top of page

Rexhep Shahu: Për Havzi Nelën...


Për Havzi Nelën, institucioneve, miqve, njerzve të letrave në Kosovë 


(në 36 vjetorin e varjes)


Kur po zhvillohej gjyqi ndaj tij (1967) që e dënoi me 15 vjet burg për tradhëti të lartë ndaj atdheut - arratisje në Jugosllavi, Havzi Nela kundërshtoi me zë të lartë në gjyq, “nuk e kam tradhëtue atdheun, unë kam shkue në Prizren”. Është e vështirë ta kuptojë njeriu i sotëm cfarë ishte Prizreni për Havziun e krejt njerzit e Kukësit.  Veç të tjerave, ishte buka dhe kripa.

Havzi Nela në një mbledhje fshati kundërshtoi kolektivizimin, ndërrimin e veshjeve të grave dhe zhdukjen e fesë. Ky ishte mëkati i tij politik, por partia nuk priste që një mësues të shprehej kështu. Pastaj kur e cuan të shembte xhaminë në Topojan me nxënësit e tij, ai foli para nxënësve, këtu jam falë unë, nuk mund ta prishi xhaminë. Dhe iu ngritën kurthet që të arratiset me gjithë grua. 

Gjatë 21 viteve në burg Havziu shkroi gjashtë fletore me vjersha deri në vitin 1983 dhe fletorën e shtatë e shkroi në internim në 1988. Gjithsej shkroi 5548 vargje që janë botuar në librin Shtatë fletore, botim anastatik bashkë me origjinalin me mbështetjen e humanistit deputet Flamur Hoxha. Nga 5548 vargje gjithsej, gjysma e tyre janë vargje për Kosovën, kryesisht kushtuar protestave të vitit 1981. Kështu Havzi Nela është kampion për sa vargje ka shkruar për Kosovën, më shumë se çdokush, vargje të shkruara në burg për ngjarjet më zgjuese në Kosovë të pranverës 1981.

Havzi Nelën e vari regjimi komunist me 10 gusht 1988 më qytetin e Kukësit se u arratis nga internimi në Arrën dhe plagosi në faqe me një pistoletë artizanale policin që shkoi ta shoqëronte në polici. Pas pesë ditëve hetuesi Havziun e varën në litar, poeti i vetëm i varur në botë, ndërsa polici që u plagos në faqe është gjallë edhe 30 vjet pas varjes së Havziut.

Në tri dekadat pas varjes janë publikuar nga vjershat e Hafziut rreth 20 poezi të ndjera për  burgun, lirinë, vuajtjet, nënën, mallin, të dashurën, etj etj, por “ekspertët” kanë shpërfillë poezitë e poemat për Kosovën, disidencën reale të madhe të tij, duke u shprehur se “nuk i ka gjë vjershat e tjera” vec atyre që kanë miratue “ekspertët”. Në fakt vullkani Havzi Nela ka nxjerrë llavë dashurie për Kosovën si askush tjetër, u ka kënduar nga zgafellat e burgut të Spacit e Qafë Barit me zjarr e pasion të lartë heroizmave të asaj pranvere, qyteteve e njerzve heroj të pranverës së përgjakur 1981. Poezi për vuatje, për burgje e këngë dashurie për lulie e gjuliza kanë shkruar me qindra njerëz. Diktatura nuk kishte qejf, por të lejonte të shkruash vjersha per dashurinë, për nënën, të këndosh lirinë, të vajtosh mjerimin, por diktatura e Enver Hoxhës nuk lejonte kurrë që të këndosh për Kosovën, të shkruash për Kosovën se nuk lejonte Beogradi, Serbia. 

Herezia e mëkati i Havzi Nelës ishte Kosova të cilës ai i kushtoi mbi dy mijë vargje të zjarrta kushtrimi për liri. Poezitë dhe poemat e Havzi Nelës kushtuar Kosovës janë botuar në librin me titull “Po shkrin bora” me mbështetjen e biznesmenit prizrenas Arafat Abazaj.

Ashtu sic e ka denue, urrye  e mallkue diktatura e veglat e saj mjerane në Shqipëri, me po atë fuqi kanë shpifë, dhe e kanë dënue e mallkue nga padija e injoranca Havzi Nelën edhe enveristat në Kosovë vetëm për solidaritet bolshevik.

Eqrem Kryeziu, Skender Zogaj, Afrim Demiri, Sabit Rrustemi janë personalitetet që kanë ndihmuar e udhëhequr promovimin e librit Shtatë fletore të Havzi Nelës në Prizren, në Ferizaj e Gjilan. 

Por në ato raste nuk jemi fokusue e përqëndrue të vjershat e poemat e tij për Kosovën.

Gjithkush ka kryet e vet mbi supe e mendtë e veta, por dua të besoj se nuk ka akoma një poet në letrat shqipe që ka shkruar aq shumë e me aq dashuri për Kosovën.

Askujt nuk i rri më hijshëm se Havzi Nelës një mirënjohje nga institucionet e Kosovës. Ai nuk ka nevojë, por Kosova hijeshohet.


Rexhep Shahu botues i Havzi Nelës

23 views1 comment

1 Comment


I dashur Rexhep,

Nder dhe respkt të veçantë për Ju për këtë Homazh të shkëlqyer që i keni kushtuar poetit me guxim mitik kundër diktaturës së egër komuniste të kryeagjentit të Beogradit dhe kryetradhtarit të kombit shqiptar, njeriut me emrin "askushi", siç e pati etiketuar trimi Mustafa Kaçaçi Enver Hoxhën në Konferencën e Labinotit të marsit 1943. Kur lexojnë këtë Homazh, si vallë e ndiejnë veten ata poetë të periudhës së diktaturës, të cilët i patën thurur aq shumë vargje patetike kryekriminelit Enver Hoxha, njeriut që vrau e preu sa deshi gjatë sundimit të tij 41-vjeçar, njeriut pa kulturë universitare.

Me respekt të veçantë.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 09 gusht 2024

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page