Dha ja…, në KORÇËN E RIZAIT, në KORÇËN TUAJ, mike dhe miq, ku fjala sapo shkruhet këndohet me kitare, ku “vajzat shetisin pa lejen e mamasë…” dhe poetët mblidhen me frymë PERËNDIE; por dyfish, edhe në KORÇËN time - si bijë e tim èti nga Devolli dhe më pas, si “nuse korçe” në një fis të madh…, ku bën pjesë edhe Rizai, një mik që nga dita e dekadave më parë, ku në takime poetike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, ne, më shumë se në këto takime kemi ngrënë e pirë Poezinë e njeri - tjetrit në tryeza miqsh, në Elbasan, Shkup, Tetovë, Sarandë…, apo në mbasditet tona në Tiranë… Janë këto arësyet motivuese që Riza Braholli është pjesë e mirënjohjes sime dhe të familjes, në antologjinë poetike-“ZËRA QË MË NDJEKIN…” I ushqyer që në barkun e nënës me mollë, i rritur që foshnje me serenata, Rizai ngjizi sëbashku Adam dhe Evë dhe në lirikat e tij, tundimi ndaj së bukurës femërore vjen natyrshëm, të ngjeshura metaforikisht dhe me sinqeritet jashtë tabuve, ashtu si vetë ëndrrat e poetëve. ~~~~~
RIZA BRAHOLLI MBORJA - u lind më 1960 në Mborje, Korçë. Ka botuar qysh herët në shtypin letrar dhe atë joletrar. Ka botuar vëllimet me poezi: “Qaj shqip”, “Mallkim virgjërie”, “Prekja e dritës”, “Letra për t’u djegur”, “Rima dashurie” vëllimin poetik për fëmijë “Vallja e tingujve”, romanin “Djali i pëllumbave”. “Marina” (si Bernard Vranja). Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega gjuhë-letërsi në Tiranë. Po pranë këtij fakulteti ka mbaruar masterin shkencor me temën: “Tipologjia e poezisë së Frederik Rreshpjes”. Më pas ka mare titullin doctor i shkencave për studime letrare me temën “Refuzimi estetik në poezinë shqipe” mbi poezinë e Frederik Rreshpjes dhe Zef Zorbës. Ka punuar si redaktor letrar në disa shtëpi të ndryshme botuese dhe lektor i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Aktualisht punon si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën e mesme profesionale Hoteleri Turizëm Tiranë.
RIZA BRAHOLLI - poezi
Mollë për magji
Kur bridhnim bahçeve me mollë harboja unë e xhinde ti. Nën atë bluzën fijehollë këput kokrra e hidh në gji
Kur bridhnim bahçeve të dy na tretej shpirti fjollë-fjollë, na mbinte drita sy më sy, na merrnin buzët erë mollë E haja unë e haje ti.
Na ndiqte dielli flet më fletë. Më thoshe: dorën, mu në gji, pa fute e gjeje mollën vetë. I preka mollët kok’ më kokërr.
Të forta ishin; me siguri edhe të ëmbla. Po pse m’e vogël m’u drodh njëra, për çudi e më dha zjarr, kuvet të ri.
Një zjarr të ri, gjith' bukuri që befas zgjohet e më flet: O merr, o ikë o njeri; një mollë haet, një mollë s’pret gjithë jetën fshehur nënë gjeth.
Kur bridhnim bahçeve me mollë të rritur s’ishim, as kërthi po rriteshim me mollë në gji. Mu nën fustanin fijehollë Ah ç’mollë gjeta! Për magji. 27/02/2020, Tiranë
*** Më ra pas një çupë.
Më ra pas një çupë Një me hire prilli Ta pije në kupë Nektar trëndafili.
Mollë e sapobërë S’i gjen një të dytë Ç’faje paskam bërë Që s’m’i ndante sytë!
Ç’faje paskam bërë Nuk paska të tjerë!? Djemurisë tërë I merr koka erë.
Më rra pas, e s’ndahet Si t’i them: - aman... Mollët, si s’më hahen, Po një tjetër kam.
Më pret në shtëpi Një xhinde, lanete; S’më lë kurrsesi Më do veç për vete.
Ikë, gjeç belanë, Se më vure zjarrë Do habisim fshanë Do na thonë: të marrë...!
Më ra pas një çupë S’m’u nda pa më lidhur Ç’e piva një kupë Me sherbet të hidhur.
*** Bie një fizarmonikë në muzg
Frymë të mbetura pezull e duar zgjatur mbi flakë perëndimi përgjojnë gjuhë të magjepsura fletësh
Në kopshtet e moçëm të Mborjes kokrrat e mollës këputen mbi shpinën e heshtjes si zjarre të vegjël
Dritaret përplasen në vruje tingujsh e tutje syprina e qiellit të purpurt mbledh qelqe, farfurima kristalesh
Diçka mes rënimit, ringjalljes, mes vajit e gazit kurme të zhveshur humbin në valse mëndafshesh
... një heshtje kapitëse dhe sytë e lodhur të mbrëmjes panë hirin e tingujve dhe shpirtin e shuar të flakëve.
*** Dashuri me perënditë -E kam adhuruar gjithmonë atë kohë kur njerëzit bënin dashuri me Perënditë-
Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë përtej, në botën e mjergullës ishim, në dhera të tilla ku kurrë s’kemi qenë të dy, unë e ti me mishin e shpirtin, të dy kapërthyer si dhéu me rrënjën.
Si ishim ashtu, as fjetur as zgjuar? Një shekull a dy a kush e mban mend lëndinash pa fund me frerët lëshuar mëgojzën si kuajt e hanim me dhëmb e prapë e sërish të unshëm, të vluar.
Më thuaj ç’qe kjo që sytë na panë që eshtrat kërcisnin e yjet vërrisnin e drita terrohej tej kohës pa anë e shuhej e zjente si uji me plisin me plisin eshkosur në gushtin e thatë.
Sa poshtë e përmbi, sa dritë e sa natë e ikshme si re, e prekshme si tokë si hëna në udhën e ciklit të gjatë kur hedh pëshpërimat e fundit mbi flokë e bota fundoset mes paqes së artë.
Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë, të shtatën e ditëve u ulëm e pamë se bota që nisëm ish ngritur më këmbë, pastaj u rishtrimë për aktin e mbramë dhe hëngrëm çarçafët e fundit me dhëmbë. ***
Seku…seku....!
Gjithnjë e më shpesh i mbyll sytë e më ikën... Seku..., seku…!?
Nën kapakët e syve zëra e hapësira pa fund;
po deri ku mund të të çojë bastuni i drunjtë, shpina e kërrusur nga vitet gjunjtë e këputur, deri ku?
Shtigjet që merr janë udhë për të humburit; ka të tjera ligje qielli, parajsa.
Nuk e di, duhet ta marr me mend se ç’shenja të bëjnë, ç’duar zgjasin drejt teje, ç'premtime të japin?
Eh, tek ikën, në çdo rrudhë, në çdo dridhje e në çdo dritë apo hije që mpikset në paqe, një flutur shoh me krahët e pamundur.
Po si mund të ikësh kështu? Buzët ende me frymë vere përkëdhelira sysh që hapin retë e zgjojnë qiejt.
Mos prano asnjë isharet që të japin prej s’di se në ç’emër; dua të të kyç brenda meje, gjithë jetën të të mbart; të tjerët i kanë lënë të ikin, si mund ta bëj këtë edhe unë?!
Mos duhet të të mbërthej në mur në një fotografi bardhë e zi si yt shoq e im atë?
Do të ktheheshe në Krisht e Krishti duhet të jem unë; e shumta ti mund të jesh një Marije një Marije që ke lindur veç një pjellë të dobët që druhet edhe t’i thotë vetes poet (kushedi nëse kjo është për t’u mburrur!)
Gjithnjë e më shpesh i mbyll sytë seku më ikën... seku… Por si mund të ikësh nga unë, si mund të shkosh si të gjithë?! ***
Një puthje ish ajo
Një puthje ish ajo, vetëm një puthje dhe dielli shtriu rrënjët qiell e tokë, i zjenë damarët dheut, zjarri i buzëve, siç shkrehet një rrufe e shuhet tutje lëvriu që nga thonjtë gjer në flokë.
Nuk di ta mora unë a ma rrëmbeve; q’i shkuam njëri-tjetrit s’ish çudi. Më thuaj: kush e di se ç’ndodh mes reve kur ngjizet ai zjarr që shkrep rrufeve drejt dheut turret flakë e derdhet shi?!
Një puthje ish, kërkon të tjera puthje e ajo puthje ishte me e vyera. Sa herë fryn e zjarrin e shton era tek ty të vij kam et, uri dhe ngutje i frikur se s'do të ketë më të tjera.
----------***********------------
Pak nga vlerësimet, për Poetin RIZA BRAHOLLI:
KOÇI PETRITI Parathënie e librit: "Qaj shqip"! “Shpirt që vuan, do dhe përgjërohet” Riza Brahollin, e kisha njohur vite më parë pa më shkuar ndër mend se një ditë do të lexoja prej tij një tufë lirika drithëruese, ku mund të mungojnë stërhollime teknikash të vargut, por jo ndjeshmëria dhe përjetimi emocional. Mund të ndodhte, të sajoja për të thënë fjalë inkurajuese, sa për të kaluar radhën, siç ndodh rëndom me libra fillestarësh. Tani druhem se, a do të mund të përcjell siç duhet atë mbresë, që më kanë lënë përgjithësisht këto vjersha, shprehur me një lirshmëri dhe sinqeritet të mjaftueshëm, për t’u dhënë vargjeve frymën e poezisë. Gjen aty figurën që lind vetvetiu nga përjetimi dhe atë ligjërim lirik, që vjen pas një dhimbjeje, pas një ndarjeje, pas një humbjeje, zhgënjimi apo çasti sublim të rinisë.... .... Në shumë vjersha autori krijon atmosferë poetike dhe fjalori është në harmoni si lëndë që thur çerdhësinë dhe si zë i atij zogu që e ka thurur atë çerdhe. Se poezia në fund të fundit është çerdhësi, zog dhe ligjërim bashkë.
PETRIT RUKA MELODI TË PAFUNDME DASHURISH ( Për vëllimin poetik “Rima dashurie” dhe “Lirika mëkati”) ...Në të njëqind poezitë e tij vijnë mijëra përjetime të këtij zjarri të përjetshëm që nuk fiket kurrë, që rindizet, brez pas brezi, sapo vjen djalëria e parë plot njomështi ndjenjash të përziera si një lëmsh në zemër, e gjitha sepse përballë qëndron flaka tjetër miturake e atyre që mbushin botën me kuptim, vajzat, misteri i tyre i pafund që turbullon çdo zemër e lind vajin dhe këngën... ...Duket sikur Braholli ka dashur të sjellë në këtë libër tërë atë djegien e pafund të burrit për dashurinë që nga fillimi i jetës së tij e deri tek muzgu, ku as bora e thinjave nuk ia mbulon dot zjarrminë që shpirti nuk e lëshon prej zemre. Duke gërmuar gjithmonë e më thellë brenda vetes shtresat e fshehta të përjetimeve dashurore, duke i nxjerrë ato me fjalë përvëluese lart në dritë. Dhe ia del mbanë të të mbush me këtë magji ndjenjash që vezullojnë në një gaz e dhembje, dritë dhe muzgje dëshpërimesh, brohorima të fshehta gëzimesh dhe kujesh në rënien kokëposhtë tek rrokopuja humbjesh të pangushëllueshme, nga ato të fundbotshmet që dallandis drejt e në mushkëritë e tua dashuria. Gjithmonë falë fjalës së zgjedhur tërë mundim netëve, gjithmonë falë ankthit të saj për të gjetur këndet më të ndritshme të fjalëve, frazave elegante, metaforave të reja, ritmit të tyre. Kjo e bën atë një poet të vërtetë. Mund të duket i habitshëm ky epitet gati i pazakontë, por në kohën e sotme sintetike, gjithmonë e më të sajuar, me kultura të sajuara shpejt e shpejt, me ushqime të sajuara shkel e shko, me shpirtra edhe me zi të sajuara si mos më keq, poetët dhe poezia e sajuar është ku e ku më e mundur, më e pranishme dhe më e rrezikshme se asnjëherë më parë. Poetët e llojit ha (lexo) libra e nxirr (shkruaj) libra kanë fituar një denduri të frikshme, duke e hedhur në erë mundësinë për gjykimin e hierarkisë së vlerave letrare. Riza Braholli është e kundërta e tyre dhe ky libër nuk sjell thjesht sukses, por gëzim. Suksesi mund të jetë edhe i rremë, gëzimi jo, sepse nuk ka punë me shoqërinë dhe falsitetet e saj të dendura, po me individin, me ty që lexon këngë të tilla. ...Në këtë pikëpamje libri mbetet një model i shkëlqyer prove e mësimi për të gjithë ata poetë rishtarë e studiues të poezisë shqipe të formave të saj të lëvrimit. Një libër poetik që falë talentit krijues jo vetëm në përmbajtje, po edhe në formë përbën një risi në poezinë shqipe, sado që dikujt kjo mund t'i duket një tingëllimë pretencioze.
VANGJUSH SARO: - Riza Braholli në ardhje… Shënime për librin poetik “Prekja e dritës”
Gjatë kohës që lexoja librin me poezi “Prekja e dritës” të Riza Brahollit, madje edhe duke shkruar këto radhë, përpiqesha të qasesha në kufijtë e rrymave dhe të shkollave letrare më të njohura, për tëkuptuar se ku gjendet apo ku e shoh unë poetin. Nëpër mendje, më rendnin terma dhe parime. Imazhinizëm. Romantizëm. Ikja në natyrë. E kaluara. Realizëm. Impresionizëm. Një episod poetik sa një frymëmarrje, pas së cilës edhe ty të mbetet fryma teksa pyet: Është njëlloj neorealizmi - me elemente erotizmi, gjithsesi vizatuar mjaft hollë - që grish në kërkim edhe vetë shkollën modeste shqiptare të poezisë? Dhe pastaj “Fletë vjeshte”, “Në atë pyllin që di vetëm unë”, etj. Poezi që të kujtojnë disi atmosferën e shkollës romantike: prehje në krahët e dashurisë, arratisje në të kaluarën, në natyrë; apo thjesht një peizazh me aq shumë detaje, nga gërvima e portës, te qershia e sofati…Po poezia me titull “Përshpirtje”? Do të thosha se për nga ndërtimi, ajo duket klasike, me kufij metrikë dhe orientim realist. Për nga përmbajtja, le të diskutojmë nëse ka dëshirë, më duket si një krijim me prirje kah ekzistencializmi. Ku po shkoj kështu? ...Kujdesi për ta kumtuar mendimin në mënyrë artistike, përmes një stilistike që ai e zotëron mirë, është një nga cilësitë kryesore të poezisë së R.Brahollit. Marrëdhënien më të ngushtë, “flirtin” më të bukur, ai e ka me metaforën. Është e dukshme. Ajo sundon çdo hemisferë dhimbjeje të poezisë së R.Brahollit dhe mire është ta ndjekim, pa le se ç’të “fshehta” zbulojmë në dashurinë e tyre magjike. ...Edhe në poezitë e R.Brahollit, fëminia zë shumë vend; kujtime, imazhe nga ai fragment i shenjtë i jetës: “Pa folje”, “Tregim për nënën e trëndafilin”, “Sa dua t’u besoj”, “Sa të kthehet zogu i humbur”.Janë poezi ku retë e kujtimeve, retë e kohës, enden qiellit të jetës duke iu besuar imazheve më të shtrenjta, që kanë qenë pjalmi në jetën e poetit, që humbasin, rikthehen, por që këndojnë përherë ekzistencën njerëzore si një film a histori pa fund. Ashtu plot imazhe dhe e pafajshme vjen fëminia edhe te poezia “Çifti në valle”, ku sërish shquajmë elemente që ndehen në një shtrirje kohore sa jeta, prej të tashmes në të shkuarën, por në një cikël ndijesish që përvëlojnë shpirtin: “Këtë çast/ dua të jem fëmijë/ ai i vogli/ që çmendej të merrte në faqe/dy buzët e kuqe të nuses...” ... në këtë nëntemë, është e natyrshme të thirret në apelin poetik vatra familjare; dhe mandej, të këndohet për protagonizmin e fortë të babait, në një bregore vargjesh ku gjithnjë harlisen pa pushim metaforat dhe prej nga e shkuara shihet ashtu si një fushë ku ngjyrat lozin e shfaqen si të ishin dallgë; në këtë festë poetike kujtimesh të ëmbla e përjetimesh që kullojnë dashuri e dhimbje, penelat e zemrës bëjnë portretin e dashur, në një kuptim, pse jo edhe bilance të cilat i kemi brenda vetes. ... Cila është “shkolla” që i ka shkuar nëpër mend të ndjekë apo që i përshtatet më shumë këtij poeti? Nganjëherë, poezia e tij shkon edhe përtej procedimit modern, që do të thotë e gris pamjen reale me mbivendosje imazhesh dhe ku simbolet harlisen si në një pranverë të vonuar; hera-herës vargjet pikojnë edhe dhimbje, edhe pajtim me fatin; më tej, ato grishin një thjeshtësi mahnitëse për t’u rigjetur pastaj në një disharmoni mjeshtërore, manierë që e ceka disi edhe më lart.
ZIMO KRUTAJ: “PREKJA E DRITËS” nga Riza Braholli ...Nuk di të them me siguri në e kam të lexuar diku se fëmijëria është toka e premtuar e poetëve, por poezia e Brahollit, në pjesën më të thukët të saj, e ka këtë shenjë si emblemë të natyrshmërisë dhe identifikimit. ...Një tjetër tipar identifikues është zëri lirik, që te poezitë e vëllimit “Prekja e dritës” shfaqet si në poezitë që trajtojnë motive nga fëmijëria dhe rinia e poetit (“Zog dimri”, Mbrëmje në Mborje”,”Natë vere”,”Tregim për nënën e trëndafilin”, “Këngë të fshehta”, “Porta e prillit”etj.) ashtu edhe në poezitë që “shkruhen” në çastin e dhënë, me përjetime, imazhe e përfytyrime, që i kapërcejnë kufijtë e kohës e të hapësirës: (“Nëna”, “Pas shiut”, Sonatat e Erit”, “Të (pa) dukshmen”, “Prekja e dritës”, .. si dhe pothuajse të gjitha poezitë e ciklit të fundit “Porta të hapura”, të përkthyera edhe në anglisht.) Ky zë i mëvetësishëm është njëherësh edhe un-i lirik i autorit, i formësuar nga e thëna dhe e pathëna, nga teksti dhe verbi poetik, por edhe nga ankthi i gjuhës, në përpjekje të përhershme për të shprehur të pashprehshmen. ...Te “Prekja e dritës” poeti Riza Braholli është i vetëdijshëm për fuqinë e komunikimit të fjalës së zgjedhur poetike, ndaj përkorja dhe lëmimi është një tjetër karakteristikë e poezisë së tij, ashtu siç mund të pohohet, pa frikë, se në themel të kësaj poezie është harmonia e tingullit, befasia e imazhit dhe një ndjeshmëri e lartë ndaj ritmit dhe muzikalitetit të vargjeve.
VAID HYZOTI Një fjalë për lirikun Riza Braholli
Para më shumë se dy dekadash, i telefonoj nga Amerika mikut tim të hershëm Petrit Ruka. Nuk isha i regjistruar në rrjete sociale. E "shaj" të dashurin Petja pse nuk më ka nisur tek Yahoo (të vetmin që përdorja atëherë) ndonjë krijim të tij, se e doja këngën e shpirtit të Rukës. Më tha shkurt: "Po merrem me një film, por po të nis një poezi të një miku tim që më pëlqen fort. E gjen edhe në facebook, në do ta ndjekësh..." Ishte një lirikë e mrekullueshme dashurie e Riza Brahollit. Më vonë hyra në rrjetet sociale dhe Brahollin e ftova ndër të parët si mik. Tashmë jemi miq "me yll" siç i quan fb-u, sepse sapo ai hedh një krijim, më del në faqe. E kam ndjekur tërë këto vite dhe tashmë, sigurisht, dhe pa emër të botojë, e njoh që është Riza Braholli. Madje, i sigurt që nuk gaboj, dashamirësit e poezisë, sidomos, e vlerësojnë Brahollin sot në majat më të dukshme të lirikës. Pa e takuar kurrë, "bashkë" me të shkoj dhe shtyj një portë druri në një shtëpi me avlli në Mborje dhe në çdo plasarimë druri lexoj një poezi. Është një përmallje e veçantë për vendlindjen, për nënën e babain, për meditimet e çdo moshe, që ai aq këndshëm i shpreh në poezitë e tij. Nëse sot ai jeton në metropol, nëse sot ka aq hapësirë e frymë, krijimtaria e tij, është aq e pasur në tematikë, gjurma e parë, porta e parë që e bekoi ecjen e poetit është ajo e vendlindjes me kaltërsinë e gjelbërimin dekorativ të tërë vendlindjes. Aty zu bimë dhe filloi rritjen, të japë gjelbërimin kudo ku "shkel" në botën e madhe poeti. U zgjata për mallin, mbase se dhe vetë për më se një çerek shekulli larg e ndjej dhe dhemb e rëndon në gjoks malli i vendlindjes sime... Shpesh pyetet se ku qëndron sekreti i poetit që sheh të padukshmen dhe i jep jetë dhe sendeve, animizon malin, lëndinat, pyjet e të tjera? Përgjigjja është krejt e thjeshtë: veç talentit të vetvetishëm, shkollimit, kulturës, leximeve të pafundme e të përditshme, është shpirti i tij njerëzor. Edhe në temat sociale, dhe në poezitë sensuale, dhe në metaforat brilante, dhe në fokusin krijues, poeti kërkon me njerëzoren, me të ndjeshmen. Kjo "hile" e tij që i vjen natyrshëm e bën poezinë dhe lirikat e dashurisë, sidomos, të bëhen të paharrueshme që në leximin e parë... Braholli ka guxuar suksesshëm dhe në prozën e gjatë me romane dhe në tregime të shumta. Por në thelb të shpirtit ai mbetet poet. Dhe për lirikat e dashurisë në një frymë në dukje baladeske, sepse kanë një miniepisod, sepse e ke qejf t'i dëgjosh symbyllur, për të ruajtur brenda vetes çdo afsh e aromë që të fal, çdo psherëtime dalldisjeje, për mua sot është në krye të radhës së krijuesve. Madje lënda i ka dhënë dorë të sjellë forma të larmishme të vargëzimit, me një rreptësi absolute ritmike. Pa rënë kurrë në retorike letrare, ai përdor vargun e lirë dhe të matur, strofimin klasik dhe të lirë. Personalisht ia kam zili, sidomos strofimit pesërrokësh, ku përjetimet ndihen më të lirshme...
RESHIDA ÇOBA
...Riza, e di pse e adhuroj poezinë tuaj? Adhuroj mënyrën si dashuroni, vuani, pendoheni, si refuzoni të besoni në korrigjimet e së shkuarës. Ne poezinë e dashurisë sillni përfytyrim, lëvizje, ku dallohet zbutja, shkrirja ,mbetja aristokrate e dashurisë; ...përcillni një tog emocionesh e jeni po ai djali çapkën, që përjeton prekjen e parë të gruas dhe përgjegjësinë e vargut të parë të krijimit. Të shkruash për dashurinë duhet të jesh një kureshtar i madh i vetes, gjesteve të trupit tënd, si e pse e kryen aktin. Ju e bëni mirë këtë, gatuani poezi me rregulla e lënde Braholli, e dorëzoni veten pa kompromis në rrotullimet blu të dëshpërimit, vuajtjes, pendimit...; keni mënyrën tuaj kozmike te përfytyrimit, harmonisë midis gjerave qe ndodhin në zemër...
FATMIR CECI - Shënime për librin “Letra për t’u djegur” të Riza Brahollit - .... Nga një vrojtim i hollë autori të lë përshtypjen e një observatori biologjik multifunksional, vrojtues e hulumtues i “unit” dhe “Universit”. Shqisat e tij kanë një ndjeshmëri ajri për të kapur kudo rrezatimin dhe valëzimin poetik. Me veshin te heshtja me duhet t’i përgjoj e pikas vrujet e kumtet e gjethes (f. 64). Me shpirtrat e erës duhet të flas. (f. 65), do vij… të ngujohem në buzëqeshjen tënde (f. 16). ...Në krijimin e tij poeti avancon deri në thellësi apo lartësi të padukshme dhe të pakapshme nga receptorë të zakonshëm... ... autori është një magjistar që mjeshtëron fjalën me plot mirësjellje e kulturë gjuhësore. Ai luan si virtuoz nëpër telat e asociuara të vargjeve, ai të sugjestionon e ndihesh mirë edhe pse sheh ëndërr syhapur. Është iluzionist. Një shqisë e tij kryen njëkohësisht shumë funksione të tjera. P.sh. syri i tij edhe sheh, edhe flet, edhe cicëron, edhe… Kjo lloj sinestezie e ndihmon në përkapjen dhe krijimin e lloj- lloj perceptimeve pamore e mendore me nivel estetik... Të gjitha këto nuk janë lëvdata boshe, por një punë mjeshtërore plot sqimë për të gjetur, thurur e vjershëruar motive, kujtime, dëshira e përjetime që përmbushin (in) ekzistencën e tij. ...A ka mundur autori të ndërthurë të gjithë elementet kompozicionalë në atë nivel ekselence sa të krijojë gjeografinë dhe anatominë e skeletit të tij poetik? Unë mendoj se përgjithësisht po… Ai jo vetëm që e njeh dhe dashuron poezinë, por dhe e zotëron mendjemadhësinë e saj. Ai e sfidon autoritetin e saj tradicional, e rimbjell, krijon hibride dhe varietete të reja letrare të certifikuara. Ai e ripërtërin dhe rishfaq të dukshmet dhe të padukshmet e saj, i zbulon sekretet, i zgjon shpirtrat e fjetur.. ...Ndërsa për sa i përket lidhjes e dashurisë së tij me natyrën duhet thënë se është sa besnike aq dhe tradhtare. Ai pranon atësinë, ADN e saj të përbashkëtat, por shpesh xheloz dhe ambicioz ai e vetëkrijon atë në laboratorin e tij. Ai largohet prej origjinës së saj me anë të fantazisë, idilit e muzës dhe flirton me të “përqafohet me hijen e një ëndrre/duke u shndërruar në lule tingulli”. . VLADIMIR TOROVECI - POET ESEIST
Riza Braholli, poeti që ngjiz perlat e mallit: ....Poshtë në rrafshinën e mbuluar me mjegull që errëson pamjen dhe ndih anonimatin, mizërojnë shumë syresh që pretendojnë të jenë artistë, shkrimtarë apo poetë të mëdhenj dhe që nga produkti rezultojnë të jenë veçse grafomanë, plagjiatë apo shkërbyes që s’kanë asgjë të përbashkët me artin. Bejtexhinj që me anë të vargëzimeve të tyre, synojnë të marrin dhe të përfitojnë dhe jo të japin. Mirëpo të duash, do të thotë të japësh dhe jo të marrësh. Të gjithë poetët e mëdhenj janë të tillë, sepse kanë dhënë shpirtin për njerëzit dhe të dashurit e tyre. Malet në kurriz të vendlindjes së tij, në një farë mënyre, kanë simbolizuar këta kollosë për të. Ata kanë frymëzuar poetin Braholli të priret në kahjen e tyre. Me mendjen dhe shpirtin në Mborjen e tij, atje midis tokës dhe qiellit, i ushqyer me humusin e turmës që është e pa aftë të krijojë art të vërtetë, duke frymuar ajrin e lartësive, ai përpiqet të ngjizë veprën e tij të pangjashme me atë të kllounëve dhe lakejve provincialë. Ndoshta ai, nuk aspiron lavdinë e Dante Aligerit, as famën e Eseninit apo të Frederik Rreshpjes të cilin e adhuron. Ai thjesht kërkon të jetë vetvetja e të këndojë meloditë që vendlindja e tij ia ka dhënë me vete, në arratinë e tij. Të përbashkët me të pavdekurit e mësipërm, ka dashurinë për poezinë dhe fatin pothuaj të njëjtë. Ashtu si Esenini që nuk e kuptonte kohën vet edhe ai habitet me shpërdorimin dhe keqkuptimin e lirisë së kësaj kohe. Ashtu si Rreshpja fatkob e vegimtar edhe ai ndjehet i mënjanuar nga kjo krusmë babëzie dhe materializmi. Si Dante Aligeri që u përzu prej Firences, vajtjen e tij në Tiranë e përjeton thuajse si një mërgim të dhunshëm prej Mborjes, së tij të dashur. Megjithëse ka dhjetëra vjet në kryeqytet, ai prapë ndjehet i huaj dhe i brengosur atje.
LUZ HANAII - poet, USA:
- I could stay for hours reading your work. You’re very talented. Sending good wishes from Kalifornia.
~~~~~<<
IN ENGLISH:
RIZA BRAHOLLI
RIZA BRAHOLLI MBORJA was born in Mborje, Korça(Albania). Has publicated from the youn age in the literary press, and non literary. Has published volumes of poetry: "Cry in albanian", " The curse of virginity", "Touch of light", "Letters to get burn", "Love rhymes", poetic volume for children "Dance of sounds", novel "The boy of doves", "Marina"(as Bernard Vranja). Riza has studied in University of Tirana, in the Faculty of Philology and History, in the brunch of Language and Literature. Also in this faculty has finished the Scientific Master with the topic:"Topology of the poetry of Frederik Rreshpja". After that has received the title "Doktor of Sciences" for literary studies with topic "Aesthetic rejection in the albanian poetry" about Frederick Rreshpja and Zef Zorba poetries. Has worked as literary redactor in different publishing houses and external lecturer at the University "Alexander Moisiu" Durrës. Currently works as a teacher of Albanian language and literature in the professional high school of Hotelery Tourism in Tirana.
Love with gods
I have always loved the times when people would make love with gods
Last night we lit the fire of fires yonder, we were in a world of haze, in exotic lands or unknown routes through flesh and bone, we were in a daze, attached like soil wrestling with roots.
Awake or asleep, slumbering on? Who could recall from centuries a whit bridles unleashed on endless lawn, nibbling with teeth the snuffle bit, longing and yearning again upon.
What eyes did see you tell to me how bones creaked and stars did bawl and light would darken endlessly free, faded and boiled like water and soil with clod amadou in dry fist lee.
Over or under, for night, or light touching the earth, or cloud in the air like Moon in longer cycle, in light pouring last whispers down on hair. The world is drowned in golden quiet.
We lit the fire of fires last night. We sat, and saw the seventh day, the world we started, standing on feet. We then lay down for the ultimate play, chewing on teeth the last white sheet.
Somewhere…somewhere…!
Often I close my eyes and you leave Somewhere…, somewhere…!?
Under the eyelids voices and endless spaces;
but where could your walking stick, your age-bowed back and weary knees, lead you up, where?
The pathways you follow are dead-ends for the lost; other laws are in heights of heaven.
I fail to know I’d rather guess which are their signs, which hands do they stretch towards you, which promises do they give?
Oh, as you leave, on each wrinkle on each shudder and light or shadow that hardens in peace I see a butterfly cutting her wings hopelessly.
How could you leave this way? Lips still in wine parfume caressing eyes that clear the skies and wake them up.
Refuse either singes they give I know not on whose behalf; I want to lock you within me, and carry you all my life; others have left theirs leave how could I do the same?!
Should I nail you on the wall on a black and white photo like your husband and my father?
Would you turn into Christ but I must be the Christ myself; you may be Mary at the most Mary who gave birth to a weak offspring that hesitates to call himself a poet (who knows whether this is to brag)
Often I close my eyes you leave for somewhere….somewhere… But how could you leave me, how’d you leave like others!?
It was a kiss
It was a kiss, a kiss that sips Sun stretched its roots to earth from air The earth’s veins boiled, from fire of lips Like lightning flashes when away flips Hummed form toes’ nails to the hair.
I know not who the first kiss allowed That we were fit was not a wonder Tell me what happened within the cloud When fire is kindled with lightening out loud Towards the earth with rain and thunder.
A former kiss, wants other kisses But oh that kiss was dearly precious When longing hurts and winds the fires I come to you thirsty with wishes For I do fear there’ll not be others.
(Translation from Albanian into English by Alfred Kola)
~~~~~~ Iliriana Sulkuqi- MIRËNJOHJE për “ZËRA QË MË NDJEKIN…” Brooklyn, NY, mars, 2022
Comments