top of page

Ramazan HUSHI: Haxhi S. Sokrati dhe Stalini         


                                                                           

                                                                                                                              

Sapo vuri  këmbët në dhomën e gjumit, pemëshitësi Haxhi S. e ndieu veten tepër të lodhur nga punët e ditës dhe nga gjashtëdhjetë vitet që mbartte mbi kurriz. Vinte me trup të imët, sikur të vuante nga anemia, ashtu kishte qenë edhe në moshë të re, por, lavdi zotit, kurrë nuk kishte provuar sëmundje në trup! Kësisoj, dhoma iu duk e ftohtë akull, jo vetëm sepse ishte natë fundimri, por edhe sepse qe bërë gati një vit, që kur ai flinte më vete, të dy, plak e plakë, me krevatë tek, në dy qoshet e dhomës. Dhe atij s’di pse ajo ndarje me plakën një vit më parë, për të fjetur veç e veç, si dhe ai ftohtë nate, iu duk se mund të ishin një ogur i keq. Vërtet behari i kishte dhënë ca shenja me aroma mimozash e lulesh të tjera por ai ndieu akoma më shumë ftohtë, kur u fut ndën mbulesë. Këmbët i kishte akull krejt dhe një çast  iu drodh i gjithë kurmi si ndër ethe. Ah, vërtet nuk mund të quhej plak, por edhe i ri nuk mund të bëhej më kurrë, dhe, kur mendoi kështu, e ndieu erën e moshës së tretë nëpër gjithë trupin.                                                                                                                                                                       

 Nuk mund të quhej një arësye e vërtetë, që ndihej në atë gjendje, nga që plakut i kishte hyrë të ftohtët deri në palcë dhe ai e kishte dimrin fshehur brenda vetes; as edhe ndarja për së gjalli me plakën, duke fjetur me krevatë të veçantë. Edhe kjo e dyta, vërtet është një ndarje e dhimbshme, që të dërmon në shpirt. Mbi 16 orë  në ditë, burrin dhe gruan i ndajnë  punët e telashet e përhershme dhe vetëm nata e krevati bashkëshortor i bashkon në orët e mbetura, për të shijuar intimitetin dhe qetësinë e jetës. Por edhe natën, veç e veç, sesi i dukej, trembej. Ah, kurrë nuk do të kishte dashur plaku Haxhi dhe as që e kishte menduar ndonjëherë  se do të vinte një ditë kur do ndahej e do të flinte me krevat në vete, larg nga ngrohtësia më e ëmbël në jetë, ajo që të jep gruaja. Por fajin nuk ia kishte as plaka, as mosha. E kishte koha. Kishin ardhë ditë të vështira, që ia prishën rehatinë njerëzve, Kishin qenë mirë deri para dy-tre vjetëve; qeveria e krijuar pas luftës u kishte vënë privatëve të vegjël nga një taksë të ulët dhe të gjithë fitonin diçka, ushqeheshin. Por paskej qenë një politikë hipokrite e saj, për të mashtruar popullin. Dhe ja, papritur, ajo qeveri kishte marrë një vendim të çmendur! Do të mbylleshin të gjithë dyqanet private! Do të mbylleshin të gjitha xhamitë e kishat në vend! Dhe të gjitha këto çmenduri, jo me ligje, por në një formë tjetër: privatëve ua rritën së tepërmi taksat. Një pjesë e tyre ngritën duart lart e u dorëzuan qysh në ditët e para: ose i  mbyllën dyqanet e tyre, ose pranuan ta kthenin dyqanin e tyre në njësi shtetërore. Kishin mbetur ca kokrra, si hallexhiu Haxhi, që rezistonin akoma, me shpresën e kotë, që gjërat mund të ndryshonin për mirë. Kurse për mbylljen e xhamive e të kishave qeveria në atë kohë përdori një djallëzi tjetër: u ndërsyen si të droguar grupe të rinjsh nëpër shkolla, që  të ndërmerrnin sulme të tërbuara kundër tyre, shkatërruan objektet e kultit, shkelën me këmbë librat fetare, u denigruan klerikët. Dhe e gjithë kjo bufonadë u shpjegua me arësyen që ishte dëshira dhe “inisiativa” e rinisë në vend!                                                                                                                                                       

Vërtet kohë e çmendur, po thoshte me vete Haxhi S, kohë e çmendur, që s’e kishte përjetuar asnjë popull tjetër në botë! As dimri i ftohtë, që nuk po dorëzohej e as ndarja me plakën në krevatë më vete, nuk ishin gjë para vendimit të çmendur për të mbyllur dyqanet private, xhamitë e kishat! Haxhi S. as që e kuptonte se çfarë rreziqesh i vinin vendit dhe qeverisë nga prona private dhe nga xhamitë e kishat!                                                                                                                                                                                    Gjatë gjithë jetës së tij, Haxhi S. një pemëshitës i thjeshtë kishte qenë. Nxirrte bukën e gojës me atë dyqanin e tij të vjetër. Ishte njeri i mirë, e fitonte lekun me djersën e tij; u jepte hallexhinjve edhe veresije dhe mund të kishte ndonjë që edhe e vononte borxhin, atëherë shitësi zemërmirë ia falte. Kurse ndonjë kalamani këmbëzbathur, i cili ndalonte për pak çaste e vështronte me neps në vitrinë frutat që ta bënin me sy, ai nxitonte t’i falte ndonjë kokërr mollë a portokall. Ishte i ndershëm, i zgjuar, por, ç’e do, ishte i varfër!                                                                                                                                                                                   

Ishte  dhe shakaxhi Haxhi S, varfëria nuk e kishte penguar të ishte i tillë. Madje ishte humori që ia kishte bërë disi më të lehtë këtë varfëri. Me atë trupin e tij të imët, që të kujtonte misrat vjeshtukë, që mezi rriten e zhvillohen, ai çdo ditë e bënte me nxitim, gati si duke vrapuar, rrugën shtëpi-dyqan dhe dyqan-shtëpi. Me atë pamje, ashtu kokërrumbullakët, me një profil të veçantë, ku spikaste hunda kockore me majë të mprehtë, ai të kujtonte tamam portretin e filozofit grek të lashtësisë, Sokratit.                                                                                                                                                                         ...Aty nga mezi i natës, pemëshitësit Haxhi S. iu bë sikur i doli gjumi dhe, i zhytur në terrin e zi  të natës, në dhomën pa ndriçim, mezi arriti të shquante konturet e një njeriu trupmadh! Aq i madh, sa edhe mund të mos e quaje njeri.                                                                                                                                                                              -Kush je ti dhe çfarë kërkon në shtëpinë time të varfër?- e pyeti i trembur pemëshitësi, duke u dridhur nga nata e ftohët, por më tepër nga frika.-Nëse ke ardhë të rrëmbesh diçka, je gabuar, sepse në këtë shtëpi nuk ka asgjë për vjedhësit, veç mij ka sa të duash!                                                                                                                                                                    

Pas këtyre fjalëve të të zotit të shtëpisë, tjetri përballë ndriçoi fytyrën me një çakmak. Ishte Stalini! Ai që kishte qenë në krye të Rusisë nga 1924-1953! Atëherë pemëshitësi mendoi se në atë natë të çuditshme kishte ndodhur një çoroditje ose një zhvendosje e frikshme e kohës; vitet e dekadat befas kishin ndërruar vende dhe në mënyrë krejt të çrregullt. Ose mund të ishte fantazma e Stalinit! Çoroditja në kohë apo fantazma e hutuan krejt të fakirin Haxhi e gjuha sikur iu lidh, jo me një, por me disa nyje të pazgjidhshme. Ai volli  plot fjalë,  e shikoi me zemërim pemëshitësin e gjorë, tundi kokën e u zhduk.                                                                                                                                                                                       Edhe natën që pasoi pemëshitësit privat Haxhi S. iu shfaq prap në mesnatë fantazma e Stalinit!... Këtë herë kishte marrë fytyrë egërsire... Me të zbardhur dita e re, i hallakatur keq nga mendt e kokës, syskuqur e me këpucët pa i lidhur mirë, ai kishte nxituar dhe qe gjendur përpara godinës dykatëshe të komitetit ekzekutiv. Ora akoma nuk kishte shkuar tetë e mëngjesit, dhe nëpunësit vinin njëri pas tjetrit e futeshin aty të nisnin punën, sipas orarit zyrtar. I shikonte si përgjumshëm Haxhi S. gjërat: rrugën, dyert e komitetit, njerëzit që hynin e dilnin nga aty si robotë, pastaj ai preku disa herë mjekrrën e vet, si për t’u bindur që nuk ishte në ëndërr. Pas pak ai pa të të drejtoheshin për të hyrë në atë godinë edhe dy dyqanxhinj të tjerë, të cilët, ashtu si ai, kishin rezistuar akoma e nuk kishin pranuar të ktheheshin në dyqan shtetëror. Me ndrojtje, u ktheu shpinën atyre. Mbledhjet e shpeshta e me orë të zgjatura, për të bindur privatët të hynin në sektorin shtëror, fjalimet me tone të fryra në radio gjatë gjithë ditës, por edhe në mbrëmje, të gjitha këto ishin si bubullima kërcënuese, që shumë shpejt do të sillnin shira të rrëmbyeshëm..(Një herë gruaja e filozofit Sokrat qe nevrikosur keq nga hallet e përditshme dhe nga qetësia që tregonte i shoqi. Ajo fliste, ankohej, shante me fjalë të pista të shoqin indiferent e turfullonte si shtrigë. Sokrati as që nxorri një fjalë nga goja dhe kjo e tërboi fare të shoqen, e cila, në zemërim e sipër, rrëmbeu një tenxhere me ujë të ftohtë e ia hodhi të shoqit në kokë!. Sokrati, përkundrazi, nuk shfaqi asnjë shenjë zemërimi, por qeshi me vete dhe i qetë mërmëriti: “E dija unë...pas gjithë këtyre bubullimave, patjetër do të binte edhe shi..”)                                                                                                                                                                                   Se si qe përzier emri i Haxhi S, një pemëshitës i rëndomtë, që edhe në qytetin e tij pak njerëz e njihnin, me emrin e Sokratit e të Stalinit, këtë vetëm një djall mund ta dinte! Në fakt ai asnjëherë në jetë s’kishte pasur rast të njihej me filozofin grek, që kishte jetuar gati 2400 vjet përpara!! Kurse për një njohje me Stalinin, as që mund të bëhej fjalë!Bah!                                                                                                                                                 

Duke pritur me ndrojtje aty jashtë godinës së komitetit, privati Haxhi S. dëgjoi nga prapa dikë që e thirri në emër, ktheu kokën dhe vërejti që ai po i afrohej. Ishte një mik i tij i ngushtë. Pasi u përshëndetën, ai nuk nguroi ta ngacmonte:                                                                                                                                                                                 

-Më duket se edhe ti  i paske ngritur duart lart!                                                                                                                 

-Epo,- ngriti supet pemëshitësi me dëshpërim,- luftë me qeverinë nuk bëhet! U dorëzova edhe unë, si gjithë të tjerët!                                                                                                                                                                             

Miku i tij qeshi me zë dhe i vuri dorën në sup në intimitet.                                                                                                        

-Po si t’u kthye mendja kaq shpejt?!                                                                                                                                 

Haxhi S. buzëqeshi hidhur, e tërhoqi mikun pak si mënjanë, këqyri me bisht të syrit majtas e djathtas, pastaj ia zbrazi zemrën gjithë duf:                                                                                                                                                                -Nuk mund të rezistoja më, or mik,- shoqëruar këto fjalë me rrotullim të kokës majtas e djathtas.- Para dy netësh m’u shfaq në ëndërr Stalini, e ke dëgjuar emrin e tij, apo jo? Ky Stalini i tmerrshëm  më pyeti vetullngrysur: “Po ti, mor Haxhi, akoma nuk je futur në shtet me atë dyqanin tënd të qelbur?” Mua m’u ngatërruan fjalët nëpër gojë, por ai s’priti përgjigje, më dha një flakurimë të fortë në fytyrë, sa sytë xixa më nxorrën. Desha t’i thoja diçka, por ai më lëshoi një flakurimë tjetër dhe më kërcënoi:” Nesër do të shkosh drejt e në zyrat e komitetit, fute qafën edhe ti në kular, siç bëjnë të tjerët, more vesh!?” Dje nuk erdha këtu në komitet, se ashtu…mendova që një ëndërr është e kaq. Por, do ti?! Edhe mbrëmë natën m’u shfaq prap ai Stalini, me fytyrë tepër të egërsuar, më zuri për fyti e turfulloi:”Po ti, mor qafir, akoma nuk e vure firmën për ta bërë dyqanin tënd shtetëror?” Dhe m’u sul me grushte, me shkelma, ku t’i zinin këmbët...Nesër…shko shpejt  jep firmën atje në komitet, ndryshe sonte do të të…Unë e di se ç’kam hequr! Po të mos vija edhe sot këtu për të vënë firmën e pranimit, kushdi se ç’do të hiqja sonte natën…Edhe shpirtin mund të ma marrë ai Stalini e të ma flakë në ferr!                                                                                                                                                                                   

Nëpër rrugë, nëpër dyqane e kafenera vijonin të dëgjoheshin me zë të lartë nëpërmjet radiove copëza lajmesh, fjalimesh e thirrjesh me tone sipërore për “sukseset e mëdha” të qeverisë në politikën e shtetëzimeve.                                                                                                                                                                                                                                    

Sipas kalendarit, behari vërtet kishte hyrë, por dimri vërtet nuk po dorëzohej. Një erë e ftohtë  frynte nga lindja e verilindja, ndërsa copëra resh të murrme koloviteshin nëpër qiell fare ulët, në mënyrë kaotike. Pemëshitësi Haxhi S. u drejtua e u fut me çapa të ngadalta në godinën e komitetit ekzekutiv, kurse miku i tij u largua dhe s’merrej vesh pse herë pas here ngrinte supet  e diç mërmëriste me vete.

6 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page