalon nga një kapitull tek tjetri, duket se ju "hipnotizon" apo ca më saktë: ju "drogon". Kini ngrënë mana sa jini dëndur, por nuk dini asgjë për ta. Për "dudat". Romani sa është informues, aq është dhe formues. Çudia ndodh se ky"hipnotizues", kur ka parë që të ka zënë"hipnoza", bënë ca "kërcime Pindarike" që, jo vetëm të zgjojnë nga gjumi, por dhe të bëjnë që të kërcesh atje “Mbi dudë” e të ndjekësh rrëfenja me radhë. Në këto rrëfenja, kanë të gjitha ato cilësi, që një roman apo prozë e rreshtojnë në atë kolanën e "realizmit magjik".

Në roman ngërthejnë çudira që të befasojnë. Nëse ndodh kështu, merita është e autorit. Për Niçen,- thoshin,- ishte depozitë dijesh. Pa menduar se po bëj ndonjë blasfemi, lexoni romanin dhe kini për të më dhënë të drejtë.

Këtu, në roman, do të marrësh vesh, se:

Duda (mani) është një pemë e bekuar. E florinjtë. Mos po ekzagjeroj? Në Myzeqe kjo pemë është aq e bekuar, sa mallkohet fshatçe, nëse ndalon dikë që të hajë si në shtëpinë e vetë kokrrat e pjekura. Të njëjtin mallkim ke dhe për pusin. Po i ndalove dikujt pusin, ujin për të pirë, je njeri shpirtzi.

Autori tregon se nga "dudat" vinte mëndafshi (me gjethet e florinjta), ushqeheshin krimbat e, mandej, mëndafshi, zbuluar në Kinë, u bë i kërkuar në botë (që nga Aleksandri, Cezari) dhe, për vitet e pasluftës, përpunohej me shumicë në Bullgari deri sa ra "Muri i Berlinit"

"Mbi dudë!" ngjizen brezat dhe, po”Mbi dudë” apo nën hijen e tyre, veç mëndafshit, janë ngritur mite dhe balada: që nga koha e Ovidit: Me Pyramusin e Thisbenë (paraardhës të "Romeu e Zhulieta"). Mani i zi- persenofikim i një dashurie tragjike (pigmenti i tij përdorej edhe për t'i dhënë ngjyrë verës). Dhe tek lexoj nga autori, mendja më shkon tek një poezi që kam shkruar për një dashuri të tillë (atëherë as që e dija që do dilte dikush të shkruante) që mbaroi keq mbi manin e zi. E kam shkruar qysh në vitin 2000, sipas një balade myzeqare:" Atje poshtë, tek mëni i zi/O Leni, oi-oi/Seç t'u qep një sevdalli/ mbi mën mbeti/brezi i zi/. Natyrisht, kohërash, sikur bredhin gojë më gojë ato që ndodhin “Mbi dudë”.

* * *

Natyrisht, kushdo që do tentojë që të flas për “Mbi dudë”, kurrë- mendoj unë,- nuk do jetë në gjendje që të thotë në plotninë e vetë gjithë ç'shkruan autori. Por ajo që vura re dhe dua të nënvizoj (të gjitha mendimet e mia duhen marrë me apriori dhe jo si vlera të palujatshme), është:

- miti është më i vjetër dhe nga historia

- ëndrat janë edhe më të fuqishme se faktet

- e qeshura është "ilaç" që shëron pikëllimin.

- dashuria e mund vdekjen.

* * *

Kur e vështroj, në tërësi romanin, më duket si një "panel mbushur me mozaikë". Secili nga "mozaikët" ka jo vetëm të fshehtën e vetë, por dhe vlerën. Aty në këtë "panel", gjen "manin" para Bibliotekës Hartley; manin e mbjellë nga Bernard Shou; atë "Manin" (Mbi dudë) ku ngjiz trashëgimtari epik; mandej në një "mozaik" tjetër, legjenda Ovidiane e Pyramus dhe Thisbe tek "tek mani i zi". Gjen karavanet me mëndafsh nga Azia në Evropë; gjen Adem Karain nga Kutermani i Librazhdit, që solli, i pari në Shqipëri, farën e hurmave; gjen Abedin Çiçon –Pemën (atributi është imi). Gjen gdhëndjet me ornamente të ustallarëve dibranë. Arbanasin historikë të banuar nga Shqiptarë; bahçet e famshme të Tiranës, ku veçohej një man (Ddudë) dhe pusi i ujit; gjen genocidin serb. Është tragjik Bun Turta dhe autori duke pranëvënë një këngëtare si Ceca, mendoj se është aq i drejtpërdrejtë dhe i kthjellët, sa jep mesazhin e bukur: popujt janë paqësor. Diktatorët, klikat, janë shovenë.

“Mbi dudë” gjen legjendat e vjetra, të kthyer në balada, si ajo e "Lejlas me Manianin", të Ajshes me Bajramin; "martesa me interes" të ditëve tona, nga emigrantë të ndryshëm; gjen të fshehta të pazbuluara nga firme-misione të ndryshme (në kërkim të manganit apo floririt si në Malin e Vinës në Gramsh). Po ku mund të lexosh në "mozaikët" e Fatmir Terziut. Se aty ”Mbi dudë” ai sikur ka vënë një periskopë dhe vetëm vëzhgon. Po unë, ndaj e "zbrita" nga "Duda" dhe tani “Mbi dudë” jam vet. Epo në nuk "qullosa" gjë, fajin nuk e ka autori, po është pazotësia ime dhe kaq.

Tiranë, 28 shkurt 2017

Miq të nderuar së shpejti në duart tuaja romani im më i ri: "Mbi dudë"

Shkurt ..,

Bekimi, një djalë nga Peja, udhëton mes labirintheve të një dashurie me një vajzë trashëgimtare të tre gjërave themelore: njerëzores, tradicionales dhe mitikes, jo thjesht si faktor jete, por dhe për të shëruar një plagë nga koha e tij e shërbimit të detyruar ushtarak në ish-Jugosllavi. Vajza quhet Lejla. Edhe ajo përcillet si simbolika e gjallë e dashurive pas tre gjeneratave në të katërtin me rrënjë në Arbanas dhe Atdhe. Udha e dashurisë kapërcen mitin për të shkundur memorjen mes bashllakëve, po ashtu edhe ajo, vetë udha shkruhet mbi dhe nën dudë (man)...., ku ftillon fate jetike të lidhura me gurin. Londra u jep arsyen dhe lirinë për të shtrydhur disa shekuj në fletë të zverdhura ... dashurie mbi dudë!


10 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page