Fatmir Terziu
Rebelimi ka lindur herët në përditësi. Ka ardhur si "faktor" i jetës së përditshme. Por, rebelimi si një motor i krijimit artistik u thellua vetëm në shekullin e tetëmbëdhjetë. I njohur si një akt i rezistencës së armatosur ndaj një qeverie, apo udhëheqësi të pabindur në letrat dhe në artet e tjera, përkon sot me zhbirime të tjera kulturore. Zhbirime, që përthyhen vetvetiu te kultura. Te kultura e rebelimit. Një kulturë e rebelimit është një kulturë në të cilën pothuajse çdo akt i rebelimit është i inkurajuar. Inkurajim, që ndonjëherë, edhe i klonizuar, ndërkohë që sjellja që ndjek vlerat tradicionale kundërshtohet. Kjo sepse, janë duke u rebeluar format e saj.
Gjatë gjithë historisë, kulturat e ndryshme kanë kaluar nëpër një fazë revolucionare, kjo fazë përcaktohet nga filozofia politike. Në filozofinë politike, e drejta e rebelimit (ose e drejta e revolucionit) është e drejta apo detyra, e njerëzve të një kombi për të përmbysur një qeveri që vepron kundër interesave të tyre të përbashkëta. E theksuar ndryshe përgjatë historisë, sidoqoftë, kjo ndjehet aktuale edhe sot. Ditari i një „njeriu të zakonshëm, me kushte pune“ i kapur në kaosin e shekullit të 18-të ishte pikërisht ai që zbuloi „ndikimin shkatërrues“ që rebelimet kanë në jetën e përditshme. Aq shkatërruese mbeten dhe injorimet që shkojnë përtej heshtjes së vetë ndikimeve rebeluese.
Ikja nga njëri pozicion i politikës nuk qaset thjesht tek „rebelimi“, por rebelimi i shkon përshtat vetë ikjes së Njeriut në dy kohë. Dhe kjo mbetet më së shumti në politikën aktuale. Në aspektin e rebelimit, si motor i krijimit artistik, koha ende nuk pikëtakon aq saktë. Një aspekt i tillë, apo dhe një pikëtakim kërkon një akt. Akti është larg. Është vetëm një takt, në një politikë, pa politikë. Është dhe vjen vetëm nga … „larg“. Jo më kot proverbiali shqiptar e thotë qartë: „Pak shkopi, pak Zoti“. Dhe kjo është sa „Lart“, aq dhe „Larg“. Pikëtakon në disa kohë…, dhe e thënë pa frikë me dhe nën emrin ndikues rebelim politik!
Aq larg sa pikëtakon edhe letrën e shkruar e të nënshkruar nga Garibaldi dhe të njohur më 6 Tetor të 1875-ës, për të nënkuptuar pse termi „rebelim“ në Ballkan ka një kumt disi më „rebel“, që në themel. Gjithnjë yshtet nga jashtë gjeografisë së tij. Këtë herë me një trik, kur thuhet se ka pas nënkuptimin Amerikë. Në letra ose është "fshirë", ose ka mbetur "memec". Garibaldi nga Caprera, shkruante: "Për vëllezërit e mi dhe të shtypurit e Evropës Lindore. Uzurpuesi duhet të shkojë larg në Bursa. Ai zbriti si një ujk, duke kaluar Bosforin, me valën e tij shkatërruese, vrasjet, dhe shkeljen e popullatave Pelasge, ndoshta civiluzueset e para në Evropë. Ai nuk duhet të shkelë më në atë pjesë të botës, për të mbajtur popujt në mjerim. Uzurpuesi duhet të kthehet me veset e tij, mizoritë, në Azinë e Vogël për të reflektuar me veten. Kjo është thirrje për bijtë heroikë të Shqipërisë, Malit të Zi, Hercegovinës, Bosnjës, Serbisë, Therapisë, Maqedonisë, Greqisë, Epirit, Bullgarisë, dhe Rumanisë! Të gjithë ju keni një histori më të mrekullueshme se sa ata që ju shkelën. Midis jush kanë lindur Leonidas, Akili, Aleksandri, Skënderbeu, dhe Spartaku. Dhe sot edhe, në mesin e popullatave tuaja të fuqishme ju mund të gjeni ende një Spartak dhe një Leonidas. Mos i besoni diplomacisë. Kjo grua e vjetër pa zemër me siguri ju mashtron. Por me ju janë të gjithë njerëzit e zemrës nëpër botë. Anglia vetë, deri më sot mbetet favorizuese për turqit... G. Garibaldi" (Firma dhe nënshkrimi i tij).
Dhe kjo ndodhi vetëm në Gushtin e vitit 1875. U quajt rebelimi ballkanas! Por në art kurë nuk u avancua. Arti ballkanas mbeti një rebelim kundër modelit të brutalitetit, mendjes së ngushtë, hipokrizisë dhe irracionalitetit. Nuk duhet harruar ndaj sistemit gjithnjë të de-institucionalizuar. Ndoshta nga parcelizimi dhe mungesa e indikacioneve të tjera. Ndoshta nga mungesa e interesave të vjetra e të reja. Ndoshta pos rebelimit adekuar duhej ndonjë letër tjetër si ajo e Garibaldit, në fakt. Ndoshta…rebelimi s'bën paq!
Comments