Një freski në festën e madhe të librit, Tirana 2019:
Roland Gjoza, TE DEUM Roman, Buzuku, 15 nëntor 2019
Përgatiti për shtyp: MARIGONA KELMENDI Vizatimi në kopertinë: ADEM BAJRAMI Arti grafik: ARTAN ZENELI Editorë: HANA & ABDULLAH ZENELI
"Te Deum" është libri i katërmbëdhjetë që botohet në kolanën e Botimeve Buzuku falë një marrëdhënieje duvine autor-botues. "Te Deum" ishte përzgjedhur në top 5-shen e çmimit letrar "Kadare", 2019.
Dy fjalë për romanin
Romani "Te Deum" ndërtohet mbi ëndrra. Janë disa fiksione që shkrimtari i merr me vete kudo. Këto ëndrra shikohen më qartë nga syri, siç shprehet Leonardo da Vinçi në aforizmat e tij, pra, ato janë grishëse në çdo rrethanë. Ky roman ndërtohet mbi paradoksin dhe absurditetin njerëzor, ka një kahe postmodernist duke vënë në qendër një shqiptar me emrin Te Deum, poetin francez Sharl Bodler, piktorin e madh Leonardo da Vinçi, pikturën gjeniale Mona Liza. Në këtë kompleksitet të ëndrrave nis një udhëtim imagjinar
nëpër shekuj, përzihen kohëra, shije, figura. Ngjarjet janë larg, po idetë afër. Është një udhëtim që duket sikur ka nisur dikur dhe vazhdon pa u mbyllur në të ardhmen me një pikësynim: bukuria grish dhe s’ka fund. Irrealitet dhe realitet, imagjinatë dhe histori në një ndërthurje ëndrrash. I gjithë bagazhi i përplotë dhe gjithsesi i paplotë i krijuesit synon bukurinë divine. Të gjithë udhëtojmë, po udhëtimi më i kushtueshëm mbetet ai drejt bukurisë. Në këtë përpjekje për të zbuluar këtë tharm të përjetshëm të shkrimtarit, këtë shqetësim të madh, këtë ambicie, ka dhe një lloj komiciteti, një lloj përqeshjeje në këtë ndërmarrje gati të parealizueshme. Edhe forca ka dobësinë e vet. Askush nuk e di se ç'po bën, por di se diçka po bën. Në këtë kalim apokaliptik nëpër ëndrra hidhen njolla ekspresioniste në një tablo që rreket të vizatojë bukurinë. Tekefundit është një himn për bukurinë, ose një ëndërr që mbetet ëndërr e parealizuar për bukurinë.
Nga sot, romanin e gjeni në stendën e bukur të Kosovës tek pavijoni Botimet Buzuku! Çmimi 5 €.
Comments