Prof.dr. Eshref Ymeri
“Rezonanca magnetike”
e historianit Vasfi Baruti për Enver Hoxhën
Në vitin 2013, pas një pune këmbëngulëse studimore 8-vjeçare, historiani i njohur Vasfi Baruti, doktor i shkencave, botoi librin me titull “Enver Hoxha në optikë të re”, të cilin e pati nxjerrë në qarkullim Shtëpia Botuese “UEGEN”.
Më 31 janar të vitit 2014 unë botova në internet artikullin me titull “Enver Hoxha, varrmihësi i nacionalizmit shqiptar”. Në atë artikull vlerësohej puna kërkimore shumëvjeçare e autorit të librit, i cili u ka folur lexuesve vetëm me gjuhën e fakteve, duke nxjerrë në pah rolin e Enver Hoxhës, si një vegël e verbër e shovinizmit serbomadh për përçarjen dhe varrosjen e ndjenjave nacionaliste në radhët e popullit shqiptar.
Në një takim që pata asokohe me dr.Vasfiun, ai më vuri në dijeni se ishte duke punuar për pasurimin e atij libri me të tjera të dhëna arkivore për personin e Enver Hoxhës, si figura më krimninale në historinë e kombit shqiptar.
Në gushtin e vitit 2018, pata kënaqësinë të takohesha me dr. Vasfiun në kafenenë pranë digës së liqenit artificial. Aty ai më dhuroi kopjen e librit me titull “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)”, një vepër e vëllimshme prej 682 faqesh.
Libri përbëhet prej 82 temash, të shoqëruara me 92 materiale ilustrative. Për përgatitjen e tij, autori ka shfrytëzuar 739 burime të ndryshme, mes të cilave burimet arkivore kanë një rëndësi të jashtëzakonshme.
Thelbin e librit e përshkon si një fill i kuq çmitizimi përfundimtar i figurës së Enver Hoxhës, i cili ka luajtur një rol kyç për falsifikimin tragjik që i është bërë historisë sonë kombëtare të periudhës së luftës dhe të pasluftës. Prandaj dr. Vasfi Baruti është i vetmi historian që i drejtohet publikut të gjerë me një vepër kaq të vëllimshme, duke nxjerrë në dritën e diellit të vërtetat e pamëshirshme për figurën e kriminelit Enver Hoxha, i cili e trajtoi Shqipërinë si një parcelë eksperimentale për kryerjen e krimeve nga më të përbindshmet në historinë e njerëzimit.
Çmitizimin e figurës së Enver Hoxhës, dr. Vasfiu e fillon me gjashtë ditëlindjet e tij në vitin 1908: 12 maji, 25 qershori, 30 qershori, 10 shtatori, 3 tetori dhe 16 tetori. Mandej e vazhdon çmitizimin me prejardhjen e tij nga një familje e varfër, çka vërtetohet açik në figurën nr. 4 të librit (f. 26), ku paraqitet hyrja e shtëpisë së tij të vërtetë në Gjirokastër, por që, siç thekson autori, “Enver Hoxha, i rrëmbyer nga aluçinacione, shkruan diçiturën e “ish-shtëpisë së vet” dhe rrëfen vite të fëmijërisë në atë shtëpi (me dukje) që s’ka ekzistuar kurrë -e projektuar dhe e ndërtuar në nëntor 1966”.
Prejardhjen nga një familje e varfër akush nuk e ka për turp, por Enver Hoxha, duke përdorur artin e mashtrimit, ka ngritur mite që ai të vlerësohej si “familje me origjinë intelektuale e “derë” e madhe e me saraje, ama e me të përkundërtën: shtëpia e vërtetë me imazh nga më të fundit të Gjirokastrës e me haur kafshe, por edhe një jetë në skamje” (f. 7).
Në faqet e librit zbulohen të vërteta befasuese për kohën kur liceisti i Liceut të Korçës Enver Hoxha, me bursë të mbretërisë, u dërgua në Francë për studime të larta në universitetin e Monpeliesë. Në bazë të rezultateve nën mesataren që kishte pasur në mësime në Liceun e Korçës, atij nuk i takonte të fitonte bursë në Francë. Autori i librit shkruan:
“Një forcë tjetër mendoi për bursën e Enver Hoxhës: Shërbimi Sekret i Shtetit, me kryetar Ibrahim Hoxhën, djalin e nëndajkos së Enver Hoxhës, sepse plotësonte kushtet specifike të shërbimit sekret: inteligjent i rrafinuar, i besuar, lidhje gjaku me kryetarin Ibrahim Hoxha, do të krijonte mjegull në radhët e emigracionit antizogist në Francë e merrte besimin e tyre. Betimi i liceistit merrte kredite të larta besueshmërie”(f. 95).
Por, çuditërisht, bursisti Enver Hoxha, gjatë tre vjetëve të qëndrimit si student në Universitetin e Monpeliesë, nuk dha asnjë provim dhe nuk pati kurrfarë ndëshkimesh ligjore: në bazë të rregullores qeveritare, ai duhej t’i kthente shtetit bursën e marrë, e cila i qe prerë me urdhër të ministrit Mirash Ivanaj. Por, në vend që të ndëshkohej, ai merr emërimin nga Oborri si Sekretar i Konsullatës shqiptare në Bruksel. Por në vitin 1936, me urdhër të Oborrit, pushohet nga kjo detyrë dhe kthehet në atdhe.
Pas mbarimit të luftës, puthadorët e shumtë të Enver Hoxhës, duke filluar nga historianë, gazetarë dhe deri tek Akademia e Shkencave, janë munduar ta nanurisin opinionin publik me lloj-lloj përrallash për “aktivitetin e dendur” të Enver Hoxhës gjatë kohës që ndodhej në Francë dhe në Belgjikë, duke e paraqitur si aktivist në partinë komuniste franceze dhe si autor artikujsh në gazetën “Humanite”.Të gjitha ato përralla dr. Vasfi Baruti i ka zhvlerësuar me argumente bindëse, duke nxjerrë në spikamë vetëm të vërtetën dhe duke e sqaruar lexuesin një herë e mirë se Enver Hoxha nuk ka qenë absolutisht aktivist në partinë komuniste franceze dhe as që ka pasë botuar kurrfarë artikujsh në gazetën “Humanite”.
Dr. Vasfi Baruti hedh dritë përfundimisht mbi të vërtetën rreth atij “fjalimit” të famshëm të Enver Hoxhës në vitin 1936 nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës, në nderim të eshtrave të Çerçiz Topullit dhe të Muço Qullit që do të përcilleshin për në Gjirokastër. Prandaj ai shkruan:
“E vërteta është se Enveri në Shkodër s’ishte pjesë e delegacionit të Gjirokastrës, nuk ishte as me mision për kërkimin e gjetjen e eshtrave të dy patriotëve dhe asfare s’mbajti fjalim në emër të delegacionit gjirokastrit - realisht ishte në shoqërimin e dy ish-shefave të shërbimit sekret shqiptar: Spiridon Kacarosi dhe Ibrahim Hoxha” (f.172).
Ndërkohë, autori citon vetë Enver Hoxhën, i cili, si një mjeshtër i mbaruar i mashtrimit, në veprën “Vitet e Rinisë” (të botuar në vitin 1988, f. 242), shkruan pa iu dridhur qerpiku për gënjeshtrat që hidhte në letër:
“… Pata nder të madh të flas unë në emër të delegatëve gjirokastritë e gjithë popullit të Gjirokastrës në ceremoninë që organizoi populli i Shkodrës për të përcjellë eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit”.
Libri i dr. Vasfiut është tepër tronditës për të vërtetat që ai ka zbuluar për mashtrimet e propagandës komuniste dhe të historianëve-akademistë për të ashtuquajturin rol të Enver Hoxhës në grupin komunist të Korçës dhe në krijimin e partisë komuniste më 08 nëntor 1941. Me këmbënguljen e një hulumtuesi mjaft objektiv, dr. Vasfiu ka arritur të depërtojë me shumë sukses në “minierën” e mitologjisë komuniste dhe akademiste, dhe, me një shpërfillje prej historiani dinjitoz, ka flakur tutje me neveri mitet e rreme, gënjeshtrat dhe trillimet rreth figurës së Enver Hoxhës, si një mashtrues i regjur për t’i veshur vetes merita të paqena, sikur ai na paska qenë “themeluesi”i partisë komuniste.
Propaganda komuniste dhe akademiste, me yshtjen e vetë Enver Hoxhës, pati krijuar mitin, sipas të cilit ai e pati lënë Korçën dhe pati ardhur në krye të degës së Tiranës të Grupit komunist të Korçës. Ky ka qenë një mashtrim skandaloz, se Enver Hoxha nuk ka qenë kurrë anëtar i Grupit komunist të Korçës. Ja dëshmia e vërtetë që sjell dr. Vasfiu, duke cituar fjalët e të birit të Koço Tashkos, Frederik Tashko:
“Enveri kishte kërkuar disa herë të futej në Grupin e Korçës, por nuk ishte pranuar. Ka qenë pikërisht Pilo Peristeri ai që ka penguar më shumë në këtë drejtim. Preteksti ishte se ai njihej si njeri me moral të dyshimtë” (Frederik Tashko, nga rrëfimi i babait K. Tashko. Gazeta“Standard”. 26 dhjetor 2011. Citohet sipas faqes 472 të librit në fjalë).
Autori i librit zbulon të vërtetën kryeneçe: dega e Tiranës e Grupit komunist të Korçës nuk ka pasë ekzistuar absolutisht. Enver Hoxhën e patën larguar nga Liceu i Korçës, si të panevojshëm, dhe në fillimverën e vitit 1940, me ndihmën e Esat Dëshnicës, nipin e Ibrahim Biçakut, një pronar i madh ky, ai vjen në Tiranë dhe sistemohet në dyqanin “Flora”.Pikërisht dyqani “Flora”, deri sot e kësaj dite, në kujtesën e opinionit publik, figuron si “ish-vatër e ideve komuniste” që “përhapte”Enver Hoxha, i cili, në të vërtetë, nuk e kishte idenë absolutisht se ku binte komunizmi me adresë. Në “Florën” e famshme, sipas të vërtetave që zbulon dr. Vasfiu,Enver Hoxha merrej me krejtësisht tjetër aktivitet. Aty “Enver Hoxhës i buzëqeshi fati të jetë njëshi i kontrabandës së cigareve greke “Samos” dhe“Papastratos” me ushtarakë italianë në luftën italogreke…” (f. 222).
Nga vepra e dr. Vasfiut mësova për herë të parë se i ashtuquajturi themelim i partisë komuniste më 08 nëntor 1941 paska pasur parahistorinë e vet, e cila, me një kujdes të jashtëzakonshëm, është mbajtur larg vëmendjes së opinionit publik gjatë gjithë periudhës së sundimit gjakatar të kriminelit Enver Hoxha dhe gjatë gjithë kohës që pasoi pas zëvendësimit të sistemit komunist me sistemin neokomunist që vazhdon deri në ditët tona.
Parahistoria e themelimit të partisë komuniste shqiptare paska filluar në Vitomiricë, për të cilën dr. Vasfiu shkruan:
“Vitomirica, fshat verilindor i Pejës, i kolonizuar nga malazezë e serbë, fshat i Dushanit e Miladinit dhe kryeqendër e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit - Prizrenin e Gjakovën; edhe qendra e mbledhjes së parë politike e krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare më 11 e 12 tetor 1941, me 18 orë diskutime e vendime, madje miratohet edhe lista e komitetit qendror provizor që do të krijohej” (f. 236).
Pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste më 07 prill 1939 dhe krijimit të Ballit Kombëtarë, si një formacion politik me orientim nacionalist, shovinizmi serbomadh mori nën mbikëqyrje grupet komuniste në Shqipëri, me qëllim që të shuante që në embrion tendencat nacionaliste në vendin tonë. Shovinizmi serbomadh ushqente simpati për grupet komuniste në Shqipëri, sepse në pikëpamjet e tyre, në dallim të qartë nga programi i organizatës së Ballit Kombëtar, nuk figuronte kurrfarë objektivi për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe të krejt trojeve tona etnike.
Dr. Vasfiu i ka bërë të njohur lexuesit procesverbalin e mbledhjes së Vitomiricës që ka qenë i depozituar në Arkivin Shtetëror të Beogradit. Sipas atij procesverbali, i cili, në vitin 1966, i pati rënë në dorë profesorit Ali Hadri, Vitomirica, siç e thekson me shumë të drejtë dr. Vasfiu, paska qenë “paradhoma politike e mbledhjes themeluese të partisë komuniste në Shqipërinë e re politike” (f. 238).
Nënkuptohet që, në mbledhjen e Vitomiricës, “violinë e parë” do të ishin emisarët e Beogradit. Prandaj, në listën e delegatëve të saj figurojnë të parët delegatët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Dr. Vasfiu shkuan:
“Delegatët në Vitomiricë: delegacioni i Partisë Komuniste të Jugosllavisë: Boris Vukmanoviç, sekretar organizativ, Dushan Mugosha, Xhevdet Doda dhe Ali Shukria. Delegacioni shqiptar: Koço Tashko, Xhevdet Doda, Fadil Hoxha, Elami Nimani dhe këta tre të fundit ishin anëtarë të grupeve komuniste shqiptare dhe njëherësh edhe anëtarë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë.
Siç shkruan akademik profesor Ali Hadri, cituar prej dr. Vasfiut, mbledhjen e Vitomiricës “e ka udhëhequr Boris Vukmanoviçi, sekretar organizativ i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, i cili, pas analizës së situatës në grupet komuniste shqiptare, shprehu dhe mendimin si dhe propozimet për mundësitë e bashkimit të tyre në një parti unike” (f. 230-231).
Në tekstet e historisë për shkollat, në veprat me tema historike, në botimet e Akademisë së Shkencave është shkruar dhe stërshkruar se mbledhja për themelimin e partisë komuniste më 08 nëntor 1941 pati vazhduar deri më 14 nëntor. Sigurisht që këto janë mite që i përhapte propaganda komuniste se e vërteta ishte krejt ndryshe, sepse, mbledhja themeluese, siç shkruan dr. Vasfiu, “vazhdoi vetëm disa orë mbrëmjen e 8 (4) nëntorit…” (f. 239). Ai madje, për herë të parë, flet për katër ditëlindjet e partisë: “4 nëntor, 4-8 nëntor, 8 nëntor, 8-14 nëntor” (f. 282). Të vërtetën për datën e themelimit të partisë dhe kohëzgjatjen disaorëshe të mbledhjes themeluese, e pranon vetë Enver Hoxha në një artikull që pati shkruar me rastin e 5-vjetorit të themelimit të partisë dhe të botuar në gazetën “Bashkimi” më 08 nëntor 1946, çka dr. Vasfiu e citon në faqen 284 të librit të vet:
“8 nëntor 1941. Mblidhemi në një shtëpi përdhese në rrugën e Shëngjergjit… Sot tërë fuqitë e rezistencës bashkohen e formojnë Partinë Komuniste të Shqipërisë… U larguam, duke çarë errësirën e natës…”.
Nga analizat shteruese dhe hulumtimet e shumta që ka bërë dr. Vasfi Baruti, rezulton se organizatorët dhe themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë kanë qenë emisarët e Titos - Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, sepse grupet komuniste “ishin fole grerëzash, brejtur me grindje, mosmarrëveshje, fyerje, secili grup vetëquhej parti komuniste, pa ditur fare ç’është partia e roli i saj…” (f. 241).
Një fakt mjaft i rëndësishëm që vihet në dukje në këtë vepër të dr. Vsafi Barutit, është e vërteta për Qemal Stafën, si autor i referatit politiktë mbledhjes themeluese, me titull “Rezolucioni i mbledhjes së Grupeve”. Kjo e vërtetë është mohuar në historiografinë shqiptare dhe në të ashtuquajturat vepra të Enver Hoxhës. Përkundrazi, Enver Hoxha, në vitin 1947, me rastin e 39-vjetorit të lindjes, i prezantohet publikut shqiptar si themelues i partisë komuniste, çka ishte një mashtrim flagrant për të vërtetën historike:
“Koshient i nevojës së domosdoshme të krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare, shoku Enver Hoxha vuri të gjitha forcat e tij për formimin e saj. Populli ynë i është mirënjohës shokut Enver Hoxha që luftoi e krijoi partinë” (Gazeta “Bashkimi”. 16 tetor 1947. Cituar sipas faqes 258 të veprës së dr. Vasfiut|).
Pra, që prej vitit 1947, propaganda komuniste, përmes puthadorëve të papërtuar, fillon himnizimin e kultit të individit të Enver Hoxhës, duke i veshur atij bëma absolutish të pamerituara. Madje vetë Enver Hoxha, në veprën “Kur lindi Partia”, të botuar në vitin 1982, merr vetë përsipër rolin e falsifikatorit të historisë, anashkalon pjesëmarrjen e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, si emisarë të Titos në mbledhjen themeluese, duke mashtruar pa iu skuqur faqja për themelimin e partisë më 08 nëntor:
“Atëherë u ngrita në këmbë shumë i emocionuar dhe thashë: Shokë, në bazë të propozimit të grupit komunist të Korçës dhe mendimeve të shfaqura nga gjithë të pranishmit, po vë në votë projektvendimin…” (Kur lindi Partia. Tiranë 1982, f. 173. Citohet sipas veprës së dr. Vasfiut, f. 261).
Enver Hoxha, në të vërtetë, siç u theksua më lart, nuk ka qenë delegat i grupit komunist të Korçës, se ai nuk ka qenë anëtar i atij Grupi. Në mbledhjen themeluese ai thjesht qe ftuar nga Koço Tashkoja, meqenëse ishte i besimit mysliman, pasi shumica e pjesëmarrësve në atë mbledhje ishin të besimit të krishterë. Prandaj ai nuk mund të ishte kurrsesi themeluesi i partisë komuniste. Të vërtetën për rolin e organizatorit dhe të themeluesit të saj, dr. Vasfiu e zbulon për herë të parë në faqet e këtij libri:
“Miladin Popoviçi, i dhënë i tëri për detyrën nga Vitomirica, më 30 tetor ’41 i dërgon raport Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për punën e bërë me përkushtim për bashkimin e komunistëve në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Është një argument më shumë për misionin e tij, i ngarkuar në mbledhjen e Vitomiricës t’i çojë komunistët shqiptarë në mbledhjen themeluese për krijimin e partisë komuniste. Ky informacion burimor i rëndësishëm vjen këtu për herë të parë për punën e Miladin Popoviçit në misionin e tij” (f. 237).
Ndërkohë, propaganda komuniste vazhdonte të përhapte mite për Enver Hoxhën si “themeluesin”e partisë komuniste, mite këto, të cilat erdhën e ushtruan ndikimin e vet, madje deri edhe në letërsinë artistike dhe në artet figurative. Kështu, Ismail Kadare, i njohur në krijimtarinë e vet poetike për servilizmin model që shfaqte ndaj Enver Hoxhës, u mban ison falsifikimeve të propagandës komuniste për “themeluesin” e rremë të partisë komuniste, duke shpërfillur faktin që letërsia artistike e ka shumë më të fuqishëm ndikimin mbi lexuesin sesa letërsia politike:
“U hartua Thirrja, / Themeluesi i partisë zgjati dorën për firmë… / Ajo s’ishte firmë, / Ajo ishte vetëtimë / Në qiell të revolucionit me re e suferinë. / Duke nënshkruar dokumentin e parë / Shoku Enver Hoxha nënshkroi stuhinë” (Ismail Kadare. “Shqiponjat fluturojnë lart”. Vepra letrare. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.Vëllimi 2. Tiranë 1981, f. 157, 158).
Po ashtu, piktori Shaban Hysa, i ndikuar nga propaganda komuniste, falsifikon të vërtetën, krijon tablonë, kushtuar Enver Hoxhës, si “themelues”i partisë. Në qendër të tablosë Enver Hoxha paraqitet me Vasil Shanton në të djathtë dhe Qemal Stafën në të majtë (figura 65, f. 241). Të tjerë piktorë e kanë paraqitur Enver Hoxhën si figurë qendrore gjatë viteve të luftës, si, fjala vjen, në Konfrencën e Pezës, çka është një falsifikim i së vërtetës historike.
Në temën 27 të librit, me titull “Rezoluta themeluese”, autori nënvizon një tjetër të vërtetë tragjike:
“Rezoluta, në pikën e katërt, saktëson detyrën kundër rrezikut që i vjen partisë nga nacionalizmi… Fara e helmët e kundërnacionalizmit, e mbjellë në mbledhjen themeluese të partisë, prodhoi fruta të helmëta për të “dekoruar” me plumb pas shpine qindra nacionalistë gjatë luftës e paslufte dhe me “rrezikun” e nacionalizmit u përgatit strategjia për qëndrim antikombëtar ndaj Kosovës, në interes të politikës kolonialiste të Ttitos” (f. 270, 271).
Duke pasur parasysh orientimin antinacinalist, antikombëtar që i dhanë partisë komuniste Miladini dhe Dushani, të cilët, me porosi të Titos, e shtyn Enver Hoxhën drejt kreut të partisë, duke anashkaluar procesin zgjedhor, vetvetiu vjen përfundimi se partia s’ishte gjë tjetër, veçse një agjenturë e Beogradit. Prandaj zhvillimi i mëvonshëm i ngjarjeve dëshmoi më së miri se emrat e të gjithë kundërshtarëve të Enver Hoxhës, gjatë dhe pas luftës, do të futeshin në listën e zezë për t’u “dekoruar”sipas mënyrave të tij prej krimineli të rrafinuar. Prandaj porositë, të përcjella gjatë luftës në strukturat e partisë dhe të ushtrisë përmes Nexhmije Xhuglinit, ishin të prera:
“Të dekorohet pas koke, në befasi, në fshehtësi, me nderime (sipas rastit), pa lënë shenjë guri-varri… Dekorimi është marrje e jetës me plumb pas koke a shpine, dekorimi kërkohej të bëhej në befasi për kundërshtarin dhe në fshehtësi të madhe që e vërteta të kallet me kufomën… Urdhri me Dekorim një shpikje që s’ka të ngjashme as me inkuizicionin spanjoll, më i egri. Dekorime ku? Teksa shuan etjen në burim, ose t’i pritet kënga në gojë, apo teksa dëgjon muzikë me kufje në vesh, ose me krahaqafë përposhë zabelit… Që varri të jetë sekreti i territ, për të mos u zbuluar kurrë. Sipas rastit, pas dekorimit me lotë të krokodilta të ekzekutorëve, po dhe Urdhër Dite me ulje flamuri gjyasmështize në ushtri, apo hedhje trakti ndër partizanë a në popull të rajonit për “nderimin” e të dekoruarit, hi syve familjarëve, partizanëve dhe popullit! (f. 377, 378).
Dr. Vasfi Baruti ka bërë një punë hulumtuese shembullore në dokumentet arkivore dhe ka zbuluar se
urdhrat e Tarasit-kriminel, Nexhmije Xhuglini, e quajtura Delegate, i përcillte në shtabet e ushtrisë me një zell të jashtëzakonshëm. Prandaj ai ia çjerr maskën mjeshtërisht asaj bashkëpunëtoreje në krim me Enver Hoxhën gjatë viteve të luftës vëllavrasëse që organizuan Miladini dhe Dushani:
“Delegates22-vjeçare s’i lëviz qerpiku për urdhrat e dekorimit me marrje shpirt njeriu të pafajshëm a të fajshëm, vetëm se ka mendim ndryshe. Delegate vajzë e re me edukim spartan me pashpirtësi. Të “dekoruarit” kush? Kundërshtarë politikë, inteligjentë e me autoritet, që u bëjnë hije “shokëve”, thjesht të dyshuar, i “turbullojnë” ujët klikës… Në vendime dekorimi ishte “dora” e Mugoshës që mban detyrën e “shefit” të sigurimit në ushtri dhe dekorimi bëhej nga gjymtyrët e tij në qendrori i partisë në brigada e batalione” (f. 379).
Kur lexova rreshtat e mësipërm për ata që duhej të “dekoroheshin”sipas urdhrave të Mugoshës dhe zbatuesit të tyre prej kriminelit Enver Hoxha, m’u kujtuan aty për aty dy strofa të një poeme të poetit të talentuar me brumosje nacionaliste Napoleon Tasi, ish-i përndjekur politik:
“Muzë moj, të qofsha falë, / Më lejo të them dy fjalë / Për një djalë e birko djalë… / Deshët me këmborë i theri,/ Qysh në ditët e para tmerri/ Për t’u përuruar ferri./ Në shënjestër vu të parët/ Më të ndershmit, më atdhetarët,/ Më të zgjuarit, më shkollarët”(Napoleon Tasi. “Poema politike”. Shtëpia Botuese “Për Mëmëdhenë”. Tiranë 1996, f. 10).
Në radhët e komunistëve shqiptarë kishte intelektualë të formuar në universitete perëndimore dhe me brumosje të shkëlqyer nacionaliste. Ata intelektualë ishin kundër pranisë së emisarëve jugosllavë, të cilët bënin ligjin në partinë komuniste dhe në radhët e ushtrisë, prandaj edhe i kishin shprehur hapur pikëpamjet e tyre. Pikërisht intelektualë të tillë, Enver Hoxha, si vegël e verbër e emisarëve të Beogradit, i shndërroi në objekt të “dekorimit” të lartpërmendur. Midis tyre, në libër përtmenden Mynyr Xhindi, Zai Fundo, Mustafa Gjinishi, etj. Në një shkresë me nr. 46, të datës 21 shtator 1944, të cilën dr. Vasfi Baruti e ka zbuluar në Arkivin Qendror, Enver Hoxha urdhëronte:
“Zai Fundon ta torturoni e pastaj ta pushkatoni” (f. 387).
Dr. Vasfiu jep një hollësi tronditëse për mënyrën e torturimit të Zai Fundos:
“Trupi gjysmëlakuriq dhe këmbëzbathur i Fundos vazhdonte të rezistonte, ndërsa dy duart ishin lidhur fort me litar pas një kali të lartë me shalë që ecte shpejt, afër 20 km rrugë i vdekur së gjalli… Shefqet Peçi, pasi e çoi Fundon në Kolosian të Lumës, duke e tërhequr zvarrë, të lidhur pas një kali, urdhëroi të torturohet, duke i dhënë një gjysmë ore kohë t’u përgjigjej katër pyetjeve të Komandantit (Hoxha)” (po aty).
Ky urdhër prej një krimineli të regjur, siç ishte Enver Hoxha, përbënte një shkelje të rëndë të kodit moral të shqiptarit, i cili nuk e ka pasur kurrë në traditën e vet që armikun ta torturojë paraprakisht dhe pastaj ta pushkatojë. Një kod i tillë i pamoralshëm, mizor fund e krye, tradicionalisht, është karakteristik për kriminelët serborusë, të cilët viktimën e torturojnë para vrasjes dhe pas vrasjes ia poshtërojnë kufomën me llo-lloj mënyrash. Duke hyrë përfundimisht në shërbim të kriminelëve serbë, siç ishte Dushan Mugosha, Enver Hoxha përqafoi edhe amoralitetin e kodit të tyre kriminal në qëndrimin ndaj kundërshtarëve politikë. Dy faktet në vijim e dëshmojnë më së miri një gjë të tillë:
“Serbët janë si hienat që vërsulen mbi kërma. Serbët jo vetëm e vrasin njeriun, por edhe e përçudnojnë kufomën në atë mënyrë, saqë ajo të mos identifikohet fare se ç’ka qenë: njeri, kafshë apo ndonjë gjallesë tjetër. Kodi i car Dushanit, ndryshe nga Kanuni ynë burrëror e njerëzor, parashikon dënime nga më të çuditshmet që nuk njihen as në popullsitë e egra të ndonjë zone të thellë të globit tokësor. Nga llojet e dënimeve për fajtorin, që janë të panumërta, parashikohen gjymtimet më të rënda trupore, si prerja e veshëve, prerja e hundës, prerja e duarve, nxjerrja e syve, etj” (Citohet sipas: Xhafer Martini. “Qytetërimi dhe barbaria nuk mund të bashkëjetojnë”.Gazeta “Rimëkëmbja”, 21 nëntor 2000, f. 4).
Në gazetën “Shekulli” të datës 27 tetor 2002, f. 17, qe botuar një fotografi befasuese me këtë diçiturë:
“Kufomat e dy luftëtarëve çeçenë, duke u tërhequr zvarrë pas një kamioni ushtarak rus”.
Dhe pranë dy kufomave dukej një ushtar entuziast rus që ishte duke i goditur ato me shkelma. Më tutje, në një plan të dytë të fotografisë, këtë skenë makabre ishin duke e soditur dy ushtarë të tjerë. Kurse pak më thellë, në planin e tretë të fotografisë, tre ushtarë të tjerë të ngeshëm rusë, hipur majë një autoblindi, vazhdonin ta ndiqnin me kënaqësi skenën e mësipërme. Sigurisht që ajo skenë rrëqethëse ishte vetëm maja e aisbergut të krimeve të përbindshme që shovinizmi rusomadh dhe makina e tij ushtarake ka kryer kundër popullit liridashës të Çeçenisë. Poshtërimi i kufomave të dy luftëtarëve çeçenë nga ana e ushtarëve agresorë rusë, zbulon fytyrën e vërtetë gjakatare të shovinizmit rusomadh dhe përmbajtjen e kodit amoral të ushtarëve rusë, të cilët Kremlini i kishte lëshuar si bisha të tërbuara kundër një populli të vogël, por heroik.
Të gjithë ata që e patën kritikuar Enver Hoxhën gjatë luftës, sidomos në Konferencën e Parë të vendit që u zhvillua në Labinot (16-22 mars 1943), apo në Plenumin e Beratit (nëntor 1944), ranë pre e hakmarrjes së tij të pabesë përmes“dekorimit” apo mënyrave të tjera.I tillë ishte Mustafa Kaçaçi, i cili në Konferencën e Labinotit pati deklaruar:
“Ti Enver ke qenë një hiç…” (346).
Pas pak ditësh, Mustafa Kaçaçi “u dekorua” me urdhër të Enver Hoxhës.
Po në Konferencën e Labinotit, siç thekson dr. Vasfiu, “Vjosa(Mehmet Shehu) Tarasin e godit rëndë: Tarasi gabon kur fshatarësinë e quan klasë më revolucionare, por klasa punëtore është më revolucionarja” (po aty).
Me sa duket, mërinë për këtë kritikë të rreptë të Mehmet Shehut, hakmarrësi Enver Hoxha e mbajti në gjendje të konservuar për më shumë se 38 vjet. Atë mëri ai e shpërtheu në mbledhjen e kupolës së partisë të pasdites së 17 dhjetorit 1981, kur organizoi vrasjen politike të Mehmet Shehut.
Në Plenumin e Beratit Sejfulla Maleshova e etiketoi partinë komuniste si parti terroriste dhe u pozicionua kundër Enver Hoxhës, të cilit koburja në brez i kishte zënë ndryshk. Pas luftës dihet si përfundoi fati i Sejfulla Maleshovës.
Për kundërshtimet që kishte ndaj qëndrimit të Enver Hoxhës, i cili, sipas orientimeve të Titos, synonte ta kthente Shqipërinë në koloni të Jugosllavisë nën maskën e republikës së shtatë, Nako Spirun e vranë dhe vdekja e tij u propagandua si vetëvrasje.
Në Plenumin e prillit të vitit 1955, Tuk Jakova u ngrit me guxim dhe hodhi poshtë mitin që qarkullonte në opinionin publik më shumë se 10 vjet për rolin e Enver Hoxhës si “themeluesi” i partisë. Për këtë të vërtetë që tha para plenumit, Tuk Jakova iku në botën e përtejme, i helmuar në spital.
Prej praktikës së “dekorimit”të kundërshtarëve politikë, krimineli Enver Hoxha nuk pati hequr dorë edhe 30 vjet më vonë. Lexuesit e nderuar mund të njihen me një “dekorim” të tillë të vitit 1972, të cilin dr. Vasfiu e përshkruan në faqen 472 të librit, sipas kujtimeve të Vahid Lamës, sekretarit personal të Enver Hoxhës, të botuara në një intervistë për gazetën “Panorama” të datës 27 gusht 2012.
Libri i dr. Vasfi Barutit është një portë e hapur në botën e krimeve të Enver Hoxhës, i cili gjatë luftës, si një argat, agjent dhe servil me damkë i shovinizmit serbokriminal, e futi popullin në një luftë vëllavrasëse dhe i hyri rrugës së shfarosjes tërësore të përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar, shfarosje, të cilën, pas luftës, e kurorëzoi me krime nga më të përbindshmet kundër tyre përmes pushkatimeve, burgimeve dhe internimeve nëpër kampe përqendrimi. Sundimin e vet gjakatar gjysmëshekullor, krimineli Enver Hoxha e ngriti mbi eshtra nacionalistësh të shquar, komunistësh atdhetarë dhe klerikësh nacionalistë, siç ishin ata të besimit katolik. Prandaj, më 28 nëntor 1944, me rastin e hyrjes së tij në Tiranë në krye të qeverisë që pati dalë nga Kongresi i Përmetit, dr. Vasfi Baruti shkruan:
“Bulevardi ku kryeministri ec ushtarakisht me hap të shtrirë ishte shtruar me eshtrat e më shumë se 100 intelektualëve e të tjerë të Tiranës që u rrëmbyen e u vranë në fshehtësi me urdhër të tij; me ato të 182 nacionalistëve të masakruar me urdhër të tij në Përroi i Shipkës së Voskopojës; të qindra të tjerëve, vrarë e masakruar në luftën civile. E sikur u thosh të gjithë shpirtrave me ndjesi se i kishte nën këmbë:ja, ky është fundi juaj! Me krenari këtë mesazh ndihej se e tejçon te gjithë kundërshtarët e tij në turmat e dala në miting” (f. 531).
Por kulmi i mashtrimeve për figurën e Enver Hoxhës, në një biografi të shkurtër, në vitin 1956 vjen e merr përmasa ndërkombëtare. Në libër autori përmend letrën e“The International Who’s Who”. Kjo është letër “me firmën e A.E. Balon (president i Shoqërisë Evropiane të botimit)për Enver Hoxhën dhe asaj i bashkëngjitet biografia e tij e botuar në “The International Who’s Who” 1956 dhe Ministria e Punëve të Jashtme, me firmën e zv. ministrit Vasil Nathanaili, ia përcjell Komitetit Qendror të Partisë dhe letra, siç shihet (fig. 89/1 e librit, f. 566), mban shënimin reflektues të zyrtarit partiak: Shoku Enver e pa dhe s’ka asnjë vërejtje” (f. 565-566).
Historiani Vasfi Baruti, tepër objektiv dhe i patundur në vendosmërinë e tij për t’i nxjerr bojën publikisht Enver Hoxhës, si një njeri pa kurrfarë morali, si një mashtrues i nivelit të lartë dhe si një njeri që e bluante përbrenda kompleksi i inferioritetit para atyre intelektualëve të shquar atdhetarë me diploma universitare, citon në këtë libër përmbajtjen e shkurtër të asaj biografie të lartpërmendur, në të cilën nuk ka asgjë të vërtetë:
“Enver Hoxha, politikan shqiptar. Ka lindur në Gjirokastër më 1908, studimet e para i ka bërë në Korçë, ka mbaruar fakultetin e shkencave të natyrës në Montpellier. Ka qenë sekretar i Konsullatës në Francë dhe student i fakultetit të drejtësisë në Bruksel në vitin 1932. Në vitin 1936 ishte profesor në Korçë. Është themelonjës i partisë komuniste shqiptare në vitin 1941. Udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare nga 1939. Në vitin 1943 formoi Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë dhe në vitin 1944 çliroi Shqipërinë” (f. 567).
Kjo vepër e dr. Vasfi Barutit, e rrallë në historiografinë shqiptare, është vazhdim dhe pasurim i mëtejshëm i të dhënave faktike përfigurën e kriminelit Enver Hoxha. Ajo, pa mëdyshjen më të vogël, mund të vlerësohet si një enciklopedi e vërtetë e terrorit komunist ende të pandëshkuar, si një enciklopedi shembullore e mashtrimeve dhe e krimeve të përbindshme të Enver Hoxhës kundër popullit shqiptar, të cilat, gjatë viteve ’80, e çuan vendin tonë drejtë humnerës së varfërisë ekonomike që nuk ishte parë kurrë në historinë e tij shumëshekullore. Në të njëjtën kohë, kjo vepër shërben edhe si një leksion fort domethënës për mbarë historianët-enveristë dhe ngrehinën e mykur me emrin Akademi e Shkencave, të cilët vazhdojnë të përpëliten në batakun e mashtrimeve të kriminelit Enver Hoxha, servilit dhe tradhtarit me damkë në shërbim të shovinizmit serbokriminal, ushtruesit të terrorit të egër komunist gjatë një periudhe gjysmëshekullore.
Në fundin e viteve’80, veprimtaria kriminale gjysmëshekullore e diktaturës komuniste përfundoi me një dështim të turpshëm, paçka se Instituti i Nexhmije Hoxhës, si ofiçina e mashtrimit shembullor, u mundua që sundimin gjakatar të Enver Hoxhës ta maskonte me shumë kujdes me serinë e botimit të veprave të tij deri në 71 vëllime, pa llogaritur librat e tjerë, vepra këto, të cilat, përfshirë këtu edhe përkthimin e shumë prej tyre në disa gjuhë të huaja, patën një kosto prej miliona dollarrësh. Fati i serisë së veprave të Enver Hoxhës domosdo që do të ishte tragjikomik. Prandaj doktor Vasfiu shkruan:
“Me merak se të vertetën e pamëshirë të historisë komuniste do ta kullufiste humnera e frikshme e do të humbiste, vjen këtu një refleksion që meriton të gdhendet në histori -është gjegjja që u jep pjesëmarrësve lezhianë në një bisedë ish-sekretari i qendrorit komunist politologu-historian i njohur, Spiro Dede, për pyetjen shqetësuese të pjesëmarrësve se ç’do të bëhet me veprat e Enver Hoxhës:
… Ja, brumatriçen e keni afër në fabrikën e letrës këtu në Lexhë… Me domethënie të pastër: në brumatriçe për letër amballazhi… Një gjest guximi aq i madh intelektual, sa s’i gjen të ngjashme te ne e në vendet ish-komuniste lindore, në atë moment tranzicioni historik!” (f 244-245).
Kur arrita në faqen e fundit të kësaj vepre, më erdhi menjëherë ndër mend një reagim mjaft mbresëlënës i deputetes së Kuvendit të Kosovës, deputete kjo e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, me titull:“Vjosa Osmani: Presidenti është faqja më e zezë e vendit tonë”, i botuar nëfaqen e internetit të gazetës “Bota Sot”të datës 26 prill 2019.
Një përcaktim ky tepër i goditur i zonjës Vjosa Osmani për presidentin Thaçi, si argat i regjur i Beogradit, të cilin shovinizmi serbokriminal e pati peshkuar me kohë e me vakt për ta nxjerrë në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës dhe në krye të shtetit të Kosovës pas luftës, pikërisht siç pati vepruar edhe me argat-servilin e vet Enver Hoxha, i cili, po ashtu, është faqja më e zezë jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e mbarë kombit shqiptar.
Për fatkeqësinë tonë kombëtare, traditën e servilizmit politik të Enver Hoxhës ndaj grekosllavizmit, e kanë trashëguar pasardhësit e tij në pushtet pas vitit 1990 - klasa politike në Prishtinë ndaj shovinizmit serbokaragjoz, e cila e ka kthyer Kosovën në një koloni të pavarur të Serbisë, dhe klasa politike në Tiranë ndaj shovinizmit grekokaragjoz, e cila e ka kthyer Shqipërinë në një koloni të pavarur të Greqisë. Kjo për arsye se qoftë Prishtina zyrtare, qoftë Tirana zyrtare, respektivisht, Beogradit dhe Athinës u kanë bërë të tilla lëshime skandaloze, të cilat nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse si tradhti kombëtare.
Në fillim të viteve ’90, Edi Rama pati deklaruar:
“Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’ mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme”.(Edi Rama dhe Ardian Klosi,“Refleksione“, Shtëpia botuese “Albania”,Tiranë 1992, f. 184).
Çuditërisht, në vitin 2005, kur erdhi në krye të Partisë Socialiste, Edi Rama e hodhi pas krahëve deklaratën e vitit 1992. Madje servilizmin e tij ndaj Athinës, me aromë tradhtie kombëtare, në bashkëpunim të ngushtë me presidentin Ilir Meta, e kurorëzoi me dekretin e këtij të fundit të 24 dhjetorit 2017 për dhënien e shtetësisë shqiptare Anastas Janullatosit, pushtuesit të kishës ortodokse fanoliane dhe “guvernatorit”faktik të Greqisë në Tiranë. Madje servilizmin e tij ndaj Greqisë Edi Rama e konkretizoi edhe me një tjetër lëshim që i bëri shovinizmit grekokaragjoz për ngritjen në jug të vendit të të tjera varrezave në nderim të ushtarëve agresorë grekë që qenë vrarë në territorin tonë gjatë luftës italogreke, lëshim ky që u shoqërua me lënien tërësisht në heshtje të Çështjes Kombëtare të Çamërisë, së cilës Enver Hoxha i pati vënë përsipër gurin e harresës së madhe gjysmëshekullore.
Santa Barbara, Kaliforni
16 dhjetor 2019
-----------------------
P.S.
Në emisionin “Provokacija”të Mustafa Nanos të datës 01 tetor 2019, ishte ftuar për intervistë ish-drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, zonja Nevila Nika. Temë kryesore e intervistës ishte figura e Enver Hoxhës. Prita që zonja Nevila t’i fliste publikut me “gjuhën” dokumenteve që prehen në Arkivin e Shtetit për terrorin komunist që Enver Hoxha shpërtheu në vendin tone gjatë dhe pas luftës. Por më kot. Në rrëfimet e veta për figurën e Enver Hoxhës, zonja Nevila nuk përmendi absolutisht asnjë të dhënë faktike të historianit dhe të hulumtuesit të talentuar dr. Vasfi Baruti, i cili, siç u theksua më sipës, mbi bazën e dokumenteve arkivore dhe të burimeve të tjera, në dy vëllimet e lartpërmendura, e ka çmitizuar në një mënyrë përfundimtare figurën e Enver Hoxhës, duke zbuluar faqe publikut krimet e tij gjysmëshekullore kundër popullit shqiptar, të katandisur gjatë viteve ’80 në kushtet e një varfërie proverbiale. Është e çuditshme që zonja Nevila e anashkaloi qëllimisht të vërtetën për mbështetjen e gjithanshme që i dha Enver Hoxhës shovinizmi serbokriminal për arritjen e tre objektivave kryesore në Shqipëri, të cilat i ka theksuar me shumë vërtetësi dr. Kastriot Dervishi: shndërrimin e partisë komuniste në agjenturë të Beogradit, futjen e vendit në luftë vëllavrasëse, shfarosjen e përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar.
Përshtypje të veçantë më la një ndërhyrje e Mustafa Nanos, i cili, gjatë bisedës me zonjën Nevila, përdori fjalën “prapësitë” e Enver Hoxhës. Sipas Nanos, del që mizoritë gjakatare gjysmëshekullore të kriminelit Enver Hoxha, të konkrtetizuara me izolimin mizor të vendit, me luftën e egër të klasave, me internime, me burgosje, me pushkatime dhe me varfërimin e tmerrshëm të mbarë popullit shqiptar, na paskan qenë thjesht “prapësira” hesapi! Me sa duket, edhe vdekja nga uria e 300 fëmijëve në kampin e internimit në Turan të Tepelenës, na paska qenë thjesht një “prapësi”e Enver Hoxhës! Vajmedet për gazetarin e “Provokacija-s”,që edhe emisionin e vet e ka titulluar me një fjalë të gjuhëve sllave që e paska shumë për zemër, se nuk gjente dot një fjalë të shqipes!
Comments