Nga Ryzhdi Baloku
Me 28 dhjetor të vitit 2013 Zëvendës Kryeministri i Parë i Serbisë foli në TV "PINK" edhe për rastin e njohur "Panda" në Pejë. Deklarata e tij përputhej me interpretimin e ngjarjes për të cilën unë kisha bërë në një shkrim në librin tim, të cilin e kisha përgatitur për shtyp qysh në vitin 2005, ku e kisha theksuar se krimi ndaj të rinjve serbë ishte bërë nga shërbimet sekrete serbe.
Këtë libër e botova në vitin 2007 me titullin "Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare" (me donacionin e Kompanisë "Dukagjini" në 1.000 ekzemplarë).
Atë ngjarje të hidhur do ta prezantoj në vijim të këtij shkrimi. Mirëpo, para se të flasim lidhur me këtë inskenim të tmerrshëm, do t'i përkujtojmë rrethanat dhe disa çështje nga kohërat e mëhershme, që mund të ndërlidhen me inskenimet e tilla të pushtetit serb.
Shqiptarët e robëruar s'kanë pasur mundësi të shkruajnë në shtypin e kohës, andaj me të bëmat dhe trimërinë e tyre janë marrë kryesisht rapsodët, të cilët i kanë jetësuar ato përmes këngës me çifteli.
Një ndër këngët e trimërisë, që i ka mbijetuar kohës më së miri deri me sot, është kënga e Selmon Kadrisë, e cila trajton vrasjen e vojvodës Miliç Kërsta, një zullumqari që ka vrarë shumë shqiptarë.
Shumëkush i ka lakmuar trimërisë së Selmon Kadrisë, andaj në të shkuarën ka pasur raste që ndonjë person ta ketë përhapur ndonjë lavd, me qëllim që rapsodët t'i thurin këngë trimërie.
Në këtë kontekst do ta marr si shembull një ngjarje, e cila ka ndodhur në "Kohën e Shqipnisë". Në atë kohë, në qendër të Pejës i bëhet atentat një malazezi, i cili vdes në vend. Pushteti i shqiptarëve të asaj kohe e dinte motivin e vrasjes, sepse i ndjeri kishte qenë informator i tyre, andaj organet hetuese konsideronin se dorasi mund të ishte ndonjëri nga bashkëkombësit e tij. Por, çfarë ndodhi në ndërkohë?! Një qytetar me kombësi shqiptare, i motivuar nga këngët e trimërisë, e hap lajmin e rremë në qytet se e ka vrarë malazezin, duke menduar se pastaj do ta këndonin me çifteli. Përkundër fjalës së përhapur, e tërë popullata e kishte ditur mirë se personi në fjalë s'kishte pasur aftësi as "ta ndalë macen që mos t'ia ha përsheshin", e lëre më ta vriste një njeri.
Me përfundimin e LDB, partizanët e marrin pushtetin edhe në Pejë, kështu, shqiptarin e përmendur e pushkatojnë pa gjyq, edhe pse e dinin se malazezin e kishin vrarë vetë si tradhtar të kombit.
Pushtetarët serbë e malazezë, shpeshherë në të kaluarën kanë inskenuar eksese e vrasje për t'i fajësuar shqiptarët. Një sajim i tillë ishte edhe rasti "Panda" në Pejë, për çfarë edhe janë arrestuar e burgosur pesë shqiptarë nga policia serbe. Për ta flisnin me pietet disa shqiptarë, si për Avni Rrustemin.
Duke i njohur rrethanat e asaj kohe, unë e kam perceptuar ndryshe atë ngjarje, në krahasim me interpretimin zyrtar të pushtetit serb, të cilën ngjarje pastaj në vitin 2013 Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e Zëvendës Kryeministrit të Parë, deklaroi se ajo vepër nuk është kryer nga shqiptarët. Në librin tim në mesin e shumë shkrimeve të tjera, shkrimi për të cilin po bëhet fjalë ka titullin:
KUZHINA SEKRETE E NACIONAL SHOVINISTËVE SERBË,
PLANIFIKON VRASJEN E DISA TË RINJVE SERBO-MALAZEZË
Një vit më parë kishte filluar lufta sporadike në territorin e Kosovës, në mes të forcave militare serbe dhe UÇK-ës. Marrëdhëniet në mes të popullatës serbe e shqiptare ende nuk ishin acaruar në nivelin që e dëshironte politika serbe e kohës, mirëpo pas atij viti lufte dhe pas peripecive nëpër të cilat kishte kaluar pjesa dërmuese e popullatës shqiptare, tensionimi i gjendjes thellohej edhe më shumë. Serbët dukej se ishin marrosur tërësisht.
Për ta arritur kulmin e acarimit ndëretnik, në dimrin e vitit 1998, maja e piramidës serbe përgatit skenarin e hakërrimit kundër shqiptarëve.
Në Pejë, disa të rinj serbë e malazezë vazhdimisht shoqëroheshin mes veti duke u grumbulluar në një kafiteri me emrin ”Panda ” që ishte afër Gjimnazit. Në atë shkollë mësimet i vijonin vetëm nxënësit e nacionalitetit serb, malazez e boshnjak, derisa nxënësve shqiptarë iu ishte privuar kjo e drejtë dhe mësimet i mbanin nëpër shtëpi private nën përndjekjen policore, meqë pushtuesi iu kishte ndaluar shkollimin.
Një pjesë e këtyre të rinjve ishin nga ato familje serbe e malazeze që nuk tregonin interesim të madh për përkrahjen e politikës kriminele aktuale të kohës që ndiqej kundër shqiptarëve, por rinin indiferentë ndaj saj.
Në qytetin e Pejës, familja e Dragi Stanojeviqit, e cila ka bashkëjetuar në fqinjësi e qetësi me shqiptarët, njihej si familje e kulturuar dhe e urtë e cila nuk inkriminohej në politikën aktuale të kohës që ndiqej nga politika e partisë socialiste të Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin. Sikurse kjo, të pa interesuar për këtë politikë ishin edhe ca familje tjera serbe, që si banorë të vjetër të këtij qyteti kanë bashkëjetuar në fqinjësi me shqiptarët që nga koha e Perandorisë Osmane, e që turqit i kanë quajtur "raja", ndërsa pejanët i quanin "simitçi".
Edhe pse nuk ishte shpallur orë policore, shqiptarët atë kohë e konsideronin si të tillë, meqë numri i policëve serbë e malazezë ishte shumëfishuar. Ata silleshin keq rrugëve kur ndesheshin në shqiptarë, e posaçërisht në djem apo vajza të reja.
Për t’i prishur marrëdhëniet ndërnacionale në mes të etniteteve të këtij qyteti si dhe që të krijojnë çrregullime të përmasave të gjera, e me qëllim të krijimit të një uniteti nacional serbo-malazez, kuzhina sekrete e nacional shovinistëve serbë planifikon vrasjen e disa të rinjve serbë e malazezë të familjeve të caktuara të kësaj ane, në mënyrë që ta nxisë revoltën ndër popullatën e vet, e që për këtë t’i fajësojë shqiptarët dhe të hakmerren ndaj tyre.
Pasi ishte përgatitur e gatuar mirë plani i këtyre acarimeve ndëretnike, në rrethana misterioze nga njerëz të maskuar me 14 dhjetor të vitit 1998 vriten disa të rinj të këtyre nacionaliteteve, nga të cilët katër nga ta vdesin menjëherë, tre lëndohen rëndë, dy prej tyre në ndërkohë vdesin, derisa dy të tjerë plagosen lehtë pa ndonjë rrezik jete.
Pas vrasjes së këtyre të rinjve serbë e malazezë, makineria propaganduese serbe u aktivizua menjëherë, me një fuqi e shpejtësi marramendëse duke i fajësuar të gjithë shqiptarët për vrasjen e tyre, meqë sipas tyre shqiptarët janë të ligë, prandaj edhe duhet vrarë e dëbuar nga Kosova.
Ceremonia mortore për varrimin e tyre bëhet me një pompozitet propagandues antishqiptar, me të cilin rast kufomat e tyre qëndronin të ekspozuara në një vend të improvizuar në bulevardin e qytetit, e që nën këtë pretekst me këtë rast mbahet një miting ndërsyes kundër shqiptarëve.
I shihja shpesh "mitingashët", ndër ta dy analfabetë që më herët kisha punuar me ta në KBI të Pejës, të cilët nuk çonin peshë as në familje të veta, ata ishin Radovani e Bagashi. Mendoja me vete, ja në çfarë niveli kanë rënë serbët e malazezët, të mbështeten tek dy budallenj që nuk janë të zotët as për çobanë derrash. E dija se të tillët herë do kur, popullin e vet do ta shpijnë në humnerë. Ata do ta kuptojnë këtë kur të vijë dita, por atëherë do të jetë vonë.
Nuk befasohesha për masën e gjerë serbe e malazeze që ishte verbuar nga nacional-shovinizmi, sepse aty kishte ndikim edhe patrikana serbe e Pejës, në të cilin objekt fetar ekstremistët serbë e malazezë e patën dhënë betimin për të gjitha të këqijat që do të ndodhin, por çuditesha në intelektualët e tyre që shkonin pas budallenjve që nuk çmoheshin as nga bashkëshortet e veta.
Prej familjarëve që kishin pësuar në atë vrasje misterioze të të rinjve, i vetmi me kufomën e të birit, Stanojeviqi nuk lejoi të manipulohej, prandaj edhe ceremonitë mortore ia bëri ndaras nga të tjerët.
Shqiptarët nga kolektivi punues ku punonte Dragi Stanojeviqi, kërkuan nga ai që t’i shprehin ngushëllime me rastin e vrasjes së të birit. Dragi i pranoi ata, sepse ishte mendjehollë dhe e dinte se shqiptarët nuk ia kishin vrarë të birin, por këta të rinj i kishte sakrifikuar politika aktuale serbe që ndiqej ato ditë në Kosovë.
Nuk shkoi gjatë dhe hakërrimi mori përmasa të gjera. Vazhdimisht shtoheshin vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm, në rrethana misterioze. Dihej se i vriste organizata kriminele famëkeqe "cërna ruka" që përkthyer në shqip do të thotë "dora e zezë", që ishte kopje e së kaluarës.
Në rrethana misterioze u vra i riu Emin Basha. Po ashtu në janar të vitit 1999 u vra edhe mjeku Xhevat Gashi që punonte në urgjencë të qytetit, kufoma e të cilit u gjet në Prekallë.
Hakmarrja serbe kundër shqiptarëve kishte marrë përmasa të një çmendurie kolektive.
Comments