top of page

Rikthehet për të 23-tin vit radhazi


Klejda Plangarica

Informacion mbi Festivalin “Skampa 2021”


Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa” rikthehet për të 23-tin vit radhazi në qytetin e Elbasanit, duke vijuar kështu traditën e pandërprerë të prurjeve cilësore të artit skenik me larmi stilesh e formash të reja. Nëntë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova, Italia, Lituania, Serbia dhe Turqia, si dhe një sërë personalitetesh - specialistë të shquar të teatrit nga vendi dhe bota - do të jenë pjesë e “Skampa 2021”.


Nën organizimin e Asociacionit Europian të Teatrit Bashkëkohor Shqiptar ATK, ky eveniment nuk mund të mungonte as këtë herë në skenën e Teatrit “Skampa”, në sajë të mbështetjes së Bashkisë Elbasan, Ministrisë së Kulturës, Këshillit të Qarkut dhe sponsorëve të ndryshëm, si dhe inkurajimit të vazhdueshëm të artdashësve të qytetit e komunitetit teatror brenda dhe jashtë vendit.

Ashtu si çdo vit që vjen me një slogan të ri, këtë herë edicioni i 23-të i Festivalit "Skampa" mban titullin “Teatër Tre/ Theater three”. Në këtë kontekst ai vjen si një akt sfide përballë situatës së vështirë të pandemisë - përmes Besimit, Dashurisë dhe Shpresës, si dhe njëkohësisht vjen si një model për t’u përditësuar me kohën, për t’u akorduar e ndryshuar më tej.


Sipas regjisorit Adonis Filipi, drejtues artistik i këtij festivali, “Teatri i ka mbijetuar shumë plagëve dhe epidemive para nesh dhe do t’i mbijetojë shumë epidemive pas nesh. E rëndësishme është që secili të përpiqet dhe të mendojë se ç’duhet bërë në këto kohë të vështira dhe të çuditshme për të ecur përpara dhe për t’i bindur njerëzit që të sillen ndryshe. Në këtë kontekst, festivali vjen si një zë shprese duke hapur portën e tij për publikun, si një mundësi frymëzimi për njerëzit duke përçuar gëzim dhe argëtim”.


Adonis Filipi, drejtues artistik i këtij festivali

Festivali “Skampa” përfaqëson një udhëtim aventure drejt koncepteve artistike dhe perspektivave teatrore të reja, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave bashkëkohore, si në skenat shqiptare edhe në ato ndërkombëtare. I krijuar si një projekt ndërkombëtar teatror i "Formave të reja" festivali ruan origjinalitetin e tij ndër vite duke qenë i njëjtë dhe ndryshe në çdo edicion, duke shmangur qasjet tradicionale dhe duke promovuar prirjet drejt çdo forme inovative të shprehjes artistike.

“Është ky dizajn ndërkulturor që e bën Festivalin “Skampa” një gravitet të kënaqësisë, të zbulimit, krijimit dhe sfidës së vërtetë për artistët dhe spektatorët, duke e kthyer festivalin ne një ngjarje të pritshme teatrore përtej kufijve lokalë, kombëtarë e më gjerë”, shprehet ndër të tjera regjisori Filipi.



Ashtu si edhe vitin e kaluar, organizatorët e festivalit do të marrin të gjitha masat për një administrim të mirëpërcaktuar të distancave në kushtet e pandemisë, pajisjen e artistëve pjesëmarrës me maska, mbajtjen e tyre dhe lejimin e një numri të kufizuar spektatorësh. Përveç shfaqjeve që do të ngjiten në skenën e Teatrit “Skampa”, do të ketë gjithashtu shfaqje në mjedise të hapura atraktive të qytetit të Elbasanit, me synimin për të nxitur dialogun ndërkulturor midis artistëve, spektatorëve dhe promovuesve të artit.




Historik - Mbi Festivalin "Skampa"


Festivali i Teatrit Bashkëkohor "Skampa" lindi në prag të ndryshimit të shekujve – si i pari takim ndërkombëtar teatror në Shqipëri - në qytetin me traditë kulturore dhe teatrore të Elbasanit, si Mitingu Ndërkombëtar Teatror “Skampa ‘99” (15 - 21 Dhjetor 1999), me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Elbasanit. Gjatë 22 viteve të deritanishme festivali është ndjekur nga rreth 100 000 spektatore, mbi 4000 artistë e specialiste nga vendi e bota; janë rreth 300 shfaqje teatrale me larmi stilesh dhe formash artistike të cilat janë bashkuar me Festivalin “Skampa”, ku veç trupave nga Shqipëria, renditen ato nga Kosova, Italia, Anglia, Turqia, Hungaria, Greqia, Franca, Rumania, Serbia, Maqedonia e Veriut, Gjermania, SHBA, Bullgaria, Sllovenia, Rusia, Kina, Argjentina, Azerbajxhani, Mali i Zi, Belgjika, Kroacia, Austria, Moldavia, Polonia, Holanda, Suedia, Argjentina, Republika Çeke, Spanja, Kili etj.


Nga edicioni i parë e deri tani, festivali nuk ka reshtur së qeni një vend trajnimi dhe praktikimi i metodologjive të ndryshme bashkëkohore me studentë të rinj artistë nga Akademia e Arteve, si dhe individë të interesuar për teatrin. Në kuadër të këtij evenimenti dhjetëra aktivitete me karakter arsimor, praktik, teorik dhe teatral, ose të sferës menaxheriale janë drejtuar nga artistë, specialistë dhe personalitete të shquara nga vendi, rajoni dhe bota, të tillë si: Philip de Moine (Francë), Uwe Hanf (Gjermani), Adriatik Kallulli, Miho Gjini, Vangjush Furxhi, Josif Papagjoni (Shqipëri), Sandy Marberly, Chris Feris (Angli), Bekim Lumi, Jeton Neziraj (Kosovë), Romano Fodai, Pietro Floridia (Itali), Doru Motoc, Maia Morgenstern (Rumani) Roland Hill (SHBA), Tamer Levent (Turqi), Romeo Popiliev, Nevena Miteva (Bullgari), Zoltan Balazs (Hungari), Alicja Borkowska (Poloni) etj.





Klejda Plangarica

Koordinatore për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa”



54 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page