top of page

RAKIP CUKU: NJË THIRRJE PËR DREJTËSI, NJË THIRRJE PËR NDËRGJEGJE



RAKIP CUKU*

 

Zonja dhe zotërinj, gazetarë të ndershëm dhe shqiptarë me zemër të pastër. Për gazetarët, që gazetarinë nuk e kanë vetëm një profesion, por mision, ashtu siç Artan Cuku e pati policinë. Për ju që nuk jeni thjesht dëshmitarë të kohës, por zëra të saj. Kemi nevojë për ju, që të mos lejojmë heshtjen të bëhet krim i dytë. Në një vend ku shteti ka detyrë mbrojtjen e jetës, kthehet në një vegël heshtjeje. Në një vend ku jeta merret padrejtësisht, ku gjaku i të pafajshmit derdhet në pragun e shtëpisë, shteti nuk duhet të fshihet pas burokracive, por të ngrihet e të vendosë drejtësi në emër të të gjithëve ne.

Vrasja e Artan Cukut ishte atentat ndaj shtetit dhe mesazh i fort nga krimi i organizuar, përpara të cilit politika shqiptare është gjunjëzuar. Sot do të ishte normale që Tan Cukun ta kishim midis nesh. Do ishim padyshim duke e parë në ndonjë konferencë shtypi duke informuar publikun për rezultatet e policisë në luftën kundër krimit. Eh…, fatkeqësisht kjo mbetet vetëm një sikur. Në buzë-mbrëmjen e zezë të 8 prillit 2017, dora gjakatare e krimit të organizuar i mori jetën në mënyrën më makabre në derën e shtëpisë. Kjo vetëm pse Tan Cuku kishte bërë detyrën dhe kishte zbatuar ligjin. Artan Cuku nuk ishte thjesht një drejtues policie. Ishte luftëtar, ishte idealist që e deshi këtë vend me shpirt. Ai ishte një njeri që i dha kuptim fjalës “shërbim ndaj atdheut”. Tan Cuku u përball me rrezikun, jo për lavdi personale, por për të bërë detyrën. Ai nuk u përkul, nuk negocioi me krimin, nuk bëri kompromise me ndërgjegjen. Për këtë, u vra. Tan Cuku u vra me gjakftohtësi, me plan, me urdhër. Sepse ishte pengesë. Sepse ishte simbol. Artani u vra më 8 prill 2017, por padrejtësia ndaj tij kishte nisur më herët, kur shteti e përzuri nga detyra me një justifikim banal, që ende sot ngjall dhimbje e turp dhe e thelloi kur nuk bëri asgjë për ta mbrojtur nga rreziku që ai vetë i kishte paralajmëruar autoritetet. Shteti nuk foli as kur drejtësia u zvarrit, as kur ekstradimet u sabotuan, as kur dëshmitarë, që paguhen me taksat tona, por me flamuj të huaj e kthyen gjakun e një shqiptari të ndershëm në një lojë politike antishqiptare. Ai dha gjithçka, fitoi betejën me krimin, por e humbi luftën me padrejtësinë.

Në fillim u la vetëm. Dhe më pas u vra, sot dëshmor i atdheut. Edhe pse dosja e tij u njoh ndërkombëtarisht si një nga 50 atentatet më tronditëse në botë, në vendin që ai shërbeu me përkushtim, drejtësia i është vonuar. Organizata prestigjioze ndërkombëtare “Global Initiative Against Transnational Organized Crime” (Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional) me qendër në Gjenevë të Zvicrës, në publikimin e saj në librin me titull “Face of assassination” (Fytyrat e atentatit), e ka përfshirë vrasjen e Artan Cukut si njëra nga 50 vrasjet më të bujshme në rang botëror nga viti 2000 e në vazhdim si vrasje e kryer për shkak të detyrës. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka cilësuar “Vrasje për shkak të detyrës”, duke e regjistruar që në fillim si procedimin penal për veprën penale “Vrasje e Punonjësve të Policisë së Shtetit”. Familja u qëndron dy pohimeve se vrasja e Artan Cukut u realizua nga krimi i organizuar. Artan Cuku u vra vetëm për shkak të detyrës. Artan Cuku askujt mbi këtë tokë nuk i kishte asnjë borxh! Që nga dita e parë e fillimit të punës në polici e deri në ditën kur ish-ministri dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit e nxorën në lirim pa asnjë motiv dhe një Zot e di se për llogari të kujt e bënë, Artan Cuku zbatoi ligjin dhe vetëm ligjin. Në fillim u la vetëm. Dhe, më pas, u vra. Shpeshherë i thosha: “O vlla nuk e ndryshon dot ti Shqipërinë, prandaj mos u mundo”. Ai gjithmonë më përgjigjej: “Unë do të bëj pjesën time”. Veprimet e padrejta të drejtuesve të Policisë Shtetit në qershor të vitit 2014 i paraprinë asaj çfarë ndodhi në 8 prill 2017. Vrasja ishte pasoja, shkaku ishte largimi nga detyra, asnjë përgjegjësi nuk u mbajt, asnjë dinjitet nuk u ruajt. Kjo ishte tradhti e shtetit ndaj Tan Cukut.

Artan Cuku u tradhtua dhe u vra disa herë. U tradhtua në vitin 2014… kur padrejtësisht ish-ministri i Brendshëm dhe ishdrejtori i përgjithshëm i Policisë e larguan nga detyra me motivacionin qesharak “Shkurtim organik i vendit të punës”. Dhe ky motivacion absurd i komunikohej njërit prej drejtuesve më të spikatur të policisë shqiptare, i cili i kishte ngjitur shkallët e karrierës dhe gradave një e nga një dhe vetëm për aftësitë dhe meritat e tij. Dosja e tij personale e gjithë karrierës së punës ka vetëm vlerësime maksimale pozitive. Kurrë ndaj Artan Cukut nuk u ngrit asnjëherë asnjë pretendim ligjor, përveç arsyes absurde se Policia e Shtetit nuk kishte vende të lira për gradën policore “Drejtues i Parë” që ai mbante. Artani iu drejtua drejtorit të përgjithshëm të Policisë, ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit për largimin e paligjshëm nga detyra. Të gjithë këta bashkërisht arsyetonin se Policia nuk kishte pozicione të lira për gradën e tij, ndërkohë policia kishte pafund vende të lira në organikën e saj. Natyrshëm edhe sot e kësaj dite shtrohet pyetja: “Për llogari të kujt u lirua nga detyra Artan Cuku”? Akti i largimit, një akt absolutisht i padrejtë, i parapriu asaj çfarë ndodhi në prill 2017. Me këtë akt, Artan Cukut iu prenë krahët, pasioni, mbrojtja, ëndrrat, iu pre vetë jeta. Pas neglizhencës së autoriteteve, Artan Cuku iu drejtua drejtësisë dhe e dërgoi çështjen në gjyq, sepse besonte te drejtësia. Të gjitha shkallët e gjyqësorit u shprehën me vendim në emër të Republikës se: “Urdhri i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit për lirimin nga detyra të Artan Cukut ishte absolutisht i padrejtë dhe i paligjshëm”. Ende pas 8 vitesh jemi në pritje të një vendimi gjykate, ku pas pingpongut midis Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Rrethit Tiranë, prokurorë e gjykatës të çështjes kanë rënë njëri pas tjetrit në veting.

Pyetja që unë ngre është: A duhej shortuar kjo çështje midis prokurorëve dhe gjyqtarëve që kishin kaluar vetigun, në mënyrë që procesi të vijonte pa ndërprerje, sepse ishte ekzekutuar një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit? Gjyqet janë zvarritur dhe vetëm së fundmi kanë rinisur. Prokurorë e gjyqtarë janë larguar. Autorë e organizatorë ende të lirë. Tradhtia e shtetit ndaj Artanit vijoi jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, kur në një mënyrë spektakolare, Ministria e Drejtësisë dështoi në ekstradimin e organizatorëve të vrasjes edhe pse Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Greqi kishte pranuar kërkesën për ekstradim në vitin 2019, duke njohur faktin edhe autorësinë e organizatorëve të vrasjes. Asnjë institucion i drejtësisë shqiptare nuk kanë thënë akoma asnjë fjalë për këtë dështim, vetëm heshtje. Heshtje për të kërkuar drejtësi për shërbëtorin e shtetit. Edhe në kohën kur në këtë vend të mjerë nuk kishte shtet, por sundonte Kanuni, agai i dilte për zot shërbëtorit. E sot në kohët moderne, agai-shtet struket dhe nuk kërkon drejtësi për shërbëtorin e vet. Saga e tradhtisë shtetërore ndaj Artan Cukut vijoi dhe jashtë vendit.

Personazhe të errëta me detyra shtetërore kanë ndihmuar në dështimin e procesit të ekstradimit të organizatorëve të vrasjes duke mbrojtur kriminelët. Zëra të zymtë, figura të errëta gjak prishur, kanë dëshmuar në favor të kriminelëve. Dhe Shqipëria heshti. Heshti edhe kur ky turp u bë ndërkombëtar. Kjo ka ndodhur gjatë procesit politik në Gjykatën e Lartë greke, siç ishte ish-kryetarja e Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, ish-këshilltare e Kryeministrit; zëvendësministre, një i zgjedhur vendor në jug të Shqipërisë dhe persona të tjerë, të cilët kanë dëshmuar në Gjykatën e Lartë në Greqi në favor të organizatorit dhe porositësit të vrasjes. Ata para gjykatës e kanë cilësuar organizatorin e vrasjes si një prijës të helenizimit dhe një vorio-epiriot të devotshëm, duke i dhënë procesit ngjyra politike dhe nacionaliste antishqiptare, duke mundësuar refuzimin e ekstradimit. (Këto sa më sipër janë në vendimin e Gjykatës së Lartë greke, të cilin e kam lexuar në internet).

Shteti shqiptar nuk bëri asnjë përpjekje që të kundërshtonte këtë vendim absurd, pasi ishte jo vetëm i padrejtë dhe i pavërtetë, por ishte edhe denigrues e poshtërues për vetë shtetin. Askush nuk foli asnjë fjalë. Dikush heshti, një tjetër e promovoi dëshmitarin që demaskonte Shqipërinë në sytë e gjykatës greke. Mallkim i madh që Shqipëria ka pasur dhe ka në lidership nga të dyja krahët e politikës këta lloj burrash, që për të mbajtur apo për të marrë karrigen nuk kanë problem për të gjallë e për të vdekur. Në këtë ditë shumë të rëndë për ne të gjithë, dhimbja bëhet akoma më e madhe kur shteti shqiptar ende s’ka bërë drejtësi për Tan Cukun. Shteti shqiptar i ka borxh drejtësinë Artan Cukut. Shteti shqiptar i kishte borxh Artan Cukut të mos e hidhte në rrugë, pasi Artan Cuku ishte njëri nga drejtuesit më të zotët, njëri nga profesionistët më të spikatur, i devotshëm dhe trim. Shteti e dinte shumë mirë se Artan Cuku kishte arrestuar qindra kriminelë të rrezikshëm nga veriu në jug dhe ishte kërcënuar me jetë për shkak të detyrës.

Shërbimet inteligjente e dinin më së miri se organizatori i vrasjes së Artan Cukut e kishte kërcënuar hapur drejtorin e Policisë së Vlorës vetëm e vetëm se pse drejtori kishte kryer, guxuar me vullnet të hekurt dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës të rihapte dosje të krimeve të rënda të ndodhura më parë, të pezulluara dhe të mbuluara nga pluhuri i harresës, e duke arrestuar autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër jetës. Pas vrasjes së Artan Cukut, të gjithë mediat publikuan kërcënimet e hapura ku shkruheshin në muret e qelisë nga autori i dyshuar i disa vrasjeve dhe i përkëdhelur nga drejtësia e gjykatës se Vlorës. (Është e publikuar në të gjitha mediat kërcënimi i hapur i kriminelit: “ Artan Cuku do të vras”). Artani nuk u vra vetëm nga plumbat. Ai u vra edhe nga heshtja e shtetit. Ai u vra nga mosveprimi, u vra nga veprimi. Vrasësi është dënuar me 10 vjet. Artani nuk është më. Organizatorët enden të lirë. A ka drejtësi këtu?! Artani e donte këtë vend. Ai besonte se ligji duhej të ishte mbi gjithçka, këtë besoj edhe unë. Dhe e jetoi këtë besim deri në frymën e fundit. Prandaj, sot, në këtë përvjetor të dhimbshëm, mos heshtni! Mos lejoni që emri i Artan Cukut të zërë pluhur në harresë. Mos lejoni që kriminelët të festojnë fitoren e tyre. Mos lejoni që ky vend të vazhdojë të shkelë mbi gjakun e më të mirëve. Bëni drejtësi, kërkoni drejtësi, jepni drejtësi! Nëse nuk nderojmë ata që sakrifikuan jetën, nuk jemi më as komb, as shoqëri, as njerëz. At Gjergj Fishta po t’ishte gjallë, për Tan Cukun do t’i thoshte nja dy-tri fjalë:

“…O Ti i lumti që dhae jetën,

O Ti i lumti, që shkrine veten !

Lehtë të kjoft mbi vorr ledina,

butë të kjofshin moti e stina,

ak’lli, bora e serotina.

E der t’kndojnë në mal ndo i Zanë,

e der t’ketë n’det ujë e ranë,

der’ sa t’shndrisin diell e hanë,

kurr për jetë mos u harrofsh,

brez pas brezi u kujtofsh”.

Sot, ne nuk kërkojmë hakmarrje, kërkojmë drejtësi. Ende besojmë në drejtësi dhe si respekt ndaj asaj që Tan Cuku besonte. Kërkojmë që ky vend të mos i harrojë më bijtë e tij më të mirë. Kërkojmë që fjala “shërbim ndaj atdheut” të mos jetë një ironi, por një nder. Një nder që ky shtet duhet ta mbrojë me çdo kusht. Nëse heshtim sot, nesër do t’i vijë radha dikujt tjetër. Heshtja nuk është as paqe, as qetësi, as drejtësi. Heshtja është bashkëfajësi. Ju lutem, bëhuni zë për Artanin, për çdo punonjës policie, prokuror, gjyqtarë, gazetar, mjek, mësues që lufton me ndershmëri në këtë vend! Bëhuni zë që drejtësia të mos mbetet një ëndërr e parealizuar. Shteti shqiptar i ka një borxh të madh Artan Cukut. Një borxh që nuk shlyhet me dekorata, por me të vërtetën. Me drejtësinë. Dhe këtë borxh nuk do të ndalemi së kërkuari.

*Autori, vëllai i “Dëshmorit të Atdheut”, Artan Cuku

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page