Anë rruge kishte mbetur një këpucë,
I zoti i saj nën rrota kish rënë,
Blana e gjakut të baltur në llucë,
Qante mbi këpucë veç nata me hënë.
Qielli përsipër veç errej e nxihej,
Me lot e lante këpucën e shkretë,
Natës së errët vrasësi diku fshihej,
Ndoshta në klub një gotë pi qetë.
Se jeta s’vlen asnjë lek më shumë,
Kur vrapi i benzave nuk njeh kufi,
Vdekja në asfalt ka lënë ca gjurmë,
Këpucën jetime s’e vështron njeri.
Dhe hesht ajo me gjëmim mërie,
Për fatin e të zotit që rri i shtrirë,
Një gjemb s’i hyn asnjë qeverie,
Veç një titër në TV për mëshirë.
Comments