Ramazan HUSHI: Lutje Zotit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 9 min read

Pas një pritjeje për gati një orë aty në Plepa të Durrësit, më në fund erdhi furgoni me targë i linjës Durrës- Kavajë, dhe u sulëm katër vetë menjëherë, duke shtyrë shoshoqin, siç e kemi zakon ne shqiptarët. Vende për t’u ulur merret me mend që nuk kishte, por edhe ashtu në këmbë udhëtarët qenë ngjeshur si peshqit në kutitë e konservave. Qe stina e verës, e plazhit. Pati zëra pakënaqësie, që makina ishte mbushur aq plot, sa po u merrej fryma njerëzve, por mbi këta zëra u dëgjuan fjalët e vrazhda të shoferit: -Luani bythën ju aty, shkoni më andej nga fundi!
E kishte fjalën për ne që ishim në këmbë. Të gjithë aty i kapërdinë në heshtje fjalët e tij të vrazhda e banale. Numri i këmbësorëve m’u duk më i madh se i atyre që rrinin ulur. Kjo të bënte të mendoje që kishte rrezik për ndonjë aksident, ose mund të hante edhe ndonjë gjobë të mirë, por thuhej se shumë nga këta shoferë furgonesh i kishin ndrequr punët me ata të kontrollit rrugor dhe...kuptohet...Shoferi përsëriste herë pas here me nervozizëm fjalët “ Luani bythën, pra... shkoni andej nga fundi!...” Por njerëzit në këmbë, të pakënaqur nga ajo ngushtësi në këmbë, si dhe nga arroganca e shoferit, bënin sikur lëviznin këmbët, por rrinin po në vend. Ku të lëvizje aty?! Furgoni kishte gjithsej vetëm katërmbëdhjetë ndenjëse, me gjithë një kolltuk të vjetër katërvendësh në fund, kurse ne në këmbë ishim më shumë! Kishte nëpër kolltuqet dyshe edhe tre të ulur, por askush nuk ankohej me fjalë, vetëm ndonjëri shfrynte “uf”. Kuptohet nuk donin telashe me shoferin. Por më në fund dikush nga mesi i makinës nuk duroi më e thirri me zë inatçor: -Po kullojmë në djersë! - Ishte zë femre. Në fillim shoferi tundi kokën me inat, por kur ajo gruaja shfryu prap, ai iu gërmush asaj me zë kërcënues: -Mbylle sqepin ti aty!
Pastaj ia plasi po andej, por këtë radhë zë burri:
-Po ti hape atë freskuesen e shkretë, se na vdiqe!- pasuar nga zëra e mërmëritje të tjera.
Befas furgoni ndaloi me tersëllimë, duke bërë një frenim të fortë, aqsa disa nga njerëzit që ishin në këmbë i mori rryma përpara, por u mbajtën me vështirësi tek njëri-tjetri. Aty e pashë mirë që shoferi ishte një djalë i ri, aty rreth tridhjetë vjeç, i shkurtër, por me goxha bark, që ishte ngritur nga vendi, i inatosur çau me bërryle deri tek udhëtari i pakënaqur “rrebel” dhe bërtiti me ton të egër: -Kush qe ai “trimi” që u ankua për freskuesen?
-Unë e thashë,- pranoi një burrë, edhe ai në këmbë.- Po vdesim këtu pa ajër!
Ishte në moshë të thyer, por shoferi, i verbuar nga zemërimi, e qëlloi me pëllëmbë atë në fytyrë. U dëgjuan zëra pakënaqësie. Një grua guxoi e shfryu:” Ke zemër ti apo jo!”, por shoferi çuditërisht u përcuall në heshtje. Kurse pas këtyre fjalëve u dëgjuan nga të gjithë fjalë pakënaqësie.
-Kot e qëllove plakun, se nuk foli ai...- Ky që foli ashtu ishte një djalë i ri, me trup të lidhur, muskuloz, sikur merrej me mundje. Shoferi e mati një herë me sy atë trimosh, por nuk deshi të gërricej me të, kështu që pyeti prap me tonin e tij zemërak:
-Po kush foli atëherë? Le të bëhet trim e të dalë para meje...- Pasi nuk mori asnjë përgjigje, ndaj shpërtheu:
- Ah, pra nuk do tregoni kush u ankua për ajrin dhe freskuesen në makinën time?! Ja, pra, haje edhe ti një shuplakë...- shfryu dhe goditi me pëllëmbë një person tjetër të pafajshëm. Pas këtij veprimi, shkoi u ul në kolltukun e tij, rrotulloi çelësin, ndezi makinën dhe e nisi gjithë nerva. Qe vendosur qetësi e plotë në furgon. Askush nuk guxonte të bënte “ciu”, as unë vetë që po e tregoj këtë ngjarje. Dukej sheshit që kishim qëlluar me një shofer rrugaç, fodull, të cilin me siguri dikush e mbështeste prapa krahëve. Prej njerëzve të tillë çdo gjë të keqe mund të presësh, i thashë vetes, për ta qetësuar. Këta tipa janë nga ata shoferë që bredhin lirshëm pa liçensë, pa leje qarkullimi, madje ka edhe nga ata pa patentë fare, sepse dikush me infuencë a me pushtet i mbron. Madje këta tipa mund të kenë edhe kallashë aty poshtë sediljes, mund të fshehin edhe drogë dhe nuk kanë frikë aspak nga policët rrugorë që u dalin përpara, këta të fundit bile kanë frikë prej tyre! Ata ecin me makina plot me pasagjerë, për të parakaluar furgonin ose autobusin e linjës, që t’u marrin pasagjerët. Dhe janë pikërisht këta shoferë që bëjnë edhe sherre, zihen dhe me grushte a me armë si të tërbuar, kurse ankesat e shoferëve që janë të rregullt me dokumentet e me rregulloren nuk i merr parasysh njeri!
-Mirë të na bëhet!- u shpreh e zemëruar, por me gjysmë zëri një mesogrua, me kokën ulur.-Derisa ne të gjithë këtu trembemi nga një palo shofer, që kërkon të na shkelë me këmbë!
Ashtu i inatosur e fodull, shoferi e ngriti në maksimum volumin e radios, nga ku përhapeshin tingujt e një kënge pijetoresh. Përsëri nuk bëri njeri gëk-mëk! Në Golem zbriti një person e i zgjati shoferit një monedhë pesëdhjetëlekëshe, por shoferi, me dorën zgjatur dhe me tonin e tij të padurueshëm i tha:
-Edhe një pesëdhjetëshe tjetër!
-
Po unë nuk po zbres në Kavajë...
-Njëlloj është, jep lekët shpejt, mos e zgjat!
Pasagjeri nuk foli gjë tjetër, por pagoi i pakënaqur edhe një monedhë tjetër si e para dhe zbriti i pakënaqur nga furgoni, duke sharë nëpër dhëmbë. Më erdhi të qeshja me vete. Unë kisha hipur në Plepa, kështuqë nuk duhej ta diskutoja fare pagesën prej një mijë lekësh të vjetra! Edhe sikur të hipja tek Mali i Robit, deri në Kavajë, ai shofer po aq lekë do më kërkonte dhe unë do t’ia jepja! Pse? Pse? Kisha hipur në një furgon, ku në një tabelë kartoni në xhamin përpara qe shkruar me gabime: “durrs-havaj” Në një furgon të vjetër, që mbase ishte gjetur në një varrezë makinash në shtetin fqinj, që s’kishte fare sistem ajrimi, me xhama të thyer, dhe me një shofer të...të çmendur! Shshsht!-frenova veten përsëri.
Furgoni ndaloi me frenim të fortë para hyrjes së ish-repartit ushtarak, që sot është shndërruar në park argëtimi për qytetarët e Kavajës. Shoferi nuk e hapi derën, por u ngrit nga vendi dhe zgjati krahun me arrogancë, ndërsa njerëzit lëvizën të trembur.
-Paratë do m’i jepni këtu të gjithë, por do të zbrisni tek agjensia!-foli shoferi me ton urdhërues!-Hajde, nxirrni shpejt paratë, se nuk kam kohë.
Kuptohej përse po vepronte ashtu.Të gjithë paguan nga njëqindlekësh pa bërë fjalë, vetëm të shpëtonin sa më parë nga ai njeri i egër, nga ajo makinë gëdallë, që vetëm ters sillte. I kënaqur nga gjithë ato para, ai shkoi me makinën plot tek agjensia. Por atje e priste sherri me shoferët e tjerë të asaj linje! Pati shkëmbime fjalësh me zë të lartë, pastaj nisën kërcënimet e sharjet e të gjitha këto kishin lidhje me shoferin nopran të furgonit. Por aty ndodhi dhe diçka jo e zakonshme: kur ky i fundit u bë gati të hapte derën, që udhëtarët të zbrisnin, befas nga mesi i furgonit u sul gjithë inat një djalë trupmadh e me shpatulla si të ariut; ishte pikërisht ai person që kishte guxuar t’i thonte shoferit “Kot e qëllove plakun...” Kupa e inatit e zemërimit të tij qe mbushur plot e ai qe egërsuar keq. E mbërtheu shoferin në të dy krahët, duke mos i lejuar udhëtarët të zbrisnin jashtë. Pastaj njërën dorë ia vuri në fyt e po e shtrëngonte fort. I ndodhur në befasi, por edhe i pafuqishëm me fizikun e tij t’i bënte ballë sulmuesit, shoferi i prapë u hutua krejt, kishte zgurdulluar sytë tmerrësisht, ndërsa kokërdhokët e tyre iu frynë, iu skuqën e gati po i dilnin nga vendi. Tjetri po e mbyste me duar, por edhe me të shara:
-Mor rrugaç, mor hajdut, mor shkërdhatë, mor horr, që ofendon njerëz të pafajshëm...Me këta bëhesh trim ti? Hë, pra, fol me mua tashti! Nuk të mjaftoi që më mashtrove mua, por u re në qafë edhe këtyre njerëzve të pafajshëm?!
Djaloshi shpatullgjerë ndoshta mund të ishte ndonjë shok i tij, se ashtu ta jepte përshtypjen, por në këtë rast ai kishte marrë në mbrojtje gjithë udhëtarët e furgonit, ishte bërë si egërsirë dhe nuk i merrte parasysh disa zëra aty rrotull. Ata me ton lutës po i thonin, ta lëshonte, se mjaft e kishte zhburrëruar, por ky vijonte të nxirrte gjithë inatin që pat mbledhur aty brenda gjatë udhëtimit. Po ia shtrëngonte edhe më fort lakun e gishtërinjve në fyt, teksa e kishte kthyer me fytyrë nga vetja, ia kishte ngjitur sytë gjithë përbuzje, dorën tjetër e kishte bërë grusht dhe me të e qëllonte pa mëshirë nëpër fytyrë, duke skërmitur dhëmbët:
-Si ta lë të ikë pa u lagur këtë hale! Mos më thoni ta lë! Mjaft e duruam gjithë rrugës, nga Durrësi në Kavajë! Ky nuk meriton të jetë shofer udhëtarësh, ky e ka vendin në burg!...
Dhe, e çuditshme, asnjë prej gjithë atyre që shikonin këtë skenë, nuk u përpoq të futej mes tyre për t’i ndarë. Përkundrazi, dukej sheshit e u bëhej zemra mal që një njeri i keq po ndëshkohej siç e meritonte, nga një njeri i mirë! Populli ka nja mallkim të bukur për keqbërësit: “E gjeç nga perëndia!” Ja, ai njeri e kishte marrë vërtet ndëshkimin nga perëndia! E gjithë ajo skenë të sillte ndër mend një lloj gjyqi primitiv, i cili bazohej në ligje të ashpra, mizore, por dhe ndëshkimet i kishte po aq mizore e të ashpra!
Nga gjithë ai shtrëngim i fortë në fyt, shoferi i furgonit diç mërmëriti, por atij i kishte shterrur zëri e s’u muarr vesh se çfarë thoshte. Gjatë gjithë këtij ndëshkimi të merituar, ai nuk kishte bërë asnjë rezistencëe; të gjithë aty rrotull sikur e miratonin me ato shprehje të fytyrave, rrahjen apo ndëshkimin, dhe ashtu si unë mendonin: ku shkoi gjithë ai kapadaillëk, gjithë ajo “trimëri”, që kishte treguar ai njeri me pasagjerët brenda në furgon!? Kurse fytyra e shoferit qe bërë pleh dhe mbrojtësi i udhëtarëve e urdhëroi me ton të egër:
-Tashti m’i kthe shpejt paratë e gjithë pasagjerëve! Shpejt, se ta mora shpirtin, mor kafshë, mor hale!- dhe nuk po ia hiqte dorën nga fyti.
Shoferi me vështirësi nxorri nga xhepat e pantallonave xhins një tufë me kartëmonedha e monedha e ia zgjati me dorën që i dridhej si të kishte sëmundjen e parkinsonit. Sapo tjetri ia hoqi gishtërinjtë nga fyti, njeriu i keq deshi të dilte nga dera tjetër, por ky i miri, i forti, ia vuri prap pëllëmbën në fyt e nuk e la:
-Mos guxo të dalësh, - i foli me ton kërcënues,- pa marrë të gjithë udhëtarët lekët e tyre! Sot nuk do marrësh as një lek prej këtyre njerëzve të mirë! More vesh?- dhe u mat ta godiste prap në fytyrë, por shoferi ngriti krahun për të mbrojtur surratin, dhe mërmëriti “Dakord!”. Pastaj djaloshi bamirës iu drejtua me mirësjellje të udhëtarëve:
-Tashti, zonja e zotërinj, do merrni paratë tuaja të pastra, që i morëm nga xhepat e pistë të këtij qeni! Po guxoi të kërcënojë dikë prej jush, qoftë dhe me një fjalë, do t’ia thyej kockat një nga një!
Fjalët e tij vërtet u shqiptuan me ton të egër, por nga pamja e fytyrës së tij të krijohej përshtypja që ai ishte i qetë, madje i kënaqur, që kishte bërë një mirësi për ata të pafajshëm.
Shumë shpejt njerëzit aty morën njëqindlekëshet e tyre, duke zbritur një nga një pa zhurmë, të lehtësuar, sikur të kishin shpëtuar nga ndonjë bandë terroristësh, nga ata që rrëmbejnë pengje për të fituar para pa djersë. Kur kishin mbetur vetëm ata të dy aty brenda në furgon, mbrojtësi i udhëtarëve ia lëshoi fytin dhe të dy shigjetuan sytë si ujku me luanin. Ujku ishte shoferi, ujku që në pak minuta aty brenda qe shndërruar në dele! Pastaj ky ujk-dele nuk i rezistoi më shikimit të atij që kishte përballë, përnbysi sytë për tokë, si ai qeni që tërhiqet nga një dyluftim ku del i mundur dhe fut bishtin ndër shalë. Unë zbrita i lehtë si djalosh i ri dhe aty jashtë hodha shikimin sa andej-këndej. Sytë e mi kërkonin atë plakun, i cili kishte ngrënë kot fare një shuplakë në fytyrë, për të mbrojtur një djalë fare të ri. E arrita atë e i fola me përzemërsi e respekt, që nuk duhej të mërzitej, sepse ai njeri i keq, shoferi, me atë sjellje çnjerëzore, kishte turpëruar veten e familjen e tij. Edhe ai m’u duk i qetë, ndonse kishte përjetuar një situatë të rëndë në furgon. Plaku vetëm buzëqeshi, duke tundur kokën majtas-djathtas, pastaj tha:
-Ashtu, ashtu, vërtet.
Gjithnjë fytyrëqeshur plaku, edhe, kur po ndahesha me të dhe kisha bërë dy-tre hapa, dëgjova zërin e tij dhe më bënë përshtypje fjalët e tij lutëse, si të ishte brenda në xhami a në kishë: “Të lutem, o zot i madh, mos na lër kurrë pa njerëz të mirë, po mos na lër edhe pa njerëz kokëshkretë si ky, që na mbrojti nga një njeri i keq, sepse edhe këta na duhen nganjëherë!...”
Ky tregim , edhe 50 % te jete i vertete eshte shuplake , per qeverrine dhe posacerisht , per Ministrine . Krijohet pershtypja se jemi ne Afrike . Duhet qe autori t'i shkruaj Ministrit te linjes te lexoi "Fjalken e lire " . Po qe se ende nuk e lexon , duhet t.i drejtohesh TV, per ta dhene si lajm . Nje ngjarje e tille eshte kriminale , sikur te ndothte edhe shekullin e kaluar . Po qe se tregimi eshte fantasik , autori mban pergjegjesi morale dhe jo vetem kaq . I. Foto